41 vjet qëndresë e kombit iranian ndaj sistemit sundues
Republika Islamike e Iranit është në prag të 41 vjetorit të fitores së Revolucionit Islamik.
Kombi iranian gjatë katër dekadave që nga fitorja e Revolucionit Islamik ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur sjelljen armiqësore të Amerikës. Këto armiqësi përfshinin një gamë të gjerë që nga mbështetja për Sadam Huseinin gjatë tetë viteve të luftës së imponuar, mbështetja e grupit terrorist Monafekin (MEK) dhe deri te përpjekja për grusht shteti në Iran. Realiteti është se armiqësia e Amerikës kundër Iranit nuk është ndalur kurrë.
Ajetollah Khamenei, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, në një prononcim në prag të 13 Abanit, Ditës Kombëtare për Luftën kundër Arrogancës Botërore, përshëndeti mijëra nxënës dhe studentë në të gjithë vendin, dhe duke përsëritur armiqësinë e vazhdueshme të SHBA-së kundër kombit iranian që nga grushti i shtetit i vitit 1953, theksoi: "Amerika e egër, natyrisht, është bërë më e dobët, por më brutale dhe mizore. Përkundrazi, Republika Islamike e Iranit, me mbrojtjen e saj të fortë dhe ndalimin e arsyeshëm të negociatave, e ka bllokuar rrugën për ndikimin dhe rikthimin e SHBA-së". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vuri në dukje se disa, përfshirë edhe amerikanët, në një përpjekje për të shtrembëruar historinë, ia atribuojnë fillimin e armiqësisë amerikane ndaj Iranit kapjes së ambasadës amerikane në Teheran, e cila ishte një fole spiunazhi, dhe shtoi: "Që nga fillimi i marrëdhënieve të tyre me Iranin, amerikanët kanë qenë në armiqësi me popullin iranian përmes planeve në dukje miqësore, të cilat u bënë publike me grusht shtetin e gushtit të vitit 1953, dhe ky është fillimi i armiqësisë së hapur të Amerikës ndaj Iranit". Ajetollah Ali Khamenei tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndryshuar që nga atëherë dhe shtoi: "E njëjta ligësi, e njëjta egërsi, e njëjta përpjekje për të krijuar diktaturën ndërkombëtare dhe i njëjti hegjemonizëm i pafund, ekzistojnë edhe sot në Amerikë, megjithëse me më shumë brutalitet dhe mizori". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik duke përmendur disa nga veprimet që amerikanët kanë kryer gjatë 41 viteve të fundit, përfshirë kërcënime, grusht shteti, sanksione, shantazhe, nxitje e urrejtje ndëretnike, separatizëm , kaos, bllokadë ekonomike, spiunazh dhe metoda të tjera, shtoi: "Gjatë kësaj kohe, ata bënë gjithçka që mundën dhe komplotuan kundër institucioneve të revolucionit, veçanërisht ndaj thelbit të Republikës Islamike".
Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit deklaroi se negociatat me Amerikën nuk sjellin kurrfarë rezultati, për arsye se amerikanët në mënyrë të prerë nuk do të japin kurrfarë lëshimi apo privilegji. Ajetollah Khamenei deklaroi se mbyllja e rrugëve për depërtimin politik dhe për vendosjen përsëri të hegjemonisë amerikane mbi Iranin, është përgjigja më e mirë në përballje me komplotet e Uashingtonit, ndërsa shtoi: "Ndalimi i prerë i negociatave me Amerikën është një prej mjeteve të rëndësishme për të mbyllur rrugën e depërtimit të tyre në Iran". Ajetollah Khamenei duke kundërshtuar bisedimet me SHBA-në, deklaroi: "Pala tjetër, uljen e autoriteteve iraniane në tryezën e negociatave e konsideron si gjunjëzim të Republikës Islamike dhe me insistimin për zhvillimin e negociatave ndjek këtë qëllim që t'i thotë botës se presioni maksimal dhe sanksionet ndaj Iranit më në fund kanë dhënë rezultat dhe iranianët u gjunjëzuan". Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, eksperiencat e negociatave të pasuksesshme të Kubës dhe Koresë Veriore me Amerikën i vlerësoi mësimdhënëse dhe tha: "Autoritetet e Amerikës dhe Koresë Veriore në mënyrë sipërfaqësore qeshnin dhe tregoheshin të miqësuar mes vete, mirëpo në fund amerikanët sipas metodës së tyre në negociata, nuk reduktuan aspak sanksionet dhe nuk i dhanë kurrfarë përfitimesh Koresë Veriore. Presidenti i Francës, një takim të Presidentit iranian me Donald Trump e kishte konsideruar zgjidhës të të gjitha problemeve, mirëpo duhet të themi se ky person ose është shumë mendjelehtë, ose është bashkëpunëtor i Amerikës". Ajetollah Khamenei duke shtruar pyetjen se ku ndodhet kufiri i kërkesave dhe ambicieve të Amerikës ndaj Iranit?, tha: " Kërkesat e Amerikës kurrë nuk do të përfundojnë". Ajetollah Ali Khamenei, duke theksuar se amerikanët po kërkojnë ta kthejnë Iranin në kushtet e para-revolucionit, përsëriti: "Sigurisht, Revolucioni Islamik është më i fortë se këto komplote, dhe vullneti i hekurt dhe i patundur i Republikës Islamike nuk do t'i lejojë kurrë SHBA të bëjnë një gjë të tillë dhe të kthehen përsëri në Iran".
Kërcënimet, shantazhet, sanksionet, nxitja e përçarjes etnike, e separatizmit, e kaosit, rrethimi ekonomik, depërtimi, infiltrimi dhe metoda të tjera janë të gjitha komplote të pafundme të Amerikës gjatë 41 viteve të fundit. Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, Shtetet e Bashkuara konfiskuan depozitat prej 2 miliardë dollarësh të Iranit pranë bankave amerikane dhe azhurnuan dhe zgjeruan listën e sanksioneve të tyre me pretekstin e çështjes së raketave. Pyetja kryesore sot është se çfarë duhet të ketë ndodhur që në kushtet kur qeveria iraniane kishte rënë dakord për të negociuar me amerikanët për më shumë se dy vjet dhe nënshkroi marrëveshjen bërthamore, amerikanët arritën në konsensus që kjo ishte marrëveshja më e keqe në historinë amerikane?. Ajetollah Ali Khamenei, Lideri Suprem i Revolucionit, në mënyrë të përsëritur i është referuar Shteteve të Bashkuara me termin "djalli i madh", një term që u përdor edhe nga Imam Khomeini (ra), dhe thekson: "Sistemi i SHBA, është shërbëtor i rrjetit të rrezikshëm dhe djallëzor të Sionizmit ndërkombëtar, është armiku i kombeve të pavarura dhe është shkaku i shumicës së luftërave në rajon dhe në botë dhe si një shushunjë, kërkon të thithë pasuritë e kombeve".
Ajetollah Khamenei duke theksuar se të rinjtë e sotshëm të Iranit përbëjnë pikërisht atë gjeneratë të të rinjve të cilët me ndihmën e Zotit, këtë vend do ta çojnë në kulmin e zhvillimit dhe progresit, deklaron: “Kemi ideale të mëdha. Armiqësitë e armiqve, gjithashtu, deri më tani nuk kanë patur ndikim, ata nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Pavarësisht se kanë përdorur të gjitha mundësitë e tyre në armiqësinë me popullin iranian dhe nëpërmjet rrugëve të ndryshme janë munduar të devijojnë gjeneratën e të rinjve nga rruga e Revolucionit, edhe pse ndoshta kanë arritur suksese të vogla në disa aspekte, mirëpo në përgjithësi gjenerata e të rinjve me po atë vetëdije që ka patur në fillim të Revolucionit, ekziston edhe sot. Aktualisht të rinjtë e viteve 2000, të cilët nuk kanë përjetuar as luftën dhe as periudhën e pranisë së Imam Khomeinit (ra), kryesisht ndjekin po ato koncepte me po atë intelektualizëm dhe me po atë forcë. Ata mund të ngadhënjejnë ndaj komploteve të armikut, mund të tejkalojnë vështirësitë dhe pengesat dhe ta çojnë këtë vend në po atë pozitë që e meritojnë idealet islame dhe idealet e Revolucionit Islamik! Me ndihmën e Zotit, shpresojmë që ky qëllim të realizohet!”
Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit fitoren dhe suksesin në realizimin e qëllimeve të larta të popullit të Iranit e konsideron të kushtëzuar me disa kushte që një prej më të rëndësishmeve prej tyre është njohja e armikut. Ai theksoi se armiku më i madh i popullit të Iranit, është Amerika dhe arsyeja për të cilën ne e konsiderojmë Amerikën armik kryesor, ka argumente të qarta dhe reale dhe nuk bazohet në hipoteza. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në vazhdim thekson: “Armiku i ka sytë e mbyllur, si një njeri i cili nuk mund të shikojë, nuk mund të llogarisë drejtë, nuk mund të vlerësojë drejtë dhe pikërisht kjo paaftësi që të llogarisë drejtë, bëhet shkak që të pësojë disfatë... Aktualisht kanë kaluar gati 41 vjet nga fitorja e Revolucionit Islamik të Iranit; që nga dita e parë kur ky Revolucion ishte vetëm një fidan i hollë, amerikanët kanë luftuar me këtë Revolucion dhe e kanë sulmuar, ndërsa sot përkundër dëshirës së atyre, ky Revolucion është bërë një pemë e lartë dhe shumë frutdhënëse. Prandaj kjo tregon se armiku nuk ka mundur dhe nuk mund të fitojë”.