Përballja e Greqisë me valën e emigrantëve
Kriza e emigrantëve në kufirin midis Greqisë dhe Turqisë duket se do të vijojë dhe zgjidhja duket ende shumë larg.
Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu ka kërcënuar duke thënë se deri tani 143 mijë refugjatë kanë kaluar kufirin dhe ky është vetëm fillimi. Soylu akuzoi Greqinë se me metoda ç’njerëzore po dëbonte dhe dhunonte emigrantët dhe ishin autoritetet turke që e ndalën diçka të tillë. Por nga ana tjetër SHBA me qëndrim zyrtar ka mbajtur anën e Greqisë dhe Bashkimit Europian. Ndërkohë zëvendës asistenti i Sekretarit amerikan të Shtetit Mattheë Palmer ka thënë se SHBA mbështet Greqinë sa i përket kësaj krize. ”Greqia ka mbështetjen tonë në çfarëdo që po bën, në Evros dhe në detin Egje për të garantuar sigurinë e kufijve të saj. Jam i impresionuar nga profesionalizmi i shërbimit të sigurimit grek përgjatë kufirit, mënyrën si po e përballojnë dhe rrugën që kanë zgjedhur për t’u përballur me rreziqet”, tha Palmer. Kryezëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se rrethanat do të përcaktojnë nëse është e ligjshme që Greqia të përdorë plumba plastike kundër refugjatëve. "Kjo varet nga rrethanat. Autoritetet greke duhet të vendosin dhe të bëjnë hapin e duhur", tha Mamer në konferencën ditore për media, i pyetur se "A është e ligjshme sipas së drejtës së BE-së që Greqia të përdorë plumba plastike kundër refugjatëve?". Mamer tha se situata në kufirin e Greqisë është shumë e vështirë. "Ne presim që autoritetet greke edhe t'i mbrojnë kufijtë, por edhe këtë ta bëjnë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Autoritetet greke janë në një situatë të ndërlikuar dhe të vështirë", shtoi Mamer. Javën e kaluar, zyrtarët turq njoftuan se nuk do t'i ndalojnë më refugjatët që duan të shkojnë në Evropë. Që atëherë, mijëra refugjatë janë mbledhur përgjatë kufijve me Greqinë dhe Bullgarinë, me qëllimin për të mbërritur në vendet evropiane. Vendimi i Turqisë erdhi pasi 34 ushtarë turq u martirizuan nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë javën e kaluar. Ushtarët turq ishin në detyrë për të mbrojtur civilët lokalë nën një marrëveshje të vitit 2018 me Rusinë, sipas së cilës aktet e agresionit janë të ndaluara në rajon. Turqia, e cila tashmë strehon rreth 3,7 milionë emigrantë sirianë, më shumë se çdo vend në botë, thotë se nuk mund të absorbojë një valë tjetër refugjatësh. Ankaraja është ankuar vazhdimisht se Evropa nuk ka arritur t'i mbajë premtimet e saj në bazë të marrëveshjes BE-Turqi 2016 për të ndihmuar emigrantët dhe për të frenuar valët e mëtejshme të migrimit. Refugjatët në Turqi po vazhdojnë të kalojnë kufirin nga qyteti i Edirnes drejt Greqisë, ndërsa policia greke vazhdon bllokimin duke ndërhyrë me mjete të ndryshme. Refugjatët vazhdojnë përpjekjet për të kaluar në Greqi, intervenon policia greke. Refugjatët përpiqen të kalojnë kufirin përmes lumit Marica, ndërkohë që policët vazhdojnë patrullimet. Rreth 3.500 refugjatë aktualisht janë duke pritur pranë pikës kufitare Pazarkule me shpresë që Greqia do t'i hapë portat. Autoritetet greke kanë vendosur barrikadë pranë kufirit, ndërsa ndaj refugjatëve që afrohen ka përdorur gaz lotsjellës, topa uji, plumba plastike dhe kohë pas kohe madje edhe plumba të vërtetë.