May 18, 2024 19:55 Europe/Tirane

Në tre dekadat e fundit, Republika Islamike e Iranit ka bërë hapa të mëdha në fushën e projektimit, prodhimit dhe operimit të të gjitha llojeve të raketave balistike.

Përparimi në sektorin e raketave balistike ka ndodhur në atë mënyrë që Irani tani konsiderohet si fuqia më e madhe raketore në Azinë Perëndimore. Fuqia raketore është zhvilluar si një nga elementët e autoritetit të Republikës Islamike  të Iranit, në kuadër të arritjes së parandalimit strategjik. Një nga pikat më kulminante të kësaj teknologjie vërehet te raketat balistike, ku Irani ka arritur në skajin e teknologjisë në këtë fushë dhe ka mundur të projektojë dhe të prodhojë një gamë të gjerë raketash balistike me karakteristika të ndryshme  për t'u përballur me kërcënime të ndryshme, gjë e cila është bërë shkak që Irani të shndërrohet në një nga fuqitë raketore të botës dhe rajonit të Azisë Perëndimore.

Vitet e fundit, duke u mbështetur në aftësitë e brendshme dhe duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet ekzistuese në intervale të shkurtra kohore, janë prezantuar raketa të reja dhe të fuqishme balistike, si raketa “Kijam”, prezantimi i secilës prej të cilave shkakton gjithnjë e më shumë zemërim tek armiqtë për shkak të progresit të Iranit në fushën e mbrojtjes, gjë që e ka bërë Republikën Islamike t’i shfaqë sa më mirë kapacitetet e saj në fushën e mbrojtjes.

Prezantimi:

Raketa balistike me rreze të mesme veprimi "Kijam" u zbulua më 20 gusht 2010, në të njëjtën kohë me hapjen zyrtare të termocentralit bërthamor Bushehr dhe në prani të zyrtarëve të mbrojtjes së Republikës Islamike të Iranit. Duke qenë se secila prej raketave dhe armëve është bërë me një ide specifike, sipas komandantëve ushtarakë të vendit tonë, edhe raketa "Kijam" është ndërtuar sipas idesë së gjeneralit martir Tehrani-Moghaddam për të shkatërruar regjimin sionist.

Raketa "Kijam" u testua për herë të parë në manovrën ushtarake “Ektedar-e Vilajet”. Raketa "Kijam 1" e IRGC-së është prodhuar në masë të madhe dhe është në vijën e parë të reagimit raketor të vendit dhe një nga opsionet e para të IRGC-së në sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Specifikat:

Gjatësia e raketës "Kijam" është rreth 11.5 metra, diametri i saj është rreth 90 cm dhe pesha e saj totale është më shumë se 6 ton. Pesha e kokës së raketës "Kijam" vlerësohet në rreth 650 kg. Raketa "Kijam" ka një motor me lëndë djegëse të lëngshme me një fazë, i cili mund të arrijë një maksimum fluturimi prej 200 km duke përdorur këtë karburant dhe motorin e tij me një fazë. Rrezja e kësaj rakete vlerësohet të jetë rreth 800 km.

Në pamje të parë, raketa balistike "Kijam" është shumë e ngjashme me raketën "Shahab 2", por "Kijam" ka dimensione dhe gjatësi më të madhe dhe rrezja e saj e veprimit është 300 km më shumë se ajo e raketës "Shahab 2". Gjithashtu, krahëzat e raketave "Shahab 2" nuk janë të pranishme në strukturën e raketës "Kijam".

Dallimet mes raketës "Kijam" dhe raketave të tjera balistike

Dallimi kryesor midis raketës "Kijam" dhe raketave të tjera balistike iraniane është heqja e krahëzave fikse stabilizuese nga fundi i trupit. Këto krahëza që shihen në formën e një trapezi kënddrejtë në të gjitha raketat e versionit "Shahab", "Kadr" dhe "Sixhil", madje edhe në lëshuesit satelitorë "Safir" dhe "Simorgh", luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e stabilitetit të raketës. Por në raketën "Kijam", pa u mbështetur në krahëzat e sipërpërmendura, e gjithë detyra e krijimit të stabilitetit është përgjegjësi e sistemeve të kontrollit me të njëjtët aktivizues të instaluar në daljen e shtytësit të karburantit të lëngshëm.

Kjo gjë ka sjellë avantazhe si reduktimi i peshës dhe reflektimi në radar, gjëra të cilat e kanë lehtësuar procesin e ruajtjes, të magazinimit, të transportimit, si dhe thjeshton vendosjen në mënyrë perfekte të raketës në sistemin lëshues.

Kjo veçori është për shkak të arritjes së një niveli më të lartë të teknologjisë së kontrollit dhe stabilitetit të raketës, vetëm nëpërmjet sistemit të kontrollit të vektorit të shtytjes në daljen e motorit dhe reduktimit të ndjeshëm të faktorëve të gabimit në këtë raketë, duke përfshirë vendosjen e saktë të raketës në sistemet e lëshimit, të shënjestrimit, të drejtimit, të reduktimit të turbulencës së karburantit të lëngshëm në rezervuar, etj.

Gjithashtu, duke pasur parasysh risinë e kësaj rakete në atë kohë, pra rreth 14 vite më parë, ekziston mundësia që në pjesët e saj elektronike të jenë përdorur teknologji dhe sisteme tërësisht digjitale.

Duket se raketa "Kijam" me kalimin e kohës ka zëvendësuar plotësisht raketën "Shahab 2", sepse koka dhe diametri i këtyre dy raketave janë pothuajse të njëjta, me vetëm një rritje të lehtë në gjatësi dhe 100 kg rritje në masë (1.65% rritje) dhe me rreze veprimi deri në 300 km më shumë (60% më shumë). Raketa "Kijam 1" arrin një lartësi maksimale prej 126 km në rrezen e saj maksimale.

Gjëja më interesante në pamje është prania e disa pjesëve që përdoren në prodhimin e raketave balistike. Një nga këto pjesë janë krahëzat e vogla të vendosura në daljen e motorit që quhen "Jet Vane", të cilat vendosen në fund të raketës dhe në daljen e motorit të saj, detyra e të cilave është të ndryshojnë vektorin e shtytjes së motorit në mënyrë që të ndryshojë dhe korrigjojë itinerarin e raketës. Raketat e rënda balistike të Iranit (si Sixhil, Kadr, Kijam, Shahab, Emad dhe Kasid) nuk kanë krahëza kontrolli në trupat e tyre dhe për këtë arsye përdorin "Jet Vane" për të kontrolluar dhe ndryshuar drejtimin. Ndër raketat iraniane që përdorin këtë pjesë në dalje të turbinës, mund të përmendim raketën "Kijam", e cila e përdor këtë lloj teknologjie për të korrigjuar drejtimin.

Ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me majën e kokës së raketës. Kur shpejtësia e kësaj rakete kalon kufirin prej 5 Mach, në majë të saj krijohet një nxehtësi shumë e madhe. Prandaj nëse maja e raketës është në formën e një maje të mprehtë, nxehtësia e madhe e krijuar në pjesën fillestare nga forca e madhe e fërkimit, shkakton shkrirjen e saj dhe si rezultat humbet. Për këtë arsye, në shumë raketa iraniane, maja e raketës është e rrumbullakosur, në mënyrë që raketa të mos ketë asnjë problem me shpejtësinë mbi 5 Mach dhe të mund të përballojë nxehtësinë shumë të lartë për shkak të aerodinamikës së duhur.

Sistemi i ngarkimit dhe i transportimit të raketave iraniane me rreze të mesme veprimi, duke përfshirë raketën Kijam, ka 12 rrota (gjashtë akse dyrrotëshe) që tërhiqet nga një piston i posaçëm për ta vendosur brenda sistemit lëshues në të cilin janë vendosur aparatura për vertikalizimin e raketës, vendosjen e koordinatave dhe lëshimin e saj.

Raketa Kijam 2

Janë publikuar informacione të reja për raketën e re Kijam të njohur si “Kijam 2”, të cilat tregojnë se rrezja e veprimit të saj ka arritur në 1000 km dhe rrezja e gabueshmërisë nën 50 metra. Prototipi i raketës Kijam, i njohur si Kijam 1, u zbulua në vitin 2011, me një rreze veprimi prej 800 km, si raketa e parë pa krahëza iraniane me lëndë djegëse të lëngshme.

Mirëpo gjatë viteve të fundit janë publikuar edhe pamjet e modelit të ri të kësaj rakete me kokë të shkëputshme dhe tani është konstatuar se me përdorimin e kësaj koke të re, rrezja e gabueshmërisë së raketës Kijam është reduktuar nën 50 metra.

Pas kësaj, gjatë operacionit “Goditja e Muharremit”, u publikuan pamje të një versioni të ri të raketës Kijam, të cilat treguan se kjo raketë është e pajisur me katër krahë të vegjël për orientim më të mirë, por deri më tani nuk janë shpallur detaje rreth rritjes së rrezes së veprimit të kësaj rakete. Sipas informacioneve të publikuara, modeli i ri i raketës Kijam ka një rreze minimale prej 100 kilometrash dhe një rreze maksimale prej 1000 kilometrash. Kjo raketë përdor një kokë me peshë rreth 600 kg dhe shpejtësia e saj arrin në 2935 metra në sekondë. Diametri i raketës Kijam është 880 mm dhe gjatësia e kësaj rakete është 11 metra e 84.6 centimetra. Gjithashtu, koha e përgatitjes së raketës Kijam për lëshim është 20 minuta dhe pesha e saj përfundimtare është 7029 kg.

Raketa Kijam, si një nga armët e rëndësishme iraniane për të zmbrapsur kërcënimet e bazave ajrore armike përreth Iranit, tashmë është pajisur me municione të reja që mund të rrisin shpejtësinë e paralizimit të këtyre bazave armike.

Karakteristikat më të rëndësishme dhe më të dukshme të raketës Kijam:

• Pamundësia e gjurmimit, identifikimit dhe rrëzimit nga sistemet antiraketore të armikut.

• Mund të lëshohet nga një platformë e lëvizshme.

• Rrezja e saj e veprimit mund të ndryshohet sipas nevojave.

• Raketa balistike "Kijam" ka një teknologji shumë të lartë të qëndrueshmërisë dhe për këtë arsye i janë hequr krahët për të reduktuar mundësinë e zbulimit nga radarët. Kjo veçori i ka dhënë raketës "Kijam" më shumë aftësi për t’iu shmangur radarëve.

• Zakonisht krahëzat janë faktori kryesor në krijimin e ekuilibrit gjatë ruajtjes së itinerarit dhe shumë të rëndësishme për raketat me rreze të gjatë veprimi.

• Ajo godet të gjithë objektivët e synuar me saktësi dhe precizon shumë të lartë, prandaj dhe i kushtohet shumë rëndësi në mesin e raketave të ngjashme.

• Raketa "Kijam" shkatërron objektivat përmes një koke masive me eksploziv dhe vitet e fundit ajo është pajisur edhe me një kokë me bomba shiu. Niveli i fluturimit të saj në raketën "Kijam 2" është 200 kilometra.

• Shpejtësia e kësaj rakete është më shumë se 2.5 kilometra në sekondë, që është një shpejtësi shumë e madhe në krahasim me raketat e ngjashme.

Tags