Shtator 09, 2016 08:51 CET

Në këtë edicion do të njihemi me disa krime të takfiristëve në shkatërrimin e varrezave, sidomos varrezat e mëdha Baki’e në qytetin e Medinës.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Lëvizjet takfiriste, skenar destruktiv". 
Në edicionin e kaluar kemi folur rreth krimeve të Al Saud dhe vehabizmit gjatë pushtimit të të gjithë territorit të Hixhazit dhe shpalljen e formimit të vendit të Arabisë Saudite dhe arritëm deri te shkatërrimi i varrezave të anëtarëve të Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe të shokëve të tij. Dëmet më të mëdha gjatë këtyre shkatërrimeve janë bërë me shkatërrimin e varreve në vendin Baki’e. Në vendin Baki’e ndodhen varret e shumë figurave të mëdha të Islamit, sidomos katër nipa të Profetit të nderuar të Islamit. Këto varreza gjatë gjithë historisë kanë qenë vend që vizitohej nga besimtarët myslimanë. Monumentet historike dhe varrezat kanë rëndësi të veçantë për çdo popull dhe për çdo medhëheb fetar, sidomos nëse këto varreza i përkasin figurave të shquara të atij medhëhebi fetar ose populli. Që nga fillimi i historisë islame, besimtarët myslimanë kanë ndërtuar shumë ndërtesa mbi varret e figurave dhe personaliteteve të mëdha fetare dhe shkonin për të vizituar ato varreza dhe tregonin respekt të veçantë ndaj tyre dhe askush nuk e konsideronte problem këtë çështje. Në këtë kuadër ekzistonte një konsensus teorik dhe praktik në mesin e myslimanëve deri në atë masë saqë ky veprim nuk kundërshtohej nga asnjë mysliman. Historianët e njohur si Mas’udi në librin “Maravexhe-dhahab” dhe udhëpërshkruesit e njohur si Ibën Xhubeir dhe Ibën Batuta që kanë jetuar në shekullin e shtatë dhe të tetë hixhri kameri, që të gjithë kanë përmendur këto monumente të madhërishme në veprat e tyre. Ibën Xhubeir, udhëpërshkruesi i njohur i cili ka udhëtuar në Hixhaz në shekullin e shtatë hixhri kameri, gjatë një vizite që ka bërë në varrezat Baki’e, i përshkruan ato varreza në këtë mënyrë: “Dhe ajo kupolë e lartë deri në qiell, ndodhet pranë varrezave Baki’e”. Në shekullin e tetë hixhri kameri do të thotë më shumë se 100 vite pas vdekjes së Ibën Xhubeir, udhëpërshkruesi i njohur Ibën Batuta ka bërë një udhëtim në qytetin e Medinës dhe vendet që i ka vizituar i përshkruan në këtë mënyrë: “Në xhaminë e imamëve në varrezat Baki’e ndodhet një kupolë shumë e lartë dhe nga aspekti i ndërtimit konsiderohet një novacion dhe një çudi mahnitëse”. Në shekullin bashkëkohor autori i librit “Marratul-Haramejn” Ibrahim Rufkat Pasha ka kryer Haxhin 19 vite para shkatërrimit të Xhamisë së Imamëve në varrezat Baki’e dhe ka bërë një përshkrim të gjerë në lidhje me këto monumente ku thotë: “Varri i Abas dhe Hasan bin Ali dhe i të tre imamëve të tjerë ndodhen nën një kupolë e cila është më e madhe nga të gjitha kupolat në varrezat Baki’e”. Gjatë historisë monumentet e varrezave Baki’e janë meremetuar tre herë. Meremetimi i parë i këtyre monumenteve është bërë në vitin 519 hixhri kameri nga Mustensir Bil-lah dhe meremetimi i tretë është bërë në shekullin e 13-të nga Sllutan Mahmudi i dinastisë Ghaznevite. Kjo dëshmohet edhe nga mbishkrimet të cilat janë cituar në veprat e udhëpërshkruesve që kanë vizituar këtë vend.

Varrezat në vendin Baki’e janë shkatërruar në dy periudha. Herën e parë një ushtri e komanduar nga Abdulaziz bin Saud në vitin 1221 hixhri kameri, pas rrethimit të gjatë të qytetit të Medinës, vrau në mënyrë masive një numër të madh të banorëve të këtij qyteti dhe pastaj ka mbledhur në një vend të gjithë shërbyesit e Xhamisë së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe ka filluar të rah dhe të torturojë secilin prej tyre për të treguar vendin ku ruhen dhuratat. Pas plaçkitjes së Xhamisë së Profetit s.a.v.s., gjatë kthimit në rajonin Naxhd në të cilin ishte qendra e vehabistëve, kjo ushtri kaloi pranë varrezave Baki’e dhe Abdulaziz urdhëroi të shkatërrohen të gjitha monumentet e varrezave në këtë vend. Vlen të theksohet se vehabistët gjatë këtij sulmi kanë mbushur katër arka të mëdha me xhevahir dhe flori të zbukuruara me diamant dhe me gurë të çmuar, si dhe kanë plaçkitur rreth 100 shpata me kallëf dhe dorëz të zbukuruar me ari të pastër dhe me gurë të çmuar. Në këtë kohë sulltani i Perandorisë Osmane urdhëroi guvernatorin e tij Muhamed Ali Pashën që ta shpëtojë Hixhazin nga dhuna dhe agresioni i vehabistëve dhe ta marrë nën kontroll të gjithë rajonin e Hixhazit. Pas një lufte të përgjakshme që u zhvillua në vitin 1227 hixhri kameri, vehabistët pësuan humbje të madhe. Pas kësaj ngjarje, me investimin e myslimanëve, u rindërtuan monumentet e varrezave të shkatërruara në mënyrën më të bukur të mundshme. Xhamia dhe monumentet e varrezave në Baki’e përsëri u bënë vendi më i frekuentuar nga myslimanët  duke u shndërruar në një vend shumë të bukur turistik-fetar. Mirëpo vehabistët nuk hoqën dorë nga kërcënimi me shkatërrim i varrezave të nipave dhe shokëve të Profetit s.a.v.s. dhe përsëri me pretendimet e tyre të pavërteta, bënin përpjekje vazhdimisht që t’i shkatërronin varrezat në vendin Baki’e. Vehabistët në Meke në vitin 1343 hixhri kameri, shkatërruan kupolat e varreve të Abdulmutalib, të Abu Talib, të zonjës Hadixhe, vendin ku ka lindur Profeti s.a.v.s. dhe Hazreti Fatime Zehra (s.a.), si dhe vendin Hizran i cili ishte vendi i adhurimit sekret të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Vehabistët edhe në rajonin e Xhedas kanë shkatërruar shumë varre të figurave të rëndësishme islame. Vehabistët gjatë sulmit në Medina kanë bombarduar me top edhe kupolën e varrit të Profetit s.a.v.s, mirëpo nga frika e myslimanëve nuk guxuan ta shkatërrojnë varrin e Profetit s.a.v.s.. Në muajin shaval të vitit 1343 hixhri kameri, vehabistët gjithashtu kanë shkatërruar përsëri varrezat e imamëve masum (a.s.) dhe kanë plaçkitur gjërat e vlefshme duke bërë rrafsh me tokë edhe varrin e Hamzes, xhaxhait të Profetit s.a.v.s. dhe të dëshmorëve të tjerë të luftës së Uhudit. Gjatë këtij sulmi, vehabistët shkatërruan edhe varrin e Hazretit Abdullah dhe zonjës Amine, babait dhe nënës së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe shumë varreza të tjera. Vehabistët ekstremistë në po atë vit sulmuan edhe qytetin e Qerbelas dhe shkatërruan monumentin e ndërtuar mbi varrin e Imam Husein (a.s.) dhe plaçkitën të gjitha sendet e çmuara dhe xhevahirët të dhuruar nga personalitete të ndryshme duke vrarë edhe rreth 7000 persona në mesin e tyre edhe dijetarë fetarë, personalitete të tjera shoqërore dhe banorët e pafajshëm të këtij qyteti.

Aktualisht grupet takfiriste terroriste në Siri, Irak, Libi, Tunizi dhe në vende të tjera islame duke ndjekur metodën e vehabistëve, gjatë viteve të kaluara kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë ende shumë varreza të figurave të shquara fetare dhe islame. Vehabistët duke u bazuar në disa ajete kur'anore dhe me perceptime të gabuara nga tekstet e disa haditheve të transmetuara nga Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s., si dhe me anë të të kuptuarit të përgjysmuar që kanë rreth parimit të Njëshmërisë, ndërtimin e monumenteve mbi varre e konsiderojnë idhujtari dhe risi në fe, prandaj me këtë ide kanë shkatërruar shumë monumente historike dhe kupola mbi varret e personaliteteve fetare. Ata duke u mbështetur në një hadith, ndërtimin e ndonjë objekti të lartë mbi varrë, e konsiderojnë idhujtari. Në këtë kuadër Ibën Tejmije në librin “Minhaxhu Sunetu” thotë: “Ndërtimi i ndonjë objekti mbi varrë bëhet shkak që njerëzit të futen në idhujtari, ashtu siç është bërë shkak ndërtimi i idhujve Lat dhe Uza”. Ky hadith në të cilin bazohen vehabistët është i mangët nga aspekti i zinxhirit të transmetimit. Përveç kësaj transmetuesit e këtij hadithi janë të njohur për fshehjen e të vërtetave për interesa personale, prandaj ky hadith nuk ka efekt si një argument dhe nuk vërteton pretendimin e vehabistëve. Kjo është për arsye se nga pikëpamja e tyre ndërtimi i objektit mbi varrë është i ndaluar dhe shkatërrimi i varrezave dhe tyrbeve mbi ato, është obligim, mirëpo ky hadith nuk argumenton aspak pretendimin e tyre. Pretendimi i Ibën Tejmije dhe i pasuesve të tij për konsiderimin e objekteve dhe tyrbeve mbi varre si idhujtari dhe mosbesim, janë çështje të cilat nuk mund të mbrohen. Ato thonë: “Myslimanët shiitë ndërtojnë monumente të madhërishme dhe kupola të larta mbi varret e profetëve, të imamëve dhe të pasardhësve të tyre, si dhe mbi varret e dijetarëve fetarë dhe pastaj duke vizituar këto vende, puthin portën dhe murin me të cilin është rrethuar varri dhe përulen përpara varreve të tyre duke vajtuar dhe bërë lutje. Ky veprim do të thotë se ata i bëjnë shok Zotit dhe është veprim më i keq se sa adhurimi i idhullit Lat dhe Uza në kohën e paganizmit”. Në përgjigje përball kësaj akuze të rëndë ndaj myslimanëve shiitë duhet thënë: “Në fenë islame, kufoma e të vdekurve ka një respekt të veçantë. Ashtu siç thotë Sheriati i shenjtë: “Trupi i të vdekurit duhet të pastrohet, të përgatitet mirë, t’i falet namazi i të vdekurit dhe të varroset në dhe duke mbajtur zi për atë. Padyshim se respekti ndaj varreve të prijësve dhe figurave të shquara fetare në krahasim me varret e të tjerëve, është më i madh. Tani, nëse qëllimi i vehabistëve është ky që myslimanët shiitë strehohen në këto vende dhe në vend të adhurimit të Zotit Një, adhurojnë këto varre dhe harrojnë Zotin, padyshim se një gjë e tillë konsiderohet idhujtari dhe të gjithë myslimanët duhet ta luftojnë këtë fenomen. Mirëpo në asnjë mënyrë nuk është kështu. Këto janë vetëm propaganda që kanë filluar me Ibën Tejmije dhe po vazhdojnë me myftinjtë vehabistë. Mirëpo nëse qëllimi i tyre është ky që ndërtimi i objekteve mbi varre dhe ndërtimi i kupolave mbi varre bëhet shkak për vlerësimin dhe respektimin e pozitës së tyre dhe përkujtimin e emrit të tyre, kjo jo vetëm që nuk është veprim i qortuar, por konsiderohet veprim i pëlqyer. Kjo është për arsye se respektimi i varreve të profetëve dhe të imamëve në realitet është respektim i simboleve hyjnore sepse Zoti i madhëruar ka thënë: “Kush respekton simbolet hyjnore, ka zemër të devotshme”. Prandaj, vehabistëve duhet thënë se a mund të akuzohen për idhujtari myslimanët shiitë në kohën kur ata po respektojnë simbolet hyjnore? Përveç kësaj, nëse ndërtimi i tyrbeve dhe i kupolave mbi varre është haram dhe i ndaluar, atëherë pse myslimanët deri para vehabistëve ndërtonin kupola dhe tyrbe mbi varret e personaliteteve dhe figurave të shquara fetare. A nuk kishte kupolë varri i Malik bin Enes në varrezat Baki’e ose a nuk është ndërtuar mauzole mbi varrin e Shafi’iut në Egjipt, ose një xhami e madhe mbi varrin e Abu Hanifes në Bagdad??!? 

Tags