Ejani me ne në Iran
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i27190-ejani_me_ne_në_iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë kishën e njohur Vank në rajonin Xhulfa të qytetit Esfahan.
(last modified 2026-05-02T13:06:07+00:00 )
Shtator 09, 2016 05:04 Europe/Tirane

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë kishën e njohur Vank në rajonin Xhulfa të qytetit Esfahan.

Xhulfa është një prej lagjeve e cila është ndërtuar në Esfahan në periudhën e sundimit të dinastisë Safavite. Banorët e kësaj lagje janë armenë të cilët janë shpërngulur nga qyteti Xhulfa që ndodhet skaj lumit Ares dhe janë vendosur në këtë zonë të qytetit Esfahan. Shpërngulja e kësaj popullate armene dhe vendosja e saj në zonën Xhulfa të qytetit Esfahan, është bërë në vitin 1013 hixhri kameri. Zona Xhulfa ndodhet në brigjet jugore të lumit Zajande. Sot në këtë lagje nuk banojnë vetëm armenët kurse në të kaluarën kjo zonë ishte ndarë vetëm si vendbanim dhe punë për armenët. Me vendosjen e armenëve në qytetin Esfahan, gradualisht janë ndërtuar edhe disa kisha në këtë zonë që disa prej tyre kanë rëndësi më të madhe. Si më të vjetrat prej këtyre kishave mund të përmendet Kisha e Hakobit (Jakubit të Shenjtë), Kisha e Gijork, Kisha e Marjemit, Kisha e Betlehemit dhe Kisha Vank. Prania e këtyre kishave në qytetin Esfahan lidhet edhe me mësimet islame për respektimin e feve të tjera hyjnore dhe minoriteteve fetare. Kisha Vank është kisha më e bukur në zonën Xhulfa e cila u ndërtua në periudhën e sundimit të mbretit Abasi i II-të. Kjo kishë e cila në gjuhën armene quhet “Amenaperkich” në kuptim të shpëtimtarit, gjithashtu njihet edhe me emrin “Kisha San Sur”. Kisha Vank ka dy kupola të mëdha dhe mure të larta dhe gjithashtu harqe të larta dhe të bukura. Salla kryesore e kishës e cila është në formën e këndeve të barabarta, përbëhet nga dy pjesë katërkëndëshe që pjesa e parë është ndërtuar për ceremonitë e mbrëmjes dhe pjesa tjetër e dytë e cila ndodhet nën kupolën kryesore, është vend ku realizohen ritualet dhe ceremonitë fetare. Një pjesë e mureve të sallonit është zbukuruar me tulla dhe qeramikë disa ngjyrash. Në pjesën e epërm të mureve janë pikturuar piktura të bukura me inspirim nga librat e shenjta të cilat kanë zbukuruar të gjithë hapësirën e kupolës. Rreth e rrotull kupolës së Kishës me pikturim të bukur nga artistët armenë është pasqyruar tregimi i krijimit të Hazretit Adem dhe Hava. Në mihrabin e bukur të kishës gjithashtu janë pikturuar piktura të bukura siç është piktura e Hazretit Isa a.s.. Pamja e jashtme e kupolës së kishës është pa zbukurime me qeramikë dhe është mbuluar vetëm me tulla të thjeshta. Kisha Vank ka dy porta hyrëse që porta kryesore është një portë e madhe prej druri nga e cila qarkullojnë njerëzit. Duke kaluar nga një korridor, arrijmë në shkallët e hyrjes ku në anën e djathtë të tyre ndodhet kulla e kambanës së kishës. Kjo kullë e bukur dhe lartë, është e ndërtuar mbi katër shtylla prej guri. Në oborrin e kësaj Kishe janë varrosur disa figura të njohura armene në mesin e tyre disa kryepeshkopë dhe përfaqësues politikë të vendeve evropiane të cilët kanë vdekur në qytetin e Esfahanit. Në ambientin e kishës përveç faltores dhe mihrabit, ndodhen edhe disa ndërtesa të tjera si muzeu, shtypshkronja, biblioteka dhe objekti ku bëhet veshja zyrtare e uniformës së peshkopëve. Në muzeun e Kishës Vank ndodhen disa sallone ku ruhen sende dhe vepra artistike më vlerë shumë të madhe dhe të çmuara. Në mesin e tyre mund të veçohen piktura shumë të bukura dhe shumë ekzemplarë të Inxhilit. Një prej ekzemplarëve më interesant të Inxhilit në këtë muze është një Inxhil i shkruar në shtatë gjuhë të botës dhe ka peshë vetëm 7 gram dhe konsiderohet një prej Inxhileve më të vogla në botë. Në përgjithësi bukuria e Kishës Vank tregon një pjesë të butësisë së shpirtit të artistëve armenë të Esfahanit.

Miq të nderuar vlen të theksohet se në një qoshe të një kopshti të bukur breg lumit Zajande, në një varrë të vogël pushojnë eshtrat e profesor Arthur Upham Pope, iranologut të njohur dhe të bashkëshortes së tij Phyllis Acker Man. Kjo tregon më së miri ndikimin e thellë të kulturës iraniane mbi njerëzit e rajoneve të ndryshme të botës. Historia, kultura, letërsia, arti, natyra e pa shembull e Iranit ka një tërheqje aq të madhe saqë ka mahnitur shumë njerëz saqë disa prej tyre shumë vite të jetës së tyre të çmuar kanë kaluar duke njohur dhe hulumtuar rreth Iranit. Profesor Arthur Upham Pope ka qenë një prej figurave të mahnitura pas Iranit dhe kulturës e artit iranian. Ai shumë vite të jetës së tij i ka shpenzuar për të njohur për të hulumtuar në lidhje me Iranin. Ai shumë vite të jetës së tij ia ka kushtuar njohjes dhe prezantimit të Iranit dhe ka bërë përpjekje të krijojë rrethana për krijimin e marrëdhënieve mes Iranit dhe vendeve të tjera të botës në bazë të njohjes reciproke. Arthur Upham Pope ka shkruar shumë vepra rreth Iranit dhe artin iranian ku në mesin e tyre mund të përmendet vepra “Studime rreth artit të Iranit” e cila është shkruar në 16 vëllime në gjuhën angleze dhe disa prej vëllimeve të kësaj vepre janë përkthyer edhe në gjuhën persiane. Kjo vepër përmbanë 5000 fotografi me ngjyra dhe bardhë e zi dhe përmbledh mbi 3000 faqe hulumtime të mbi 70 autorëve, studiuesve dhe iranologëve të njohur botërorë. Kjo vepër përfshinë të gjitha artet e Iranit si arkitekturën, enët e prodhuara prej balte, puna me qeramikë, punimi i metaleve, artin e drugëdhendjes, artin e skulpturës, artin e të punuarit me gjips, pikturën, artin e zbukurimit me flori, punimin e kopertinave të librave, artin e miniaturës dhe artin e punimit të tapetit. Libri “Studimi i artit të Iranit” është njëri prej burimeve më gjithëpërfshirëse në lidhje me artin iranian. Librat si “Arkitektura e Iranit”, “Kryeveprat e artit të Iranit”, “Arti primitiv për punimin e enëve prej dheu në Iran”, “Njohja me miniaturat e Iranit”, “Arkitektura e Iranit, fitorja e formës dhe ngjyrës” dhe “Zhvillimi dhe format e pikturës në Iran” janë veprat e tjera të çmuara që janë shkruar nga Arthur Upham Pope. Ky hulumtues i iranologjisë në vitet e fundit të jetës sipas dëshirës së tij ka jetuar në qytetin Shiraz të Iranit ndërsa pas vdekjes, sipas testamentit të tij, ai është varrosur në vendin që kishte caktuar në qytetin Esfahan. Pope në lidhje me arsyen e zgjedhjes së Esfahanit për ndërtimin e varrit të tij, shkruan: “Esfahani është qyteti im i preferuar. Në atë qytet kam shkruar veprat e mia më të mëdha. Qëllimi im kryesor për zgjedhjen e Esfahanit si destinacionin e fundit, është ky që të tregojë për të gjithë popullin e Iranit se mendimtarët e mëdhenj dhe artistët, letrarët, prijësit e moralit dhe shkencëtarët e tyre kanë virtyte dhe karakteristika aq të larta saqë ngjallin vlerësimin dhe lavdërimin më të madh të mendimtarëve të ngjashëm të vendeve të tjera... Njerëzit që vizitojnë këtë vend (varrin e Pope) e vërtetojnë se nëse një njeri varroset në Iran, kjo nuk ndodhë në mënyrë të rastësishme vetëm për arsye se ai ka vdekur në Iran, por për shkak të bindjes së sinqertë se Irani është një vend i shenjtë. Për ata që kanë bindje se Irani ka një pozitë të lartë spirituale, kjo konsiderohet një krenari e madhe se ata zgjedhin Iranin si destinacionin e fundit dhe në këtë mënyrë ata paraqesin besimin e vet ndaj tokës dhe njerëzve të mëdhenj dhe të ardhmes me plotë krenari që parashikojnë për këtë vend".

Që nga e kaluara disa kulla të rrumbullakëta ose në formë katrori në fusha ose kopshte dhe në zonat rreth qyteteve në rajonin e Esfahanit kanë tërhequr vëmendjen e turistëve dhe arkitekteve të botës. Edhe pse sot objekte të tilla më pak na bien në sy, por në disa zona ende ekzistojnë gërmadhat ose muret e shkatërruara të këtyre objekteve. Këto monumente quhen "Kabutarkhane". Objektet Kabutarkhane që në kuptim do të thotë "Shtëpia e Pëllumbit, në Iran nga aspekti i numrit, madhësisë, ndërlikimit dhe përkryerjes së arkitekturës janë të pashoq në botë. Shardon, turisti francez, gjatë vizitës së tij në Esfahan në periudhën e sundimit të dinastisë Safavite, ka shkruar se në këtë rajon ndodhen mbi 3000 objekte Kabutarkhane. Studimet e bëra nga ekspertët mbi këtë lloj të objekteve, tregojnë se këto monumente janë ndërtuar në mënyrë mahnitëse duke përdorur baltën dhe qerpiçin dhe me një teknikë të veçantë të arkitekturës. Këto kulla janë ndërtuar në formë cilindrike të kubit kënddrejtë me gjatësi 14 deri 25 m dhe gjerësi 6 m kurse me lartësi 7 deri 10 m në bazë të rregullave dhe parimeve të veçanta. Pamja e thellë e brendshme e Kabutarkhanes përbëhet nga mijëra shtëpi të ndërtuara në dimensione të njëjta për uljen dhe pushimin e pëllumbave. Pjesa e poshtme e Kabutarkhanes është vendi ku mbahen plehrat e shpezëve të cilat më pas shfrytëzohen për ushqimin e fushave bujqësore. Në Kabutarkhanet duke marrë parasysh masën e vogël ose të madhe të tyre, janë vendosur edhe disa dritare të cilat kanë vrima nga të cilat hyjnë dhe dalin pëllumbat. Duke marrë parasysh arkitekturën e veçantë të Kabutarkhaneve, ky vend konsiderohet si një kështjellë ushtarake për pëllumbat dhe i mbron ata nga sulmet e shpezëve agresorë më të mëdhenj. Për ta mbrojtur Kabutarkhanen nga sulmet e hajdutëve dhe gjuetarëve të pëllumbave, këto objekte nuk kanë por për të hyrë njerëzit. Ky lloj i fabrikës për prodhimin e plehut që konsiderohej një prej objekteve më të rëndësishme bujqësore në Iran gjatë disa shekujve të kaluar dhe në disa rajone ekziston ende, tregon zgjuarsinë dhe novacionin e një populli i cili është përballur me probleme natyrore dhe në çdo rajon të këtij vendi vazhdimisht ka gjetur mënyra të reja për të qenë në harmoni me natyrën dhe për krijuar një jetë të qetë.