Shkurt 03, 2016 12:37 CET

Ky emision është përgatitur në bazë të një studimi të Qendrës së studimeve strategjike të IRIB dhe është prezantuar në tre pjesë.

Një pjesë të konsiderueshme të grupit terrorist ISIS e përbëjnë të rinjtë perëndimorë e kryesisht ata nga Franca. Kriza e identitetit, kriza shpirtërore dhe zgjerimi i sekularizmit, janë disa nga faktorët e brendshëm të bashkimit të ët rinjve perëndimorë me ISIS. Në bazë të studimeve fetare dhe sociologjike, ekzistojnë arsye të ndryshme në lidhje me valën e re të islamizmit në Perëndim. Arsyet më të rëndësishme të këtij fenomeni janë kriza e identitetit, kriza shpirtërore, ndjenja e kotësisë tërë jetën, përpjekja për gjetjen e motiveve morale për ti bërë ballë problemeve, devijimeve dhe mungesës së ndjenjave në mesin e të rinjve evropianë, si dhe ndjenja e braktisjes nga shoqëria dhe nganjëherë përpjekja për të luftuar ndaj diskriminimeve, racizmit të hapur dhe izolimit të myslimanëve në disa shoqëri perëndimore. Të rinjtë janë të prirur drejt vlerave morale, shpirtërore dhe logjike të islamit, por nganjëherë një pakicë e këtyre të rinjve të nxitur nga motive ideologjike, politike dhe financiare, rekrutohen nga grupe ekstremiste dhe në rastin më të keq bëhen anëtarë të grupeve terroriste takfiriste.

Globalizimi i kulturës dhe kriza e identitetit në Perëndim, janë të tjerë faktorë që luajnë rol në bashkimin e të rinjve perëndimorë me ISIS. Globalizimi i kulturës ka shkaktuar probleme për identitet kulturore, etnike, kombëtare dhe fetare. Globalizimi është bërë shkak që të zbehen identitet kombëtare të popujve dhe njerëzve. Në fakt, sistemi qeveri-popull nuk mund të plotësojë nevojat e qytetarëve për identitet dhe kjo i detyron njerëzit të shfrytëzojnë burime të tjera identifikuese. Shtimi i rëndësisë dhe i ndikimit të Islamit e të myslimanëve në botën perëndimore, veçanërisht në kuadër të BE, ka sjell si rezultat globalizimin e kulturës dhe krizën e identitetit. Në fakt, politika integruese në shtetet perëndimore janë shoqëruar me diskriminim të hapur ndaj emigrantëve myslimanë dhe kjo ka ndikuar në shtimin e interesimit të tyre për fenë, por ka krijuar edhe lidhje mes tyre dhe elementëve ekstremistë. Shtimi i popullsisë së emigrantëve myslimanë, që në të ardhmen do të ndryshojë edhe strukturën e identitetit të vendeve evropiane, është bërë shkak që ekstremistë të djathtë në disa vende perëndimore si Franca, Gjermani, etj., të ndjehen të rrezikuara.  Rëndësia e kësaj çështje bëhet më e qartë nëse e dimë se popullsia më e madhe e emigrantëve myslimanë në këto vende perëndimore është bërë burimi kryesor i rekrutimit të forcave njerëzore nga grupet terroriste-takfiriste.

Shtrohet pyetja se, si është e mundur që një njeri perëndimor i shekullit 21 i cili pretendon se ka arritur kulmin e logjikës, papritur anëtarësohet në grupe terroriste ekstremiste si ISIS, që kanë mendime dhe opinione barbare të bazuara në vehabizëm dhe takfirizëm? Kur njeriu largohet nga identiteti, familja dhe shoqëria e tij dhe ka marrëdhënie të cunguara sociale, rezultati do të jetë interesimi dhe orientimi tij drejt ideve utopike e të errëta, të cilat mund të krijojnë qetësi tek njeriu dhe të shërbejnë si përgjigje për kotësinë e jetës së tij. Rrymat si ISIS, duke prezantuar ideologji imagjinare dhe të devijuara, përpiqen të plotësojnë vakumin ndjesor të qytetarëve evropianë, duke i bindur disa prej tyre se mund të shkojnë në parajsë duke masakruar gra e fëmijë të pafajshëm. Paniku dhe propaganda janë dy elementë që sundojnë në të gjitha veprimet e ISIS dhe ky grup terrorist shumë zona i ka pushtuar duke u bazuar në këto dy elemente. Elementi i propagandës nuk ka qenë pa efekt në rekrutimin e qytetarëve evropianë nga ISIS. Tërheqja e të rinjve evropianë drejt ISIS-it nuk mund të komentohet duke analizuar një faktor, sepse ky fenomen është pasojë e kombinimit të rrethanave sociale, politike dhe kulturore të cilat ndikojnë në radikalizmin e të rinjve perëndimorë. Një kombinim i diskriminimeve dhe presioneve sociale e politike ndaj myslimanëve me krizën e kotësisë së jetës në shoqërinë perëndimore si dhe sulmet e vazhdueshme të qytetarëve evropianë me prirje djathtiste kundër grupeve sociale të emigrantëve myslimanë të shoqëruara këto me mësimet ekstremiste e denigruese të vehabizmit, kanë mundur të krijojnë shtresën e të rinjve evropianë që janë të gatshëm për tu bashkuar me ISIS.

Islamofobia në perëndim ka lidhje direkte dhe plotë kuptim me bashkimin e të rinjve perëndimorë me grupet terroriste. Veprimet e grupeve ekstremiste dhe abuzimi në emër të Islamit, ka dëmtuar rëndë imazhin e Islamit dhe të myslimanëve në Evropë. Përveç kësaj, veprimet e pacivilizuara dhe anti-islame, si dhe komentimi i devijuar dhe i deformuar i Islamit nga grupet ekstremiste është bërë shkak që disa Islamin ta kuptojnë si një fe që është larg kulturës e civilizimit dhe si një fe e luftës dhe terrorizmit. Të tilla veprime të dhunshme nga grupet ekstremiste janë bërë shkak që disa studiues, gazetarë dhe media si dhe disa parti dhe politikanë të ekstremit të djathtë t’i ekzagjerojnë këto ide dhe veprime të dhunshme, me qëllim që të intensifikojnë valën e islamofobisë në Evropë. Gjendja sociale-ekonomike e Evropës ku përfshihen diskriminimet sociale ndaj emigrantëve, e në veçanti ndaj myslimanëve, presionet e islamofobisë, kufizimet dhe aktet anti-islamike në Evropë, vështrimi i myslimanëve si kërcënim, është e tillë që ndihmon kultivimin e terrorizmit që nuk ka asnjë lidhje me Islamin e vërtetë. Sipas ekspertëve francezë dhe gjermanë, vetëm një numër i kufizuar i terroristëve takfiristë kanë pasur prirje dhe ide ekstremiste para se të emigrojnë në Evropë. Një pjesë e madhe e këtyre terroristëve janë të rinj të shtresës së mesme dhe secili prej tyre në njëfarë mënyre ka përjetuar një shok kulturor në Evropë dhe është prirur drejt ekstremizmit. Mohimi në shoqëritë evropiane dhe përvoja e sekularizmit dhe materializmit që sundon në këtë shoqëri, ka krijuar pakënaqësi e konfuzion tek një grup të rinjsh të cilët pas përballjes me krizën e identitetit e personalitetit, kërkojnë të gjejnë një identitet të ri dhe këta të rinj shumë lehët bëhen pre e grupeve ekstremiste.

Motivet fetare janë disa nga faktorët e brendshëm të bashkimit të të rinjve perëndimorë me grupin terrorist ISIS. Spekulimi dhe abuzimi me xhihadin dhe shahadetin, është një nga faktorët më të rëndësishëm të prirjes së të rinjve drejtë grupeve terroriste dhe takfiriste. ISIS duke depërtuar tek popujt e ndryshëm, e në veçanti tek popujt që kanë informacion të cekët fetarë, kanë mundur t’ju prezantojë atyre një imazh të gabuar të Islamit, duke përhapur udhëzimet ekstreme të selefizmit, duke i quajtur si Islami origjinal nëpërmjet të cilit njeriu mund të udhëzohet. ISIS ka mundur të rekrutojë të rinj nga dhjetëra popuj të ndryshëm dhe nga 5 kontinente te botës, t’i drejtojë ata në Irak dhe Siri për t’ju bashkuar këtij grupi. Si është e mundur që një grup të rekrutojë njerëz nga gjithë këto vende? Përse njerëzit braktisin jetën në Evropë dhe Amerikë dhe shkojnë në Siri dhe Irak për të luftuar në kushte të vështira dhe për të vrarë njerëz të pafajshëm? Një pjesë e madhe e përgjigjes së kësaj pyetje ka të bëjë me mësimet e devijuara të ISIS në lidhje me kalifatin dhe xhihadin. Shumë myslimanë në vendet islame dhe arabe, një nga faktorët më të rëndësishëm të problemeve të sotme të myslimanëve e konsiderojnë zhdukjen e kalifatit islamik dhe krijimin e regjimeve diktatoriale dhe anti-islamike në vendet myslimane. Për këta njerëz krijimi i një shteti islamik është rruga e zgjidhjes së problemeve dhe pikënisja e fillimit të epokës së artë të civilizimit islam.

ISIS duke pasur parasysh dëshirën e myslimanëve për krijimin e një shteti islamik, që në fillim deklaroi se një nga qëllimet më të rëndësishme të këtij grupi është krijimi i një shtetit të madh islamik. Madje ISIS për tu treguar se është serioz në këtë qëllim, disa vite më parë e ndryshoi emrin  nga Al Kaeda e Irakut në Shtetin Islamik të Irakut. Gjithashtu ISIS menjëherë pas pushtimit të çdo rajoni, shpall vendosjen e pushtetit islamik në atë rajon dhe në emër të zbatimit të ligjeve islame, fillon ekzekutimet në format më barbare. Gjithashtu pas pushtimit të një pjese të madhe të Irakut, ISIS shkatërroi me shpejtësi pikat kufitare mes Irakut dhe Sirisë dhe deklaroi se ky veprim është hapi i parë për heqjen e kufijve mes të gjitha shteteve islame. ISIS duke e shfrytëzuar përvojën e ushtarakëve dhe agjentëve të partisë Bath të Irakut, mori pajisje të sofistikuara kryesisht perëndimore e në veçanti amerikane, si dhe ndihma të shumta financiare nga pushtetarët e vendeve arabe të Gjirit Persik si Arabia Saudite, EBA dhe Katari dhe më pas grabiti bankat e qyteteve të pushtuara në Irak, ku vetëm në bakën qendrore të Mosulit, grabiti 400 milionë dollarë. Rrjetet sociale dhe facebook, tuiter, whatsapp, instagram kanë luajtur rol ndikues në përhapjen e ideve dhe opinioneve të errëta të ISIS dhe 80 % e forcave të ISIS janë rekrutuar nëpërmjet rrjeteve sociale. 

 

Tags