Pikëpamjet e Liderit Suprem të Revolucionit Islamik (Takimi me të rinjtë elitarë)
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei, 16 tetor u takua me qindra të rinj elitarë dhe talente të lartë shkencorë të Iranit. Ai paraqiti udhëzime konstruktive mbi përparimin shkencor të vendit dhe eliminimin e problemeve ekonomike, kulturore dhe shkencore, si dhe disa pika të rëndësishme për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore.
Në këtë takim, Ajetollah Khamenei i konsideroi të rinjtë e elitës si një dhuratë e Zotit dhe burim shprese për të ardhmen e shkëlqyer të Iranit. Ai kërkoi nga autoritetet e Iranit që të besonin në ekzistencën e elitave shkencore dhe aftësive të tyre për të ndryshuar fatin e vendit. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik parashtroi udhëzime konstruktive mbi përparimin shkencor të vendit dhe eliminimin e varësisë ekonomike, kulturore dhe shkencore të vendit, si dhe trajtoi disa pika të rëndësishme për të ardhmen e marrëveshjes bërthamore. Në vijim, do të trajtojmë më hollësisht deklaratat e tij në këtë takim.
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik e konsideroi përparimin shkencor si burimin e pushtetit dhe autoritetit të vendit, dhe duke iu referuar një hadithi nga Prijësi i Besimtarëve Imam Aliu (as) i cili thotë “Dija është pushtet”, theksoi: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende evropiane, për shkak të superioritetit shkencor që daton në disa epoka historike, gjatë shumë viteve kanë pushtuar shumë vende dhe kanë plaçkitur pasuritë e popujve të tyre”. Imam Aliu (as), në librin Nahxhul Belagha thotë: “Dija është pushtet. Ai që e posedon këtë pushtet do të sundojë të tjerët, ndërsa ai që nuk posedon dije, do të sundohet nga të tjerët”. Ajetollah Khamenei theksoi se ne duhet të kompensojmë prapambetjen në shkencë, që të mos sundohemi nga të tjerët. Ai kritikoi idenë se Perëndimi është rruga e vetme për të përparuar dhe shtoi: “"Gjatë sundimit të regjimit të varur Pahlavi, për pesëdhjetë vjet, Irani konsiderohej vasal i Shteteve të Bashkuara dhe ishte plotësisht i varur nga Perëndimi dhe rezultati i vetëm që u arrit ishte prapambetja shkencore dhe grabitja e pasurive të vendit. Tani kushdo që e konsideron progresin e Iranit të varur nga Perëndimi, nëse nuk është injorant dhe e thotë qëllimisht këtë, është tradhtar i vendit”.
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik e konsideroi eliminimin e varësisë si hapin e parë drejt progresit, duke thënë: "Me Revolucionin Islamik, lloji më i rëndësishëm i varësisë që është varësia politike është eliminuar, por çlirimi nga varësi të tjera, të tilla si shkencore, kulturore dhe ekonomike, kërkon përpjekje të vazhdueshme". Ajetollah Khamenei e cilësoi progresin shkencor si një nga elementët kryesorë të shpëtimit nga varësia dhe theksoi se nuk duhet të krijohen pengesa në rrugën drejt progresit shkencor dhe teknologjik nga institucionet përkatëse dhe nuk duhet të reduktohet buxheti për shkencën dhe teknologjinë. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik shprehu kënaqësinë për përparimin e kompanive të elitës shkencore dhe të instituteve kërkimore shkencore, duke shtuar se megjithatë nuk mund të mjaftohemi me kaq dhe duhet që me qëllim të avancimit të përparimit shkencor në të gjithë vendin të krijohet një rrjedhë e fuqishme e progresit shkencor, në mënyrë që ndërrimi i qeverive të mos ndalë apo të ngadalësojë progresin shkencor.
Ajetollah Khamenei theksoi nevojën e promovimit të cilësisë së artikujve shkencorë dhe hulumtues dhe lidhjes së tyre me nevojat e vendit. Ai e konsideroi inovacionin si një nga nevojat e industrisë së vendit, duke shtuar se cikli i montazhit e ka penguar këtë risi të industrisë kombëtare. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik u bëri thirrje autoriteteve që të planifikojnë që në dhjetë vitet e ardhshme, pikëpamja mbizotëruese e industrisë së vendit të ndryshojë nga "montazhi" në "inovacion". Ajetollah Khamenei theksoi se vetëm në këtë mënyrë, industritë do të ndjenin nevojën e hulumtimeve të elitës, dhe do të krijohej një marrëdhënie konstruktive midis industrisë dhe universitetit. Ai gjithashtu theksoi lidhjen e kulturës me teknologjinë dhe theksoi nevojën për aktivitete inteligjente dhe objektive kulturore në kompleksin e të rinjve elitarë.
Në pjesën e dytë të fjalës së tij, Ajetollah Khamenei iu referua lidhjes së pavarësisë politike me pavarësinë dhe avancimin shkencor, duke thënë se përparimi shkencor drejtohet kundër varësisë dhe për këtë arsye armiku është i zemëruar me motivimin e të rinjve iranianë për progresin shkencor. Ai nënvizoi:” "Është e qartë për të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë se Irani sot ka ndryshuar si toka me qiellin krahasuar me Iranin e dyzet vjetëve më parë . Ne ishim një popull dhe një vend i nivelit të dytë apo të tretë dhe ishim të dënuar t’u bindeshim urdhrave të të tjerëve. Por sot jemi një vend me influencë, me ndikim dhe autoritar duke lëvizur drejt progresit shkencor dhe forcës politike, kjo është mjaft e prekshme. Armiku është i mërzitur dhe i zemëruar ... sepse ka humbur dominimin e tij mbi interesat e Iranit”. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik duke vënë në dukje se përparimi ushtarak i Iranit, veçanërisht në industrinë e raketave, u arrit në kohën e embargos së plotë kundër Iranit, theksoi: Kombi iranian u kthye në një model për vendet dhe për kombet e tjerë duke treguar se mund të qëndrojë kundër superfuqive dhe të mos ketë frikë prej tyre, dhe në të njëjtën kohë të progresojë”. Në kohën e luftës së imponuar të Irakut kundër Iranit, regjimi Ba'ath i udhëhequr nga Sadami gëzonte mbështetje të gjithanshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa dhe posedonte një sërë armësh të shkatërrimit në masë dhe madje edhe armëve kimike, ndërsa Irani vuajti nga mizoritë e sanksioneve. Ai nuk ishte në gjendje të blinte pajisjet ushtarake të nevojshme për të mbrojtur popullin e tij. Si rezultat, shumë qytete iraniane u vunë në shënjestër nga sulmet me raketa të Sadamit dhe mijëra njerëz të pafajshëm u vranë. Megjithatë, lufta e imponuar përfundoi me fitoren e të rinjve iranianë, me humbjen e Irakut dhe pushtuesit u dëbuan nga toka iraniane, ndërsa nuk arritën të realizonin ndonjë nga qëllimet e tyre. Përvojat e kësaj lufte tetëvjeçare kanë bërë që ekspertët iranianë, duke u mbështetur në aftësitë e tyre, të hartojnë dhe prodhojnë pajisje moderne për të mbrojtur vendin. Këto përpjekje deri tani kanë qenë të frytshme dhe Irani mund të ndërtojë brenda vendit një sërë pajisjesh ushtarake, duke përfshirë edhe raketat me rreze të gjatë veprimi. Por tani, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore kanë filluar të shtrojnë kërkesa për reduktimin e fuqisë mbrojtëse të Iranit, të cilat janë ballafaquar me reagimin vendimtar të Liderit Suprem të Revolucionit Islamik dhe zyrtarëve të tjerë iranianë.
Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, duke iu referuar deklaratave të fundit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për popullin iranian, i cilësoi ato të neveritshme dhe iu referua përgjigjes ndaj fjalëve të tilla idiote si një humbje kohe. Megjithatë ai theksoi se gjëja e vetme që mund të shprehet në këtë rast është rëndësia e njohjes së armikut dhe metodave të tij të armiqësisë dhe shmangies së neglizhencës. Khamenei vuri në dukje se edhe pse armiku u tregua idiot , nuk duhet të neglizhohen rreziqet që ai paraqet. Ai tha se përpjekjet amerikane për të kthyer rininë revolucionare, aktive dhe progresive të Iranit në situatën e para 50 viteve ishin një reflektim i prapambetjes mendore të sistemit qeverisës në Shtetet e Bashkuara dhe shtoi: "Armiku nuk mund të kuptojë se çfarë ka ndodhur në Iran dhe në këtë rajon dhe për këtë arsye është i destinuar të dështojë, ashtu si në Irak, Siri dhe vende të tjera në rajon, llogaritjet e tij ishin të gabuara dhe dështuan".
Ajetollah Khamenei beson se rrënja e pasigurisë së rajonit është regjimi sundues në Shtetet e Bashkuara, i cili është në fakt agjent i sionizmit në mbarë botën. Ai argumentoi se demokratët amerikanë kishin pranuar se ISIS ishte pjellë e tyre, prandaj është e sigurtë se Amerika do të kundërshtonte trupat e Gardës Revolucionare të Iranit, e cila përballet me ISIS-is.” Irani ka qenë në gjendje të shkatërrojë planet e Amerikës në Liban, Siri, Irak dhe vendet e tjera të rajonit, prandaj Shtetet e Bashkuara janë të zemëruara me Iranin, dhe ushqejnë armiqësi ndaj të gjitha elementeve të pushtetit tonë”-deklaroi Lideri suprem i Revolucionit Islamik. Ai e përshkroi përparimin shkencor, fuqinë e mbrojtjes dhe fuqinë ekonomike si elemente të rëndësishme të autoritetit dhe theksoi se investimi i huaj në vend është i lirë, por mbështetja e ekonomisë së vendit duhet të jetë tek aftësitë e brendshme të vendit. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, duke ju referuar qëndrimeve të fundit amerikane kundër marrëveshjes bërthamore, tha se nëse Amerika do ta grisë këtë marrëveshje, Irani do ta bëjë atë copa-copa . Ai gjithashtu këmbënguli që opozita verbale e Evropës ndaj Shteteve të Bashkuara në lidhje me marrëveshjen bërthamore nuk mjafton dhe shtoi se Evropa duhet të kundërshtojë në praktikë përpjekjet e SHBA për të sanksionuar Iranin dhe të shmangë hyrjen në çështjet thelbësore të Iranit, siç është fuqia mbrojtëse.