Takimet gjatë Novruzit me të zotët e penës (7) : Dr. Muhamed Muin
(last modified Sat, 18 Apr 2020 08:10:49 GMT )
Prill 18, 2020 10:10 Europe/Tirane
  • Takimet gjatë Novruzit me të zotët e penës (7) : Dr. Muhamed Muin

Dr. Muhamed Muin është një prej profesorëve që ka ushtruar ndikim të madh në sistemin e arsimit modern universitar në Iran.

Dr. Muhamed Muin është një prej profesorëve që ka ushtruar ndikim të madh në sistemin e arsimit modern universitar në Iran. Ai ishte një mendimtar dhe autor i zellshëm që ka bërë shumë punë në fushën e studimeve rreth gjuhës dhe kulturës persiane dhe në një artikull studimor ka trajtuar gjerësisht festën Novruzit. Pas takimeve që kemi zhvilluar me të zotët e penës të së kaluarës historike të Iranit, tani në këtë edicion do të shkojmë ta vizitojmë Dr. Muhamed Muin dhe do të pyesim atë rreth rezultateve të hulumtimeve të tij në lidhje me festën e Novruzit.

Muhamed Muin ka lindur në vitin 1297 të kalendarit iranian (1919) në qytetin Rasht në veri të Iranit dhe ka vdekur në vitin 1359 të kalendarit iranian (1972) në Teheran. Ai është një prej studiuesve të dalluar dhe autor i një prej fjalorëve më të rëndësishëm të gjuhës persiane që njihet me emrin “Loghatname Muin”. Dr. Muhamed Muin njihet edhe si i diplomuari i parë në shkallën e doktoratës në gjuhën dhe letërsinë persiane në Iran.

Dr. Muin është anëtar i Akademisë së Iranit dhe fjalimet, konferencat shkencore, ligjëratat universitare dhe udhëtimet jashtë e vendit, i lënë shumë pak kohë të lirë atij. Mirëpo tani është Novruzi dhe dera e çdo iraniani është e hapur për mysafirët.

Kohëve të fundit ai ka publikuar një artikull të hollësishëm në lidhje me Novruzin. Hulumtimi dhe studimi i thellë dhe shkencor i autorit dhe preciziteti i vështrimit të tij është i pashembullt. Nuk është edhe pa arsye që Alame Dehkhoda e ka zgjedhur atë përfaqësues të tij për ta përfunduar projektin e madh të fjalorit “Loghatname Dehkhoda”. Alame Dehkhoda kur ishte i sëmurë në shtratin e tij, me anë të një testamenti të cilin e kishte shkruar mbi një copë të vogël letre e cila aktualisht konsiderohet një prej dokumenteve historike në bibliotekën e Parlamentit Islamik të Iranit, përgjegjësinë për plotësimin dhe botimin e fjalorit të madh “Loghatname Dehkhoda” ia dorëzon Dr. Muahmed Muin. Ai me punën e palodhshme dhe kontributin e madh, kishte arritur të fitojë besimin e Alame Dehkhoda. Dr. Muhamed Muin rreth 700 faqe të kësaj vepre të madhe i ka shkruar vetë dhe ka redaktuar dhe rishikuar 9000 faqe të tjera të kësaj vepre të shkruara nga autorë të tjerë. Ali Esfandjarij i njohur me epitetin “Nima Jushiç” i cili njihet edhe si babai i poezisë moderne persiane, pa e takuar kurrë Dr. Muhamed Muin, në testamentin e tij e quan atë “shembull të vërtetë të shkencës dhe diturisë” dhe e cakton përgjegjës për mbledhjen dhe publikimin e veprave të tij.

Ditët e Novruzit në Teheran paksa dallojnë me ato në rajonet e tjera të Iranit. Nëse shumë qytete dhe fshatra të tjera të Iranit mirëpresin mysafirët dhe udhëtarët e Novruzit dhe qarkullimi i dendur i njerëzve në ato qytete e rajone është i zakonshëm gjatë këtyre ditëve, Teherani gjatë festës së Novruzit pothuajse është zbrazët dhe qetësia e krijuar gjatë këtyre ditëve u jep banorëve të tij mundësi më tepër për të shëtitur nëpër zona të ndryshme të këtij qyteti të madh. Sipas kohës kishim caktuar, arrita te shtëpia e Dr. Muhamed Muin. Shtëpia e tij e cila tani është shndërruar në Muze, ndodhet në një prej lagjeve të vjetra të Teheranit dhe  ka gjetur një funksion tjetër si Qendra Kulturore e Profesor Muin. Gjatë dekadës së katërt sipas kalendarit iranian që përkon me vitet 1960-ta, Dr. Muhamed Muin së bashkua me familjen e tij ka jetuar në këtë shtëpi të bukur dhe të madhe.

Në fillim e pyes në lidhje me studimet e tij që ka vërë rreth festës së Novruzit. Ai thotë: “Jeta ime peshkohet me dy anë të hulumtimit: e para është çështja e hartimit të fjalorëve të fushave dhe natyrave të ndryshme si fjalori i fjalëve dhe fjalori i kulturës, ndërsa ana e dytë përbëhet nga një grumbull artikuj, editime dhe shpjegime që kam shkruar në lidhje me disa tekste të vjetra të letërsisë persiane. Disa artikuj siç është artikulli “Nvoruz” është në formën e një resaleje të pavarur në formatin e një libri. Para meje të gjithë kanë folur për festën e Novruzit. Si Khajami, Xhahidhi e deri te Ferdosi dhe Birunij. Unë vetëm kam bërë një përmbledhje të fjalëve dhe thënieve të tyre dhe kam gjetur çështjeje të rëndësishme gjatë studimit të shkrimeve të tyre. Ekzistojnë dëshmi që tregojnë se kjo festë (Novruzi) që nga koha e mbretit Dariushi i Parë dhe në fund të periudhës së sundimit të tij (rreth 505 para erës së re), atëherë kur ishte i përhapur kalendari i Avestas, është organizuar në Iran”.

Në një pjesë të shkrimeve të Dr. Muin në lidhje me festën e Novruzit lexojmë: “Novruzi është festa më e madhe kombëtare e Iranit e cila fillon në ditën e parë të muajit të parë të vitit të kalendarit iranian, atëherë kur dielli kalon në Yllin e Dashit dhe dita dhe nata bëhet e barabartë. Në letërsinë persiane kjo festa nganjëherë quhet edhe me emrin “Festa e Farvardinit” nganjëherë “Festa e Pranverës”, por më së shumti njihet me emrin Novruz.

Kjo festë në fakt ka qenë një prej dy festave të vitit iranian. Iranianët në periudhat antike kanë pasur dy stinë, atë të vapës dhe atë të ftohtit. Stina e vapës përfshinte pranverën dhe verën ndërsa stina e të ftohtit përfshinte vjeshtën dhe dimrin. Stina e të ftohtit në gjuhën Avesta quhet “Zima” dhe stina e vapës quhet “Hama”. Në secilën prej këtyre dy stinëve, organizohej një festë dhe secila prej këtyre dy festave konsiderohej fillim i vitit të ri. Pas festën e cila organizohej në kohën e fillimit të stinës së vapës, kopetë e dërgonin në kullosa dhe livadhe të gjelbëruara dhe njerëzit duke shikuar pamjen e bukur të diellit, gëzoheshin dhe ndjeheshin të lumtur. Në fillim të stinës së të ftohtit gjithashtu pas organizimit të festës, kopetë e bagëtive i futnin në ahur dhe përgatisnin gjërat dhe ushqimet që nevojiten për stinën e dimrit”.

Dr. Muin është nga provinca Gilan dhe në festën e Novruzit mirëpret mysafirët sipas traditës së banorëve të provincës Gilan. Lloje të ndryshme të ëmbëlsirave tradicionale e shtëpiake dhe fruta të thara të ëmbla e të njelmëta që zbukurojnë sofrat e festës së Novruzit, janë edhe në shtëpinë e tij ashtu si në shtëpinë e çdo iraniani gjatë këtyre ditëve. E pyes, sipas mendimit tuaj cila është tradita më interesante ose më e çuditshme e Novruzit? Dr. Muin përgjigjet: “Në burime dhe dokumente historike thuhet se mbretët në kohën e Novruzit siguronin të gjitha nevojat dhe mjetet e zyrave administrative si letër dhe lëkurë që përdorej për shkrimin e dekreteve dhe kryerjen e letërkëmbimeve. Edhe ajo pjesë e letrave të cilat duhej të vuloseshin nga ana e mbretit për çështje të zakonshme, mbretët i vulosnin atë në fund dhe ato letra ose lëkura i quanin “Espida Nevesht” ose “Espid Nevesht” që do të thotë “E bardha e nënshkruar” që më pas i përdornin ato sipas nevojës.

Një çështje tjetër është kjo që në kohërat e lashta, ditët e fundit të vitit të vjetër në realitet ishin ditë të zisë e pikëllimit dhe jo ditë të festës dhe gëzimit! Ashtu sikur që bënin banorët e rajonit Sogdia të cilët vajtonin për të vdekurit e tyre dhe thurnin elegji si dhe dërgonin ushqime dhe pije për të vdekurit pranë varrave. Siç duket, pikërisht për këtë arsye festa e Novruzit e cila vinte pas atyre ditëve dhe në ditën e parë të vitit të ri, ishte një ditë e gëzimit të madh dhe të gjithë njerëzit gëzoheshin me ardhjen e asaj dite, sepse ishte fundi i të gjitha pikëllimeve”.