24 abani, dita përkujtimore e Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai
Alame Tabatabai ishte filozof, gnostik, komentues i Kur’anit, jurist dhe dijetar i njohur islam. Alame Tabatabai ishte simbol i një dijetari të plotë, kulmi i mendimit, maja më e lartë e njohjes, bjeshkë e durimit dhe një gjoks me plotë sekrete të të dashurve hyjnor.
Ai kurrë nuk e ka menduar tokën si vend dhe pozitë të tij, gjithnjë priste vetëm mëshirën e Zotit derisa më në fund në një agim pikëllues ndërroi jetë duke shkaktuar një pikëllim të madh dhe të përhershëm për nxënësit dhe dashamirësit e tij.
Koha ec dhe kalon si një stuhi e fuqishme mbi kodrinat e shkretëtirës dhe në këtë rrugë, ajo përfshinë në vete bukuritë, të këqijat, sukseset dhe dështimet, kujtimet dhe përjetimet. Mirëpo kjo stuhi në mejdanin përball e burrave të mëdhenj dhe vigjilentë, përulet me modesti. I ndjeri Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai Tabrizi ishte një prej këtyre burrave të tillë që mos shqyrtimi dhe analizimi i jetës dhe veprës së tij, ka dëme të mëdha për shoqërinë që nuk mund të kompensohen. Data 24 aban e vitit 1360 të kalendarit iranian që përkon me 15 nëntor të vitit 1981, është një ditë në të cilën ka ndërruar jetë ky dijetar dhe mendimtar i madh iranian. Ai ishte një dijetar që jeta dhe veprat e të cilit janë dritë udhëzuese për shumë njerëz të tjerë. Sot në kohën tonë, ne kemi shumë nevojë për njohjen e dijetarëve të tillë si ai.
Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai Tabrizi
Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai Tabrizi ka lindur në vitin 1281 të kalendarit iranian (1902) në qytetin Tabriz të Iranit, në një familje dashamirës të diturisë dhe arsimit. Ai ishte vetëm pesë vjeçar ku i vdiq nëna dhe vetëm katër vite më vonë përjetoi edhe vdekjen e babait të tij me një pikëllim shumë të madh. Alame Sejed Muhamed Husejn Tabatabai në fillim nuk kishte dashuri dhe as zgjuarsi të veçantë për mësim. Prandaj, arsimtari sa do që i shpjegonte mësimet, ai nuk i kuptonte ato. Ai shkoi katër vjet në shkollë (mejtep), por nuk arriti të mësojë asgjë nga gjuha arab dhe as nga gramatika, derisa një ditë mësuesi i tij e kishte qortuar ashpër atë dhe i kishte thënë: "Më humbe kotë edhe kohën time edhe konen tënde!" Kjo fjali kishte lënë gjurmë shumë të mëdha te Alame Tabatabai dhe i kishte ardhur shumë e rëndë kjo fjali. Ai më nuk mund të qëndrojë në qytet. Ai u largua nga qyteti dhe shkoi në një fshat në periferi për t'u marrë me punë larg njerëzve të tjerë. Mirëpo pas një kohe atij iu ngjall një pasion aq i madh për të mësuar sa që më nuk dinte as dit as natë. Ai vet këtë pasion e quan si një "mirësi hyjnore". Në shumicën e netëve ai deri në agim lexonte dhe mësonte. Ky pasion i madh për të lexuar dhe mësuar, e ka shoqëruar Alame Tabatabai deri në fund të jetës së tij. Ai për çdo ditë me përjashtim të ditës së Ashurasë, lexonte dhe hulumtonte të paktën 14 orë në ditë. Është interesat se ai veprat e tij i shkruante pa shenja të pikësimit dhe atëherë kur i rilexonte korrigjonte, i vendoste edhe shenjat e pikësimit. Sepse ai e kishte bërë llogaritjen se nëse shkruan në këtë mënyrë, kursen kohë më tepër dhe fiton kohë më shumë për të lexuar.
Alame Tabatabai në vitin 1304 të kalendarit iranian (1925) shkoi në qytetin Naxhaf të Irakun dhe u vendos pranë mauzoleut dhe varrit të Imam Aliut (a.s.) në mënyrë që të mësojë dhe përfitojë nga dijetarët e njohur të asaj kohe në shkollën e Naxhafit si Haxh Mirza Muhamed Husejn Naini, Sejed Abul-Hasan Esfahani, Shejkh Muhamed Husejn Gharavi Esfahani, Haxh Mirza Ali Irevani, Mirza Ali Asghar Meleki dhe Haxh Mirza Ali Kazi Tabatabai. Në mesin e këtyre profesorëve të njohur, Mirza Ali Kazi Tabatabai ishte një personalitet tjetër për Alame Tabatabai. Ky profesor i madh i kishte mësuar Alame Tabatabai etikën, gnosticizmin dhe rrugën e drejtë të sejrosulukut dhe kishte ushtruar një ndikim aq të madh mbi Alame Tabatabai sa që ai gjithnjë thoshte: "Ne për çdo gjë që kemi, i kemi borxh të ndjerit Kazi".
Alame Tabatabai në vitin 1314 të kalendarit iranian (1935), u kthye në Tabriz dhe atje qëndroi rreth 10 vite derisa në pranverën e vitit 1325 iranian (1946), shkoi në qytetin Kum në jug të Teheranit. Ai vet në lidhje me këtë thotë: "Kur kam ardhur në qytetin Kum, kam bërë një vlerësim mbi programin arsimor të shkollës fetare dhe e kamë krahasuar atë me nevojat e shoqërisë islame. Kam gjetur mungesa të rëndësishme në atë program, prandaj detyrë timen e konsiderova që të punojë dhe të bëjë përpjekje për plotësimin e këtyre mungesave. Mungesat më të rëndësishme që ekzistonin në programin arsimor të shkollës fetare, ishin në fushën e komentimit të Kur'anit të shenjtë dhe në shkencat racionale. Prandaj, kam filluar mësimin e komentimit të Kur'anit dhe shkencës së filozofisë. Pavarësisht se në atmosferën e asaj kohe komentimi i Kur'anit nuk konsiderohej si një shkencë e cila ka nevojë për hulumtim dhe trajtimi i saj nuk konsiderohej punë e merituar për ata të cilët posedonin forcën për hulumtim në fushat e tjera shkencore si fik dhe parimet e besimit dhe përveç kësaj edhe dhënia e mësimit në këtë lëndë konsiderohej si shenjë e profesorëve me informacione të kufizuara, mirëpo unë këto pretekste nuk i konsiderova të arsyeshme për veten para Zotit të madhëruar dhe e vazhdova këtë punë derisa rezultoi me shkrimin e veprës "Al-Mizan fi tefsiri Kur'an" (Komentimi i Kur'anit me Kur'an)".
Metoda komentuese e Alame Tabatabai, ishte zbërthimi i çështjeve të hollësishme në thellësinë e Kur'anit të shenjtë. Për këtë arsye, ai gjatë komentimit të një ajeti kur'anor, kishte parasysh të gjithë Kur'anin e shenjtë. Në të vërtetë ai çdo ajet e komentonte duke u mbështetur në ajetet e tjera të Kur'anit të shenjtë dhe nëse për komentimin e një ajeti nuk gjente ndonjë ajet tjetër që e vërtetonte atë, atëherë ai e komentonte atë në atë mënyrë që të mos ketë kurrfarë kontradikte me ajetet e tjera. Për arsye se ai besonte që kontradiktat e ajeteve nuk është në harmoni me unifikimin e mrekullueshëm të Librit Hyjnor. Kjo metodë e komentimit që ka ndjekur Alame Tabatabai krijoi një stil të ri me emrin "Komentimi i Kur'anit me Kur'an" dhe e futi atë në punët hulumtuese shkencore. Karakteristika më e rëndësishme e Alame Tabatabai në këtë lloj të komentimit të Kur'anit, ishte kjo që ai shmangej nga mbështetje në çfarëdo lloj hipoteze të pavërtetuar dhe zhvillimin e shkencave dhe industrive nuk e konsideronte si vërtetim i asaj hipoteze. Prandaj ai gjithnjë theksonte në këtë çështje: "Stabilitetin që ka Kur'ani i shenjtë, nuk mund të komentohet si i ndryshueshëm që kanë hipotezat kalimtare dhe të përkohshme shkencore ose të krahasohet me atë".
Modestia e Alame Tabatabai ashtu sikur karakteristikat e tjera morale të tij, ishte një metodë pragmatike e cila në vete konsiderohej një mësim i etikës. Në kohën kur atij i kërkonin të mbante klasë për mësimin e etikës, ai përgjigjej: "Etika nuk është lëndë mësimore, por një metodë pragmatike. Prandaj jeta dhe vepra e njeriut dhe qasje e tij praktike duhet të jetë mësimdhënëse. Për shembull, nëse themi duhet të kemi modesti dhe mbështetje të Zoti. Kjo fjali arrin t'i zgjidh shumë pak problematika morale, mirëpo kur ne vet jemi modest dhe kemi mbështetje të Zoti (tevekul), të kemi sjellje modeste dhe të bazuar në mbështetjen te Zoti, atëherë të tjerët duke shikuar modestinë dhe mbështetjen tonë te Zoti, bëhen modest dhe me mbështetje të Zoti".
Kjo thënie e Alame Tabatabai, nuk ishte vetëm një fjalë, por ishte një veprim i tij të cilin e kanë prekur dhe përjetuar nga afër të gjithë të afërmit dhe nxënësit e tij. Në klasën e mësimit dhe diskutimit ku nxënësit uleshin në formë rrethi pranë tij, edhe ai ulej në një vend në mesin e tyre dhe fillonte mësimin. Kur jepte mësim, ulej pak përpara murit. Kurrë nuk mbështetej në mur ose në karrige. Nëse një nxënës kishte pyetje ose paraqiste një çështje të cilën nuk e kishte të qartë, ai së pari e dëgjonte me vëmendje dhe nuk ndërpriste fjalët e tij, pastaj fillonte dhe jepte përgjigjen apo shpjegonte. Nëse paraqitej një çështje për diskutim të lirë, ai thoshte mendimin e vetë dhe pastaj shtonte: "Kjo është ajo çfarë më erdhi në mendje mua, ju vetë analizoni dhe mendoni dhe shikoni se ky mendim deri në çfarë mase është i pranuar". Ai në këtë mënyrë krijonte për nxënësit hapësirë për të menduar. Njëkohësisht me këtë, ai gjithmonë është munduar që në çdo klasë dhe për çdo nxënës në bazë të kapacitetit të nxënësve të flasë dhe të shqyrtojë çështje të ndryshme. Në raste kur nuk kishte informacion të mjaftueshëm dhe të drejtë në lidhje me ndonjë çështje, ai me plotë guxim deklaronte: "nuk e di!" ose "më shumë se kaq nuk di". Kjo është pikërisht ajo gjysma e diturisë për të cilën ka tërhequr vërejtjen Imam Aliu (a.s.) i cili ka thënë: "Të thuash "nuk di", është gjysma e diturisë!".
Virtytet e larta morale të Alame Tabatabai nuk ishin diçka që njiheshin vetëm në rrugë, në vendin e mësimit dhe diskutimit, por ai edhe në familje ka treguar të njëjtat virtyte të larta dhe dashurinë familjare e kishte bërë prioritet. Dashuria e Alame Tabatabai ndaj bashkëshortes së tij, ishte një shembull shumë i njohur. Ata si dy të dashuruar, ishin shkrirë tërësisht pran njëri-tjetrit. Besimi të cilin e kishte bashkëshortja e Alame Tabatabai në atë, me të vërtetë ishte diçka për t'u lavdëruar. Kur Alame Tabatabai ishte duke hulumtuar dhe shkruar, ajo nuk fliste me atë dhe mundohej që çdo gjë në shtëpi të jetë e qetë. Ajo kohë pas kohe hapte derën e dhomës së Alame Tabatabai, hynte me ngadalë dhe vendoste çajin në tavolinën e punës dhe pa asnjë zhurmë dilte jashtë për të mos prishur mendimet e Alame Tabatabai. Nga ana tjetër, edhe Alame Tabatabai gjithnjë e konsideronte veten borxhli ndaj dashurisë dhe respektit të bashkëshortes dhe vazhdimisht vlerësonte mundin e saj. Në kohën kur i vdiq kjo bashkëshorte besnike, Alame Tabatabai u pikëllua shumë. Kur njëri prej nxënësve e pyeti atë për shkakun e gjithë këtij pikëllimi dhe shqetësimi, ai u përgjigj: "Vdekje është e vërtetë. Të gjithë duhet të vdesim. Unë nuk po qaj për vdekjen e bashkëshortes, por po qaj për respektin dhe dashurinë e saj... . Përgjatë gjithë jetës tonë kurrë nuk ka ndodhur që bashkëshortja ime të bëjë një veprim që unë të paktën në zemër të mund të them ah sikur të mos e kishte bërë atë veprim! Ose të heq dorë prej një veprimi dhe unë të mund të them ah sikur ta kishte bërë atë veprim! Ajo përgjatë gjithë jetës kurrë nuk më ka thënë mua "pse e ke bërë atë veprim? Ose pse nuk e ke bërë atë veprim?... Tani unë si mund të harrojë gjithë këtë dashuri dhe respekt?! Gjithashtu Alame Tabatabai gjithashtu në përgjigje të një letre ngushëlluese të njërit prej nxënësve të tij, ka shkruar: “Me kalimin dhe vdekjen e saj, një herë e përgjithmonë i është mëshuar vijë jetës tonë të bukur dhe të qetë”.
Alame Tabatabai përveçse ishte mendimtar, filozof, gnostik, dijetar i shquar islam, kishte edhe një aftësi të veçantë për krijimin e poezisë dhe ka krijuar edhe lirika gnostike të cilat janë plotë me dashuri, pasion dhe mall të thellë. Ai në letërsinë arabe ka treguar vëmendje të veçantë për poezinë e Ibn Farid, ndërsa në poezinë persiane vlerësonte lartë poezinë e Hafiz Shirazi. Ai nganjëherë poezitë e tij i lexonte për miqtë e vet dhe këtu po paraqesim një pjesë lirikës së tij me titull “Më mori mua vetëm”:
Unë jam një shkop i panjohur që ka rënë në lumin e vërshuar
Lumi që shkonte, më çonte edhe mua në zemër të detit
Ku ishte gota e miqve? Në dorën e kujt ishte?
Që me një paraqitje mori zemrën dhe fenë e të gjithëve në një vend
Ishte lakimi i vetullës tënde dhe dyshemeja parajsës tënde
Që bredhte në këtë gosti dhe rrëmbeu zemrën e vrullshme
Vet ti më ke mësuar mua dashurinë dhe vet ti më ke djegur mua
Me një fytyrë të shkëlqyer e cila na mori qetësinë tonë
Të gjithë miqtë ishim në rrugën tënde, mirëpo
Malli për ty më pa mua dhe më plaçkiti të tërin
Të gjithë e kishim humbur zemrën dhe ishim të trazuar kur malli për të gjithë i la mbrapa dhe më mori vetëm mua