Takimet gjatë Novruzit me të zotët e penës (1) : Xhahidh Basri
(last modified Sat, 18 Apr 2020 07:56:36 GMT )
Prill 18, 2020 09:56 Europe/Tirane
  • Takimet gjatë Novruzit me të zotët e penës (1) : Xhahidh Basri

Sot është e premte, dita e parë e muajit farvardin të vitit 1399 të kalendarit iranian që përkon me ditën e parë të stinës së pranverës dhe me 20 mars të vitit 2020.

Sot në kalendarin iranian është “Novruzi”, festa më e madhe antike e iranianëve e cila ka një lashtësi mijëra vjeçare. Ua urojmë të gjithëve ardhjen e Novruzit dhe pranverës dhe vitit të ri, prandaj me këtë rast që nga sot deri në ditën e 13-të të muajit farvardin, do të transmetojmë një program special me titull “Takimet gjatë Novruzit me të zotët e penës”.

Një prej traditave të Novruzit që është një prej traditave kryesore në mesin e atyre që e festojnë këtë ditë të madhe, janë vizitat dhe takimet e Novruzit ose shkuarja në shtëpinë e njëri-tjetrit gjatë ditëve të para të vitit. Në bazë të kësaj tradite të lashtë iraniane, me rastin e Novruzit të këtij viti ne kemi shkuar për vizitë te disa aktivistë të fushës së kulturës dhe shkrimtarë të letërsisë iraniane dhe kështu do të transmetojmë fjalët dhe mendimet e tyre duke bërë një përshkrim të kaluarës historike të këtij vendi dhe mënyrës së kremtimit të festës së Novruzit. Gjatë këtij rrugëtimi, transmetimin tonë do ta fillojmë nga librat dhe burimet e para në të cilat është folur për festën e Novruzit dhe do të vazhdojmë deri në veprat e autorëve bashkëkohor të Iranit. Në këtë kuadër kemi zgjedhur 13 shkrimtarë dhe autorë dhe kemi zhvilluar vizitën e Novruzit me ata. Në vazhdim iu ftojmë të na ndiqni me këtë program për t’u njohur me transmetime të ndryshme rreth festës së Novruzit nga pikëpamja e shkrimtarëve dhe artistëve iranianë.

Pse Novruzi është i shenjtë? Nga buron shenjtëria e tij? Para ardhjes së Islamit, iranianët këtë festë e kremtonin në mënyrë shumë madhështore duke shoqëruar festën me lutje e dua dhe ceremoni të veçanta. Pas përhapjes së Islamit në Iran dhe në disa vende islame, përsëri ka vazhduar shenjtëria e kësaj feste deri në atë masë sa që ka hyr edhe në sferën e haditheve dhe transmetimeve fetare dhe këto transmetime fetare kanë forcuar edhe më tepër këtë festë. Kjo është një festë e cila kishte rituale të veçanta dhe në librat të cilat janë përkthyer nga gjuha Pahlavi në persishten e re dhe në gjuhën arabe, është folur në mënyrë të hollësishme rreth kësaj feste.

Për shembull, disa prej atyre ritualeve dhe traditave janë përmendur në librin “Taxh” të autorit Xhahidh Basri dhe kanë mbetur deri më tani. Abu Othman Amr bin Bahr i njohur me epitetin Xhahidh, ka qenë një letrar dhe autori i madh në oratori dhe në letërsi i cili ka jetuar gjatë viteve 160-255 hixhri kameri (777-869 të erës së re). Fama e tij ishte më shumë për shkak të aftësisë dhe talentit të tij në artet letrare deri në atë masë sa që atë e kanë quajtur “Mbreti i prozës letrare”. Ky mendimtar dhe autor ka shkruar vepra me metodën shkencore në lidhje me bimët, gjallesat, gjeografinë, mjekësinë, kiminë dhe psikologjike.

Xhahidh Basri

Për t’u takuar me Xhahidh Basri, shkojmë në Basra, një qytet ky që ka krijuar mundësitë më të mira për ata për të vazhduar studimet e dhe për nxënien e diturisë. Basra e shekullit 2 dhe 3 hixhri kameri, ishte një qytet i xhamive me një qarkullim të dendur dhe i qarqeve fetare, politike, shoqërore dhe kulturore. Në hyrje të qytetit Basra e kuptuam se grupe të ndryshme të njerëzve nga shtresat e ndryshme të shoqërisë së Basres, në mënyrë të rregullt mblidhen në xhaminë kryesore të qytetit dhe zhvillojnë biseda dhe diskutime në çdo fushë. Këto grupe njihen me emrin “Masxhidijun” dhe thuhet se Xhahidh që nga fëmijëria e tij ishte një prej këtyre masxhidijunëve.

Në xhaminë e madhe të qytetit, arrijmë të takohemi me atë. Ai ishte një burrë që edhe pse kalimi i kohës kishte lënë gjurmë në fytyrën e tij, por përsëri vazhdonte të fliste në mënyrë madhështore dhe me pasion dhe sidomos në ditën e parë të vitit të ri, kishte një fytyrë të çelur dhe të buzëqeshur.

Xhahidh në fillim të gjithë të pranishmëve ua uroi ardhjen e vitit të ri dhe festën e Novruzit. Pastaj vë në dukje veprën e tij “Al-Taxh” dhe thotë se në atë vepër në mënyrë të hollësishme ka shkruar në lidhje me festën e Novruzit. Xhahidh shton: “Në Novruz ekzistojnë shumë dobi dhe elemente të cilat nuk janë në asnjë festë tjetër. Disa prej këtyre elementëve dhe faktorëve janë: ardhja e vitit të ri, fillimi i mbledhjes së tatimeve, mbjelljes së produkteve bujqësore, ndërrimi i funksionarëve dhe autoriteteve administrative, fillimi i shtypjes së monedhës së dërhemit e dinarit, pastrimit të faltoreve të zoroastrianëve, shpëlarjeve, therjes së kurbaneve, punimit të tokës e zhvillimit të qyteteve etj.”.

Xhahidhi u thotë njerëzve se sot është dita për të kërkuar drejtësi nga mbreti para gjykatësve. I kërkojmë atij të shpjegojë më shumë dhe nga ai dëgjojmë këto fjalë: “Pra në këtë ditë u lejohet njerëzve që të dalin para mbretit dhe të pranohen letrat dhe kërkesat e tyre dhe të shqyrtohen ankesat e tyre. Nëse në këtë mes ekziston ndonjë padrejtësi nga ana e mbretit, së pari fillojnë nga vetë mbreti dhe asaj padrejtësie i japin përparësi ndaj çfarëdo çështjeje tjetër. Mbreti në këtë ditë thotë se asnjë mëkat nuk është më i madh para Zotit se sa mëkati i mbretërve, për arsye se Zoti i ka bërë mbretërit sundimtarë mbi popullin që ta largojnë padrejtësinë nga njerëzit dhe të mbrojnë kufijtë dhe territorin e vendit të tyre nga çfarëdo lloj agresioni dhe ta zhdukin padrejtësinë dhe agresionin ndaj pasurisë dhe nderit të njerëzve. Prandaj, nëse vetë mbretërit bëjnë padrejtësi dhe agresion ndaj njerëzve, atëherë edhe të tjerët kanë të drejtë të bëjnë çfarëdo lloje veprimi të paligjshëm. Pastaj, në bazë të të drejtës dhe drejtësisë, shqyrtohen ankesat dhe çështjet e popullit dhe nëse vërtetohej ndonjë e drejtë e cila është mohuar nga ana e mbretit, ai obligohej për kthimin e asaj të drejte, ndërsa nëse vërtetohej se pretenduesi ka gënjyer, ai futej në burg dhe dënohej me ndëshkime të rënda”.

Njerëzit e pranishëm në xhami i kaplonte një pasion dhe entuziazëm i madh dhe fillonin të lavdëronin këtë festë dhe këtë traditë të bukur. Një festë e traditë e cila për bukuri respekton dhe realizon kërkesën për drejtësi dhe vëmendjen ndaj njerëzve dhe kënaqësinë e popullit nga sunduesit e shoqërisë në fillim të vitit të ri. Xhahidhi në vazhdim të gjithë njerëzit i fton për heshtje dhe pastaj transmeton një tregim nga legjendat dhe mitologjia në lidhje me Novruzin. Me të vërtetë ai edhe në pozitën e transmetuesit të tregimeve dhe legjendave të vjetra, është i pashoq dhe me mjeshtëri e aftësi të madhe flet në lidhje me atë çfarë ka lexuar për Novruzin në librat dhe burimet e vjetra.

Secili nga njerëzit biseduan dhe folën me atë dhe pastaj u larguan nga xhamia. Shkoj para, e i uroj festën e Novruzit dhe e pyes se si e ka gjendjen. Ai përgjigjet: “Jam në gjendje të mirë dhe të lumtur. Veziri po punon dhe shqyrton çështjet sipas këshillave dhe mendimit tim. Dhuratat dhe bakshishet e Khalifit po më vijnë njëra pas tjetrës. Po ha mirë, po pi mirë dhe po veshi rroba të mira...”.