Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore
-
Abu Rejhan Biruni
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".
Në këtë edicion do të flasim rreth personalitetit të Abu Rejhan Biruni, një tjetër mendimtar i dalluar iranian dhe do të njihemi me biografinë dhe veprat e tij. Abu Rejhan Biruni ishte shkencëtar i dalluar në shumë shkenca të ndryshme si në matematikë, gjeografi, antropologji, gjeologji, fizikë dhe astrologji. Ai është një prej shkencëtarëve të parë i cili në veprat e tij ka trajtuar të kaluarën historike të një çështje shkencore. Matja e densitetit të 18 metaleve dhe të gurëve të çmuar, matja e diametrit dhe të ambientit të rruzullit të tokës, metoda e re për hartimin e hartave gjeografike, matja e distancave mes qyteteve dhe hulumtimi rreth bindjeve dhe historisë së popullit të Indisë, janë disa prej veprave të pavdekshme të tij. Ejani me në territorin e gjerë kulturor të Iranit dhe njihuni me personalitetet e shquara të tij.
Abu Rejhan Muhamed bin Ahmed Biruni është një shkencëtar i dalluar iranian i cili ka lindur më 3 dhilhixhe të vitit 362 hixhri kameri (shtator të vitit 973 të erës së re) në qytetin Kath në principatën Kharezm (në Uzbekistanin dhe Turkmenistanin e sotëm). Babai i tij quhej Abu Xhafer Ahmed bin Ali Andixhani dhe ishte astrolog i njohur në oborrin mbretëror të sunduesit të Kharezmit dhe punonte në observatorin e Gorganxhit (në principatën Kharezm). Ashtu siç ka thënë vet Biruni, babai i tij ishte dëbuar nga oborri mbretëror për shkak të akuzave të bëra nga dashakeqësit e tij dhe ishte detyruar të vendosej në një fshat rreth Kharezmit dhe pasi ishte i huaj për banorët e atij rajoni, ai u njoh me emrin Biruni. Disa gjithashtu kanë thënë se Abu Rejhan pasi kishte lindur jashtë qytetit Kath që ishte kryeqytet të Kharezmit, u njoh me emrin Biruni. Abu Rejhan qysh në moshën fëmijërore ka filluar të mësojë shkencat. Njohja e Biruni me guvernatorin Nasr Mansur bin Ali bin Irak i cili ishte një dijetar i dalluar iranian dhe një prej princave të familjes Ale Irak, u bë shkak që ai të hyjë në oborrin mbretëror të sunduesit të Kharezmit dhe në shkollën mbretërore të Kharezmit të cilën e kishte themeluar princi Nasr. Në këtë periudhë dhe në kohën kur ai kishte vetëm 17 vjet, me ndihmën e një grupi të cilin e quanin "rrethi mbretëror", arriti të masë gjatësinë e gjysmës së një dite do të thotë lartësinë e një gjysmë dite të diellit në qytetin Kath. Katër vite më vonë Ma'mun bin Mahmud, guvernator i rajonit Gorganxh, e sulmoi qytetin Kath dhe e vrau Abdullah Muhamed bin Ahmed, sunduesin e fundit të familjes mbretërore Ale Irak të Kharezmit dhe shkatërroi mbështetësit e Abu Rejhan Biruni.
Me shkatërrimin e dinastisë Ale Irak në Kharezm, thuhet se Biruni ishte fshehur për një periudhë ose kishte shkuar në një vend tjetër dhe në periudhën e sundimit të djalit të Ma'mun bin Muhamed do të thotë të Ali bin Ma'mun në vitin 387 hixhri kameri, u kthye përsëri në qytetin Kath. Ai më 11 xhemadulula të po atij viti, arriti të observojë eklipsin diellor. Në bazë të burimeve të vlefshme, Abu Rejhan Biruni kishte rënë dakord me Abulvefa Buzxhani, astrolog dhe matematicien i njohur iranian, që ai ta observojë eklipsin diellor në Bagdad. Abu Rejhan në bazë të dallimit kohor të cilin e llogariti në këtë mënyrë, arriti të llogarisë edhe distancën gjeografike mes këtyre dy qyteteve. Prandaj, Biruni në moshë të re në atë kohë arriti deri në atë pozitë saqë Abulvefa Buzxhani edhe pse ishte në moshë të vjetër, pranoi të bashkëpunojë me atë. Abu Rejhan pas një kohe të shkurt shkoi në qytetin Ra'j (në jug të Teheranit të sotëm). Ai në këtë qytet u takua me dy matematicienë dhe astrologë të njohur iranianë Kushjar bin Lab-ban Gilani dhe Abu Muhamed Khoxhandi dhe aty shkroi një libër të vogël në lidhje me observatorin e ndërtuar nga Khoxhandi dhe rreth observimeve të tij me atë aparat të madh dhe të saktë. Abu Rejhan Biruni e përshkruan këtë observator si observatorin më të saktë të njohur deri në atë kohë. Ai pastaj shkoi pranë Abulabas Marzban bin Rostam, një prej princave të familjes Ale Bavand dhe e shkroi në emër të këtij princi veprën e njohur "Makalid ilmul-Hej'et".
Abu Rejhan Biruni në vitet e fundit të shekullit të katërt hixhri kameri shkoi në principatën Gorgan dhe në moshën 30 vjeçare shkroi veprën "Atharul-Bakije" në emër të Shamsul-Meali Kabus bin Vashmgir, poet dhe princ i familjes mbretërore Zajari. Kjo është në kohën kur ai para kësaj kishte shkruar 7 libra të tjerë, ndërsa kishte filluar letërkëmbimet shkencore edhe me Ibën Sina. Ai në vitin 393 hixhri kameri, arriti të observojë eklipsin diellor edhe në principatën Gorgan. Ai gjithashtu në Gorgan ka bërë përpjekje që ta masë me një preciziteti më të madh gjatësinë e një shkalle të harkut të gjysmë ditës e cila ishte matur dy shekuj më parë në Bagdad. Mirëpo mbështetësi i tij Kabus bin Vashmgir për shkaqe të panjohura e humbi interesimin për një punë të tillë, prandaj Biruni nuk arriti të përfundojë projektin e tij. Biruni në vitin 399 ose 400 hixhri kameri, në prag të moshës 40 vjeçare u kthyer përsëri në Kharezm dhe për një periudhë ka jetuar në oborrin mbretëror të Abulabas Ma'mun bin Ma'mun. Ai më mbështetjen e këtij sunduesi iranian, arriti të bëjë observime shumë të rëndësishme. Biruni kishte ndërtuar një rreth të madh i cili vendosej mbi faqen e gjysmëditës dhe ishte shumë e dobishme në punën observimit. Ai kishte ndërtuar edhe një gjysmërruzulli i cili shfrytëzohej për marrjen e pamjeve gjatë përpilimit të çështjeve të matjes. Mirëpo Ma'mun bin Ma'mun u vra nga ushtarakët e tij në vitin 407 hixhri kameri dhe një vit më vonë Sulltan Mahmud, mbreti i dinastisë Gaznevite sulmoi principatën Gorganxh dhe mori me vete shumë personalitete të shquara të këtij rajoni duke përfshijë edhe Abu Rejhan Biruni të cilët i dërgojë në Gazne, kryeqytetin e dinastisë së tij në lindje të Afganistanit të sotëm.
Nezami Aruzi Samarkandi, poet dhe shkrimtar iranian i shekullit 6 hixhri kameri, në veprën e tij "Çahar Makale", në një tregim të njohur shkruan se Sulltan Mahmudi i dinastisë Gaznevite e kishte zili tubimin e shkencëtarëve të njohur në oborrin mbretëror të Ma'mun bin Ma'mun dhe për këtë arsye i dërgoi ultimatum atij që menjëherë t'i dërgojë të gjithë shkencëtarët e dalluar në Gazne, kryeqytetin e dinastisë Gaznevite. Në këtë kohë dy filozofët e njohur Ibën Sina dhe Abu Sahl Isa Masihi u arratisën në rajonet perëndimore. Pas kësaj ngjarje Abu Rejhan Biruni pjesën tjetër të jetës së tij që duhet të jetë mbi 3 dekada e kaloi në shërbim të Sulltan Mahmudit dhe pasardhësve të tij në dinastinë Gaznevite. Për fat të keq nuk janë të qarta detajet dhe ngjarjet kohore të jetës së Biruni në periudhën e dinastisë Gaznevite. Siç duket ai në përgjithësi në Ghazne u njoh si astrolog. Biruni sipas të gjitha gjasave të paktën një pjesë të 12 viteve të jetës së tij që e kaloi në shërbim të oborrit mbretëror të Sulltan Mahmudit, kryesisht u mor me mbledhjen e informacioneve në lidhje me Indinë, me mësimin e gjuhës sanskrite dhe të gjuhëve të tjera të Indisë, të sistemeve shtetërore dhe të shkencave të përhapura në Indi. Thuhet se Biruni e shoqëroi Sulltan Mahmudin e dinastisë Gaznevite gjatë ekspeditave të tij ushtarake në Indi dhe gjatë këtyre ekspeditave u njoh edhe me shkencëtarët e Indisë. Ai gjatë këtyre ekspeditave mësoi gjuhën sanskrite dhe mblodhi të dhënat e duhura për të shkruar veprën "Tahkik ma lil-Hind". Ai në çdo qytet që shkonte, mundohej të caktojë gjerësinë gjeografike dhe në vitin 416 hixhri kameri, kur ishte në kalanë Nandana, e shfrytëzoi një bjeshkë që ishte në atë rajon për ta caktuar diametrin e tokës. Biruni më në fund rezultatin e hulumtimit të tij e shkroi në librin e vogël të titulluar "Mekale fi istikhraxhil-ard bihi rasad inhitatul-ufuk ani kilelu xhibal".
Në vitin 415 hixhri kameri, sunduesi i turqve Valga e dërgoi një grup përfaqësuesish në Ghazne. Ky grup kishte marrëdhënie tregtare me popujt e zonave të poleve të tokës dhe Biruni u kërkoi atyre t'i japin atij informacione rreth atyre zonave. Një prej përfaqësuesve të atij delegacioni në oborrin mbretëror të Sulltan Mahmudit tha se në rajonet e largëta veriore, dielli nganjëherë nuk perëndon për shumë ditë. Sulltan Mahmud në fillim u zemërua shumë dhe i quajti këto fjalë besëtytni të kota. Mirëpo Abu Rejhan Biruni i tha atij se fjalët e atij përfaqësuesi janë të drejta dhe shkencore dhe pastaj shpjegoi se ku qëndron çështja. Biruni informacionet që kishte mbledhur gjatë këtyre viteve i ka shfrytëzuar në veprën e tij të çmuar rreth Indisë me titull "Ma lil-Hind" të cilën e përfundoi në vitin 421 hixhri kameri, pikërisht pas vdekjes së Sulltan Mahmudit. Pak kohë para kësaj, Abu Rejhan Biruni kishte shkruar veprën tjetër të tij rreth matematikës dhe astrologjisë me titull "Al-Tafhim liavail sana'atu al-tanxhim". Pas vdekjes së Sulltan Mahmud dhe në kohën e zëvendësimit të tij nga Sulltan Masud (i biri i tij), u krijuan rrethana më të përshtatshme për hulumtimet e Abu Rejhanit dhe pikërisht gjatë kësaj periudhe ai e përfundoi veprën "Kanune Masudi e cila konsiderohet një enciklopedi në shkencën e astrologjisë deri në atë kohë. Sulltan Mas'ud si shpërblim për këtë vepër, i dërgoi flori dhe argjend Abu Rejhan Biruni, mirëpo Biruni e ktheu të gjithë atë pasur në arkën mbretërore dhe i tha Sulltan Masudit se nuk ka nevojë për atë pasuri, për arsye se gjatë gjithë jetës ishte mësuar të jetojë me ato gjëra të pakta që kishte dhe është vështirë për atë që ta ndryshojë këtë metodë të jetës.
Sipas burimeve historike, thuhet se pasardhësit e Sulltan Mahmudit të dinastisë Ghaznevite kishin inkurajuar Abu Rejhan Biruniun që ta vazhdojë punën e tij shkencore dhe i kishin krijuar atij të gjitha kushtet dhe mundësitë e duhura në këtë drejtim, për arsye se Biruni në periudhën e Sulltan Mavdud, djalit të Sulltan Masud të dinastisë Ghaznevite, ka shkruar veprat "Dastur", "Al-Xhemahir fi ma'rifetil-xhavahir" dhe "Al-Sajdanetu fil-tib". Abu Rejhan Biruni në vitet e para të sundimit të pasardhësit të Sulltan Mavdud të dinastisë Ghaznevite, vdiq në muajin raxhab të vitit 440 hixhri kameri, në moshën 70 vjeçare dhe u varros në Ghazne. Abulhasan Ali bin Isa, dijetari i njohur islam i cili ishte pranë Biruni në çastet e fundit të jetës së tij, ka shkruar: "Atëherë kur Abu Rejhan Biruni numëronte frymëmarrjet e fundit, unë shkova pranë tij. Ai ishte i shtrirë në shtrat dhe në atë gjendje ai më bëri një pyetje rreth çështjeve të jurisprudencës islame. Unë e pyeta: tani çfarë ke nevojë për këto pyetje? Ai më tha: o burrë cili prej këtyre dy veprimeve është më i mirë: ta kuptoj këtë çështje dhe të vdes ose të vdes dhe të mos e kuptoj këtë çështje? Unë u përgjigja ndaj asaj çështje dhe ai e kuptoi dhe pastaj unë u largova nga shtëpia e tij. Ende isha në gjysmë të rrugës kur dëgjova vajtimin nga shtëpia e tij dhe kuptova se ai kishte vdekur".
Miq të nderuar këtu po e përfundojmë këtë edicion dhe temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.