Industria e mbrojtjes e Iranit, në rrugën drejt progresit dhe vetë-mjaftueshmërisë
31 Mordadi (22 gusht) është emëruar "Dita e industrisë së mbrojtjes" në Republikën Islamike të Iranit. Ajo që ka çuar në rritjen dhe dinamikën e industrisë së mbrojtjes së vendit sot është padyshim rezultat i përpjekjeve të pafundme në industrinë e mbrojtjes.
Në këtë lëvizje strategjike, përvojat e mbrojtjes së shenjtë kanë shërbyer si një pasuri e madhe dhe i kanë mundësuar industrisë së mbrojtjes të plotësojë të gjitha nevojat e forcave të armatosura në përgjigje të kërcënimeve të huaja, në mënyrë që të përmbushë qëllimet dhe interesat e vendit. Është e qartë se fuqia mbrojtëse dhe forca parandaluese e Iranit janë rezultat të eksperiencës mësimdhënëse dhe të matur të forcave të armatosura të Iranit gjatë tetë viteve të mbrojtjes së lavdishme përball agresionit ushtarak të Irakut. Tani arritjet e mëdha dhe mbresëlënëse të industrisë së mbrojtjes së Iranit dhe lëvizja drejt krijimit të organizatave të bazuara në dije dhe shkencë në të gjitha njësitë industriale, prodhuese, duke përdorur teknologji të reja, u përgjigjen kërkesave të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare.
Në këtë industri strategjike, studimi dhe hulumtimi, përmirësimi i cilësisë dhe përditësimi i industrisë së mbrojtjes, të gjitha këto së bashku janë bazat e zhvillimit dhe progresit të industrisë së mbrojtjes të Iranit. Sot, të gjitha nevojat e forcave të armatosura të Iranit janë të plotësuara nga Industria e mbrojtjes e Iranit dhe RII mundet për një kohë të gjatë të jetë e sigurt. Industria e mbrojtjes së Iranit është një nga përbërësit kryesorë të pavarësisë dhe garanton sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Prodhimi i sistemeve dhe pajisjeve të mbrojtjes në fusha të ndryshme të luftës tokësore, elektronike, detare, ajrore dhe raketore si dhe tejkalimi i sanksioneve të padrejta nga industria ushtarake e Iranit dhe arritja e progreseve të mëdha në këtë drejtim, janë rezultate inspiruese dhe të shkëlqyeshme të specialistëve të palodhur e të devotshëm iranianë. Ashtu si në periudhën e mbrojtjes së lavdishme, Republika Islamike e Iranit i ka përqendruar të gjithë forcat dhe aftësitë e saj për të shtuar forcën dhe kapacitetin mbrojtës duke shfrytëzuar shkencën moderne për të thyer të gjitha sanksionet e padrejta, ndërkohë që me vigjilencë dhe vëmendje të madhe po vëzhgon të gjitha planet dhe komplotet e armiqve të përbetuar të Revolucionit Islamik.

Siç thekson Gjeneral-Major Muhamed Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, aktualisht, Republika Islamike e Iranit ka arritur një pikë zhvillimi dhe autoriteti në parandalimin e çdo lloj sulmi që mund të kërcënojë atë si dhe çdo aventurë dhe operacion masiv psikologjik apo sulm ushtarak të armiqve. Ai shton: "Industria e mbrojtjes së Iranit ka punuar për të maksimalizuar strategjitë e saj të mbrojtjes dhe për të realizuar qëllimet dhe politikat e Republikës Islamike të Iranit. Gjeneral Major Bagheri thekson se forcimi i armëve strategjike, maksimalizimi i mbrojtjes dhe i mbështetjes së Frontit të Rezistencës Islamike, forcon sigurinë e RII. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit e bën të qartë se Irani është i vendosur për të zgjeruar fuqinë e tij ushtarake dhe programin raketor, pavarësisht presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. "Gjatë këtyre 40 vjetëve, e sidomos gjatë pesë vjetëve të fundit, kapacitetet ushtarake të Iranit kanë habitur botën" ,deklaron Gjeneral Major Bagheri. "Sot, 85% e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake në vendin tonë bëhen nga industria jonë. Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë leje nga askush për të ndërtuar lloje të ndryshme të raketave", tha ai. Gjeneral Major Bagheri thekson: "Nuk ka dyshim në zhvillimin e fuqisë ushtarake ajrore të vendit dhe ky përparim duhet të jetë i tillë që ne të mos i lejojmë armiqtë të komprometojnë sovranitetin tonë ajror dhe forcat ajrore mund të kryejnë operacionet e tyre dhe të jenë mbështetje e ngushtë për forcat e marinës dhe ato tokësore".
Nga ana e tij, Ministri i mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit, gjeneral brigade Amir Hatami, thekson se Republika Islamike e Iranit ka qenë efikase në mbrojtjen e vetes dhe në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes së rajonit dhe nuk ka lejuar që Amerika të realizojë qëllimet e saj në rajon. Ai thekson se Revolucioni Islamik i Iranit ka thyer hegjemoninë e Amerikës në rajon dhe në botë dhe shton: “Sot, Amerika mendon se kudo që të shkojë, do të mbetet aty përgjithmonë, mirëpo amerikanët deri më tani kudo që kanë shkuar, populli i atij rajoni i ka dëbuar ata në mënyrë poshtëruese”. Ministri i Mbrojtjes së Iranit vë në dukje se industria ushtarake e Iranit para fitores së Revolucionit Islamik ishte tërësisht e varur nga të huajt, shton: “Aktualisht populli i Iranit falë pavarësisë dhe rezistencës përball presioneve, në industrinë e tij ushtarake ka arritur në nivel të lartë për t'i plotësuar nevojat e tij”. Ministri i mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit është i mendimit se Irani mund të prodhojë të gjitha mjetet ushtarake për nevojat e tij në përputhje me kërcënimet dhe ky kapacitet është krijuar vetëm me vullnetin e popullit të Iranit. Doktrina e mbrojtjes e Iranit është e bazuar në parimin e parandalimit efikas. Sistemi i Republikës Islamike të Iranit është krijuar në bazë të vullnetit të popullit, prandaj mbrojtje e vendit dhe e vendeve të tjera islame, konsiderohet obligim. Gjeneral Hatami gjithashtu vë në dukje rolin përcaktues të teknologjive të reja mbrojtëse dhe të zhvilluara në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit dhe thekson: “Informimi për pajisjet ushtarake të armikut dhe modernizimi i armatimeve dhe pajisjeve ushtarake iraniane janë prej faktorëve që ushtrojnë ndikim të rëndësishëm në progresin e sferës së mbrojtjes së Iranit”.

Sot, me zhvillimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore dhe elektronikës, aftësia e forcave të armatosura iraniane në hapësirën ajrore ka arritur në një nivel që askush nuk mund ta imagjinojë. Fuqia mbrojtëse dhe parandaluese dhe, nëse është e nevojshme, fuqia ofensive e Iranit për të larguar kërcënimet, nuk do të thotë se Irani kërcënon rajonin. Irani nuk ka asnjë tolerancë për sigurinë e tij dhe ka rritur fuqinë e tij të mbrojtjes në përgjigje të kërcënimeve. Këto suksese tregojnë se ajo që thuhet për fuqinë mbrojtëse të Republikës Islamike nuk është një pretendim apo slogan, por një fakt i pamohueshëm. Në vërtetim të kësaj aftësie, më 20 qershor, droni spiun amerikan Global Hawk u shënjestrua dhe u qëllua pasi shkeli territorin e Republikës Islamike të Iranit në një zonë përballë provincës Hormuzgan. Lajmi shpejt arriti në mediat kryesore të botës dhe tronditi administratën e Presidentit amerikan Donald Trump, pasi amerikanët nuk besonin se dronët e tyre të shtrenjtë dhe supermodernë do të rrëzoheshin nga Irani dhe se disa nga mbetjet e dronit të rrëzuar Global Hawk do të merreshin nga Irani.
Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, reagoi në një postim në lidhje me aftësinë ushtarake të Iranit dhe shkroi: "Punë interesante nga Irani në lidhje me Global Hawk. Nëse është e vërtetë, do të thotë që droni i supersofistikuar fluturoi nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u qëllua në rrugën e tij në brigjet iraniane". Ben Rhodes, një këshilltar i ish presidentit amerikan Barack Obama dhe një nga arkitektët e marrëveshjes bërthamore me Iranin, pas kësaj ngjarjeje, shkoi në rrjetin Fox News dhe i tha një podiumi mediatik që vazhdonte të mbështeste Trumpin: "Kjo është ajo që ne thamë se do të ndodhte kur Trump doli jashtë marrëveshjes bërthamore. Kjo qeveri ka humbur besueshmërinë e saj. Iranianët dërguan një mesazh të qartë për SHBA se ata mund të godasin madje pajisjet më të përparuara të SHBA dhe nuk do të hezitojnë nëse ndihen të kërcënuar".
Ministri i Mbrojtjes së RII paralajmëroi se në Ditën e industrisë së mbrojtjes Ministria e tij ka plane për të zbuluar arritje të reja në industrinë e mbrojtjes të vendit. Gjeneral Amir Hatami theksoi: "Ne do të kemi disa lajme të shkëlqyera në fushën e mbrojtjes ajrore më 22 gusht, me zbulimin dhe shpërndarjen e sistemit të mbrojtjes ajrore Bavar-373 që do të përurohet në Ditën e industrisë së mbrojtjes".