Shtator 11, 2016 23:20 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit vizitoi panairin e arritjeve teknologjike dhe ushtarake të industrisë mbrojtëse të Iranit. Ajetollah Khamenei, pasi u njoh nga afër me sukseset më të fundit të industrisë mbrojtëse, u takua me ministrin, funksionarët, studiuesit dhe specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, ku theksoi: '' Rritja e potencialit mbrojtës dhe sulmues është një e drejtë legjitime dhe e pamohueshme e Iranit.'' Lideri suprem i RII, progreset e mëdha në industrinë mbrojtëse të Iranit i cilësoi rezultat i lëvizjes së madhe shkencore të popullit iranian dhe shtoi:'' Shkencëtarët e rinj iranianë kanë arritur të thyejnë çdo kufi të shkencës, sepse suksesi në çdo sektor krijon kushtet për suksese të reja në sektorët e tjerë.'' Ajetollah Khamenei theksoi:'' Në një botë ku sundojnë fuqi arrogante që nuk kanë as nuancën më të vogël të moralit, ndërgjegjes dhe humanizmit dhe që me shumë lehtësi e paturpësi sulmojnë dhe masakrojnë popujt e pafajshëm, është plotësisht e natyrshme të zhvillohen potencialet mbrojtëse, sepse siguria e vendit nuk do të jetë e garantuar nëse këto fuqi nuk e ndjejnë fuqinë ushtarake të vendit.'' Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit tha: ''Në Iran ekzistojnë kufizime përsa i përket zgjerimit të potencialit ushtarak, sepse në bazë të parimeve morale e fetare, armët e shkatërrimit në masë si armët kimike dhe atomike janë të ndaluara.'' Ajetollah Khamenei foli edhe mbi blerjen e pajisjeve mbrojtëse. Ai duke folur mbi shqetësimin e fuqive sunduese nga blerja e disa pajisjeve ushtarake nga Irani, theksoi: ''Këto fuqi që flasin për aftësinë morale të vendeve për të poseduar ose jo disa pajisje ushtarake mbrojtëse, vetë nuk respektojnë asnjë princip moral''. Është e qartë se për marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe të potencialit mbrojtës, Irani nuk merr leje nga askush dhe deklaratat e Liderit suprem gjatë vizitës në panairin e arritjeve të industrisë mbrojtëse të Iranit ishin parashtrim i principeve kryesore të doktrinës mbrojtëse të RII.

Lideri suprem i revolucionit islamik, në një fjalim të mbajtur javën e kaluar deklaroi: ''Nëse sundimtarët sauditë pretendojnë se janë të pafajshëm në tragjedinë e Minas, të lejojnë krijimin e komitetit hetimor ndërkombëtar dhe islamik për të sqaruar këtë çështje.'' Ajetollah Khamenei, lider suprem i revolucionit islamik, u takua sot me familjet e dëshmorëve të tragjedisë së Minas ku theksoi se paaftësia dhe neglizhenca e regjimit Al Saud në këtë ngjarje vërtetoi faktin se kjo dinasti bastarde dhe obskurantiste nuk e meriton të menaxhojë vendet e shenjta të muslimanëve. Duke folur mbi martirizimin e rreth 7 mijë vizitorëve të Shtëpisë së Zotit në tragjedinë e Minas, Ajetollah Khamenei shtroi pyetjen se përse vendet dhe qeveritë islamike heshtën përballë kësaj tragjedie? Ai heshtjen e qeverive, dijetarëve, aktivistëve politikë dhe intelektualëve të botës islame ndaj martirizimit të 7 mijë pelegrinëve të pafajshëm e cilësoi ''fatkeqësi të madhe të Ummetit islam'' dhe shtoi: ''Indiferenca dhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj një tragjedie kaq të madhe si ajo në Mina është fatkeqësia reale e botës islame.'' Lideri suprem i revolucionit islamik mungesën edhe të një ndjese verbale nga sundimtarët sauditë e cilësoi si kulmin e paturpësisë dhe shtoi:'' Edhe nëse në këtë çështje nuk ka pasur ndonjë qëllim, një neglizhencë dhe paaftësi kaq e madhe konsiderohet krim për një pushtet politik.'' Ai një aspekt tjetër të tragjedisë në Mina e cilësoi heshtjen e plotë të atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut dhe duke folur për zhurmën e madhe që bëhet ndaj zbatimit të vendimeve gjyqësore në disa vende, theksoi:'' Heshtja absurde ndaj vdekjes së 7 mijë njerëzve të pafajshëm tregoi qartë fytyrën e vërtetë të atyre që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut dhe ata që i kanë lidhur shpresat me organizatat ndërkombëtare duhet të nxjerrin mësim nga kjo ngjarje e hidhur.'' Ajetollah Khamenei, krijimin e një komiteti hetimor të pavarur e cilësoi si një detyrë të vendeve islamike dhe të pretenduesve të të drejtave të njeriut dhe shtoi:'' Megjithëse ka kaluar një vit nga tragjedia në Mina, hetimi dhe shqyrtimi i fakteve dhe dokumentave do të ndriçojë në një masë të madhe këtë ngjarje.'' Ai aleatët e regjimit Al Saud i konsideroi si partnerë në krimin e këtij regjimi në tragjedinë e Minas dhe theksoi:'' Regjimi i paturpshëm saudit me përkrahjen e gjithanshme të Amerikës po qëndron me prepotencë përballë muslimanëve dhe po bën gjakderdhje në Jemen, Siri, Irak dhe Bahrejn, prandaj Amerika dhe aleatët e tjerë janë partnerë në krimet e sauditëve.''

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit i cilësoi të papranueshme e të pabaza akuzat e ministrit të jashtëm saudit që e akuzoi Iranin për përkrahje të terrorizmit. Behram Kasemi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, deklaroi se prej shumë kohësh Arabia Saudite i ka imponuar një agresion të përgjakshëm popullit të Jemenit si dhe popujve të tjerë të rajonit në një kohë që akuzon të tjerët për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve fqinje. Kasemi shtoi:'' Akuzat qesharake të një personi të krisur si Adel Al Xhubeir, ministër i jashtëm i Arabisë Saudite, sipas të cilit Irani përkrah terrorizmin dhe Al Kaidën, bëhen në një kohë kur anëtarët e grupeve terroriste dhe mizore si Al Kaida, ISIS, Taliban etj, ose janë shtetas të Arabisë Saudite, ose janë ndikuar nga rryma vehabiste që i ka rrënjët në Arabinë Saudite.'' ''Ky është një realitet i hidhur që tashmë e ka kuptuar i gjithë opinioni publik botëror''-theksoi z. Kasemi duke shtuar:'' Krizat dhe trazirat nga të cilat po vuajnë sot popujt e rajonit janë pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe e këmbënguljes së përkrahësve të ideologjisë së errët të vehabizmit për t'ju imponuar popujve muslimanë idetë dhe mendimet e tyre të errëta që konsistojnë në zhdukjen e çdo gjëje humane.''Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, duke injoruar rolin e vendit të tij në përhapjen e terrorizmit në botë, akuzoi Iranin për përkrahje të terrorizmit. Është e qartë se deklaratat e përsëritura dhe idiote të ministrit të jashtëm saudit janë pasojë e disfatave të planeve të Arabisë Saudite në rajonin e Azisë perëndimore. Dështimi i politikës së Arabisë Saudite në Siri megjithë shpenzimin e miliarda dollarëve dhe shfrytëzimin e mijëra terroristëve mercenarë për të përmbysur qeverinë e Sirisë si dhe dështimi i regjimit Al Saud në agresionin 17 mujor për të shtypur popullin revolucionar të Jemenit, janë disa nga disfatat e Arabisë Saudite në politikën e saj rajonale. Edhe në luftën e naftës kundër Iranit, Arabia Saudite doli humbëse dhe përpjekjet e Riadit për të tu përballur me deficitin buxhetor dëshmojnë qartë për këtë dështim. Edhe suksesi i marrëveshjes bërthamore ka ndikuar në shtimin e agresivitetit të sundimtarëve sauditë kundër Iranit. Gjatë viteve të fundit, regjimi Al Saud i kë përqendruar politikat e tij në armiqësinë ndaj Iranit dhe rrënja e kësaj armiqësie është rivaliteti me RII për të shtrirë ndikimin në rajonin e Lindjes së Mesme dhe për të drejtuar zhvillimet rajonale. Në rivalitetin me Iranin, Arabia Saudite ka shfrytëzuar çdo mjet si krijimi i grupeve të ndryshme terroriste, financimi dhe armatosja e terroristëve, përkrahja për grupin terrorist Monafekin (MKO), shfrytëzimi politik i Haxhit etj. Medresetë vehabiste janë qendra të përhapjes së ekstremizmit dhe shumica e atyre që studiojnë në këto medrese inkuadrohen në grupe terroriste si ISIS, Al Kaida dhe Taliban duke vrarë njerëz të pafajshëm në Siri, Irak dhe Jemen. Dosja e Arabisë Saudite është e mbushur me raste të shumta të përkrahjes së terrorizmit në Siri, Irak, Liban, Jemen dhe Bahrejn dhe duke akuzuar të tjerët regjimi Al Saud nuk mund të mbulojë këtë dosje të zezë krimesh.

Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit deklaroi se industria bërthamore është kthyer në  simbol të bashkëpunimit strategjik Iran-Rusi. Ali Akbar Salehi duke folur në një konferencë shtypi me rastin e fillimit të punës për ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë në Bushehr në jug të Iranit, deklaroi se funksionarët iranianë synojnë zgjerimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e botës e në veçanti me Rusinë. Ai shtoi se tashmë janë krijuar kushtet që Irani të shfrytëzojnë avantazhet e mëdha të energjisë paqësore bërthamore dhe me ndërtimin e dy centraleve të reja atomike, Irani do të kursejë 22 milionë fuçi naftë në vit dhe do të mbrohet më mirë ambienti pasi do të evitohet çlirimi në hapësirë i 14 milionë tonë lëndëve ndotëse. Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit tha se Irani dhe Rusia do të bashkëpunojnë edhe në prodhimin e radioizotopeve që kanë përdorim të gjerë në mjekësi, industri dhe bujqësi.

Javën e kaluar, presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se zbatimi i shpejtë dhe korrekt i marrëveshjeve mes Iranit dhe Francës do të ketë impakt të fuqishëm në zgjerimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore mes dy vendeve. Dr. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit në takim me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Francës z. Claude Bartolone, tha se gjatë vizitës së tij në Francë, Irani dhe Franca nënshkruan dhjetëra kontrata bashkëpunimi dhe disa prej tyre po zbatohen më së miri. ''Franca dhe Irani kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe dy qeveritë kanë vullnet serioz në forcimin e marrëdhënieve në interes të të dy popujve''-deklaroi presidenti iranian duke shtuar:'' Irani ka zbatuar të gjitha angazhimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe natyrisht që kërkon që edhe pala tjetër të zbatojë me përpikmëri angazhimet e saj. Ruhani kërkoi bashkëpunim mes Iranit dhe Francës në luftën kundër terrorizmit dhe theksoi se të gjithë e dinë se cilat vende i furnizojnë terroristët me armë dhe para. Kryetarin i Asamblesë Kombëtare të Francës z. Claude Bartolone, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Iranit në zhvillimet rajonale dhe në luftën kundër terrorizmit, theksoi:'' Teherani dhe Parisi kanë pikëpamje të përbashkëta në lidhje me shumë çështje rajonale e ndërkombëtare dhe duke bashkëpunuar mund të ndikojnë në zgjidhjen e shumë krizave në rajon dhe në botë.''

Javën e kaluar, u bë e ditur se eksporti i gazit të Iranit kaloi kuotën e 20 miliardë m3. Hamidreza Eraki, drejtori ekzekutiv i kompanisë kombëtare të gazit të Iranit, deklaroi: "Sasia e eksportit të gazit të Iranit ka shënuar rritje me 13.6% dhe ka arritur në 20.3 miliardë m3 në tre vitet e kaluara. Drejtori ekzekutiv i kompanisë kombëtare të gazit të Iranit në vazhdim tha se eksporti stabil i gazit është bërë shkak që të krijohet një besim ndërkombëtar tek industria e gazit të Iranit dhe kjo industri përveçse plotëson nevojat e sektorëve të ndryshëm brenda Iranit, është shndërruar në një industri fitimprurëse për Iranin.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave i Iranit deklaroi se Republika Islamike e Iranit nuk e njeh zyrtarisht listën me emrat e personave dhe institucioneve iraniane të sanksionuara nga OKB dhe SHBA. Ali Taip Nia, ministër i Ekonomisë dhe Financave, duke reaguar ndaj vendimit të Unionit ndërkombëtar të luftës kundër pastrimit të parave (FATF), deklaroi se zbatimi i sanksioneve të OKB brenda Iranit kundër personave dhe institucioneve financiare e bankare të vendit nuk ka legjitimitet dhe është krejtësisht i papranueshëm. Ai shtoi se në marrëveshjen bërthamore nuk ekziston ndonjë klauzolë që e obligon Iranin të mos u ofrojë shërbime financiare dhe bankare personave dhe institucioneve të sanksionuara nga OKB dhe kjo çështje është jashtë kompetencave të qeverisë iraniane.

Javën e kaluar, ekipi iranian i volejbollit Banka e Investimit duke fituar ndaj ekipit Al Arabia të Katarit u shpall fitues i Kupës së kampionëve të Azisë. Në këtë kampionat që u zhvillua në Mianmar, ekipi Banka e Investimit fitoi 3:1 përballë ekipit katariot duke u shpallur kampion i Azisë për klube dhe duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në kampionatin botëror të volejbollit për klube që organizohen pas një muaji në Brazil.

 

 

Tags