Korrik 20, 2016 09:07 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”.

Në edicionin e fundit të këtij programi do të bëjmë një përmbledhje dhe do të flasim rreth disharmonisë së Islamit me sekularizmin. Në edicionin e kaluar folëm rreth kritikës ndaj sekularizmit nga pikëpamja e Kur'anit duke paraqitur edhe karakteristikat e njeriut që ka numëruar Kur'ani. Në vazhdim thamë se në bazë të mësimeve kur'anore, sekularizmi me kuptimin e ndarjes së fesë nga jeta, nuk është i pranueshëm. Sekularizmi është krijuar dhe zhvilluar në djepin e krishterimit kishtar dhe kulturës së perëndimit. Feja e cila duhej të largohet nga jeta e njeriut dhe të dërgohet në sferën e dëshirave dhe shijeve individuale, ishte krishterimi të cilin e përkufizonte Kisha. Mirëpo perëndimi për shkak të vështrimit tij të bazuar në politikën superiore, është munduar që pikëpamjet sekulariste t'i përhapë edhe në shoqëritë islame. Në edicionet e kaluara treguam se sekularizimi i fesë islame është një ide e pamatur dhe e kotë. Sipas përkufizimit të Kishës, njeriu në natyrën e tij qenësore konsiderohej mëkatar. Anashkalimi i shumë nevojave qenësore të njeriut nga ana e Kishës dhe prangat e vendosura nga Kisha mbi mendjen e njeriut, krijuan një pengesë të madhe përballë zhvillimit të talentit dhe aftësive të njeriut. Mirëpo në edicionin e kaluar thamë se sipas Kur'anit, njeriu jo vetëm që nuk është mëkatar në natyrën e tij qenësore, por ai ka një fisnikëri të lartë. Zoti i madhëruar e ka krijuar atë të pastër nga mëkati dhe i ka dhënë atij aftësinë që të bëhet zëvendësi i Zotit në tokë. Kur'ani gjithashtu e konsideron obligim për njeriun shfrytëzimin e mendjes si një prej rrugëve për arritjen e lumturisë dhe në shumë raste ka qortuar ata të cilët nuk e shfrytëzojnë në masë të duhur mendjen e tyre. Në bazë të mësimeve të Kur'anit, mirësitë e kësaj bote dhe shfrytëzimi i tyre nuk janë të qortuara, por njeriu nuk duhet të mjaftohet vetëm me këtë botë. Prandaj, në fenë islame nuk janë anashkaluar nevojat e natyrës qenësore të njeriut, por ato duhet të jenë në shërbim të njeriut në mënyrë që të mos pengojnë njeriun të arrijë në përkryerjen e merituar. Sipas kësaj, pikëpamja e Kur'anit në lidhje me njeriun dhe karakteristikat e veçanta njerëzore të tij janë plotësisht në përputhje me natyrën qenësore të njeriut. Prandaj njeriu i cili është edukuar me mësimet kur'anore, nuk shikon kontradiktë mes karakteristikave të tij njerëzore dhe fesë. Nëse feja islame do t'i jepte rëndësi vetëm jetës së njeriut në botën tjetër dhe nuk do të trajtonte jetën e tij në këtë botë, atëherë padyshim do të krijoheshin rrethanat për zhvillimin e kësaj ideje se feja islame është e lidhur vetëm me njeriun, shpirtin dhe psiqikën e tij dhe si rezultat i kësaj nuk do të ketë hapësirë të paraqesë pikëpamjet e saj në sferën shoqërore të njeriut. Mirëpo Islami me ndërhyrje në çështjet shoqërore, nëpërmjet rrugëve të ndryshme ka hedhur poshtë mënyrën e të menduarit sekularist. Sipas ajeteve të Kur'anit të shenjtë, njeriu është një qenie shoqërore dhe përkryerja e tij arrihet me praninë e tij në shoqëri. Kur'ani nuk e pëlqen indiferencën e njeriut ndaj shoqërisë dhe asnjë herë nuk ka porositur murgjërinë dhe izolimin e individit nga shoqëria, por gjithnjë ka kërkuar nga besimtarët e Islamit që të bëjnë përpjekje për rregullimin dhe përmirësimin e gjendjes së shoqërisë në jetën e kësaj bote. Prandaj, nga pikëpamja e Kur'anit, njeriu edhe është qenie shoqërore edhe përkryerja e tij realizohet në shoqëri, por edhe duhet të ushtrojë ndikimin e tij në këtë shoqëri. Një numër i madh i ajeteve të Kur'anit të shenjtë i janë kushtuar çështjeve ekonomike dhe ligjeve përkatëse me ekonominë në mënyrë të saktë dhe në detaje. Mësimet ekonomike të Kur'anit të shenjtë ashtu si mësimet e tjera kur'anore, përfshinë aspektet e jetës së njeriut dhe shpjegojnë linjat kryesore të marrëdhënieve ekonomike dhe të të drejtave ekonomike të individëve. Sipas ajeteve të Kur'anit të shenjtë, njerëzit zotërojnë pasurinë dhe pronën e tyre dhe askush nuk ka të drejtë të uzurpojë pasurinë e tjetrit. Kur'ani i shenjtë kërkon nga njerëzit që të largohen nga kamata dhe fajdeja, nga shkëmbimet mashtruese, nga mashtrimi në shitje dhe nga ryshfeti e korrupsioni. Kur'ani i shenjtë gjithashtu ka shpjeguar ligje të sakta edhe për sigurimin social, pronësinë, prodhimin, investimin, përfitimin, tregtinë, ambientin jetësor, ndarjen e pasurisë, kamatën, mënyrën e konsumit, ekonominë e brendshme, tatimin, pasuritë publike, resurset natyrore dhe të ardhurat publike. Kur'ani i shenjtë dallimin e ekonomisë islame me shkollat e tjera ekonomike e konsideron në qasjen e tyre (vetëm të kësaj bote materiale ose të botës tjetër). Ajeti 20 i sures Shura tregon pikërisht këtë çështje. Përveç kësaj në Kur'anin e shenjtë thuhet: "Çdo gjë që të ka dhuruar ty Zoti, shfrytëzoje për të fituar jetën më të mirë në botën tjetër dhe mos i harro përfitimet e lejuara të kësaj botës dhe ashtu sikur që Zoti të ka bërë mirë ty, edhe ti aq sa ke mundësi bëri mirë të tjerëve dhe mos bënë degjenerim në tokë!". (Kisas 77). Parimet që janë përmendur në Kur'an në lidhje me ekonominë mundë të theksohen si në vijim: parimi i mosndërhyrjes dhe uzurpimit të pasurive dhe pronave të të tjerëve, parimi i tregtisë dhe shkëmbimit tregtar në bazë të pëlqimit të të dy palëve dhe parimi i pronësisë individuale. Kur'ani i shenjtë në lidhje me ligjet e shkëmbimit dhe llojet e tij, ka ajete të qarta, për shembull thotë: "O populli im! Mos bëni mashtrime gjatë matjes së produkteve dhe mos mangësoni të drejtat e të tjerëve dhe mos bëni degjenerim e korrupsion në tokë!" (Surja Hud, ajeti 85) Ligjet përkatëse me shkëmbimin tregtar dhe me shitblerjen janë përmendur edhe në suren En'am, ajeti 153, në suren A'raf ajeti 85, në suren Hud ajetet 84-86 etj. Kur'ani i shenjtë gjithashtu ka ligje të sakta edhe për trashëgiminë dhe ndarjen e saj. Në ajetet 6 dhe 26 të sures Nisa dhe në ajetin 75 të sures Enfal dhe në ajetin 6 të sures Ahzab, është folur gjerësisht në lidhje me këtë çështje dhe nuk është mbetur vend për dyshim. Në lidhje me sigurimin social dhe mënyrës së përkrahjes së shtresave të dobëta të shoqërisë, Kur'ani i shenjtë ka ofruar një metodë efikase. Është interesantë se këto ligje janë theksuar në Kur'anin e shenjtë 14 shekuj më parë dhe për shkak të karakteristikave të veçanta kohore të Kur'anit, këto ligje janë efikase edhe sot. Në Kur'anin e shenjtë thuhet: "Lëmosha i përket vetëm atyre personave që janë të varfër, bonjakëve dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë financiare (për tu liruar nga robëria) dhe për të shpenzuar në rrugën e Zotit. Ky veprim është bërë obligim për njerëzit nga ana e Zotit dhe Zoti është i ditur dhe i urtë". (Teovbe, ajeti 60). Ligjet juridike dhe gjyqësore të Islamit janë shpjeguar në tre faza: në identifikimin e krimit, në caktimin e ndëshkimit dhe në parandalimin e kryerjes së krimit. Sipas Kur'anit, krimet të cilët janë pikërisht ato mëkate dhe veprime kundër ligjit, ndahen në tre kategori: e drejta e Zotit, e drejta e njerëzve dhe e drejta e vetës. Këto ligje paraqiten në ajete të ndryshme kur'anore. Kur'ani gjithashtu cakton edhe masën ndëshkuese të tyre dhe dispozitat dhe rregullat juridike përkatëse duke i përfshirë ato ndëshkuese dhe qytetare, përbëjnë rreth një të gjashtën e Kur'anit të shenjtë. Prandaj Kur'ani nuk qëndron i heshtur në lidhje me çështjet juridike dhe njeriu nuk mundet të besojë në Kur'an, por njëkohësisht të anashkalojë çështjet juridike të fesë.Në çështjet politike dhe shtetërore, Kur'ani gjithashtu paraqet qëndrime të qarta dhe të sakta. Kur'ani sundimin ose qeverisjen e konsideron vetëm të drejtë të Zotit dhe nuk pranon sundimin e një njeriu mbi njerëzit e tjerë, përveç nëse ai person është lejuar nga Zoti që të qeverisë shtetin. Në realitet ligjvënia në të gjitha çështjet shtetërore, është e drejtë e veçantë e Zotit dhe Zoti i madhëruar këto ligje i ka shpallur për njerëzit nëpërmjet shpalljes hyjnore. Prandaj asnjë njeri nuk ka të drejtë të hartojë ligje, përveç në kuadër të ligjeve hyjnore. Kjo nuk do të thotë se për shembull edhe rregullat e komunikacionit duhet kërkuar në Kur'an, por do të thotë se ligjet dhe parimet e përgjithshme për administrimin e shoqërisë dhe korniza kryesore e tyre, është caktuar nga ana e Zotit, ndërsa ligjet sekondare dhe të rastit duhet vendosen në këtë kuadër dhe duke respektuar parimet e përgjithshme. Duke studiuar në ajetet e Kur'anit të shenjtë, bëhet e qartë se çështja e shtetit në përgjithësi nuk është një çështje njerëzore dhe nuk i përket kësaj bote dhe nuk i është dorëzuar tërësisht njeriut. Islami në lidhje me këtë çështje ka qëndrim të qartë. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë kur shpjegon detyrat e profetëve, vë në dukje krijimin e shoqërisë monoteiste dhe ndalon adhurimin e diç tjetër, përveç Zotit. Sipas Kur'anit të shenjtë, gjithashtu vendosja dhe zbatimi i drejtësisë është temë themelore e misionit të profetëve të Zotit dhe është e qartë se zbatimi i dispozitave të sakta juridike, ekonomike dhe shoqërore të Islamit është i mundshëm vetëm nëpërmjet themelimit të shtetit në baza fetare. Detyra për themelimin e këtij shteti është mbi supe të profetit dhe zëvendësve të tij, do të thotë imamëve ma'sum, ndërsa në kohën kur të mos jetë i pranishëm Imami Ma'sum (a.s.), kjo detyrë bije mbi supe të një njohësi të madh të islamit i cili posedon edhe kushtet përkatëse të veçanta si maturinë e duhur dhe drejtësinë. Natyrisht për formimin e shtetit fetar nevojitet edhe vota e popullit, sepse nëse shoqëria nuk ka arritur të përcaktojë një gjë të tillë, as Imami Ma'sum (a.s.) nuk e formon shtetin fetar dhe ai në raste të tilla deri në atë masë që lejojnë rrethanat, mundohet t'i këshillojë dhe udhëzojë pushtetarët dhe funksionarët shtetërorë drejt fesë. Si përmbledhje e kësaj, sipas Kur'anit të shenjtë, themelimi i shtetit në bazë të mësimeve hyjnore dhe qiellore është një çështje e domosdoshme dhe Kur'ani kurrë nuk e pranon një shtet dhe qeverisje që nuk bazohet në mësimet kur'anore dhe i obligon myslimanët që të krijojnë rrethanat e përshtatshme për zbatimin e ligjeve kur'anore. Prandaj sekularizmi plotësisht është në kontradiktë me mësimet e Kur'anit të shenjtë. Në këtë program kemi shqyrtuar shkaqet historike të krijimit të sekularizmit në perëndim dhe kemi paraqitur një kritikë ndaj bazave ideologjike të këtij të menduari në bazë të mësimeve islame. Në fund, gjithashtu nga pikëpamja e ajeteve të Kur'anit të shenjtë kemi shqyrtuar sekularizmin në kuptimin e ndarjes së fesë nga jeta e njeriut dhe kemi treguar se për çfarë arsye sekularizmi nuk është në harmoni me mësimet e Kur'anit. Shkurtimisht, në Islam feja dhe bota nuk janë dy nocione të kundërta me njëra-tjetrën dhe bota është mjet për arritjen e lumturisë së amshueshme dhe përkryerjen e merituar njerëzore. Këtë program po e përfundojmë me një hadith nga Imam Reza (a.s.) i cili ka thënë: "Nuk është prej neve ai i cili është larguar nga bota e tij për shkak të fesë dhe ai i cili është larguar nga feja e tij për shkak të botës".

Tags