Ejani me ne në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i19228-ejani_me_ne_në_iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 26, 2016 04:54 Europe/Tirane
  • Esfahan
    Esfahan

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Miq të dashur në edicionin e kaluar kemi prezantuar rrugën e njohur dhe historike Çahar Bagh të qytetit Esfahan dhe kemi folur shkurtimisht rreth monumenteve historike në zonën e rrugës Çahar Bagh si Shkolla Çahar Bagh, tregu dhe karvansarai i nënës së mbretit. Në vazhdim të shëtitjes tonë në qytetin e bukur të Esfahanit do të prezantojmë një tjetër monument historik të njohur me emrin "Kravansari i Nënës së Mbretit" që sot njihet me emrin Mehmansaraje Abasi ose Hotel Abasi.

Me zhvillimin e ekonomisë së Iranit në periudhën e dinastisë Safavite, ishte përhapur ndërtimi i objekteve të mëdha dhe të dobishme për banorët si tregjet, shkollat, urat, digat dhe rezervarët për deponimin e ujit. Mirëpo objektet më të dalluara që u ndërtuan gjatë kësaj periudhe janë një varg karvansara. Karvansarat përveçse shfrytëzoheshin për banimin e karvanëve të tregtarëve, shfrytëzoheshin edhe si një hapësirë për mbajtjen e mallrave dhe si një vend për shkëmbime tregtare.. Karvansarai i nënës së mbretit ndodhet në afërsi të Shkollës Çahar Bagh dhe konsiderohet një prej karvansarave të ndërtuara gjatë kësaj periudhe. Ashtu siç thamë edhe në edicionin e kaluar, karvansarai i nënës së mbretit është ndërtuar në kohën e mbretin Sulltan Husein, mbreti i fundit i dinastisë Safavite dhe ai këtë karvansara ia ka dhuruar nënës së tij. Nëna e mbretit Sulltan Husein këtë karvansara gjithashtu ia ka dhuruar vakëfit të Shkollës Çahar Bagh në mënyrë që të ardhurat e tij të shfrytëzohen për mirëmbajtjen e kësaj shkolle dhe për plotësimin e nevojave të studentëve të shkencave fetare. Karvansarai i nënës së mbretit njëkohësisht me thjeshtësinë dhe bukurinë që ka, me një hapësirë të madhe dhe të qetë, na kujton madhërinë e sheshit Naghshe Xhahan. Ky karvansara është ndërtuar në dy kate me një oborr të madh, ndërsa një kanal i ujit kalon nga mesi i tij i cili i shton bukurinë dhe madhërinë e tij. Ky karvansara pas sulmit të afganëve në Esfahan në vitin 1134 hixhri kameri (1733) dhe shkatërrimit të dinastisë Safavite, ka pësuar dëme shumë të mëdha, ndërsa në kohën e sundimit të Zele Sulltan, guvernatori i Esfahanit në periudhën e sundimit të dinastisë Ghaxharite, objekti i këtij karvansarai u rindërtua dhe u përdorë nga njësia e kalorësve të ushtrisë së pushtetit. Deri në vitin 1302 hxhri kameri, ky objekt u shfrytëzua nga ushtria dhe pastaj u përdorë si depo. Në vitin 1957, duke marrë parasysh zhvillimin e industrisë së turizmit dhe rritjen e numrit të turistëve të huaj në Esfahan, qeveria e asaj kohe ka meremetuar objektin e këtij karvansarai dhe e ka shndërruar atë në një hotel ndërkombëtar. Projekti i meremetimit dhe i shndërrimit të këtij karvansarai në hotel është realizuar nga arkitekti i njohur francez Maxime Seiroux i cili për një kohë të gjatë ka studiuar në lidhje me karvansarat në Iran. Në meremetimin e karvansarat i është kushtuar rëndësi e veçantë dy faktorëve: ruajtjen e pamjes së jashtme origjinale dhe shndërrimin e dhomave të karvansarait në dhoma banimi në nivel të hotelit. Për meremetimin e objektit janë përdorur plane origjinale iraniane. Zbukurimi i brendshëm i objektit është bërë duke respektuar formën origjinale të artit iranian. Zbukurimi i brendshëm i këtij objekti është bërë nga një grup më i dalluar i artistëve dhe mjeshtërve të zbukurimeve në Esfahan. Punimet për meremetimin e këtij karvansarai kanë përfunduar në vitin 1966. Aktualisht ky karvansara që njihet me emrin "Mehmansaraje Abasi" ose Hotel Abasi për shkak të historisë së tij 300 vjeçare dhe karakteristikave të tij, si dhe për shkak të veprave artistike me vlerë të madhe në kuadër të arteve islamike dhe iraniane, njihet si një muze i çmuar dhe si një prej hoteleve më të vjetra në botë.

Hotel Abasi aktualisht ka 231 dhoma, suite dhe apartamente të cilat janë të ndërtuara në bazë të standardeve ndërkombëtare. Ky hoter për çdo vit pret me dhjetëra mijëra turistë iranianë dhe të huaj nga vende të ndryshme të botës, si dhe me dhjetëra delegacione zyrtare politike dhe personalitete të ndryshme ndërkombëtare. Objekti i këtij hoteli ka dy pjesë: pjesën e vjetër dhe pjesën e re. Në pjesën e re dhomat janë sipas stilit modern dhe janë të zbukuruar me mjete dhe vepra të artizanaleve të Esfahanit. Në pjesën e vjetër ndodhen suite sipas stilit të arkitekturës së periudhës së dinastisë Safavite dhe Ghaxharite me një hapësirë fantastike, me dekorime të bukura, me mure të zbukuruara sipas stilit të arkitekturës së asaj periudhe. Një prej pjesëve të rëndësishme të këtij hoteli janë restorantet dhe sallonet e shumta që secili prej tyre është emëruar me emrin e një prej monumenteve të njohura historike të Esfahanit dhe zbukurimet e brendshme janë zgjedhur në përputhje me arkitekturën e atij monumenti me emër të të cilit është emëruar. Sallonet Çehel Sutun, Ali Kapu, Naghshe Xhahan dhe Firuze janë sallone për pritjen e mysafirëve në këtë hotel. Hoteli Abasi për shkak të salloneve të shumta, që ka gjatë vitit organizon qindra konferenca shkencore, kulturore, politike dhe ekonomike në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Oborri i gjerë i hotelit Abasi me kanalin e ujit që kalon nëpër mes tij, i jep një qetësi të veçantë mysafirëve, ndërsa kushtet e shumta si sallat e sporteve, restorantet në hapësirën e hapur dhe pamja e bukur e qytetit Esfahan i cili mund të shikohet nga ballkoni i këtij hoteli, kanë shtuar në masë të madhe atraksionin e këtij hoteli. Çajhania tradicionale e këtij hoteli në këndin verior të kopshtit, konsiderohet çajhania e parë tradicionale në botë.

Një tjetër pjesë interesante e Hotel Abasi është edhe salloni i ngrënies së ushqimit i cili quhet "Talare Zarine" (Salloni i Artë). Muret e këtij salloni janë të zbukuruara me "ujë floriri", ndërsa oxhaku i zbukuruar me gjips dhe me ngjyrë të qiellit dhe me "ujë floriri" ka shtuar në masë të madhe bukurinë tij. Zbukurimet e këtij salloni sipas stilit të artit të periudhës Safavite, i kanë dhënë një pamje mahnitëse këtij salloni. Në pjesë të ndryshme të këtij salloni si dhe në ambientet e tjera të Hotel Abasi tërheqin vëmendjen në masë të madhe edhe dyert e vjetra të cilat janë sjell në këtë objekt nga shtëpitë e tjera historike të Esfahanit. Në përgjithësi Hatel Abasi mund të konsiderohet pasqyrim konkret i artit iranian. Në vende vende të këtij hoteli janë vendosur edhe vepra të artistëve të njohur iranianë si pikturat e paraqitura në tapetet e salloneve e deri tek pikturat e vendosura në mure të cilat paraqesin mënyrën e mikpritjes së popullit iranianë dhe veshjet tradicionale të popullit iranian në periudhën e dinastisë Safavite. Sipas ekspertëve të artit, në këtë hotel janë bërë rreth 700 mijë orë punë artistike, prandaj shpresojmë që edhe ju një ditë do të keni mundësinë të vizitoni këtë hotel dhe vet të gjykoni për bukuritë dhe artin e punuar në këtë monument historiko-modern, sidomos nga aspekti i stilit të arkitekturës dhe ta krahasoni atë me hotelet e shkallës së parë bashkëkohore në botë.

Miq të dashur duke prezantuar Esfahanin në edicionet e kaluara, kemi folur edhe për vepra të ndryshme të artizanaleve të këtij qyteti ku në mënyrë të veçantë kemi prezantuar artin e shkrimit me kunj mbi metale të ndryshme. Në pjesën e dytë të këtij edicioni do të prezantojmë artin "Ghalemkari" ose artin e gravurës. Ky është një art popullor të cilin e punojnë artistët pa famë dhe emër të madh dhe vetëm me ndihmën e gishtërinjve të tyre bëjnë figura të bukura mbi mbulesa prej basme. Arti i gravurës bëhet në këtë mënyrë që artisti me formë ose vula prej druri mbi të cilat janë gdhendur figura të ndryshme, bëjnë piktura dhe zbukurime të ndryshme mbi cohe të ashpër dhe pëlhura (lloje të ndryshme basme). Në mesin e pikturave të ndryshme dhe të larmishme të basmave mund të kërkohet imagjinata dinamike dhe poetike e artistëve të këtyre basmave të cilët kanë projektuar piktura në bazë të artit dhe kulturës origjinale iraniane. Larmia e pikturave të cilat deri në një masë të madhe janë të afërta me pikturat e punuara mbi tapetet iraniane, është bërë shkak që kjo vepër e artizanaleve të Esfahanit të fitojë famë të veçantë në nivel botëror. Matja e dimensioneve të figurave mbi pëlhura dhe basma bëhet me forma të veçanta që secila prej tyre përmban një pikturë të veçantë dhe të bukur. Aktualisht arti i gravurës bëhet me forma të drurit mbi të cilat janë të gdhendura piktura të dalluara. Për krijimin e formave kryesisht përdorët druri i dardhës. Element kryesor i artit të gravurës është krijimi i formave që bëhet nga persona të specializuar në gdhendjen e formave dhe figurave të ndryshme mbi dru të përshtatshëm. Pëlhurat ose basmat e punuara me artin e gravurës mund të përdoren në mënyra të ndryshme si për rroba, perde, sofrabez, mbuloja të tavolinave, mbulojë të shtratit, sexhade, çanta dhe për shumë produkte të tjera. Pëlhurat dhe basmat e punuara me gravurë janë shumë të bukura dhe ngjallin imagjinatën e njeriut. Ata edhe pse janë të thjeshta, por njëkohësisht tregojnë qëndresën e një tradite dhe kujtimi nga paraardhësit e një populli.

Miq të dashur, këtu përfundoi koha e këtij edicioni dhe prezantimin e Esfahanit do ta vazhdojmë në edicionet e ardhshme.