Tridhjetë ditë, tridhjetë tregime (Pema e Hurmës)
Ai i cili në këtë botë i shqetëson më shumë njerëzit, në ditën e ringjalljes para Zotit dënimi i tij do të jetë më i ashpër se sa i gjithë njerëzve të tjerë.
Një prej shokëve ansar të Hazretit Muhamed s.a.v.s. kishte një kopsht dhe shtëpia e tij ndodhej pranë portës së kopshtit. Një burrë me emrin Samratu bin Xhundab kishte një pemë të hurmës të cilën e kishte mbjell në atë kopsht. Samratu bin Xhundab nganjëherë shkonte në atë kopsht dhe kujdesej për pemën e hurmës dhe vilte hurma nga ajo pemë. Samratu bin Xhundab çdoherë kur shkonte të përkujdesej për pemën e hurmës, duke mos përfillur banorët e shtëpisë së atij kopshti, hynte në kopsht në mënyrë të papritur. Banorët e asaj shtëpie vazhdimisht shqetësoheshin nga sjelljet e Samratu bin Xhundab. Pronari i shtëpisë me gjuhë të butë i kërkoi Samratu bin Xhundab që çdoherë kur dëshiron të hyjë në kopsht, të mos hyjë në mënyrë të papritur, por së pari të informojë banorët e asaj shtëpie. Mirëpo Samratu bin Xhundab në mënyrë të pabesueshme nuk i kushtoi rëndësi kërkesës së pronarit të shtëpisë dhe përsëri çdoherë kur dëshironte, hynte në kopsht pa informuar banorët e shtëpisë.
Ansariu u detyrua të shkojë pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe u ankua për Samratu bin Xhundab dhe tha: “Ky burrë në mënyrë të papritur dhe pa informim paraprak, hyn në kopsht dhe më ka prishur qetësinë e familjes time në shtëpi. Ju lutem që t’i thoni atij që të mos hyjë në kopsht pa informim paraprak!”. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. e thirri Samratu bin Xhundab dhe i tha atij: “Ky burrë ansari është ankuar prej teje dhe po thotë se ti pa informim të mëparshëm, po hyn në shtëpinë e tij dhe po e shikon familjen e tij në një gjendje që ai nuk dëshiron. Tani e tutje mos hy në kopsht pa leje dhe pa informim të mëparshëm!” Samratu bin Xhundab nuk u pajtua me këtë dhe nuk pranoi këshillën e Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Profeti i tha atij: “Atëherë shite atë pemë të hurmës!”. Samratu bin Xhundab përsëri nuk pranoi. Profeti s.a.v.s. i ofroi atij një çmim më të lartë, por Samratu bin Xhundab përsëri nuk pranoi dhe tregoi kokëfortësi.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. iu drejtua Samratu bin Xhundab dhe i tha: “Nëse do të shesësh këtë pemë të hurmës, në parajsë do ta kesh një pemë të veçantë për vete”. Samratu bin Xhundab përsëri nuk pranoi dhe tha: “As nuk e shes pemën time të hurmës dhe as nuk pranoj që kur të hyj në kopsht, të marrë leje nga pronari i kopshtit!” Hazreti Muhamed s.a.v.s. kur e kuptoi këtë sjellje të Samratu bin Xhundab, tha: “Ti je një njeri që i shkakton dëme të tjerëve dhe je i ashpër. Në fenë Islame nuk ekziston dëmtimi i të tjerëve dhe marrje të qëndrimeve të ashpra ndaj të tjerëve”.
Pastaj Hazreti Muhamed s.a.v.s. i tha burrit ansari: “Shko dhe shkule pemën e hurmës dhe çoje pranë shtëpisë së Samratu bin Xhundab!” Burri ansari me gëzim shkoi dhe veproi në këtë mënyrë. Hazreti Muhamed më pas iu drejtua Samratu bin Xhundab dhe i tha: “Tani merre pemën e hurmës dhe mbille në çdo vend që të dëshiron!”.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë:
“Ai i cili në këtë botë i shqetëson më shumë njerëzit, në ditën e ringjalljes para Zotit dënimi i tij do të jetë më i ashpër se sa i gjithë njerëzve të tjerë”.
Xhibrili erdhi pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Profeti i nderuar i Islamit i tha atij: “O Xhibril, më këshillo mua!” Një prej këshillave të Xhibrilit që i dha Hazretit Muhamed s.a.v.s. ishte kjo: “Fisnikëria e besimtarit është namazi i tij gjatë natës dhe dinjiteti i tij është heqja dorë nga shqetësimi i njerëzve të tjerë”.