Ejani me ne në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i27187-ejani_me_ne_në_iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë xhaminë e Xhumasë ose xhaminë Xhame’a të qytetit Esfahan.
(last modified 2026-05-02T13:06:07+00:00 )
Shtator 09, 2016 05:04 Europe/Tirane

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë xhaminë e Xhumasë ose xhaminë Xhame’a të qytetit Esfahan.

Kjo xhami është një prej monumenteve më të vjetra dhe më të vlefshme historike të Iranit dhe konsiderohet pjesë e trashëgimisë kulturore të botës. Ky monument formën e saj të sotshme e ka marrë si pasojë e meremetimeve dhe ndërtimeve shtesë që janë bërë gjatë periudhave të ndryshme historike si në periudhën e dinastisë së Ale Buje, të Selxhukianëve dhe të dinastisë Safavite, prandaj si e tillë pasqyron një komponim të arkitekturës iraniane islame të njëmijë viteve të fundit. Xhamia e Xhumasë ndodhet në një sipërfaqe të gjerë në fushën e Esfahanit në afërsi të një prej shesheve të njohura të qytetit me emrin “Sabze Mejdan”. Ky monument u ndërtua në vitin 138 hixhri kameri. Dëshmitë historike tregojnë se ndërtesa e kësaj xhamie është ndërtuar në një formë shumë të thjeshtë të fillimit të Islamit, mirëpo me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime të konsiderueshme. Këtij objekti i janë shtuar pjesë të ndryshme dhe secila prej këtyre pjesëve pasqyron stilin e arkitekturës së periudhave të veçanta. Stilet e ndryshme të arkitekturës së periudhave të ndryshme mund të vërehen plotësisht në ndërtesën e kësaj xhamie të madhe dhe në lidhje me këtë çështje nuk vërehet ndonjë mosmarrëveshje nga ana e ekspertëve të kësaj fushe. Në shekullin e parë të civilizimit islamik atëherë kur iranianët në mënyrë graduale pranuan fenë e pastër islame, filluan të ndërtojnë xhami të mëdha dhe të bukura, ndërsa pasi kishin një eksperiencë disa shekullore në ndërtimin e objekteve dhe pallateve madhështore, iranianët ndërtuan xhamitë sipas stilit të arkitekturës origjinale iraniane duke i zbukuruar ato në mënyra të ndryshme. Për këtë arsye, xhamitë e para të ndërtuara nga iranianët kishin ngjashmëri të madhe me faltoret e kultit të ndërtuara në periudhën e dinastisë Sasanide. Historiani dhe gjeografi i njohur Moghadasi i cili ka jetuar në fillim të civilizimit islam, kur përshkruan xhaminë e Xhumasë, thotë se kjo xhami ndodhet në tregun e qytetit dhe tregon se kjo xhami ishte rrethuar me shtylla dhe minare të larta. Sipas përshkrimeve të Naser Khosrov Ghabadjani dhe Jaghut Hamavi të cilët kanë përshkruar xhaminë e Xhumasë të Esfahanit në vitet 443 dhe 444 hixhri kameri, duket se në shekullin e pestë hixhri kameri kjo xhami kishte një reputacion dhe zhvillim të madh në qytetin e Esfahanit. Xhamia e Xhumasë në Esfahan ashtu siç konsiderohet një model i zhvillimit të arkitekturës iraniane në 14 shekujt e periudhës islame, ajo ka përjetuar edhe shumë ngjarje të hidhura dhe të ëmbla historike. Nga një xhami e thjeshtë që u ndërtua në vitin 138 hixhri kameri, aktualisht nuk kanë mbetur gjurmë dhe ndërtesat aktuale të cilat kryesisht janë ndërtuar në shekullin e pestë dhe në gjysmën e parë të shekullit të gjashtë hixhri kameri, kanë zëvendësuar objektet më të vjetra. Në përgjithësi objektet aktuale të kësaj xhamie janë monumente historike të ndërtuara në periudhën e sundimit të dinastisë Selxhukiane në shekullin e pestë dhe të gjashtë hixhri kameri, ndërsa zbukurimet e saj që përbëjnë punën me qeramikë, me gjips dhe të gurit prej mermeri, janë vepra të shtuara në periudhat e mëvonshme.

Aktualisht në objektet e kësaj xhamie vërehen veprat e artistëve të periudhave të dinastive si Dejlami, Selxhukiane, Gurkani, Turkmene, Safavite dhe Ghaxharite, ndërsa edhe gjatë gjysmëshekullit të fundit janë bërë meremetime të gjëra në këtë monument historik. Xhamia e Xhumasë është në formën e katër ballkoneve që janë ndërtuar përballë njëri-tjetrit në anën veriore, jugore, lindore dhe perëndimore të xhamisë, ndërsa objektet e tjera janë ndërtuar prapa këtyre ballkoneve. Stili katër ballkonesh në ndërtimin e xhamive është plotësisht një stil i pavarur iranian i cili nuk mund të vërehet në xhamitë e tjera në botë, mirëpo nëse vërehet në ndonjë vend, ai është i marrë nga stili i arkitekturës iraniane. Ky stil është paraqitur për herë të parë në fillim të shekullit të gjashtë hixhri kameri ose në fillim të shekullit të 12, pikërisht pas shpërthimit të një zjarri në xhaminë e Xhumasë në Esfahan në vitin 515 hixhri kameri që përkon me vitin 1121. Si pasojë e këtij zjarri është djegur edhe biblioteka e kësaj xhamie në të cilën ndodheshin libra dhe manuskripte të shumta në degë të ndryshme të shkencave dhe letërsisë së asaj kohe. Xhamia e Xhumasë së Esfahanit ka tetë porta hyrëse, por kryesisht përdoret porta që ndodhet në juglindje të objektit dhe mbi këtë portë janë bërë zbukurime gjatë periudhës së dinastisë Ghaxharite. Oborri i kësaj xhamie që përdorej për ceremonitë fetare ka një sipërfaqe 70 m gjatësi dhe 60 m gjerësi, ndërsa në katër anët e tij janë ndërtuar ballkone dhe janë emëruar me emra të ndryshëm. Një xhami e vogël ndodhet në pjesën veriore të ballkonit perëndimor të xhamisë që njihet me emrin Xhamia e Al-Xhajtu. (Al-Xhajtu është një prej mbretërve të dinastisë Ilkhane). Mihrabi i shkëlqyeshëm dhe shumë i bukur i kësaj xhamie që konsiderohet një prej pjesëve më të rëndësishme nga aspekti i zbukurimeve të xhamisë së Xumasë së Esfahanit, konsiderohet modeli më i dalluar i artit të punuar me qeramikë dhe gjips në Iran. Në përgjithësi në mesin e veprave historike ekzistuese, xhamia e Xhumasë së Esfahanit përveç stileve të ndryshme të arkitekturës, përmbanë edhe stile të ndryshme të shkrimit si stili kufi, tholth, banai, nosakh dhe nasta’lik që janë përdorur në shkrimin e teksteve në gjuhët arabe dhe persiane në formë të vargjeve poetike dhe të prozës. Të gjitha këto elemente janë bërë shkak që xhamia e Xhumasë në Esfahan të konsiderohet një muze i arkitekturës së 14 shekujve të kaluar të historisë së Iranit në periudhën islame në të cilin vërehen edhe zbukurime të ndryshme me tulla, gjips, qeramikë etj. që i përkasin periudhave të ndryshme. Prandaj kjo xhami duhet të konsiderohet një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Iranit në periudhat islame. Profesor Arthul Upham Pope, iranolog i njohur, në lidhje me këtë monument historik të Esfahanit, shkruan: “Ky monument me madhërinë dhe bukurinë enigmatike, është një prej veprave më të bukura të arkitekturës së botës”.

Në ambientet e kësaj xhamie janë varrosur edhe disa figura të shquara të shkencave të ndryshme islame si Mola Muhamed Taghi Maxhlisi dhe djali i tij Mola Muhamed Bagher Maxhlisi, që të dy dijetarë të shquar të shkencave islame në periudhën e dinastisë Safavite. Muhamed Taghi Maxhlisi është një prej dijetarëve të mëdhenj të shkencave islame të shekullit 11 hixhri kameri i cili ka shkruar vepra të çmuara në fusha të ndryshme. Alame Muhamed Bagher Maxhlisi gjithashtu ka qenë një prej dijetarëve më të njohur dhe më të mëdhenj të kohës së tij në shkencën e fikhut të shkollës shiite. Ai ka lindur në vitin 1037 në qytetin e Esfahanit dhe ka mësuar pranë babait të tij, ndërsa ka vdekur në vitin 1110 ose 1111 hixhri kameri. Alame Muhamed Bagher Maxhlisi ka qenë një ekspert i madh gati në të gjitha shkencat e kohës së tij dhe ka shkruar shumë vepra pothuajse në të gjitha fushat. Vepra e tij më e njohur është “Baharul-Anvar” e shkruar në 110 vëllime e cila në realitet konsiderohet një enciklopedi e madhe në fushën e shkencës së hadithit. Alame Maxhlisi nga aspekti i veprave, konsiderohet një prej autorëve më të mëdhenj. Thuhet se ai ka shkruar 86 vepra në gjuhën persiane dhe 73 vepra në gjuhën arabe. Miq të nderuar këtu po e përfundojmë këtë edicion dhe mirëmbetshit deri në edicionin e ardhshëm.