Mars 03, 2024 18:55 Europe/Tirane
  • Zgjedhjet nga pikëpamja e Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit

E drejta për të zgjedhur dhe për të përcaktuar fatin është një nga parimet më themelore të pranuara në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit.

Të drejtat e njerëzve janë një nga temat qendrore të sistemeve politike, të cilat janë të theksuara në kushtetutën e shteteve. Shtete të ndryshme të botës po përpiqen të vendosin të drejtat e njerëzve në krye të kushtetutës dhe kapitullit të saj më të ndritshëm.

Kapitulli i tretë i Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit lidhet gjithashtu me të drejtat e kombit. Në këtë kapitull tregohen llojet e të drejtave të njerëzve, liritë shoqërore dhe kufijtë e tyre. Le të rishikojmë së bashku të drejtat dhe liritë më të rëndësishme që u është kushtuar vëmendje në kapitullin e tretë të Kushtetutës së Iranit.

Disa prej të drejtave janë: e drejta e barazisë së të gjithë njerëzve para ligjit, e drejta e të gjithë njerëzve për të gëzuar të drejta të barabarta pavarësisht nga ngjyra, raca, gjuha, e drejta e mbrojtjes së barabartë të burrave dhe grave nga ligji dhe fakti që të dy gjinitë gëzojnë të gjitha të drejtat njerëzore, politike, ekonomike dhe kulturore në përputhje me normat islame, e drejta e njerëzve për siguri dhe imunitet në aspektin e dinjitetit, jetës, pronës, të drejtave, strehimit dhe punës, e drejta për imunitet nga mbikëqyrja (përgjimi), e drejta për siguri dhe imunitet gjyqësor, lirimi nga akuza (pafajësia), ndalimi i torturës, ndalimi i fyerjes dhe sulmi, e drejta e lirisë së fjalës, e të shkruarit dhe e shtypit brenda kufijve të përcaktuar në Islam, e drejta për të gëzuar liritë grupore, të tilla si formimi i partive, komuniteteve, shoqatave politike dhe tregtare, shoqatave islame dhe paradave, e drejta për lirinë e mendimit e të besimit dhe ndalimi i inkuizicionit, e drejta për lirinë e punës dhe të profesionit, e drejta për sigurim shoqëror, e drejta për arsimim dhe edukim falas, e drejta për banim në përshtatje me nevojën, e drejta e zgjedhjes së vendbanimit, e drejta e padisë dhe e referimit në gjykatat kompetente, si dhe e drejta e zgjedhjes së avokatit.

Kushtetuta e Iranit, e cila, si të gjitha kushtetutat e shoqërive demokratike, përcakton parimet politike, strukturën, hierarkinë, pozicionin dhe kufijtë e pushtetit politik të qeverisë, si dhe përcakton dhe garanton të drejtat e qytetarëve të vendit, ka një pikëpamje të veçantë mbi të drejtën për të zgjedhur dhe për të përcaktuar fatin e popullit. Zgjedhja dhe përcaktimi i fatit është një nga parimet më themelore të pranuara të të drejtave të njeriut në botë dhe në kushtetutën e Iranit. Në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit, së drejtës për të zgjedhur dhe për të përcaktuar fatin e çdo individi i është kushtuar një vëmendje serioze. Sipas parimit të gjashtë të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit, punët e vendit duhet të drejtohen duke u bazuar në votën poullore. Sipas këtij parimi, pjesëmarrja e popullit realizohet nëpërmjet zgjedhjeve, duke përfshirë zgjedhjen e presidentit, përfaqësuesve të Asamblesë Islamike (Parlamentit), anëtarëve të këshillave, ose nëpërmjet referendumit.

Sipas sistemit zgjedhor në Iran, dy autoritete zyrtarë dhe kryesorë në sistemin e Republikës Islamike të Iranit, përfshirë Liderin dhe Presidentin, zgjidhen përkatësisht me vota indirekte dhe direkte të popullit të Iranit.

Gjithashtu, një institucion shumë i rëndësishëm dhe efektiv në të gjitha pjesët e sistemit të Republikës Islamike të Iranit, përkatësisht Asambleja Islamike (Parlamenti), formohet me votën e drejtpërdrejtë të popullit.

Këshilli i Ekspertëve të Udhëheqjes është një tjetër organ me ndikim dhe vendimmarrës në Iran, anëtarët e të cilit zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë të popullit për tetë vjet. Ky këshill është përgjegjës për zgjedhjen e Liderit Suprem, shkarkimin e Liderit Suprem, mbikëqyrjen e tij bazuar në kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit.

Sipas nenit 107 të Kushtetutës së Iranit, emërimi i Liderit Suprem është përgjegjësi e ekspertëve të vendit. Në bazë të të njëjtit parim, ekspertët shqyrtojnë dhe konsultohen për të gjithë juristët islamë (fakih) që plotësojnë kushtet e përmendura në nenin 5 dhe 109 dhe kushdo prej tyre që ka më shumë njohuri për dispozitat dhe çështjet juridike apo çështjet politike e shoqërore, ose që gëzon pranim popullor, apo që përmbush ndonjë karakteristikë të veçantë nga cilësitë e përmendura në nenin 109 të Kushtetutës, ata do ta zgjedhin atë për Lider Suprem dhe nëse të gjithë janë në kushte të barabarta, ata do të zgjedhin njërin prej tyre si Lider Suprem.

Sipas nenit 111 të Kushtetutës, një nga detyrat e Këshillit të Ekspertëve është monitorimi i ekzistencës së kushteve të udhëheqësisë. Prandaj, ekspertët e lidershipit kanë për detyrë të monitorojnë vazhdimisht Liderin Suprem dhe mënyrën se si ai i menaxhon punët. Në bazë të Kushtetutës së Iranit, sa herë që Lideri Suprem nuk është në gjendje të kryejë detyrat e caktuara ose humbet një nga kushtet për të vazhduar udhëheqësinë, Këshilli i Ekspertëve e largon atë.

Një tjetër manifestim i administrimit të punëve të vendit nga populli në bazë të kushtetutës iraniane është formimi i Asamblesë Islamike (Parlamentit). Asambleja Islame (Parlamenti) është një nga tri pushtetet e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit dhe shtylla kryesore e legjislacionit. Përfaqësuesit e këtij parlamenti zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë të popullit për 4 vjet.

Duke pasur parasysh rolin dhe pozitën e popullit në administrimin e punëve të vendit, sipas nenit 69 të Kushtetutës, negociatat e Asamblesë Islame (Parlamentit) duhet të jenë publike dhe raporti i plotë i tij të publikohet për informimin e publikut nëpërmjet radios dhe gazetës zyrtare. Në situata emergjente, nëse e kërkon siguria e vendit, me kërkesë të presidentit apo të njërit prej ministrave ose të dhjetë deputetëve, mbahet një seancë plenare (mbledhje me dyer të mbyllura) në Parlament.

Miratimet e seancës plenare janë të vlefshme nëse miratohen nga tre të katërtat e numrit të përgjithshëm të deputetëve me praninë e Këshillit Kushtetues. Raporti dhe miratimet e këtyre takimeve duhet të publikohen për informim publik pas përfundimit të emergjencës.

Neni 69 i Kushtetutës iraniane, në fakt, mbron pozitën e popullit në administrimin e punëve të vendit përmes zgjedhjeve dhe sipas dispozitave të tij, të gjithë qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për të gjitha çështjet, detajet e diskutimeve dhe rezolutat e Parlamentit.

Miratimi i kualifikimeve të ministrave të propozuar nga presidenti për anëtarësim në kabinet dhe shkarkimi i tyre është gjithashtu një nga kompetencat e tjera të Asamblesë Islamike (Parlamentit), gjë që tregon ndikimin e thellë të këtij institucioni në punët e vendit. Neni 86 i Kushtetutës iraniane thotë se deputetët e Parlamentit janë plotësisht të lirë të shprehin mendimin dhe votën e tyre në cilësinë e kryerjes së detyrave të tyre përfaqësuese dhe nuk mund të procedohen penalisht për shkak të mendimeve të shprehura në Parlament apo të votave që kanë dhënë në cilësinë e kryerjes së detyrave të tyre përfaqësuese.

Ky parim tregon se deputeti i Parlamentit në Iran është plotësisht i lirë të mbrojë të drejtat e popullit dhe interesat kombëtare dhe nuk mund t'i vendoset asnjë kufizim gjyqësor.

Irani, i cili së fundmi festoi 45 vjetorin e fitores së Revolucionit Islamik me praninë e miliona njerëzve të tij revolucionarë, po përgatitet të mbajë zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e sesionit të 12-të të Asammblesë Islamike (Parlamentit) dhe sesionit të 6-të të Këshillit të Ekspertëve të Udhëheqjes janë planifikuar të mbahen njëkohësisht më 1 mars në të gjithë Iranin.

Prezenca mbresëlënëse dhe autoritative e popullit të Iranit në marshimin e 22 Bahmanit (11 shkurt) të këtij viti tregoi se pavarësisht presionit dhe sanksioneve të armiqve, kombi iranian u qëndron parimeve dhe idealeve të Revolucionit Islamik.

Populli i vetëdijësuar dhe mirëkuptues i Iranit do të ketë një prani të madhe në ditën e zgjedhjeve të Asammblesë Islamike (Parlamentit), por edhe të Këshillit të Ekspertëve gjithashtu, për të pohuar të drejtën e tyre për vetëvendosje me qëllim që t'i sjellë një të ardhme të ndritur vendit.

Tags