Një vështrim në Konkursin e 40-të Ndërkombëtar të Kur'anit në Teheran
Konkursi i 40-të Ndërkombëtar i Kur'anit u mbajt në Teheran nga 26 Bahman deri më 2 Esfand 1402 (15-21 shkurt 2024).
Konkursi Ndërkombëtar i Kur'anit të Shenjtë, i cili mbahet çdo vit në Iran me një madhështi dhe spiritualitet të veçantë, mbajti edicionin e tij të 40-të nga 15 deri më 21 shkurt 2024. Mbajtja e 40 garave ndërkombëtare gjatë jetës 45-vjeçare të Republikës Islamike të Iranit tregon jo vetëm rëndësinë që ka vetë Kur'ani, por edhe përkujdesjen e autoriteteve shtetërore ndaj librit qiellor të myslimanëve. Në përgjithësi, që nga fillimi i Islamit, iranianët kanë bërë shumë përpjekje në transmetimin dhe përhapjen e diturisë dhe të praktikueshmërisë së Kur'anit, për të shmangur rrezikun e rrëshqitjes gjatë ecjes në rrugën e drejtë të Zotit.
Pas Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1979 dhe krijimit të një sistemi të bazuar në ligjet dhe mësimet e Islamit, u sigurua më shumë se më parë terreni për zgjerimin e njohurive dhe mësimeve kur'anore dhe njerëzit shfaqin më shumë entuziazëm për të lexuar, mësuar përmendësh dhe kuptuar ajetet hyjnore. Garat e Kur'anit të Shenjtë në nivele të ndryshme, duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar, janë ndër arritjet e Revolucionit Islamik, i cili rrit cilësinë dhe diversitetin e disiplinave, si dhe numrin e pjesëmarrësve çdo vit; dhe tani, është kthyer në një nga konkurset më të rëndësishme dhe më ndikuese ndërkombëtarisht të Kur'anit të Shenjtë.
Në Konkursin e 40-të Ndërkombëtar të Kur'anit të Shenjtë në Teheran, ishin të pranishëm recitues nga 110 shtete, nga të cilët 99 recitues nga 44 shtete kaluan në fazën finale për të konkurruar në disiplinat memorizim (hifz), recitim elokuent e melodioz (tertil) dhe lexim (kiraet). Mbajtja e konkursit në nivel të grave dhe nxënësve tregon vëmendjen për të gjitha shtresat e shoqërisë në këtë event madhështor kur'anor. Nga ana tjetër, niveli i lartë i garave të Kur'anit të Shenjtë në Iran ka bërë që pjesëmarrësit të bëjnë më shumë përpjekje për suksesin e tyre. Imad Rami, anëtari sirian i jurisë i këtij raundi të garave kur'anore, shprehet: "Deri më tani nuk kam parë konkurs të këtij niveli në vende të tjera; Irani ka nivelin më të lartë të garave kur'anore dhe shpresoj se ky event do të forcohet çdo vit."
Këtë pikë e konfirmon edhe Ejmen Ridvan, hafiz dhe recitues i shquar malajzian, i cili ka arritur renditje të mira në gara të ndryshme kur'anore në vende të tjera dhe thotë: "Niveli i garave Kur'anore në Iran është i lartë. Mësuesi im kishte marrë pjesë më parë në këto gara; dhe më kishte thënë se 'ndjeshmëria dhe përpikëria e gjyqtarëve për të vlerësuar recitimet e pjesëmarrësve në garat e organizuara nga Irani është shumë e lartë dhe nëse do të mund të marrësh pikë nga këto gara, do të thotë se ke një nivel të lartë në recitim'."
Një vështrim në kombinimin e gjykimit dhe saktësinë e opinioneve dhe rreptësinë e gjyqtarëve në gjykimin e recitimit të recituesve të Kur'anit tregon se ata që kanë arritur vlerësime superiore në garat ndërkombëtare të Kur'anit në Iran, janë ndër recituesit dhe hafizët më të mirë të këtij libri të madh qiellor.
Në përgjithësi, konkurset e Kur'anit, përveç shfaqjes së aftësive individuale në recitim, memorizim apo shpjegim të mësimeve të Kur'anit, janë një nga mënyrat e promovimit dhe të përhapjes së Kur'anit në botën islame, madje edhe në mesin e jomyslimanëve. Shumë prej atyre që së fundmi janë konvertuar në Islam deklarojnë se janë tërhequr nga kjo fe përparimtare dhe njeri-ndërtuese si rezultat i studimit të ajeteve ndriçuese të Kur'anit madhështor. Ashtu siç u bënë myslimanë dhjetëra njerëz në pjesë të ndryshme të botës me të dëgjuar recitimin e bukur të Abdul-Basit Abdus-Samed, një recitues i famshëm dhe i ndjerë egjiptian. Ndonëse përmbajtja e pasur dhe plot urtësi e spiritualitet e Kur'anit është faktori kryesor i popullaritetit dhe i ndikimit të tij, bukuria dhe harmonia e jashtme, si dhe harmonia e fjalëve dhe ajeteve hyjnore ia shtojnë bukurinë dhe hijeshinë Kur'anit. Nëse këto ajete ndriçuese recitohen me zë të këndshëm, kjo ia dyfishon bukurinë atij. Profeti i Islamit (s.a.v.s.) në lidhje me këtë thotë: “Çdo gjë e ka një stoli dhe stolia e Kur'anit është zëri i bukur”. Përmbajtja shpirtdhënëse dhe udhërrëfyese e Kur'anit, pamja e tij e bukur dhe e këndshme, si dhe shumë karakteristika të tjera të tij, tregojnë se ky Libër është shpallur pa dyshim nga Zoti dhe, ndryshe nga librat e tjerë si Tevrati dhe Bibla aktuale, ai nuk është shtrembëruar.
Garat ndërkombëtare të Kur'anit janë një vend ku mund të kryhen recitimet dhe leximet më të mira nga Kur'ani, por siç e pranojnë edhe vetë recituesit e këtij Libri të Shenjtë, praktikimi i Kur'anit në jetën individuale dhe shoqërore është më i rëndësishëm. Ajetullah Khamenei, Lideri i Revolucionit Islamik të Iranit, në lidhje me këtë thotë: “Leximi i Kur'anit është fillimi i veprimit, është fillimi i diturisë, është fillimi i njohjes. Ne duhet të shohim vetë se çfarë mund të bëjmë në këtë fushë veprimi.”
Gjithashtu, Dr. Muhammed Bakir Kalibaf, kryetari i Asamblesë Islamike (Parlamentit) të Iranit, në ceremoninë e hapjes së Konkursit Ndërkombëtar të Kur'anit në Teheran tha: "Padyshim, ky takim dhe takime si ky janë preteksti më i mirë për t'u familjarizuar me recitimin kur'anor. Kur'ani është libri i jetës, i qeverisjes, i drejtimit dhe i zhvillimit të shoqërisë."
Recituesit e Kur'anit, gjithashtu, e pohojnë këtë pikë të rëndësishme. Imad Rami, një nga gjyqtarët e këtij konkursi, thotë: “Unë këshilloj jo vetëm popullin e Iranit, por edhe të gjithë dashamirët e Kur'anit, që t'i kushtojnë rëndësi meditimit në Kur'an. Nuk duhet të përqendrohen vetëm në të melodinë, zërin dhe tonin, por duhet t'i vendosin mësimet e Kur'anit në zemrat e tyre."
Zonja Duha Balut, një zonjë libaneze pjesëmarrëse në garat ndërkombëtare të Kur'anit në Iran, gjithashtu thekson domosdoshmërinë e përdorimit të Kur'anit për qëllimin e edukimit të familjes dhe të rinisë.
Padyshim, zbatimi i mësimeve dhe dispozitave të Kur'anit mund të zgjidhë shumë nga problemet aktuale të botës islame. Organizatorët e Konkursit të 40-të Ndërkombëtar të Kur'anit në Iran i kushtuan vëmendje këtij fakti dhe për këtë arsye zgjodhën sloganin "Një libër, një ummet, libri i Rezistencës". Ky slogan i referohet problemit më të rëndësishëm aktual të botës islame, përkatësisht vrasjes brutale të popullit palestinez nga regjimi sionist dhe rezistencës së tyre kundër këtij regjimi pushtues. Me këtë rast, duke përkujtuar dëshmorët e Rezistencës, veçanërisht dëshmorët e Gazës, në konkurs morën pjesë edhe përfaqësues nga shteti i Palestinës dhe Gaza. Kur'ani Famëlartë është me të vërtetë një libër i rezistencës kundër shtypjes dhe pushtimit. Në shumë ajete të Kur'anit, shtypja dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm dënohen dhe myslimanëve u kërkohet të luftojnë kundër sundimtarëve dhe kriminelëve.
Ndër të tjera, në suren Nisa, ajeti 75, Zoti i urdhëron myslimanët të luftojnë kundër agresorëve për të shpëtuar popullin e shtypur. gjithashtu, Ajatollah Khamenei, duke iu referuar vuajtjeve të popullit palestinez, thekson: “Nëse Umeti Islam i afrohet Kur'anit, ashtu siç ka thënë Kur'ani, me siguri do ta mposhtë armikun, sepse ky është një premtim hyjnor”. Konkursi Ndërkombëtar i Kur'anit të Shenjtë është vendi më i mirë për t'ua përcjellë të gjithëve këtë mesazh dhe vendim të padiskutueshëm kur'anor dhe për të ekspozuar përmasat e krimeve dhe gjenocidit të regjimit sionist në Rripin e Gazës. Uniteti i Umetit Islam rreth boshtit të Kur'anit dhe ndjekja e udhëzimeve të tij për të ndihmuar të shtypurit mund ta ndihmojë shumë popullin e shtypur të Palestinës dhe t'i shpëtojë palestinezët nga barra e krimeve të regjimit të paligjshëm sionist.
Vlen të theksohet se në edicionin e 40-të të Konkursit Ndërkombëtar të Kur'anit të Shenjtë, fituesit më të mirë në seksione të ndryshme ishin:
Në seksionin e femrave: disiplina e memorizimit (hifz) të të gjithë Kur'anit;
Në vend të parë u rendit Roya Fazaeli nga Irani, në vendin e dytë Meimoune Badghi nga Nigeria, dhe vendin e tretë e zuri Nurije Xhurian Argha nga Indonezia.
Po në këtë seksion, në disiplinën e recitimit elokuent e melodioz (tertil);
Adele Sheikhi nga Irani, vendi i parë, Atikeh Suhejmi nga Singapori, vendi i dytë dhe vendin e tretë e zuri Dua Al-Said nga Iraku.
Ndërsa në seksionin e meshkujve dhe në disiplinën lexim (kiraet tahkik);
Vendin e parë e zuri Hadi Esfidani nga Irani, i dyti Mustafa Branon nga Tajlanda, ndërsa i treti Mustafa Ali nga Hollanda.
Në disiplinën e memorizimit (hifz) të të gjithë Kur'anit, në seksionin e meshkujve gjithashtu:
I pari ishte Omidreza Rahimi, i dyti Burhanuddin Rahimov nga Rusia dhe i treti Hudheifeh Kurejshi nga Algjeria.
Në disiplinën e recitimit elokuent e melodioz (tertil);
Muhammed Pursina nga Irani ishte i pari, Bilal al-Sheikh Khalid nga Siria dhe Muhammed Mahdi Izzuddin nga Libani ishin respektivisht i dyti dhe i treti.
Siç u tha në fillim të programit, edicioni i 40-të i Konkursit Ndërkombëtar të Kur'anit të Republikës Islamike të Iranit u mbajt nga 26 Bahman deri më 2 Esfand (15 deri më 21 shkurt) në Sallën e Samitit të Vendeve Islame në Teheran nën kujdesin e Organizatës së Vakëfeve dhe Çështjeve të Bamirësisë.