Shkurt 09, 2023 10:21 Europe/Tirane
  • Revolucioni Islamik; Kur'ani, spiritualiteti dhe uniteti

Në programin e tretë special të Dhjetëditëshit të Faxhrit të Revolucionit Islamik do të flasim për pozitën e Kuranit, spiritualitetit, udhëheqjen e imamit dhe unitetin ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë, në themelimin e këtij revolucioni.

Më 11 shkurt 1979, një lajm i rëndësishëm dhe befasues tërhoqi vëmendjen e njerëzve në mbarë botën: “Revolucioni Islamik i Iranit fitoi dhe i dha fund jetës së dinastisë Pahlavi. Por, për të arritur rezultatin e këtij revolucioni të madh dhe popullor, kishin ndikuar shumë faktorë të ndryshëm që, duke u koordinuar dhe bashkërenduar me njëri-tjetrin, arritën të rrëzonin qeverinë autokratike dhe në dukje të fuqishme Pahlavi, e cila kishte mbështetjen e fuqive të mëdha botërore,  sidomos të Shteteve të Bashkuara.  Në këtë drejtim, uniteti dhe bashkëveprimi i kombit krenar të Iranit nën udhëheqjen e një personi të guximshëm, të mprehtë, popullor dhe të dhembshur si Imam Khomeini (RA), ishte një nga karakteristikat më të rëndësishme të fitores së Revolucionit Islamik. Uniteti i vërtetë dhe i gjithanshëm gjithmonë çon në forcë dhe shpresë dhe përfundimisht në fitore.  Uniteti i iranianëve gjithashtu pati të njëjtin efekt të madh në fazat e ndryshme të lëvizjes dhe suksesit të saj.  Padyshim se lideri i ndjerë i revolucionit luajti rolin më të rëndësishëm në krijimin dhe konsolidimin e unitetit të popullit, i cili në mesazhet dhe fjalimet e tij vazhdimisht i paralajmëronte njerëzit që të distancohen nga ndasitë dhe dallimet. Gjatë luftës së popullit të Iranit kundër regjimit të korruptuar Pahlavi, uniteti i pathyeshëm i popullit kishte çuar në bashkimin, miqësinë dhe bashkëpunimin e gjerë të njerëzve dhe në këtë mënyrë populli njëzëri kërkoi rrëzimin e atij regjimi.

Uniteti i fortë i kombit iranian gjatë revolucionit ishte për shkak të dy arsyeve: Njëra ishte mospëlqimi dhe urrejtja ndaj regjimit represiv dhe autokratik të Shahut dhe tjetra ishte besimi i thellë në Islam, si ideologjia mbizotëruese e revolucionit. Në fakt, natyra islame e lëvizjes popullore iraniane ishte një nga tiparet e saj kryesore.  Parullat e popullit dhe qëndrimet e Imam Khomeinit (ra), liderit të ndjerë të revolucionit, të gjitha tregonin se lëvizja historike e kombit iranian buronte nga feja e pastër e popullit, pra Islami; Një muaj e gjysmë pas fitores së revolucionit, më shumë se 98 për qind e popullit, në një referendum unik, votuan pozitivisht për sistemin e Republikës Islamike, në mënyrë që rregullat dhe vlerat e Islamit të mbizotëronin në vendin e tyre.  Kjo mirëseardhje e madhe dhe e paharrueshme për sundimin e një sistemi islamik tregoi mirë se revolucioni iranian, ndryshe nga revolucionet e tjera, ka një natyrë spirituale dhe islame dhe drejtimi dhe qëllimet e revolucionit bazohen në mësimet dhe vlerat e kësaj feje të madhe qiellore.  Imam Khomeini për rolin e fesë hyjnore islame në unitetin e kombit iranian thotë: “Nuk është e mundur që njerëzimi të arrijë një unitet të ngjashëm, nëse nuk është vullneti i Zotit të Bekuar dhe të Lartësuar”.

Megjithëse populli i Iranit ka besime të thella fetare, ajo që i bëri ata t'i pranonin këto besime si qëllim dhe ideal të luftës kundër regjimit të Shahut ishin udhëzimet e udhëheqësit të tyre të dashur Imam Khomeini (ra).  I vetëdijshëm për vëmendjen e njerëzve ndaj spiritualitetit dhe fesë, ai i thirri ata të bashkohen rreth mësimeve çlirimtare dhe anti-tiranike të Islamit.  Natyrisht, lideri i ndjerë i Revolucionit Islamik e filloi këtë lëvizje rreth vitit 1963 me shoqërinë kolektive të studentëve të tij dhe revolucionarëve që ishin i të njëjtit mendim si ai dhe e prezantoi Islamin si fe të luftës kundër shtypjes dhe nënshtrimit dhe mbështetës të të privuarve dhe atyre që duan drejtësi. Në fakt, Imam Khomeini i njohu njerëzit me mësimet shoqërore dhe politike të Islamit dhe zbatimin e tyre e quajti një ndihmë të Zotit për shpëtimin dhe fitoren e revolucionit. Kjo është pikërisht ashtu siç lexojmë në ajetin 7 të sures Muhamed (savs) ku thuhet  ajetin 7:

7. O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) All-llahun, Ai u ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.

Gjatë luftës së tyre kundër Shahut dhe madje edhe pas fitores së revolucionit, populli mysliman i Iranit ka parë shumë herë shenjat e ndihmës së Zotit kur ata i kanë besuar Atij dhe kanë hedhur hapa në rrugën e Tij ndriçuese.  Demonstratat dhe tubimet më të mëdha dhe më me ndikim të njerëzve u mbajtën në raste fetare, veçanërisht ato që kishin të bënin me kryengritjen kundër shtypjes të Imam Huseinit (a.s.), stërnipit të të Dërguarit të Zotit (a.s.).  Në ditët e Tasu'a, Ashura dhe Arba'in, të cilat janë përkujtues të asaj kryengritjeje hyjnore, u mbajtën tubime të mëdha dhe madhështore, të cilat treguan forcën dhe unitetin e popullit iranian nën drejtimin e mësimeve të Islamit kundër tiranisë dhe kjo bëri që të gjithë të habiteshin me këtë unitet.

Kur flasim për unitetin dhe angazhimin e popullit iranian ndaj mësimeve të Islamit, ne në fakt i referohemi vlerave dhe urdhërimeve që përmenden në librin e shenjtë të Kuranit. Kjo mrekulli unike e Profetit të Shenjtë (savs) është një udhërrëfyes i plotë për veprimet individuale dhe shoqërore të njeriut në fusha të ndryshme. Mësimet e Kuranit të Shenjtë kanë qenë gjithmonë ndriçuese dhe shpresëdhënëse gjatë fazave të vështira të revolucionit.   Ndryshe nga një qeveri në dukje e fuqishme siç ishte regjimi Pahlavi, e cila ishte e pajisur me mjete të avancuara për të shtypur popullin dhe ishte e mbështetur nga të huajt, mbështetja tek Zoti dhe kërkimi i ndihmës së Tij, u dha njerëzve forcë dhe inkurajim shpirtëror në zbatimin e premtimit të fitores. Ata në këtë libër madhështor dhe qiellor lexojnë: “ 3. E, mbështetu në All-llahun, se mjafton që All-llahu të jetë mbrojtës yti. (Sure Al-Ahzab, ajeti 3) Me këtë përshkrim, populli mysliman i Iranit, në luftën e tij të vështirë, u mbështet në fuqinë e Zotit, i cili është i aftë të shkatërrojë çdo shtypës dhe vazhdoi luftën e tij me lajmin e mirë të fitores të dhënë nga Ai.  Në sajetin 30 të sures Fussilet, thuhet: “30. S’ka dyshim se ata që thanë: Zoti ynë është All-llahu, pastaj nuk u luhatën, atyre u zbresin melaiket (në prag të vdekjes dhe u thonë): Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni, keni myzhde Xhennetin që ju premtohej!”

Imam Khomeini (RA) si një udhëheqës i shquar shpirtëror dhe komentues i Kuranit, vazhdimisht i inkurajonte njerëzit që të ndiqnin Librin e Shpalljes dhe të praktikonin mësimet e tij gjatë revolucionit. Në fakt, Kurani është udhërrëfyesi për krijimin e shoqërisë ideale të dëshiruar nga Revolucioni Islamik, i cili u shpall nga Zoti i Plotfuqishëm dhe në atë udhë nuk ka asnjë të metë.  Për këtë arsye, udhëheqësi i ndjerë i kësaj kryengritjeje të madhe popullore i dinte të gjitha vlerat e dala nga fjala e shpalljes dhe tha: “Ne e filluam lëvizjen që në vendin tonë të sundojë Islami dhe ligjet e Islamit dhe Kurani dhe asnjë ligj nuk është mbi ta.” Në fakt, ai theksoi se revolucioni dhe sistemi i Republikës Islamike i përmbahet qëllimeve si liria, pavarësia dhe demokracia, por ashtu siç kuptohet nga mësimet e larta dhe hyjnore të Islamit dhe jo nga modelet perëndimore. Me këtë përshkrim, Republika Islamike konsiderohet si një mënyrë e re e qeverisjes e bazuar në spiritualitetin dhe mësimet e Islamit dhe Kuranit. Për këtë arsye, qeveritë liberale perëndimore për arsye të ndryshme e kanë kundërshtuar fuqishëm dhe i kanë bërë presion këtij sistemi.  Por idealet e revolucionit islamik, që burojnë nga vlerat hyjnore të Islamit dhe Kuranit, janë bërë dritë shprese për njerëzit e shtypur dhe gjithashtu për ata që janë të ngopur me materializmin dhe korrupsionin e Perëndimit. Këto vlera shpirtërore dhe jetëdhënëse tani janë përhapur në shumë shoqëri dhe vazhdojnë të zgjerohen akoma.

 

 

Tags