Filozofi i zoti i zemrës
Figura spirituale e tij, ishte fytyra me plotë gjallëri e një burri i cili kishte ndërtuar besimin e fortë dhe gnosticizmin e vërtetë me një dituri të gjerë dhe të thellë dhe me këtë kombinim mahnitës të qenies së tij, ka vërtetuar se Islami mund ta mbledhë në një vend dashurinë e brendshme të të dashuruarve në madhërinë e Zotit me mendjen e drejtë dhe të ndritur të mendimtarëve.
Sejed Muhamed Husejn Tabatabai i njohur me epitetin “Alame Tabatabai”, komentues i Kur’anit, filozof, gnostik dhe islamolog bashkëkohor dhe është një prej dijetarëve me ndikim të shkollës shiite.
Alame Tabatabai në fushën e komentimit të Kur’anit të shenjtë ka ofruar një vepër të çmuar me titull “Tafsir Al-Mizan”. Kjo vepër është shkruar në gjuhën arabe nga Alame Tabatabai dhe është përpiluar në 20 vëllime. Alame Tabatabai gjithashtu ka shkruar edhe vepra të tjera të rëndësishme dhe me ndikim të madh në filozofi dhe logjikë që veprat filozofike “Bidajetul-Hikme” dhe “Nihajetul-Hikme” dhe “Usule felsefe va reveshe realizm” janë prej veprave më të rëndësishme.

Ditë më parë u shënua përvjetori i vdekjes së Alame Muhamed Husejn Tabatabai, mendimtarit dhe gnostikut të madh iranian i cili ka jetuar 81 vjet dhe të gjithë jetën e tij ia ka kushtuar rrugës për zhvillimin dhe përhapjen e njohurive fetare dhe duke anashkaluar dëshirat materiale, ka lënë pas një veprimtari shumë të çmuar në shkencat islame dhe filozofike siç është komentimi “Tefsir El-Mizan”. Me rastin e përkujtimit të këtij dijetari dhe filozofi të shquar, në këtë program do të paraqesim disa aspekte dhe fraza nga jeta dhe personaliteti i Alame Tabatabai.
Në vitin 1281 të kalendarit iranian që përkon me vitin 1904, në qytetin Tabriz në veriperëndim të Iranit, lindi një djalë në një familje të devotshme të cilin e emëruan me emrin Muhamed Husejn. Familja Tabatabai ishte një familje me origjinë dhe traditë të njohur në qytetin e Tabrizit. Mirëpo fati e deshi që Muhamed Husejn qysh në fëmijëri të humbë të dy prindërit. Muhamed Husejn ishte pesë vite kur humbi nënën e tiji dhe në moshën 9 vjeçare ai humbi edhe babanë e vet të nderuar. Alame Tabatabai në lidhje me këtë humbje të madhe ka shkruar: “Qysh nga fëmijëria kam përjetuar dhimbjen e të qenit jetim, mirëpo Zoti i madhëruar na dha mundësi neve që nga aspekti material, të kemi një jetë relativisht mesatare dhe të lehtë. Një person të cilin e kishte porositur babai, sipas testamentit të babait tim të ndjerë, së bashku me gruan e vet, është përkujdesur ndaj meje dhe ndaj vëllait tim më të bogël dhe ai ishte një burrë me moral dhe besimtar i devotshëm”. Alame Tabatabai përgjatë periudhës gjashtë vjeçare ka mësuar dhe ndjekur shkollimet me lëndët të cilat mësoheshin në atë kohë nëpër shkolla si Kur’ani i shenjtë, “Golestan” dhe “Bustan” të Sa’adi Shirazi dhe shumë lëndë të tjera dhe më pas u ngrit në nivelet më të larta të shkollimit dhe vazhdoi ndjekjen e mësimeve sipas programit të shkollave të asaj kohe.
Alame Tabatabai në lidhje me periudhat e shkollimit, ka shkruar: “Në fillim të shkollimit kur isha përkushtuar në mësimin e gjuhës dhe gramatikës arabe, nuk kisha shumë interesim të madh për të vazhduar shkollimin dhe për këtë arsye sa do që lexoja, nuk kuptoja shumë dhe në këtë mënyrë kam kaluar 4 vite. Pas kësaj, papritur më është dhuruar një begati nga ana e Zotit e cila më ndryshoi tërësisht dhe në vete e ndjeva një lloj dëshire dhe interesi të madh për shkollim dhe ndjekjen e rrugës së përkryerjes. Kjo dëshirë tek unë ishte aq e madhe sa që nga ajo ditë e deri në përfundim të shkollimit, periudhë që zgjati rreth 17 vite, kurrë nuk kam ndjerë lodhje ose zhgënjim nga mësimi dhe mendimi. Kështu që u largova tërësisht nga njerëzit të cilët nuk ishin të shkolluar. Në lidhje me gjumin, ushqimin dhe nevojat e tjera të jetës, jam mjaftuar dhe ndjerë i kënaqur me sasinë dhe nivelin më të paktë të domosdoshëm dhe pjesën tjetër të kohës dhe jetës ia kam kushtuar leximit dhe studimit. Shumë herë ndodhte sidomos në stinën e pranverës dhe verës, netët deri në agim i kaloja duke lexuar dhe studiuar. Gjithnjë mësimet e të nesërmes i lexoja një natë përpara dhe nëse paraqitej ndonjë problem në të kuptuar, e zgjidhja me çfarëdo lloj vështirësie që ishte. Prandaj, kur shkoja në klasën e mësimit, çdo gjë që e shpjegonte mësuesi, unë vetëm e dija më parë. Për këtë arsye, unë kurrë nuk kam pas pyetje për mësuesin në lidhje me mësimin”.
Me kalimin e periudhës së vështirë dhe të hidhur të fëmijërisë, në qenien e Alame Tabatabai u shfaqen shenjat dhe karakteristikat e zhvillimit dhe përkryerjes. Ai deri në vitin 1304 të kalendarit iranian (1925), arriti të mësojë shumë shkenca. Ai mësoi dhe kaloi me sukses të gjitha lëndët mësimore përkatëse me nivelin dhe me pasion shumë të madh, mësoi edhe veprat kryesore në fushat shkencore të letërsisë, jurisprudencës, apogjoletikës, filozofisë dhe shkencave të tjera islame.
Alame Tabatabai më pas së bashku me vëllain e tij është shpërngulur në qytetin Naxhaf të Irakut në mënyrë që në shkollën fetare të këtij qyteti dhe pranë Mauzoleut të Imam Aliut (a.s.), të ndjekë dhe vazhdojë studimet e veta pranë profesorëve dhe dijetarëve të mëdhenj të atij qyteti. Zhvillimi i brendshëm i Alame Tabatabai ka ndodhur në qytetin Naxhaf dhe atje u takuar me dijetarin e njohur Ajetullah Kadi dhe ai qysh në takimin e parë me Alame Tabatabai, ka thënë: “Ai i cili vjen në qytetin Naxhaf me qëllim që të vazhdojë studimet, është mirë që përveç studimeve, të mos neglizhojë edukimin dhe zhvillimin shpirtëror”. Ajetullah Kadi në atë kohë ishte prej profesorëve të mëdhenj të gnosticizmit dhe etikës. Ai shkoi të takohet me studentin e vet dhe e ftoi atë që të vazhdojë rrugën e edukimit dhe zhvillimit shpirtëror, sepse pasi u takua me atë, e kuptoi se e vërteta e qenies së Alame Tabatabai ka potencial për t’u zhvilluar nga aspekti shpirtëror dhe për të arritur në shkallët e larta të përkryerjes dhe gnosticizmit. Në këtë mënyrë mirësia shpirtërore e të ndjerit Ajetullah Kadi, ndryshoi tërësisht shpirtin dhe brendësinë e Alame Tabatabai. Që nga ajo ditë, një kapitull i ri u hap në jetën e Alame Tabatabai dhe ai ishte bërja e hapave në rrugën e gnosticizmit dhe në rrugën e dashurisë hyjnore.

Alame Tabatabai në qytetin Naxhaf të Irakut vazhdoi studimet pranë profesorëve të mëdhenj duke mësuar lëndët e filozofisë, matematikës, logjikës, jurisprudencës dhe shkencave kur’anore dhe islame dhe u shndërruar në një profesor të madh të filozofisë dhe logjikës. Alame Tabatabai pas dhjetë viteve u kthye në qytetin Tabriz.
Ai jetonte një jetë shumë modeste duke u mjaftuar me nevojat më të pakta të jetës materiale dhe në këtë rrugë atë e shoqëroi vazhdimisht bashkëshortja e tij. Alame Tabatabai konsideronte se filozofia është një prej bazave më të mira mbështetëse për të kuptuar në mënyrë të saktë dhe të drejtë ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe hadithet e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe për këtë arsye, ai filozofinë islame e konsideronte në lidhje të ngushtë me fenë. Alame Tabatabai në kohën kur u nis drejt qytetit Kum, ai ligjëroi lëndët e filozofisë dhe të shkencave kur’anore dhe në realitet filozofinë e nxori jashtë nga stagnimi dhe ringjalli filozofinë islame.
Alame Tabatabai besonte se studentët e shkencave fetare duhet të pajisen me filozofinë dhe logjikën në mënyrë që të mos përballen me probleme në të kuptuarin dhe perceptuarin e fesë. Një prej studentëve të Alame Tabatabai në lidhje më këtë çështjeje, thotë: “Në shkollat fetare, shumë njerëz besonin se studentët më mirë është që në fillim të lexojnë dhe studiojnë hadithet dhe transmetimet fetare nga imamët ma’sum (a.s.) dhe pastaj të studiojnë filozofinë. Mirëpo Alame Tabatabai thoshte: “Hadithet dhe transmetimet e imamëve ma’sum (a.s.) janë plotë me çështje racionale të thella dhe të sakta dhe të mbështetura mbi argumentet filozofike dhe racionale. Prandaj, pa lexuar dhe kuptuar filozofinë dhe logjikën që bëhet shkak për zhvillimin e mendjes së njeriut, si është e mundur që një student të futet në botën e madhe të haditheve dhe transmetimeve fetare”. Prandaj, mund të thuhet se të kuptuarit më të mirë e shkencave fetare dhe njohurive hyjnore dhe dhënia e përgjigjes së duhur ndaj dilemave materiale, ishin dy motivet kryesore të Alame Tabatabai për t’u përkushtuar në mësimin e filozofisë.
Takimet filozofike të Alame Tabatabai me Henry Kurbin, filozofin dhe studiuesin e njohur të shiizmit nga Franca, përbëjnë një aspekt tjetër të personalitetit shkencor të Alame Tabatabai. Ai nëpërmjet Henry Kurbin, arriti ta transferojë të menduarin burimor shiit në botën perëndimore. Henry Kurbin me anë të letërkëmbimeve dhe takimeve të drejtpërdrejta me Alame Tabatabai, prezantoi për botën të menduarin, filozofinë dhe urtësinë fetare që ekziston në shkollën shiite dhe e distancon atë nga injoranca dhe fanatizmi, dhe e konsideroi islam burimor.
Alame Tabatabai e kishte zgjedhur një jetë shumë modeste dhe jetonte me mundësitë më të vogla materiale, mirëpo dimensionet e qenies së tij kaluan të gjitha kufijtë dhe fama e shkencës, urtësisë dhe filozofisë së tij u përhap në të gjithë botën. Atij iu ofrua mundësia që të ligjërojë nëpër universitete të Perëndimit dhe dhënia e doktoratës së nderit në Iran, mirëpo Alame Tabatabai i refuzoi të gjitha ato propozime dhe oferta për arsye se ai nuk kërkonte pozitë dhe famë materiale. Ajetullah Xhavadi Amoli, një prej studentëve të Alame Tabatabai, thotë: “Më kujtohet një herë, ishte viti 1350 të kalendarit iranian (1971), kur dëshiroja të shkojë në Meke. Shkova të përshëndetëm me Alame Tabatabai dhe i tha atij se po nisëm drejt Mekës për ta vizituar “Shtëpinë e Zotit”, më jep një këshillë e cila do të më duhet dhe do të më shërbejë gjatë këtij udhëtimi. Alame Tabatabai lexoi këtë ajet kur’anore si dhuratë për udhëtimin tim duke thënë: Zoti i madhëruar ka thënë: “Më kujtoni mua në mënyrë që edhe unë t’iu kujtojë juve!”. Alame Tabatabai pastaj vazhdoi dhe tha: “Kujtoje shumë Zotin në mënyrë që edhe Zoti të kujtojë ty. Nëse Zoti e kujton njeriun, atëherë njeriu çlirohet nga injoranca dhe nëse përballet me një problem, atëherë Zoti i madhëruar nuk e lë atë që të mbetet i paaftë dhe nëse përballet me një problem moral, Zoti i madhëruar ka emra të bukur dhe është i stolisur me atribute të larta, prandaj natyrisht se do ta kujtojë njeriun””.
Ajetullah Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai pas një jete të tërë veprimtarie në fusha të ndryshme shkencore dhe filozofike, më në fund më 24 aban të vitit 1360 të kalendarit iranian që përkon me vitin 1981), ndërroi jetë dhe u varros në qytetin Kum. Ajetullah Khamenei, lideri i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me personalitetin e shquar të Alame Tabatabai, thotë: “Ai ishte prej atyre personaliteteve që mund t’i edukojë dhe zhvillojë vetëm një shkollë universale siç është Islami në gjirin e vet. Figura shpirtërore e tij ishte fytyra me plotë gjallëri e një burri i cili kishte ndërtuar besimin e fortë dhe gnosticizmin e vërtetë me një dituri të gjerë dhe të thellë dhe me këtë kombinim mahnitës të qenies së tij, ka vërtetuar se Islami mund të mbledhë në një vend dashurinë e brendshme të të dashuruarve në madhërinë e Zotit me mendjen e drejtë dhe të ndritur të mendimtarëve. Ai edhe punën dhe veprimtarinë e vet të pafund dhe të pashuar e kishte brumosur me këto njohuri hyjnore. Në një prej periudhave më të ndjeshme të jetës së Islamit dhe të shiizmit, Alame Tabatabai u ngrit në këmbë për ta mbrojtur territorin e spiritualitetit islam, të urtësisë dhe njohurive hyjnore dhe ka nxjerr koncepte të bukura shoqërore të Islamit nga ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe ka prezantuar Islamin në mënyrë të plotë dhe universale... Ky burim i pashterur dhe i begatshëm i diturisë, i gnosticizmit dhe devotshmërisë islame ka shënuar një rezultat shumë të rrallë në rrugën e mësimit dhe edukimit të nxënësve dhe studentëve që secili prej tyre u bë dijetar i dalluar në botën islame...”.