Netët e manifestimit të robërisë së njeriut para Zotit
(last modified Tue, 04 May 2021 17:20:26 GMT )
May 04, 2021 19:20 Europe/Tirane
  • Netët e manifestimit të robërisë së njeriut para Zotit

Udhëtari i muajit të bekuar të Ramazanit tanimë pas kalimit të disa ditëve dhe netëve me plotë begati të këtij muaji të shenjtë, ka arritur në një natë shumë të vlefshme dhe të çmuar.

Udhëtari i muajit të bekuar të Ramazanit tanimë pas kalimit të disa ditëve dhe netëve me plotë begati të këtij muaji të shenjtë, ka arritur në një natë shumë të vlefshme dhe të çmuar. Tani në gostinë me plotë fisnikëri dhe bujari të Zotit të madhëruar, është shtruar një sofre tjetër për të mirëpritur shpirtin e njeriut me ushqime hyjnore. I Zoti i gostisë së Ramazanit në premtimet e tij të sinqerta dhe të vërteta, sa bukur ka folur për dhuratat e kësaj nate dhe i ka përshkruar ato në mënyrë shumë të bukur. Sonte banorët e qiellit kanë ardhur mysafirë në gostinë e tokës dhe engjëjt i përshëndesin besimtarët me përshëndetjen e Zotit. Tani po bashkohemi njëzëri me fjalën e ndritur të Zotit të madhëruar dhe e përgatisim veten për të pranuar erën e freskët të mëshirës hyjnore në këtë natë qiellore.

بسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِیمِ / إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِی لَیْلَةِ الْقَدْرِ / وَمَا أَدْرَاکَ مَا لَیْلَةُ الْقَدْرِ / لَیْلَةُ الْقَدْرِ خَیْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ / تَنَزَّلُ الْمَلَائِکَةُ وَالرُّوحُ فِیهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن کُلِّ أَمْرٍ / سَلَامٌ هِیَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ

“Me emrin e Zotit, gjithëmëshirshmit, mëshirëplotit. Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E çfarë din ti se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se njëmijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për përcaktimin e të gjitha çështjeve. Ajo është një natë me plotë paqe deri në agim të mëngjesit”.

Nga pikëpamja e Kur’anit të shenjtë, nata është një mekanizëm me të të cilit njeriu ngritët në qiell. Kjo është për arsye se ajo është koha në të cilën natyra materialiste fshihet nga sytë dhe shfaqet qielli i bukur dhe i pafund me të gjithë bukurinë, sekretet dhe fshehtësitë e veta. Zoti i madhëruar në Kur’anin e shenjtë kërkon nga i Dërguari i Tij që të zgjohet në një pjesë të natës dhe të përkushtohet në adhurim dhe në dua e lutja dhe Ai u ka premtuar një pozitë të vlefshme dhe të pëlqyeshme atyre besimtarëve që qëndrojnë zgjuar në një pjesë të natës dhe adhurojnë Zotin e madhëruar. Me fjalë të tjera, nata është koha kur njeriu besimtar pranon begatinë nga bota hyjnore. Qetësia e natës dhe lutja e këndimi i duave në të, e lidh njeriun besimtar me një botë tjetër. Për shkak të rëndësisë së kësaj periudhe të kohës, Zoti i madhëruar është betuar në natën dhe gjatë natës e ka zbritur Kur’anin e shenjtë. Rrugëtimi hyjnor i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. drejt qiellit që quhet “Mi’raxh”, gjithashtu ka ndodhur gjatë natës dhe aktualisht më e dalluara prej këtyre netëve është nata e Kadrit e cila ndodhet para neve.

Dijetarët islamë duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit të shenjtë, në mënyrë të prerë kanë konsideruar se zbritja ose shpallja me plotë begati e këtij libri të shenjtë, ka ndodhur në natën e Kadrit. Përveç sures Kadr, edhe në ajetin 3 të sures Dukhan dhe në ajetin 185 të sures Bekare të Kur’anit të shenjtë, gjithashtu Zoti i madhëruar ka theksuar se Kur’ani i shenjtë është zbritur në natën e Kadrit e cila është njëra prej netëve të muajit të bekuar të Ramazanit. Një libër ky që është burim i dritës, udhëzimit, urtësisë dhe lumturisë, është shpallur me ligjet e tij jetëdhënëse natën e Kadrit për të gjithë njerëzimin dhe kjo është dhurata më e mirë e Zotit të madhëruar. Prandaj, është e merituar që njeriu besimtar në këtë natë të bekuar, ta lidh vetën me fjalën e Zotit të madhëruar dhe të përfitojë nga drita dhe njohuritë e pafund hyjnore gjatë kësaj nate. Ashtu siç e dini, Kur’ani i shenjtë është zbritur në dy forma. Njëra prej këtyre është zbritja tërësisht në një çast të caktuar dhe ai çast quhet nata e Kadrit. Mënyra tjetër është zbritja graduale e Kur’anit të shenjtë. Historia islame dëshmon këtë që Kur’ani i shenjtë ka zbritur në mënyrë graduale gjatë periudhës 23 vjeçare dhe gjatë periudhës së profetësisë së Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe duke marrë parasysh ngjarjet dhe zhvillimet e ndryshme dhe në këtë mënyrë të vërtetat hyjnore kanë zbritur në zemrën e pastër dhe të devotshme të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Zoti i madhëruar me këtë pyetje që i bënë të Dërguarit s.a.v.s. se ti çka din se çfarë është nata e Kadrit, vë në dukje shenjtërinë, madhërinë dhe rëndësinë e kësaj nate.

Në transmetimet islame, nata e Kadrit është një prej netëve të nëntëmbëdhjetë, njëzetë e një, e njëzetë e treta ose sipas një transmetimi tjetër, kjo natë është nata e njëzetë e shtatë e muajit të bekuar të Ramazanit. Në një prej këtyre netëve vendoset një lidhje e veçantë mes botës materiale dhe botës hyjnore dhe hapësira mbushet me plotë lutje dhe dua që pëshpëriten nga ana e njerëzve besimtarë, të pastër dhe që e kërkojnë Zotin e madhëruar. Karakteristika e netëve të Kadrit në Iran është kulmi i zhvillimit të ceremonive të lutjeve dhe duave nëpër xhami dhe qytete të ndryshme të Iranit. Qytetarët iranianë myslimanë besojnë se nata e Kadrit është nata e përcaktimit të ngjarjeve dhe fatit të çdo personi duke marrë parasysh meritat e tij. Prandaj, xhamitë gjatë netëve të Kadrit, marrin një aromë tërësisht të lutjeve dhe duave të robërve të Zotit. Besimtarët myslimanë në këto net e këndojnë duanë “Xhushan Kabir” në të cilën përmenden njëmijë e një emrat e Zotit të madhëruar. Besimtarët pasi dëgjojnë këshillat fetare dhe morale, vendosin Kur’anin e shenjtë mbi kokën e tyre dhe e përbetojnë Zotin e madhëruar në madhërinë dhe në shenjtërinë e Kur’anit, në Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe në Ehli Bejtin (a.s.) të tij që t’i falë atyre gabimet dhe mëkatet që kanë bërë dhe të përcaktojë një fat të mirë për ata. Edhe pse këtë vit, ashti si vitin e kaluar, shumica e njerëzve duke marrë parasysh përhapjen e pandemisë së virusit Korona dhe nevojën për respektimin e protokolleve shëndetësore, veprat e tyre të adhurimit i bëjnë në shtëpitë e tyre, mirëpo zemrat e tyre i lidhin me njëri-tjetrin dhe të gjithë ata luten dhe bëjnë dua për shëndetin e të gjithë njerëzve të botës dhe për largimin e kësaj të keqe nga e gjithë bota.

Në natën e Kadrit, begatitë e Zotit të madhëruar zbresin për njeriun vazhdimit sikur shiu që bie nga qielli. Mirëpo çdo person në bazë të kapacitetit dhe veprave të tij, përfiton nga kjo sofër e gjerë e të mirave hyjnore. Në këtë natë, sa më e thellë të jetë dashuria dhe mishërimi i njeriut me Zotin e madhëruar, begatitë hyjnore të kësaj nate do të kenë rol konstruktiv më të madh në jetën e njeriut. Në transmetimet islame thuhet se kjo natë është quajtur nata e Kadrit për arsye se Zoti i madhëruar në këtë natë përcakton fatet dhe përcaktimet e krijesave. Prandaj, njeriu gjatë këtyre çasteve shumë të çmuara duhet të mundohet me të gjithë qenien e vet, të qëndrojë i zgjuar dhe të dalë nga neglizhenca e zakonshme në mënyrë që të lutet dhe të kërkojë përcaktimet më të mira dhe programet më dobishme për veten e tij. Me padyshim se besimi, vepra dhe qëllimi-nijeti i pastër i njerëzve ka efekt shumë të madh në përcaktimin e fateve të tyre. Me fjalë të tjera, Zoti i madhëruar për çdo njeri përcakton atë çfarë ai vetë e meriton dhe rrethanat e saj të jenë krijuar nga vetë njeriu. Prandaj, me perceptimin e kuptimit dhe të vërtetës së natës së Kadrit, mund të përfitohen dhuratat më të mira materiale dhe shpirtërore në këtë natë. Një prej lutjeve dhe kërkesave më të rëndësishme që duhet të bëhen para Zotit të madhëruar në këtë natë, është shëndeti i njeriut. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në një hadith ka thënë se nëse e përjetoni dhe e perceptoni natën e Kadrit, lutuni dhe kërkoni nga Zoti i madhëruar që t’u japë shëndet!

Një prej veprave të çmuara në natën e Kadrit, është leximi i Kur’anit të shenjtë. Sa bukur është që në një natë të tillë, në shenjë falënderimi për shpalljen e Kur’anit të shenjtë, të zgjedhim një kohë të përshtatshme për leximin e Kur’anit të shenjtë dhe të mendojmë e të reflektojmë në ajetet kur’anore. Kur’ani i shenjtë është programi më i mirë për jetën e njeriut i cili është shpallur nga ana e Zotit të madhëruar për lumturinë dhe mirësinë e njeriut dhe zbatimi i urdhëresave të tij me padyshim se është rruga më e rëndësishme dhe më e mirë që njeriu të dalë nga krizat, të tejkalojë pengesat dhe problemet me të cilat përballet, sidomos në botën aktuale. Imam Muhamed Bagher (a.s.) duke u mbështetur në Kur’anin e shenjtë, në natën e Kadrit, ka thënë: “Kape në dorë Kur’anin e shenjtë, hapeni atë dhe vendoseni atë para vetes dhe thoni: o Zoti i madhëruar, të lutem ty për hir të Librit Tënd të shpallur dhe të përbetoj ty në atë çfarë ekziston në të nga emrat e tu të bukur dhe më të mëdhenj! Dëshiroj që të më vendos mua në mesin e atyre njerëzve të cilët janë të liruar nga zjarri i ferrit!”

Gjithashtu, leximi i Kur’anit të shenjtë dhe këndimi i duave dhe lutjeve të rekomanduara në këtë natë, është rruga për lidhjen e njeriut me Zotin e madhëruar. Kur’ani i shenjtë si libri i më i fundit qiellor, është një version unik dhe i veçantë i cili me anë të ndryshimeve të dobishme dhe të efektshme që krijon mbi njerëzve, vendos qetësinë dhe sigurinë në zemrat e njerëzve besimtarë. Zoti i madhëruar e quan Kur’anin e shenjtë si një recetë shërues për shpirtrat me dhimbje të besimtarëve. Ky libër hyjnor, përmendjen e Zotit Një e quan mënyrë dhe metodë për arritjen e njeriut në qetësinë dhe sigurinë e brendshme të tij. Në ajetin 28 të sures Ra’ad të Kur’anit të shenjtë: “... Dijeni se zemrat dhe shpirtrat arrijnë në qetësi vetëm me përmendjen e Zotit!”. Ky ajet i Kur’anit të shenjtë, e konsideron Zotin e madhëruar të vetmin e mbështetës për njeriun besimtar i cili ka në dorë të gjitha çështjet. Me siguri që bindja dhe besimi me anë të një force më superiore se sa të gjitha forcat e tjera materiale dhe natyrore dhe lidhja me atë, ndryshon vështrimin e njeriut ndaj botës ekzistenciale. Nëse njeriu do ta dijë se duke u mbështetur në fuqinë e pafund të Zotit të madhëruar, ai do të gjejë një mbështetës të pashoq dhe unik në botë, ndërsa kurrë nuk përballet me kriza dhe trazira në përballje me probleme, ngjarje dhe vështirësi të ndryshme në jetën e tij.

Njerëzit mundohen gjatë gjithë kësaj nate të qëndrojnë zgjuar dhe të luten para Zotit të madhëruar dhe të shpalosin zemrat e tyre dhe të kërkojnë plotësimin e nevojave që kanë dhe të luten për mëshirën hyjnore dhe faljen pranë Zotit të madhëruar. Është mirë që edhe së bashku me robërit e mirë të Zotit, në hapësirën e dashur të kësaj nate, të ndjejmë aromën e mirësisë dhe dashurisë hyjnore dhe ashtu si një pikë uji që i bashkohet oqeanit të pafund, të lidhemi të ai burim i madh hyjnor. Tani kur e gjithë bota po përballet me një krizë të madhe të pandemisë së virusit Korona dhe zemrat dhe shpirtrat e shumë njerëzve janë zhytur në pikëllim për shkak të humbjes së të dashurve të tyre dhe janë në situatë të vështirë dhe të ngushtë, të ngrehim duart për dua dhe të lutemi pranë Zotit të madhëruar që ta zhdukë këtë të keqe të madhe nga shoqëria njerëzore! Me të vërtetë, një natë e tillë e cila vjen pas shumë ditëve dhe muajve të jetës së njeriut, është një rast i veçantë për solidaritet, bamirësi dhe për të menduar e rishikuar e reflektuar në veprat dhe sjelljet tona.

Tags