Muharremi, muaji i qëndresës dhe i martirizimit
https://parstoday.ir/sq/radio/iran-i60205-muharremi_muaji_i_qëndresës_dhe_i_martirizimit
Pas kalimit të shumë shekujve, emri i Husein bin Ali (as) vazhdon të ngjallë emocione të forta në zemrat e njerëzve liridashës të botës, sepse lëvizja e Imam Huseinit (as) bazohej në parime që përkrahen nga njerëzit drejtësidashës në çdo kohë dhe në çdo vend.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shtator 28, 2017 12:33 Europe/Tirane

Pas kalimit të shumë shekujve, emri i Husein bin Ali (as) vazhdon të ngjallë emocione të forta në zemrat e njerëzve liridashës të botës, sepse lëvizja e Imam Huseinit (as) bazohej në parime që përkrahen nga njerëzit drejtësidashës në çdo kohë dhe në çdo vend.

Në të gjitha etapat e kryengritjes së shenjtë të Imam Huseinit (as), spikat besimi në Zot, drejtësia dhe lufta kundër padrejtësive. Efektet e pastra të vetëmohimit, sakrificës, besimit, diturisë dhe përsosmërisë shpirtërore që u shpalosën në këtë kryengritje tregojnë për një mendim sublim.

 

Ndodhemi në ditën e parë të muajit Muharrem në vitin 1439 hixhri kameri,i cili u quajt kështu nga arabët që para shfaqjes së Islamit dhe në këtë

 

muaj ata e konsideronin si haram (të ndaluar) luftën dhe gjakderdhjen. Ndalimi i luftës në Muharrem ka qenë një nga mënyrat për t'i dhënë fund konfliktit të gjatë mes fiseve arabe dhe një mënyrë për të ftuar për paqe dhe qetësi. Në epokën e injorancës, kjo traditë mbeti në fuqi dhe pas ardhjes së Islamit, kjo fe hyjnore gjithashtu e konfirmoi atë dhe e vendosi si një ligj për të gjithë myslimanët. Por në vitin 61 hixhri, sunduesit tiranë dhe injorantë të dinastisë Emevite e thyen nderimin e familjes së Profetit në muajin e Muharremit dhe në tokën e Qerbelasë, martirizuan nipin e Profetit Muhamed (s.a.v.s), Husein bin Aliun (as) si dhe fëmijët dhe shokët e tij. Nga kjo datë, muaji i Muharremit është i lidhur me emrin e  Husein bin Ali (as), dhe përkujton devotshmërinë, përkushtimin, trimërinë dhe heroizmin e njerëzve që u ngritën për ringjalljen e vlerave të fesë së Profetit Muhamed (s.a.v.s).

 

Një vështrim mbi lëvizjen e Imam Huseinit (as) në Muharremin e vitit 61  hixhri, dëshmon se qëllimi dhe mendimi më i rëndësishëm i Imam Huseinit (as ) në këtë lëvizje ishte zbatimi i detyrës hyjnore. Një person që  krenohet  me faktin që është rob i Zotit, nuk mendon për asgjë tjetër, përveç zbatimit të detyrës hyjnore dhe shkaktimit të kënaqësisë së Zotit. Ajo çka e detyroi Imam Huseinin (as) të ngrihet kundër anomalive të kohës së tij, ishte devijimi i sundimit të dinastisë Emevite dhe rrjedhimisht, i shoqërisë, nga kriteret  dhe parimet origjinale të fesë islame. Ky ishte një fenomen  i hidhur që u zhvillua të paktën 50 vjet pas vdekjes së Profetit (s.a.v.s).  Harrimi i porosive të Profetit dhe izolimi i Ehlibejtit të tij, rënia e spiritualitetit në shoqërinë islame, pasurimi i pronarëve të pushtetit dhe përhapja e besëtytnive dhe devijimeve ishin faktorët që dhanë kontekstin për kthimin e shoqërisë në epokën e injorancës. Në atë kohë, rruga e denigrimit të shoqërisë shkoi aq larg, saqë fati i Ummetit të Islamit ra në duart e një sundimtari të korruptuar dhe kriminel si Jezidi. Një shoqëri që dikur e përjetoi udhëheqjen e Pejgamberit (s.a.v.s), tani ishte dëshmitare e sundimit të një personi të degjeneruar të quajtur Jezid. Jezidi injoroi parimet e Islamit dhe devijoi shumë prej tyre. Nga njëra anë, Imam Huseini (as) u përball me një pushtet që mendonte vetëm për interesat e tij të paligjshme dhe që për realizimin e tyre  shtrembëronte fenë dhe ushtronte shtypje dhe dhunë kundër njerëzve. Imami, në anën tjetër, vërente se shpirti i përkuljes dhe letargjisë ishte përhapur në shoqërinë islame duke i kthyer myslimanët në njerëz pa vullnet dhe indiferentë. Ata e dallonin të drejtën, por ishin zhytur në ndjekjen e punëve të kësaj bote dhe në ruajtjen e interesave të tyre.

 

Për Jezidin dhe pasuesit e tij ishte shumë e rëndësishme që të kishin besatimin e një personi të rëndësishëm si Imam Huseini (as). Natyrisht, Imam Huseini (as), asnjëherë nuk kishte ndërmend t’i jepte besën Jezidit, sepse besnikëria ndaj Jezidit nënkuptonte konfirmimin e pushtetit të tij të korruptuar. Imam Huseini (as), duke perceptuar rrezikun e fuqizimit të mashtruesve në dukje fetarë, u përpoq të krijonte një valë zgjimi dhe ndërgjegjësimi fetar, shoqëror dhe politik në shoqërinë islame. Në përshkrimin e këtij grupi sundimtarësh, Imami ka thënë: "Feja është vetëm një lojë në gjuhët e tyre. Ata e duan fenë derisa i kanë të gjitha të mirat në jetën e kësaj bote, por kur vjen koha e sprovimit dhe e vuajtjes, sa të pakët  janë besimtarët e vërtetë".  Emevitët e vendosën fenë në shërbim të axhendës së tyre politike dhe u përpoqën t’i zbraznin konceptet fetare nga thelbi i tyre. Imam Huseini (as), me perceptimin e këtij devijimi, u ngrit kundër sundimtarëve të kohës, u përpoq të analizonte dhe shpjegonte gjendjen shoqërore dhe politike të shoqërisë së asaj kohe dhe refuzoi t'i jepte besatimin Jezidit. Pas mosdhënies së besës nga Imam Huseini, sundimtari i Medinës e bëri situatën të vështirë për Imamin. Në këtë situatë, Imami vendosi të largohej nga Medina. Imam Huseini (as ) po kërkonte një rast të përshtatshëm për të organizuar lëvizjen e tij. Në atë kohë, qyteti i Mekës ishte një zgjedhje e mirë për të vazhduar aktivitetet e Imamit. Sidomos kur ceremonia e Haxhit ishte afër dhe komuniteti i madh i njerëzve në Haxh ofronte një mundësi të mirë për Imamin. Imami Huseini (as), në kohën e largimit nga Medina, tha: "Po largohem nga Medina për të reformuar dhe rigjallëruar punën e Umetit të gjyshit tim dhe dua të këshilloj për mirë dhe të ndaloj të keqen".

 

Me ardhjen e Imam Huseinit (as) në Mekë, ai hazret filloi një përpjekje të madhe për të krijuar rrethanat e kryengritjes. Në atë kohë, shumë njerëz në Kufa dhe rajone të tjera kërkuan t’i jepnin besën Imamit dhe në shumë letra e ftuan të shkonte në Kufa, por kur pushteti i Jezidit e bëri situatën të vështirë për ta, ata u frikësuan dhe nuk pranonin të jepnin besën Imamit. Shumë të tjerë u mashtruan dhe refuzuan të ndihmonin Imamin. Ata, sytë dhe veshët e të cilëve ishin shurdhuar dhe verbuar nga kjo botë, e dinin mirë se Husein bin Ali (as) ishte nipi i Profetit (s.a.v.s), por e lanë atë të vetëm. Imam Huseini (as), i cili së bashku me familjen, fëmijët dhe shokët e tij, kishte ndërprerë ritualin e Haxhit dhe ishte nisur drejt Kufës, përpara se të arrinte në atë qytet, u rrethua në Qerbela nga ushtria e Jezid bin Muavijes, por nuk u dorëzua. Përfundimisht, në ditën e dhjetë të Muharremit, të njohur si dita e Ashuras, Imam Huseini (as), bashkë me shokët e tij besnikë, pas 10 ditë vuajtjesh dhe etje, u martirizua në tokën e Qerbelasë.

 

 

Kryengritja e Imam Huseinit (as) pati pasoja të ndryshme në çështjet politike dhe sociale. Sot, pas kalimit të shumë shekujve, emri i Husein bin Ali (as) vazhdon të ngjallë emocione të forta në zemrat e njerëzve liridashës të botës, sepse lëvizja e Imam Huseinit (as) bazohej në parime që përkrahen nga njerëzit drejtësidashës në çdo kohë dhe në çdo vend. Në të gjitha etapat e kryengritjes së shenjtë të Imam Huseinit (as), spikat besimi në Zot, drejtësia dhe lufta kundër padrejtësive. Efektet e pastra të vetëmohimit, sakrificës, besimit, diturisë dhe përsosmërisë shpirtërore që u shpalosën në këtë kryengritje tregojnë për një mendim sublim. Në lëvizjen e e Imam Huseinit (as )nuk ka asnjë shenjë të etjes për pushtet, por vetëm virtyte të larta, mësime dhe mirësi për njerëzimin. Kjo është arsyeja pse kjo lëvizje ka qenë gjithmonë frymëzuese dhe me ndikim. Revolucioni Islamik i Iranit, u frymëzua nga mësimet dhe vlerat e lëvizjes së Imam Huseinit (as) dhe vazhdon të bazohet në të njëjtat parime në luftën kundër shtypësve. Sigurisht, vullneti i Zotit është që bota të jetë vendi i pastërtive dhe virtyteve. Kur një rrymë lëviz në kundërshtim me këtë qëllim hyjnor, sigurisht që njerëzit e Zotit do të luftojnë dhe do të sakrifikojnë për hir të çlirimit të njerëzimit. Kështu është që i riu mysliman iranian dëshmori Mohsen Hoxhaxhi në luftën kundër ISIS u frymëzua nga Husein bin Ali (as) dhe me trimëri u martirizua në luftën kundër injorantëve që e shfrytëzojnë fenë për qëllimet e tyre të errëta.

Ashura nuk është ngjarje vetëm e një dite, por rrezja e ndikimit të saj është shtrirë në përjetësi. Për këtë arsye, një djalë i ri si dëshmori Hoxhaxhi, i cili ka mësuar në shkollën e Husein bin Aliut (as), me njohuri dhe vetëdije dhe me besim në rrugën e drejtë, tallet me fuqinë boshe të terroristëve të ISIS-it dhe me martirizimin e tij ringjall kujtimin e ngjarjeve të ditës së Ashuras për të zgjuar përsëri ndërgjegjet e fjetura. Pa dyshim, mësimet e muajit Muharrem të vitit 61 hixhri,  e sidomos të ditës së Ashuras, vazhdojnë sa të ekzistojë koha dhe toka, sepse konflikti mes mbrojtësve të drejtësisë dhe shtypësve është i përhershëm dhe nuk  njeh kufi.