Korrik 24, 2016 10:21 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth mundësisë dhe nevojës së ekzistencës së shtetit fetar nga pikëpamja e islamit dhe sekularizmit.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Kritikë mbi sekularizmin nga pikëpamja e mësimeve islame”. Në edicionet e kaluara thamë se sekularizmi në kuptim të përgjithshëm do të thotë ndarja e fesë nga sferat e jetës së njeriut. Një prej kuptimeve më të përdorshme të sekularizmit është ndarja e fesë nga politika. Mbrojtësit e sekularizmit besojnë se feja është një çështje individuale dhe sipas shijes e cila në fund të fundit ka detyrë t'i japë qetësi individit, prandaj nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në çështjet e shtetit. Shteti në kuptimin e sistemit të qeverisjes së shoqërisë dhe hartimit dhe ekzekutimit të ligjeve nuk mund të ketë lidhje me konceptet shpirtërore të fesë. Ky qëndrim është rezultat i përballjes jo të mirë të perëndimorëve me mësimet e devijuara të fesë krishtere. Përkrah mësimeve të krishterizmit të devijuar e cili pohonte se punën e Zotit, lërja Zotit dhe punën e Cezarit lërja Cezarit, trajtimi i ashpër i eprorëve të Kishës, mospërfillja e të drejtave dhe lirive të njeriut, mungesa e mësimeve të duhura për administrimin e shoqërisë në krishterizëm dhe keqpërdorimi i madh i Kishës për të marrë pushtetin, janë bërë shkak që të mos arrihen rezultate të mira nga ndërhyrja e fesë në çështjet e shtetit. Perëndimorët këto rezultate në mënyrë të gabuar ua kanë veshur të gjitha feve dhe shoqërive në përgjithësi dhe mendimtarët perëndimorë vazhdimisht kanë folur për nevojën e ndarjes së fesë nga shteti. Feja islame ka dallime fondamentale me krishterizmin e devijuar me të cilin janë përballur perëndimorët. Në edicionet e kaluara kemi shqyrtuar gjerësisht këto dallime. Në këtë edicion dëshirojmë të shqyrtojmë se shteti fetar i kërkuar nga feja islame mbi çfarë themele është ndërtuar dhe për çfarë arsye Islami si një fe e përkryer nuk mund të supozohet ndaras nga shteti dhe sistemi qeverisës i shoqërisë. Asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk mund të pranojë se shoqëria njerëzore mund të vazhdojë jetën e saj pa rend dhe pa sistem. Rendi dhe sistemi nuk mund të realizohet pa ligj. Mirëpo ligji i drejtë është ligji në të cilin merren parasysh të gjitha aspektet e ekzistencës së njeriut dhe ka program të drejtë për lulëzimin e talenteve njerëzore. Këtu përsëri dallimi mes vizionit sekularist dhe vizionit islam është shumë përcaktues. Sekularizmi e konsideron njeriun si një qenie të kufizuar mes lindjes dhe vdekjes dhe nuk merr parasysh fare aspektin shpirtëror të ekzistencës së njeriut. Prandaj në hartimin e ligjeve dhe në zbatimin e tyre, sekularizmi nuk merr parasysh as lumturinë e përhershme të njeriut, por ligjin dhe shtetin e konsideron një mjet për të shfrytëzuar sa më shumë kënaqësitë e kësaj bote për të marrë sa më shumë fitime. Mirëpo sipas vizionit islam, ligji i drejtë është ai ligj i cili mund ta çojë njeriun në lumturinë e përhershme dhe në përkryerjen që e meriton ai. Për hartimin e një ligji të tillë duhet të njihet e vërteta e ekzistencës së njeriut dhe e vërteta e botës dhe lidhja e këtyre dy faktorëve me njëri-tjetrin dhe ndikimi i sjelljeve dhe i veprimeve të njeriut mbi përkryerjen e tij. Kjo nuk mund të bëhet vetëm me mendjen e njeriut. Një ligj të tillë që sjell lumturinë për njeriun mund të hartojë vetëm Krijuesi i botës dhe i njeriut, prandaj shpallja hyjnore është rruga kryesore për të arritur në hartimin e këtij ligji. Kur'ani i shenjtë ka prezantuar veten si një libër për të gjitha botët dhe ka saktësuar se shpjegon të gjitha ato çështje të cilat kanë rol në sigurimin e lumturisë së njeriut. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë thotë: "Ne në atë Libër nuk kemi harruar asgjë" (En'am, 38). Zoti i madhëruar gjithashtu në Kur'an thotë: "Ai është i cili ka dërguar profetin e tij me udhëzim dhe fe të vërtetë në mënyrë që ai të ngadhënjejë mbi të gjitha fetë, pavarësisht se idhujtarët nuk e pranojnë një gjë të tillë". (Teovbe, 33). Do të thotë se Zoti i madhëruar ka dërguar profetin e tij me udhëzim dhe fenë e vërtetë për t'i udhëzuar njerëzit në të gjitha sferat e jetës dhe për të shkatërruar despotizmin. Sipas Kur'anit të shenjtë dhe sipas historisë, gjithashtu qëllimi i dërgimit të profetëve të Zotit është udhëzimi i njerëzve në të gjitha sferat e jetës dhe vendosjen e drejtësisë, prandaj është e qartë që këto dy qëllime nuk mund të realizohen pa vendosjen e shtetit fetar. Ajetullah Xhavadi Amoli ka prezantuar dy qëllime kryesore për shtetin fetar: udhëzimi i njerëzve drejt përkryerjes dhe ndërtimi i shtetit ideal njerëzor. Në një vështrim kalimthi mbi Islamin bëhet e qartë se kjo fe si çështje të bindjeve fetare paraqet fillimin, botën tjetër, profecinë dhe shpalljen hyjnore, si dhe flet rreth virtyteve të larta morale dhe degjenerimit moral, ndërsa përkrah çështjeve individuale dhe të adhurimit, ka edhe dispozita shoqërore, ekonomike, ushtarake dhe politike. Islami ka një sistem ekonomik të pashembullt në të cilin përveçse njihet pronësia private, individët kanë edhe detyra të caktuara ndaj shoqërisë islame. Këto detyra përfshinë çështje të ndryshme nga pagimi i khomsit dhe zekatit e deri tek ligjet për shitblerje dhe shkëmbime ekonomike. Shkatërrimi i pasurisë ose mbajtja e saj në gjendje të stagnuar, është një prej ndalesave në ekonominë islame. Zbatimi i këtyre dispozitave ekonomike të cilat janë shpjeguar në mënyrë të saktë dhe në detaje, nuk mund të realizohet pa ndërtimin e shtetit fetar. Në islam, gjithashtu ekzistojnë dispozita juridike dhe ligje përkatëse me mënyrën e gjykimit dhe ligje për ndëshkimin e krimeve të cilat janë shumë të sakta dhe janë shpjeguar në detaje dhe sipas Kur'anit të shenjtë, myslimanët nuk lejohen që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të krijuara mes tyre t'u referohen autoriteteve gjyqësore jo islame. Padyshim se në botën e komplikuar të sotme, mosmarrëveshjet nuk krijohen vetëm mes individëve sepse mund të ndodhë që të dy palët e mosmarrëveshjes të jenë persona juridik si kompani, institucione dhe organizata të mëdha. Prandaj, zbatimi i ligjeve islame në një nivel kaq të lartë ka nevojë për ndërtimin e shtetit fetar. Përveç kësaj, dispozitat dhe mësimet përkatëse me xhihadin dhe mbrojtjen ushtarake përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dispozitave dhe ligjeve islame. Çështjet si në çfarë kushte obligohet xhihadi dhe cilët persona i plotësojnë kushtet e duhura, në çfarë rrethanash duhet filluar xhihadi dhe në çfarë rrethanash duhet mbaruar etj., përcaktimi dhe kumtimi i këtyre çështjeve është përgjegjësi e udhëheqësit të myslimanëve. Zbatimi i kësaj pjese të dispozitave islame gjithashtu është i pamundur pa ndërtimin e shtetit fetar. Natyrisht historia tregon se në raste kur nuk është ndërtuar shteti fetar, myslimanët në lidhje me këtë çështje deri në nivel të mundshëm kanë ndjekur autoritetet fetare dhe myftinjtë, mirëpo ndërhyrjet e krijuara mes ligjeve të një shteti jo fetar me ligjet islame në këto çështje gjithnjë kanë qenë pengesë e madhe për arritjen e rezultatit të pranueshëm në këtë drejtim. Kjo tregon se Islami është një përmbledhje e ligjeve dhe e rregullave të unifikuara për lumturinë e njeriut, mirëpo pa ndërtimin e shtetit fetar, këto ligje nuk janë asgjë tjetër përveç tekste të shkruara në letër dhe nuk sigurojnë në mënyrë të plotë lumturinë dhe përkryerjen e njeriut. Çështje tjetër e rëndësishme që duhet përmendur këtu është fakti sipas mësimeve të Islamit, pushteti dhe autoriteti mbi popullin i takon vetëm Zotit i cili është Krijues i njeriut dhe i botës. Asnjë njeri pa lejen e Tij nuk ka të drejtë të qeverisë mbi popullin. Nëse Zoti i jep leje profetit dhe zëvendësve të tij që të sundojnë mbi popullin, ky sundim bëhet vetëm në kuadër të fesë do të thotë se as profeti i Zotit nuk mund të sundojë sipas dëshirës së tij personale, por duhet të sundojë në bazë të ligjeve hyjnore dhe të ecën drejt vendosjes së sundimit të fesë së Zotit në shoqëri. Profeti i fundit i Zotit i cili ka kumtuar fenë më të përkryer për udhëzimin e njerëzve është Hazreti Muhamed s.a.v.s. dhe pas tij nuk ka ardhur ndonjë profet. Mirëpo njeriu gjithmonë është një qenie shoqërore dhe individët dhe shoqëria njerëzore ka nevojë për udhëzim, rend dhe zbatim të ligjeve hyjnore. Ky parim racional dhe fetar që sundimi i takon vetëm Zotit, gjithashtu mbetet i pandryshueshëm. Prandaj pa lejen hyjnore, askush nuk ka të drejtë të sundojë mbi njerëzit. Në bazë të ajeteve të Kur'anit të shenjtë dhe haditheve profetike, pas Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., imamët ma'sum janë zëvendës të tij, mirëpo në periudhën e zhdukjes së imamit të fundit, çfarë ndodhë me çështjet e shtetit fetar? Sipas islamit, në periudhën e zhdukjes së imamit të fundit personi lejohet të qeverisë mbi shoqërinë islame i cili në njohjen e islamit, në njohjen dhe zbatimin e drejtësisë dhe në maturinë e udhëheqjes së shtetit, ndodhet në një shkallë më të lartë se të tjerët. Një person i tillë sipas ajeteve kur'anore dhe transmetimeve profetike, mund të marrë në përgjegjësi çështjen e qeverisjes dhe të udhëheqjes së shtetit fetar. Në këtë lloj të sundimit, edhe personi që drejton shtetin duhet t'i nënshtrohet ligjeve hyjnore dhe nuk mund të kryejë asnjë veprim jashtë kësaj kornize. Prandaj sipas Islamit, çdo person nuk mund të jetë sundues dhe gjithashtu në këtë drejtim nuk mjafton vetëm forca e maturisë në administrimin e çështjeve të kësaj bote dhe as vota e popullit, sepse sunduesi përveç maturisë dhe drejtësisë, duhet të zotërojë në nivel të lartë fenë e Zotit dhe dispozitat dhe ligjet e saj, si dhe të ketë kapacitetin e duhur për nxjerrjen e dispozitave hyjnore nga zemra e Kur'anit të shenjtë dhe nga hadithet profetike për të vepruar në bazë të tyre. Pavarësisht kësaj baze të fortë, shteti islam kurrë nuk realizohet pa vullnetin dhe dëshirën e popullit, për arsye se nevojë elementare për ndërtimin e shtetit fetar është prania e popullit dhe unifikimi i tij në rrugën e vërtetë. Për këtë arsye, edhe nëse do të ekzistojë një udhëheqës i madh si Imam Aliu (a.s.), por populli të mos jetë i bashkuar me atë, nuk formohet shteti fetar dhe nëse formohet do të dështojë. Dallimi kryesor i shtetit islam me shtetet diktatoriale qëndron pikërisht në këtë çështje se shteti islamik është një sistem i qeverisjes popullore i cili ndërtohet jo mbi diktaturë dhe forcën e pushtetit, por mbi vullnetin dhe dëshirën e popullit për fenë dhe për sundimtarin fetar.

Tags