Vuajtjet dhe persekutimet ndaj fëmijëve palestinezë
Sipas statistikave, përafërsisht 500 deri 700 fëmijë palestinezë, disa prej të ciëve në moshën 12-vjeçare, ndalohen dhe gjykohen në sistemin e gjykatave ushtarake të Izraelit çdo vit.
Libri “Fëmijëri e grabitur” flet për politikat e regjimit sionist për burgosjen e fëmijëve palestinezë, shkruar nga Catherine Cook. Titulli origjinal i këtij libri është "Rini e vjedhur" (Stolen Youth).
Libri “Rini e vjedhur” është një libër që i përket zhanrit "letërsi faktike" (non-fiction) dhe që flet për gjendjen e gjykatave, burgjeve dhe avokatëve palestinezë të fëmijëve të burgosur dhe shqyrton torturat që përballojnë fëmijët palestinezë në këto mjedise. “Rinia e vjedhur” është, në fakt, libri i parë që shqyrton ndalimin e fëmijëve palestinezë nga Izraeli, i shkruar nga tre autorë, një evropian, një arab dhe një hebre, dhe mund të thuhet se është një nga veprat e drejta dhe të paanshme në fushën e shkeljes së ligjeve të konventave të të drejtave të njeriut nga ana e regjimit sionist.
Autorët e kësaj vepre janë profesorë universiteti dhe aktivistë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të palestinezëve. Autorët i kanë parë nga afër krimet dhe shkeljet e ligjit nga ana e regjimit sionist. Ky është ndryshimi kryesor midis këtij libri dhe veprave të tjera të ngjashme.
Në këtë libër, autorët shpjegojnë sfidat e vështira me të cilat përballen fëmijët palestinezë në sistemin e imponuar nga Izraeli. Në secilën nga pjesët e këtij libri, autori përshkruan detaje që tregojnë padrejtësinë e tmerrshme të regjimit sionist në trajtimin e fëmijëve palestinezë Sido që të jetë, ajo që është shumë e trishtueshme dhe që të shtyn të mendosh është heshtja e fuqive evropiane, Amerikës dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në lidhje me krimet e atij regjimi. Kjo heshtje tregon se organizatat e përmendura janë thjesht mjete në përputhje me qëllimet dhe kërkesat e fuqive të mëdha dhe për të çuar përpara interesat e tyre.
Në podkastin “Fëmijëri e grabitur”, bazuar në përmbajtjen e këtij libri, ne përpiqemi të ndajmë me ju një rrëfim të shkurtër të vuajtjeve të fëmijëve palestinezë. Vuajtjet që po ndodhin sot nëpërmjet gjenocidit që po ndodh në Gaza nga regjimi sionist fëmijëvrasës, ka tërhequr vëmendjen e botës më shumë se kurrë.
Ju ftoj të qëndroni me ne me episodin e parë të podkastit "Fëmijëri e grabitur".
A e dini se sipas vlerësimeve të seksionit palestinez të Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, afërsisht 500 deri në 700 fëmijë palestinezë, disa prej tyre deri në moshën 12-vjeçare, ndalohen dhe gjykohen në sistemin e gjykatës ushtarake izraelite çdo vit, dhe një sondazh i kryer ndërmjet viteve 1999 dhe 2000 tregoi se 95% e këtyre fëmijëve palestinezë të arrestuar përballeshin vetëm me një akuzë: gjuajtjen e gurëve?!
Është e pabesueshme që fëmijët palestinezë të dënohen me burgime afatgjata dhe të paguajnë gjoba të rënda për gjuajtjen e gurëve kundër ushtarëve sionistë të armatosur rëndë, sepse nevoja për të përshtatur dënimin me krimin është një nga parimet e pranuara në të gjitha ligjet e Sheriatit dhe ato zakonore të brendshme dhe ndërkombëtare. Gjendja mizore dhe e mjerueshme e gjykatave të këtij regjimi dhe e gjyqtarëve që i drejtojnë ato është shumë qesharake. Nga njëra anë, kushtet e mbajtjes së fëmijëve në burgjet e regjimit sionist janë jashtëzakonisht çnjerëzore dhe shpirti e trupi i fëmijëve palestinezë janë aq të persekutuar e torturuar në këto burgje, saqë efektet shkatërruese do t'i ndjekin deri pas lirimit të tyre. Dhe nga ana tjetër, proporcioni i krimit dhe ndëshkimit nuk respektohet në asnjë mënyrë në gjykatat e regjimit sionist, veçanërisht në rastin e popullit palestinez.
Çështja e Palestinës dhe heshtja e turpshme e komunitetit ndërkombëtar përballë krimeve që ndodhin çdo ditë në tokën e Palestinës, veçanërisht me ngjarjet e fundit në Gaza dhe pas Operacionit "Stuhia Al-Aksa", është plotësisht e qartë për të gjithë. Shumë vende që pretendojnë demokraci dhe qarkullim të lirë të informacionit bëjnë çmos për t'i mbajtur qytetarët e tyre të paditur për atë që po ndodh në Palestinën e pushtuar. Ndërkohë, mund të jenë shkruar dhe përkthyer shumë libra për Palestinën e pushtuar. Por më pak vëmendje i është kushtuar çështjes së fëmijëve palestinezë.
Libri “Rinia e vjedhur” tregon se regjimi pushtues nuk synonte pa arsye fëmijët e pambrojtur palestinezë. Përkundrazi, qëllimi i tij është të shtypë dhe të shuajë flakët më të vogla të protestës dhe rezistencës në zemrat e fëmijëve të kësaj toke, që në të ardhmen të mos bashkohen me frontet dhe batalionet e Rezistencës. Në fakt, po bëhen përpjekje që t'i kthejë fëmijët në qytetarë të bindur dhe sipas dëshirës së tyre. Libri "Rinia e vjedhur", shkruar me ndihmën e seksionit palestinez të Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, e themeluar në vitin 1992, është në vazhdimësi të fushatës ndërkombëtare "Liria, tani!" Në shtator të vitit 2001, kjo organizatë bëri thirrje për lirimin e të gjithë fëmijëve të burgosur politikë palestinezë. Në fakt, ky libër ndjek synime të tilla si nxitja e ndërgjegjësimit dhe mirëkuptimit ndërkombëtar për çështjen e fëmijëve të burgosur politikë palestinezë dhe presioni për lirimin e tyre.
Seksioni palestinez i Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve është e vetmja organizatë palestineze për të drejtat e fëmijëve dhe e vetmja organizatë e të drejtave të njeriut që punon në mënyrë specifike në fushën e ndihmës gjyqësore dhe mbrojtjes për fëmijët palestinezë në paraburgim. Informacioni në këtë libër, në fakt, është marrë nga dokumentet e seksionit palestinez të Organizatës Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve. Pjesa më e madhe e informacionit në këtë libër lidhet me përvojat e avokatëve që punojnë në strukturën e gjykatave ushtarake dhe mbështesin të burgosurit palestinezë. Ky informacion është marrë përmes intervistave me avokatë palestinezë dhe izraelitë. Këta avokatë punojnë në kushte shumë të vështira dhe ky libër është një dëshmi e përpjekjeve të tyre.
Shtatëmbëdhjetë vjeçari Isma'il Sabatin fillon të flasë i zemëruar: “Tre persona hynë në dhomë. Më lidhën sytë. Më vunë një leckë mbi kokë. Më goditën me grushte dhe shkelma. Më rrahën me një tub plastik apo me ç'të gjenin. Nuk mund të shihja asgjë sepse sytë i kisha të mbyllur. Ndjeja vetëm goditjet që më mbuluan gjithë trupin. Më pas më kërkuan të qëndroja mbi një karrige dhe të mbahesha me duar pas një shufre metalike të ngulur në mur. Me duar të prangosura më varën nga ajo shufër. Papritur, më hoqën karrigen nga poshtë këmbëve dhe më lanë ashtu, në atë gjendje. Pesha e trupit tim rëndonte mbi kyçet e duarve të mia dhe mbi pranga. Presioni i peshës time mbi pranga nga njëra anë dhe të qenit i varur në ajër nga ana tjetër, m'i përdridhte duart për poshtë. Ata më lanë në të njëjtin pozicion dhe u larguan nga dhoma.”
Më në fund, Ismaili fillon të qajë. Me lot në sy ai fillon të flasë për 16 vjeçarin Rami, një tjetër i burgosur i sionistëve. Ismaili thotë: “Ushtarët izraelitë e çuan menjëherë Ramin për ta marrë në pyetje. Gjatë marrjes në pyetje, Rami është rrahur rëndë me grushte dhe shkelma. As të flinte nuk e lanë. Ai ishte i lidhur pas një karrigeje në një pozicion të caktuar për një kohë të gjatë. Mbi të derdhnin ujë të nxehtë dhe të ftohtë në mënyrë të alternuar. Një herë gjatë marrjes në pyetje, ushtarët i kërkuan të qëndronte në njërën këmbë dhe të rrëfente krimet e tij. Rami nuk pranoi dhe tha se nuk kishte asgjë për të rrëfyer. Hetuesi e goditi me shkelm këmbën mbi të cilën mbështetej. Në një rast tjetër, Ramit i kërkuan të shkonte nga një dhomë në një tjetër me sytë mbyllur. Kështu vazhdoi derisa Rami u përplas me karrigen dhe u rrëzua përtokë."
Po. Ky është realiteti ekzistencial i Izraelit. Marrjet në pyetje të 17-vjeçarit Ismail Sabatin dhe të 16-vjeçarit Rami Zaoul janë vetëm dy shembuj të historive të mijëra fëmijëve që jetojnë në Palestinën e pushtuar.
Ismaili kaloi shtatë muaj në një burg ushtarak të regjimit izraelit. Më në fund, ndërsa torturat u intensifikuan, ai rrëfeu se kishte hedhur gurë. Kishte edhe fëmijë të tjerë që qëndruan të burgosur në këto qendra të paraburgimit për shumë vite.
Që nga shtatori i vitit 2000, fillimi i "Intifadës së Dytë" ose "Intifada al-Aksa" në Palestinë, deri në qershor të vitit 2003, forcat izraelite arrestuan më shumë se 2000 fëmijë. Kjo statistikë është për kohën kur është shkruar libri “Rinia e vjedhur”.
Sigurisht që arrestimi dhe ndalimi i fëmijëve palestinezë nga izraelitët nuk ishte dhe nuk është një fenomen i ri. Sipas vlerësimeve, në fillim të Intifadës së vitit 1987, forcat izraelite arrestuan më shumë se 10% të të gjithë fëmijëve palestinezë nga mosha 9 deri në 17 vjeç dhe i mbajtën në qendra paraburgimi. Madje, në vitet në vijim kemi dëshmuar një rritje dramatike të arrestimeve të fëmijëve. Ky proces është shoqëruar me një rritje të shkeljes së të drejtave të fëmijëve palestinezë, sepse sipas përcaktimeve të pranuara ndërkombëtarisht të specifikuara në Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, fjala "fëmijë" përfshin të gjithë personat nën moshën 18 vjeç, për të cilët, për shkak se janë të pambrojtur dhe të varur nga prindërit e tyre dhe të rriturit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rezervuar të drejta të veçanta për këtë grupmoshë.
Interesant është fakti se Izraeli e ka nënshkruar dhe ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve (CRC) në nëntor të vitit 1991. Megjithatë, për Izraelin përkufizimi i fjalës 'fëmijë' përfshin vetëm qytetarët izraelitë nën moshën 18 vjeç dhe nuk u jep asnjë të drejtë fëmijëve palestinezë. Për këtë arsye, në vitin 2002, rreth një të pestën e rasteve të trajtuara nga "Seksioni Palestinez i Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve" e përbënin fëmijë të moshave 13 e14 vjeç dhe pjesën tjetër fëmijët e moshave 15 deri 17 vjeç. Madje, në disa raste ishin arrestuar edhe fëmijë 9-vjeçarë.
Në vitin 2002, vdekja e një fëmije palestinez në qendrat e paraburgimit izraelit ekspozoi më në fund krimet e këtij regjimi. Murad Awaisa ndërroi jetë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një plumb lufte. Muradi ishte i arrestuar nga forcat izraelite që nga 31 marsi 2002. Në fakt, forcat izraelite bastisën shtëpinë e Muradit dhe e arrestuan atë së bashku me të atin dhe vëllezërit e tij. Muradi ishte i sëmurë rëndë dhe kishte kryer disa ndërhyrje kirurgjikale për të trajtuar sëmundjen e akumulimit të ujit në tru. Trupi i tij i zhveshur u la para shtëpisë së babait të tij një ditë pas vdekjes së tij. Personeli i spitalit nuk mundi ta çonte atë në varreza për shkak të gjendjes ushtarake të vendosur nga izraelitët. Trupi i Muradit, së bashku me dëshmorët e tjerë palestinezë, u varros në parkingun e Spitalit të Ramallahut. Në të njëjtën kohë me funeralin e Muradit, babai dhe vëllezërit e tij u mbajtën të mbyllur në një kamp ushtarak izraelit aty pranë.
Shumica e arrestimeve të fëmijëve kanë ndodhur në pikat e kontrollit të rrugëve ose gjatë bastisjeve në shtëpitë palestineze gjatë natës nga forcat izraelite të armatosura deri në dhëmbë.
Ushtarët izraelitë i transferojnë fëmijët e arrestuar në qendrat e paraburgimit në kolonitë izraelite ose në bazat ushtarake. Në shumicën e rasteve, as vetë fëmijët dhe as familjarët e tyre nuk e dinë se ku mbahen. Gjithashtu, atyre u janë hequr të drejtat ligjore më të dukshme, si avokati dhe takimet me familjen.
Fëmijët merren në pyetje në qendrat e paraburgimit. Marrjet në pyetje zakonisht shoqërohen me tortura dhe keqtrajtime; tortura që përfshijnë privimin nga gjumi, përdorimin e fjalëve kërcënuese, rrahje me shkopinj të rëndë gome dhe mbyllje në pozicione jashtëzakonisht të vështira dhe torturuese për një periudhë të gjatë kohore. Këto tortura njihen si "abuzimi i pozicionit" (tortura në pjesë a organe të trupit) ose "shabah" në arabisht (që do të thotë "fantazmë"). Pas marrjes në pyetje, autoritetet izraelite i çojnë fëmijët në gjykatat ushtarake. Këto gjykata ndodhen në kolonitë izraelite.
Marrja në pyetje dhe gjykimi i fëmijëve palestinezë në këto gjykata bëhen në kundërshtim me parimet ndërkombëtare dhe janë krejtësisht të paligjshme. Kjo do të thotë se gjykatat izraelite procedojnë dhe nxjerrin vendime pa praninë e një gjyqtari, pa praninë e oficerëve të rehabilitimit dhe të policëve të cilët janë të trajnuar posaçërisht për të marrë në pyetje dhe për të ndaluar fëmijët. Në këto gjykata, kryesia e gjykatës është nën juridiksionin e institucioneve ushtarake izraelite, pra të atyre që nuk kanë marrë asnjë trajnim gjyqësor për këtë punë.
Gjithashtu, është mirë të dihet se regjimi izraelit ka dy ligje krejtësisht të ndara në lidhje me arrestimin e fëmijëve. Një ligj për fëmijët palestinezë të burgosur në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor. Dhe një ligj tjetër për fëmijët e burgosur izraelitë. Fëmijët izraelitë trajtohen sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse, siç thamë, ky regjim, pavarësisht se ka nënshkruar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, i zbaton këto të drejta vetëm për fëmijët izraelitë; ndërsa përsa u përket fëmijëve palestinezë, nuk i respekton këto të drejta. Fëmijët palestinezë, pas vendimit, dërgohen në dy lloje burgjesh. Djemtë nën moshën 16 vjeç dhe të gjitha vajzat transferohen në burgjet që janë nën juridiksionin e Ministrisë së Sigurisë Publike dhe që menaxhohen nga Autoriteti i Burgjeve të Izraelit dhe djemtë e moshave 16 dhe 17 vjeç transferohen në burgjet që menaxhohen nga Ministria e Mbrojtjes së regjimit.
Ky dallim zbatohet në bazë të Dekretit Ushtarak nr. 132 të regjimit pushtues izraelit, i cili, në kundërshtim me ligjet e së drejtës ndërkombëtare, në vend që të kenë plotësuar 18 vjeç, i konsideron 16 dhe 17 vjeçarët si të rritur. Natyrisht, ky dekret ushtarak, sikurse edhe dekretet e tjera, vlen vetëm për fëmijët palestinezë, jo për kolonët izraelitë. Kështu, mosha e fëmijëve në momentin e arrestimit përcakton burgun në të cilin ata transferohen.
Një tjetër hap që ndërmori Autoriteti i Burgjeve të Izraelit në vitin 2000, ishte zbatimi i një ligji i cili lejonte që fëmijët palestinezë dhe izraelitë të burgoseshin krah për krah njëri-tjetrit. Ky veprim u konsiderua si kanosje rreziku ndaj fëmijëve palestinezë nga të burgosurit e tjerë izraelitë në konfliktet ndërmjet tyre. Gardianët e burgut nuk ndërhyjnë në këto përplasje. Që nga ai vit e këtej, fëmijët palestinezë në paraburgim kanë përjetuar dhuna shumë më të tmerrshme. Dhuna dhe tortura të tilla si tentativa përdhunimi, dhuna fizike dhe vjedhja e sendeve të tyre personale nga të burgosurit izraelitë.
Nga ana tjetër, fëmijëve palestinezë u është hequr e drejta për t'u takuar me avokatët dhe anëtarët e familjeve të tyre. Ky fenomen e shumëfishon barrën e rëndë të dhunës e të torturës mbi fëmijët palestinezë.
Është plotësisht e qartë se kur burgoset një fëmijë palestinez, një gjë e tillë ndikon edhe në jetën e të gjithë anëtarëve të familjes së tij dhe të atyre që e rrethojnë. Themeli i familjes shkatërrohet. Krahas komplikimeve mendore, ka edhe shumë presione fizike dhe financiare mbi familjet. Jetët e shumicës së këtyre familjeve janë gjithmonë të trazuara, duke u sorollatur rreth gjykatave dhe duke u përpjekur të vizitojnë fëmijët e tyre të burgosur. Familjet shpenzojnë shumë kohë për marrjen e një lejeje takimi. Edhe nëse ia dalin, do t'u duhet të shpenzojnë më shumë kohë për shkresat që lidhen me një takim 30-minutësh me fëmijët e tyre.
Po! Burgu është një pjesë e madhe e jetës së palestinezëve. Që nga viti 1967 e deri më sot, mijëra palestinezë kanë "shijuar" burgjet dhe qendrat e paraburgimit të regjimit izraelit. Deri në atë masë, saqë numri i të burgosurve palestinezë ka qenë më i lartë se popullsia e këtij vendi. Kjo do të thotë se së paku një burrë apo djalë palestinez nga çdo familje është dërguar në burgjet izraelite. Imazhi i shumicës së njerëzve për Palestinën është një ushtar izraelit me armën e tij; imazhe që tregojnë makinerinë e luftës izraelite në veprim kundër popullit të paarmatosur palestinez.
Libri “Rinia e Vjedhur” (Stolen Youth), i cili trajton politikën e burgosjes së palestinezëve nga regjimi pushtues izraelit, nxjerr në pah edhe një çështje tjetër të rëndësishme, atë se pushtimi është edhe një sistem kontrolli; një sistem që ka depërtuar në të gjitha aspektet e jetës palestineze. Ky sistem mbështetet nga strukturat ligjore, ekonomike, politike, kulturore dhe psikologjike të regjimit sionist dhe është hartuar për të dominuar mbi 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar. Është e vërtetë se roli i ushtrisë izraelite është jetik në zbatimin e këtij plani, por ky sistem është shumë më i thellë dhe më kompleks sesa imazhi i një të riu nga Tel Avivi që mban një armë dhe paraqitet si imazh pushtimi.
Izraeli e konsideron pushtimin si një sistem zbatimi të kontrollit, roli i të cilit shkon përtej forcës ushtarake. Burgu është pjesë e rëndësishme e këtij sistemi të kontrollit. Është një politikë e vetëdijshme që përdoret për të shkatërruar shpresën dhe ndjenjën e luftës tek palestinezët. Në të njëjtin drejtim mbështeten shumë struktura, si sistemi gjyqësor diskriminues dhe strategjitë psikologjike për të krijuar panik. Sistemi ligjor, urdhrat ushtarakë, gjykatat dhe burgjet e Izraelit janë një labirint kompleks burokratik që përdoret për të legjitimuar pushtimin.
Regjimi sionist nuk është projektuar vetëm për të ndëshkuar, por edhe për të krijuar terror. Ai dëshiron t'u përcjellë palestinezëve mesazhin se pavarësisht nga strukturat e tij masive të kontrollit, rezistenca është e kotë. Një synim tjetër është që banorët palestinezë të territoreve të pushtuara të bëhen pasivë. Ai dëshiron të thotë se policia dhe ushtria izraelite kanë akses në të gjithë objektivat dhe i arrestojnë ata me lehtësi; ndër ta edhe shtresat më të dobëta dhe më të cenueshme të shoqërisë, që janë fëmijët.
Sionisti e sheh torturën si një mjet për të shkatërruar identitetin dhe vetëbesimin e individit e të shoqërisë. Tortura prek indin e identitetit kombëtar. Të burgosurit palestinezë, duke përfshirë edhe fëmijët, nuk janë gjë tjetër veçse viktima të këtij procesi. Gjëja e trishtuar është se ajo që u ndodh fëmijëve, në të shumtë e rasteve është për shkak se ata janë palestinezë.
Faleminderit që dëgjuat episodin e parë të podkastit "Fëmijëri e rrëmbyer". Për ta dëgjuar sërish këtë podkast, mund t'i referoheni kanalit të radios në faqen tonë të internetit www.parstoday.ir/sq, si dhe në faqet tona nëpër mediat sociale. Pas disa ditësh, teksti i podcast-it do të jetë në faqen e radios në adresën www.parstoday.ir/sq dhe në https://iranradio.ir/sq/. Mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne, gjithashtu, do t'ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkastit, ta ndani atë me miqtë tuaj dhe t’ua prezantoni atë të tjerëve.
Faleminderit që dëgjuat podkastin tonë! Në programin e ardhshëm do t'ju prezantojmë episodin e dytë të këtij podkasti. Deri në episodin tjetër Zoti ju ndihmoftë dhe ju ruajttë!