Gusht 04, 2016 09:58 CET

Në këtë edicion do të vazhdojmë me shqyrtimin e mendimeve të Ibën Tejmije.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv". Në dy edicionet e kaluara kemi folur rreth jetës dhe ideve të Ibën Tejmije. Kemi folur gjithashtu edhe për urrejtjen dhe armiqësinë që kishte Ibën Tejmije ndaj Elhi Bejtit (a.s.), sidomos ndaj Imam Aliut (a.s.). Pavarësisht faktit se ekzistojnë hadithe dhe transmetime të forta dhe të vërteta nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. që konfirmohen edhe nga dijetarët e mëdhenj sunitë në lidhje me pozitën e Imam Aliut (a.s.) dhe të Ehli Bejtit (a.s.), Ibën Tejmije të gjithë përpjekjen e tij e kishte përqendruar në anashkalimin e këtyre haditheve të vërteta dhe në dokumentimin e urrejtjes dhe armiqësisë së tij ndaj Ehli Bejtit (a.s.). Urrejtja e Ibën Tejmije ndaj Imam Aliut (a.s.) ishte deri në atë masë saqë ai ka shkruar disa libra në lavdërimin e Muavijës dhe Jezidit. Jezidi i cili ka derdhur gjakun e Imam Huseinit (a.s.), nipit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., ka vrarë dhe masakruar shokët besnikë të Imam Huseinit (a.s.) dhe ka robëruar familjen e tij. Ibën Tejmije në një libër të tij të titulluar "Fadail Muavije..." pretendon se Jezidi pavarësisht se ka bërë mëkate, por për shkak të veprave të mira, i janë shlyer mëkatet e tij. Ai gjithashtu lavdëron aq shumë Muavije ibën Abi Sufjan dhe mbron ambiciet e tij përballë Imam Aliut (a.s.) saqë lexuesi mbetet i habitur. Muavije është ai rreth të cilit Hasan Basri, dijetar bashkëkohor, thotë: "Muavije kishte katër karakteristika që posedimi vetëm i njërës prej tyre e arsyeton vrasjen e tij: sëpari ai pa formimin kurrfarë këshilli dhe me forcën e shpatës mori pushtetin mbi myslimanët, ndërkohë që në atë kohë ende ishin gjallë shokë të merituar të Profetit s.a.v.s.. Sëdyti, pavarësisht se Zijad bin Abihe ishte një fëmijë i lindur nga një prostitucion dhe nuk dihej se kush ishte babai i tij, Muaevije pretendoi se ai është i biri i Abu Sufjanit dhe e quajti vëlla të tij. Sëtreti, Muavije në khalifat shpiku diçka të re dhe pushtetin e bëri trashëgimi familjare duke caktuar Jezidin për trashëgimtar të tij në pushtet. Jezidi veshte rroba të mëndafshtë dhe gjithmonë ishte në dëfrim me muzikë dhe zbavitje. Sëkatërti, Muavije ka ekzekutuar me vdekje Huxhr bin Adi i cili ishte një prej shokëve të Profetit s.a.v.s.". Ibën Tejmije gjithashtu në librin e tij "Ra'sul-Husein" mbron Jezidin në kohën kur të gjithë myslimanët pajtohen se ai ishte një njeri i degjeneruar dhe veprimet që ai ka bërë janë shumë të turpshme. Ai gjatë periudhës së shkurt të sundimit të tij, ka vrarë nipin e Profetit s.a.v.s., ka djegur dhe shkatërruar Shtëpinë e Zotit dhe gjatë agresionit kundër Medinës, ka shpallur të lejuar për ushtarët e tij derdhjen e gjakut, plaçkitjen e pasurisë dhe përdhosjen e nderit të myslimanëve të Medinës. Ai në lidhje me Jezidin thotë: "Mëkatet e Jezidit nuk kanë qenë më të mëdha se ato të popullit Beni Israil. Populli Beni Israil vriste profetët e Zotit, ndërsa vrasja e Huseinit nuk është mëkat më i madh se sa vrasje e profetëve të Zotit".

Ibën Tejmije me këto arsyetime të pavlera, është munduar të pastrojë personalitetin gjakpirës të Jezidit nga krimet që ka bërë. Agresioni kundër Medinës gjatë të cilit janë vrarë shumë shokë të Profetit s.a.v.s. nga ushtria e Jezidit dhe janë përdhunuar mijëra vajza dhe gra myslimane, sipas mendimit të Ibën Tejmije nuk është veprim shumë i rëndësishëm dhe mund të falet. Ai për të mbrojtur Jezidin detyrohet të arsyetojë martirizimin e Imam Huseinit (a.s.) në këtë mënyrë duke thënë se për shkak të kryengritjes së paligjshme të tij, derdhja e gjakut të tij konsiderohet e lejuar dhe fajtor është vet ai. Me të vërtetë si është e mundur që Ibën Tejmije të shpallë jobesimtarë myslimanët për shkak të vizitës që i bëjnë varrit të Profetit s.a.v.s. ose për shkak se kërkojnë që ai të ndërmjetësojë pranë Zotit për ata, ndërsa pavarësisht krimeve çnjerëzore dhe veprimeve degjeneruese të një personi siç është Jezid bin Muavije, e konsideron atë të pastër nga mëkatet? Ibën Tejmije përveç kësaj një personalitet si Imam Aliu (a.s.) që ishte i lavdëruar nga të gjithë për besimin e tij dhe për virtytet e larta njerëzore, e anashkalon tërësisht dhe e paraqet atë vetëm si një person me ambicie për pushtet. Ai në këtë rrugë shkel edhe bazat e tij të prirjeve ndaj haditheve dhe të tradicionalizmit të tij. Përkrahje të tilla ndaj personaliteteve si Muavije dhe Jezid dhe në të kundërtën ulja e pozitës së personaliteteve si Imam Ali (a.s.) dhe Imam Husein (a.s.), padyshim se bëhen në kuadër të ideve të tilla pro emvite. Nëse në periudhën e sundimit të Muavijes bëhej falsifikimi i haditheve në qortimin dhe ofendimin e Imam Aliut (a.s.), në të menduarin e Ibën Tejmije bëhej dobësimi i haditheve të vërteta dhe krijimi i vërtetësisë për hadithe të dobëta që në realitet është vazhdim i rrugës së Muavijes. Nëse në kohën e Muavijes në minbera të xhamive mallkohej Imam Aliu (a.s.), në të menduarin e Ibën Tejmije, deri në atë masë që ekzistonte mundësia, ulej pozita dhe vlera e Ehli Bejtit (a.s.). Prandaj, fjala më e mirë në njohjen e Ubën Tejmijes është pikërisht ai kriter që ka caktuar Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. kur thotë: "O Ali! Nuk të do ty askush tjetër përveç besimtarit dhe nuk të urren ty askush tjetër, përveç hipokritit". Ibën Tejmije pas një periudhe të gjatë që u mundua të sfidojë bindjet islame, në vitin 728 hixhri kameri pas një sëmundje të rëndë dhe të gjatë, vdiq në burgun e Damaskut. Mendimet e Ibën Tejmije përbëjnë një prej kapitujve kryesor për formimin e lëvizjes selefiste. Përkundër asaj që selefistët dhe vehabistët mundohen t'i paraqesin mendimet e tyre si të bazuara mbi idetë e Ahmed bin Hanbel, mirëpo në realitet mendimet e tyre janë shumë larg mendimeve të Ahmed bin Hanbel. Ibën Tejmije edhe pse në prirjet ndaj hadithit, pretendonte se ishte ndjekës i Ahmed bin Hanbel, mirëpo ai e ka shfrytëzuar hadithin si mjet për qëllimet e tij. Ai çdo hadith që përputhej me idetë e tij e pranonte, ndërsa çdo hadith që nuk e përputhej me idetë e tij, e refuzonte pavarësisht vërtetësisë së haditheve dhe zinxhirit të transmetimit.

Shpirti që sundon në shkollën e selefizmit të Ibën Tejmije në realitet është islami i propagandës emevite, do të thotë pikërisht ajo çfarë dinastia Emevite propagandonte në Sham. Kjo situatë tregon shumë mirë se ai përkrah në masë shumë të madhe familjen Ale Sufjan (emevitët) dhe kundërshton në mënyrë të ashpër familjen e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., sidomos Imam Aliun (a.s.). Kjo është në kohën kur Ahmed bin Hanbel jo vetëm që kishte respekt dhe dashuri ndaj familjes së Profetit s.a.v.s., ai ka përhapur edhe idenë "Tarrbi'a" do të thotë njohjen zyrtare të Imam Aliut (a.s.) për khalif të Shtetit Islam. Ibën Tejmije ka kundërshtuar të gjitha shkollat e mendimit islam dhe me risit e tij ka mbjell farën e përçarjes, ndërkohë që Islami dhe myslimanët kishin nevojë më shumë për unitet dhe bashkim. Kjo është në kohën kur Ahmed bin Hanbel në kohën e tij ka sistemuar prirjet e ndryshme të cilat ishin krijuar në mesin e ndjekësve të hadithit dhe ka formuar baza të përbashkëta mes tyre. Në përgjithësi Ibën Tejmije ka themeluar një lexim ekstrem në sferën e bindjeve fetare dhe frytet e këtij leximi u shfaqen në shekullin 12 hixhri kameri në propagandën e Muhamed bin Abdulvahab. Shkolla e shpikur nga Ibën Tejmije duke u vendosur në kornizën e ideve vehabiste, është bërë edhe më ekstreme sepse nëse në idetë e Ibën Tejmijes shpallja e myslimanëve jobesimtarë ishte vetëm në teori, në periudhën e Muhamed bin Abdulvahab kjo ide u zbatua në praktik dhe me shpatën e takfirizmit ai ka derdhur gjakun e mijëra myslimanëve. Nëse Ibën Tejmije nuk ishte aq shumë i suksesshëm në krijimin e përçarjeve mes myslimanëve, Muhamed bin Abdulvahab duke u bazuar në idetë përçarëse të Ibën Tejmije dhe në forcën ushtarake të familjes Al Saud, si dhe në mbështetjen e Anglisë, arriti ta kultivojë farën e përçarjes mes myslimanëve dhe të shkaktojë tragjedi të mëdha për botën islame. Shkolla e selefizimit të cilën e themeloi Ibën Tejmije në shekullin e shtatë hixhri, u zhduk pas vdekjes së tij, pavarësisht përpjekjeve të nxënësve të tij. Mirëpo në shekullin 12 hixhri kameri, pikërisht ajo përmbajtje u paraqit në një formë tjetër me emrin Vehabizëm. Rryma e vehabizmit emrin e vet e ka marrë sipas themeluesit të saj Muhamed bin Abdulvahab. Ai përkundër paraardhësve të tij, duke shfrytëzuar forcën politike dhe me mbështetjen e Anglisë, arriti të themelojë një shtet të bazuar mbi baza të ideve të selefizmit dhe duke u mbështetur në forcën ushtarake, përhapi rrymën e tij ideologjike në rajonin Naxhd dhe në tërë territorin e Hixhazit. Në edicionin e ardhshëm do të njihemi me personalitetin dhe veprimtarinë e Muhamed bin Abdulvahab.

Tags