Bilanc i paqëndrueshëm i viktimave në Evropë
Bilanci i viktimave në Britani duket se nuk është i qëndrueshëm. Prej dy ditësh dukej sikur kurba kishte pësuar rënie të madhe duke shënuar jo më shumë se 300 viktima.
Por gjatë 24 orëve të fundit, bilanci është rënduar ku u shënuan 627 viktima me një total prej 32,692 të vdekur. Statistika të tjera pretendojnë se numri i vërtetë i viktimave në Britani mund të jetë mbi 45 mijë por kjo nuk është verifikuar ende. Ndërsa në Itali, pas disa ditëve në rënie, numri i të infektuarve me COVID-19 në 24 orë në ka pësuar rritje. Aktualisht ka 221.226 të infektuar në total, ku ditën e sotme u raportuan 1,402 raste të reja. Në 24 orët e fundit Italia ka regjistruar 172 viktima më shumë e numri total i tyre ka arritur në 30,911. Ndërkohë, Rusia ka tani numrin e dytë më të lartë të rasteve të koronavirusit pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje edhe vetë zëdhënësi i Putinit, Dimitry peskov, ka rezultuar pozitiv dhe po trajtohet në spital. Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev. Ky njoftim ka ardhur një ditë pasi Putin tha se Rusia është treguar e suksesshme në uljen e shkallës së infektimit me koronavirus, ndaj edhe ka bërë të ditura disa lehtësime të kufizimeve, të cilat janë marrë me qëllim të luftimit të kësaj sëmundjeje. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkis, Rusia të martën është kthyer në shtetin e dytë në botë më të prekur nga Covid-19, pasi ka regjistruar mbi 230,000 persona të sëmurë.