Shtator 24, 2016 09:25 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në vazhdim të edicionit të kaluar, do të vazhdojmë prezantimin e Khaxhe Nasirudin Tusi, filozof, jurist fetar, matematicien, astronom dhe poet i njohur iranian i shekullit të shtatë hixhri kameri.

Thamë se Muhamed bin Hasan Xhahrudi Tusi i njohur me epitetin Khaxhe Nasirudin Tusi ka lindur në vitin 597 hixhri kameri (1201), në qytetin Tus në verilindje të Iranit. Mësimet e para në shkencat fetare i mori pranë babait të tij dhe më pas pranë dajës së tij Nurudin Muhamed bin Ali, mësoi shkencën e hadithit dhe mësimet fillestare të logjikës dhe filozofisë. Në fillim të rinisë së tij shkoi në qytetin Nishabur për të vazhduar shkollimin. Ky qytet në atë kohë ishte një prej qendrave të rëndësishme shkencore të botës islame. Ai shumë shpejt zotëroi të gjitha shkencat e kohës së tij. Në kohën kur rajoni i Khorasanit u sulmua nga mongolët, Khaxhe Nasirudin Tusi shkoi në kalanë e ismailitëve dhe aty shkroi shumicën e veprave të tij. Halakukhan, sunduesi i Mongolëve, pasi sulmoi Iranin dhe pasi i dha fund sundimit të ismailitëve, Khaxhe Nasirudin Tusin e mori në shërbim të vet dhe praktikisht atë e emëroi në postin e vezirit të tij. Halakukhan duke u këshilluar me Khaxhe Nasirudin Tusin dhe pavarësisht kundërshtimit të disa funksionarëve të tjerë, e pushtoi Bagdadin. Pas këtij pushtimi të madh, Khaxhe Nasirudin Tusi u emërua për ndërtimin e observatorit të Maraghes. Ky observator ishte një qendër e madhe shkencore dhe hulumtuese me një bibliotekë me mbi 400 mijë libra. Në këtë qendër zhvilloheshin edhe programe arsimore për mësimin e shkencave të ndryshme.

Khaxhe Nasirudin Tusi zotëronte shumë shkenca të kohës së tij sidomos jurisprudencën islame, filozofinë, apologjetikën, logjikën, matematikën, astronominë dhe etikën, prandaj në shumë prej këtyre shkencave ka shkruar vepra të vlefshme. Nga Khaxhe Nasirudin Tusi kanë mbetur mbi 150 vepra që përbëhen nga librat, resalet dhe letrat e tij. Studiuesit besojnë se nga pesë librat që ai ka shkruar në shkencën e logjikës, vepra "Esasul-Ektebas" është më e njohura në këtë fushë. Khaxhe Nasirudin Tusi kishte një zotësi të veçantë në shkencën e matematikës dhe ka shkruar vepra me vlerë shumë të madhe në këtë fushë. Veprat më të njohura të tij në matematikë është vepra që përfshinë llogaritjen, gjeometrinë dhe trigonometrinë e cila titullohet "Xhavami'ul-hisab bil-takht va el-turab", pastaj vepra me titull "Resale Al-Shafije" dhe vepra tjetër e njohur e tij në këtë fushë titullohet "Keshful-kina'a an esrari sheklil-kita'a". Ai i ishte shkencëtari i parë i cili në këtë libër ka zhvilluar trigonometrinë në mënyrë të pavarur nga astronomia.

Veprat e Khaxhe Nasirudin Tusi në matematikë kanë disa privilegje më shumë në krahasim me paraardhësit e tij në këtë fushë. Një prej tyre është kjo që Khaxhe Nasirudin Tusi kishte një zgjuarsi të jashtëzakonshme në nxjerrjen e ligjeve të matematikës, në vendosjen e formave dhe në konkludimin rreth problematikave të kësaj shkence, ndërsa pasi zotëronte në nivel shumë të lartë bazat dhe çështjet themelore si gjeometrinë, arriti t'i bazojë mbi hipoteza çështjet e vijave të paraleleve gjeometrike dhe të paraqesë çështje të caktuar duke i shoqëruar ato me argumente përkatëse, që matematicienët para tij nuk kishin arritur ta bëjnë një gjë të tillë. Khaxhe Nasirudin Tusi ishte shkencëtari i parë i cili caktoi gjashtë gjendje për trekëndëshat drejtkëndëshe sferike. Hulumtimet e Khaxhe Nasirudin Tusi në trigonometri përputhen me hulumtimet e shkencëtarëve të epokës bashkëkohore në Evropë, prandaj për këtë arsye emri i këtij shkencëtari të madh iranian përmendet në librat e trigonometrisë.

Ky shkencëtar i madh iranian ka shkruar shpjegime edhe rreth veprave të disa matematicienëve të Greqisë së Vjetër si Euklidi, Arkimedi dhe Ptolemeu. Karakteristikë e këtyre shpjegimeve të Khaxhe Nasirudin Tusi është kjo që ai nuk ishte vetëm një transmetues i thjeshtë i këtyre veprave, por ai ishte një studiues dhe një shkrimtar i nivelit të lartë i cili ka paraqitur konceptet në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë deri në atë masë saqë e ka bërë shumë të lehtë shkencën e matematikës për studiuesit e kohës së tij dhe për gjeneratat e tjera që dëshirojnë ta studiojnë këtë shkencë. Me fjalë të tjera, Khaxhe Nasirudin Tusi arriti të korrigjojë dhe editojë edhe shumë përkthime të vjetra në matematikë duke krijuar në realitet vepra të reja në këtë drejtim të cilat ishin pa mangësi në mënyrë që nxënësit me lehtësi shumë të madhe të lexojnë dhe mësojnë veprat e shkencëtarëve grekë në fushën e matematikës.

Veprat më të njohura të Khaxhe Nasirudin Tusit në shkencën e astronomisë janë veprat "Zixh Ilkhani" (Kalendari Ilkhanian) dhe "Tedhkiretu fi ilmul-hejeti". Ai gjithashtu ka shkruar edhe veprën "Tansukname" dhe disa libra të tjerë në fushën e observimit të yjeve. Libri "Tedhkiretu fi ilmul-hejeti" i Khaxhe Nasirudin Tusi ndoshta mund të konsiderohet kritika më e plotë mbi astronominë e Ptolemeut në shekujt e Mesjetës dhe njihet si i vetmi model matematikor i ri për lëvizjen e planetëve. Ky libër sipas shumë mundësive, nëpërmjet teksteve të astronomëve të Bizantit, ka ardhur në dorë të Kopernikut dhe përmbanë novacionet astronomike të Kopernikut me përjashtim të hipotezës së sistemit heliocentrik të tij. Një tjetër privilegj i veprave të Khaxhe Nasirudin Tusit është shpikja e veglave dhe e mjeteve të sakta për observatorin e Maraghes të cilat nuk ndodheshin në observatorët e mëparshëm. Ai në këtë mënyrë arriti ta zhvillojë shkencën e plejadës deri në nivelin më të lartë të saj.

Khaxhe Nasirudin Tusi pavarësisht se ka zhvilluar një veprimtari të ngjeshur në sferën politike dhe shoqërore, por rruga më e qartë të cilën e prezanton ai për të arritur në botën e amshueshme është feja. Edhe pse në të gjitha veprat e tij flet për pavarësinë dhe njohurinë, mirëpo në mënyrë të hapur thotë se shkenca arrihet vetëm nëpërmjet rrugës së besimit dhe fesë kurse të vërtetën e shkencës e konsideron fenë e cila qetëson shpirtrat dhe trupat e lodhur. Khaxhe Nasirudin Tusi më shumë është i njohur si astronom dhe observatori i tij konsiderohet një institut shkencor në historinë e shkencës. Vepra e tij "Tansukname" nga aspekti i tematikës vetëm në krahasim me veprën e Abu Rejhan Biruni "Kitabul-xhemahir fi ma'rifetil-xhevahir", pozicionohet në shkallën e dytë si më e rëndësishme. Tusi është një prej filozofëve të parë islam i cili ka ringjallur mësimet peripatetike të Ibën Sinas të cilat përgjatë dy shekujve kishin mbetur në kuadër të shkencës së apologjetikës. Ai është simboli i fazës së parë të komponimit të shkollave peripatetike dhe iluministe. Vepra e Khaxhe Nasirudin Tusit "Akhlake Naseri" ishte vepra më e përhapur dhe më e njohur në fushën e moralit tek myslimanët e Indisë dhe të Iranit. "Taxhridul-Akajid" është vepra tjetër e tij në shkencën e apologjetikës që përbënë bazat e teologjisë parimore të shkollës shiite. 

Në vitin 672 hixhri kameri, Khaxhe Nasirudin Tusi me një grup të nxënësve të tij, shkoi në Bagdad për të mbledhur veprat e plaçkitura nga mongolët dhe për t'i sjellë ato në Maraghe, mirëpo vdekje nuk ia mundësoi atij të realizojë këtë qëllim dhe më 18 dhilhixhe të po atij viti, vdiq në rajonin Kazemein në afërsi të Bagdadit. Khaxhe Nasirudin Tusi ishte një yll i shndritshëm i cili shkëlqeu në horizontin e errët të mongolëve dhe në çdo qytet që ka shkuar, e ka ndriçuar atë me dritën e urtësisë, shkencës dhe moralit. Ishte mrekulli që një shkencëtar i tillë të jetojë në atë botë të errët. Xhorxhi Zejdan, shkrimtar i krishterë, në lidhje me Khaxhe Nasirudin Tusin shkruan: "Shkenca nëpërmjet këtij iraniane ka shkuar edhe në rajonet më të largëta të Mongolisë, thuaj se ai ishte një dritë ndriçuese në qiellin e errët".

Khaxhe Nasirudin Tusi nuk mund të konsiderohet vetëm një shkencëtar në laps dhe libra. Ai jetën e tij kurrë nuk e përmblodhi vetëm në fjalë dhe nocione. Aty ky ishte fjala për moralin dhe dinjitetin njerëzor, ai mbi të gjitha preferonte vlerat hyjnore dhe islame. Ai ishte liruar nga burgu i egos dhe egoizmit. Ky është një burg që njeriu vetëm me shkencë dhe dituri nuk mund të lirohet nga ai, sepse lirimi nga ky burg mund të bëhet vetëm me besim në Zotin e madhëruar dhe me devotshmëri dhe vepra të mira. Pavarësisht se kanë kaluar shumë shekuj nga koha kur ka jetuar ai, mirëpo fjalët dhe veprat e tij gjithmonë janë të gjalla në qarqet e ndryshme shkencore.