Prill 28, 2018 09:16 CET

Në këtë edicion do të njihemi me mendimtarin iranian Khaxhe Jusef Hamedani

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore”. Në këtë edicion do të njihemi me një tjetër personalitet të shquar të misticizmit iranian dhe ai është Khaxhe Jusef Hamedani.

Khaxhe Abu Jakub, Jusef bin Hasan Buzanxherdi Hamedani ka lindur në vitin 440 hixhri kameri (1049 të erës së re) në fshatin Buzanxherd në rrethin e qytetit Hamedan të Iranit. Ky fshat deri në fillim të pushtimit të Mongolëve, ka qenë një zonë e banuar, por më pas është shkatërruar. Khaxhe Jusef Hamedani pas mësimeve fillore, në moshën 18 vjeçare shkoi në Bagdad dhe vazhdoi shkollimin në shkollën Nizamija pranë Shejkh Abu Is'hak Shirazi i cili në atë kohë ishte një prej dijetarëve të shquar të kohës, ku Khaxhe Jusef Hamedani mësoi shkencat e ndryshme islame si fikhun, hadithin dhe apologjetikën. Shejkh Abu Is'hak Shirazi i cili në atë kohë ishte mësimdhënës dhe kryetar i shkollës Nizamie të Bagdadit, kishte një admirim të veçantë ndaj Khaxhe Jusef Hamedanit dhe i jepte përparësi atij ndaj shumë nxënësve të tjerë, pavarësisht se ai ishte akoma i ri. Në atë kohë Bagdadi ishte një arenë e polemike dhe debateve të shumta shkencore mes dijetarëve fetarë të shkollave të ndryshme islame sidomos mes hanbelive dhe shafii'ive. Për shkak të kësaj atmosfere, Khaxhe Jusef Hamedani në shkencën "Khalaf dhe Nadhar" arriti një zotërim të madh dhe u bë specialist në këtë fushë dhe shumë vite më vonë, atëherë kur ishte në moshën 65 vjeçare dhe kishte arritur kulmin e pjekurisë, Khaxhe Jusef Hamedani si një ligjërues i shquar fetar dhe si një sufist i madh, përsëri shkoi në Bagdad dhe pikërisht në atë shkollë Nizamije të Bagdadit mbajti kuvende të ligjërimit dhe klasë për mësimdhënie.  

Khaxhe Jusef Hamedani pasi mësoi pranë dijetarëve të dalluar të Bagdadit, udhëtoi drejt Esfahanit, Semnanit dhe Khorasanit ku u njohë me dijetarët e shquar të asaj kohe si me Shejkh Abu Abdullah Xhuvejni, Shejkh Hasan Semnani dhe sidomos me Shejkh Abu Ali Faramadi dhe rruga e tij në misticizëm lidhet me këtë të fundit. Më pas, Khaxhe Jusef Hamedani shkoi në Samarkand, Bukhara, Marv dhe Herat dhe në këto qytete u mor edhe me edukimin e nxënësve të tij. Khaxhe Jusef Hamedani gjatë kohës së qëndrimit në qytetin Marv ndërtoi një Khangha (teqe) të pashembullt për udhëzimin dhe edukimin e muridëve të tij dhe në këtë vend një numër i madh i nxënësve ishin përkushtuar në asketizëm dhe në adhurimin e Zotit. Ibn Khalekan e ka përshkruar teqenë e Khaxhe Jusef Hamedani si të pashembullt. Historiani i njohur iranian Sam'ani i cili ka dhënë informacionet më të vjetra në lidhje me Khaxhe Jusef Hamedanin, është takuar me atë në teqenë e tij në Marv. Gjithashtu poeti i njohur iranian Senaij që sipas disa burimeve ishte në mesin e nxënësve të Khaxhe Jusef Hamedanit, pas krijimit të veprës-poemës "Hadikatul-Hakikatu", për një periudhë ka qëndruar në Marv në teqenë e Khaxhe Jusef Hamedani ku është marrë me kalimin e rrugës Sejrosuluk dhe konsiderohej një prej mirdëve të tij.

Khaxhe Jusef Hamedani kryesisht pjesën e fundit të jetës së vet e ka kaluar në Marv dhe Herat derisa në vitin 535 hixhri kameri (1141 të erës së re) kur me ftesë të popullit të qytetit Marv, ishte nisur nga qyteti Herat për në Marv, në rrugën mes qytetit Herat dhe Baghshur në rajonin Basdghejs në qytetin Bamin vdiq dhe u varros në këtë qytet, ndërsa më pas një prej muridëve të tij me emrin Ibn Naxhar eshtrat e tij i transferoi në qytetin Marv dhe trupi i tij ndodhet në varrin aktual që ndodhet në këtë qytet. Aktualisht varri i tij ndodhet në një vend me emrin Biram Ali, 30 km në veri të qytetit aktual Marv dhe njihet me emrin tyrbja e Khaxhe Jusef Hamedanit e vizitohet nga njerëz të ndryshëm.

Khaxhe Jusef Hamedani për udhëzimin e muridëve dhe edukimin e individëve që synonin rrugën e përkryerjes shpirtërore Sejosuluk, katër persona prej muridëve të dalluar të tij i ka zgjedhur në postin e zëvendësit të vet, prandaj muridët dhe nxënësit pas vdekjes së Khaxhe Jusef Hamedani, kanë ndjekur këto katër persona në edukimin dhe kalimin e fazave të asketizmit dhe misticizmit. Khaxhe Jusef Hamedani së bashku me një prej nxënësve të dalluar të tij do të thotë Khaxhe Abdulkhalik Ghaxhdevani themeluan një tarikat të njohur në misticizëm dhe gnosticizëm, një tarikat që më vonë u plotësua nga Behaudin Muhamed dhe që nga ajo kohë njihet me emrin Tarikati Nakshbendije i cili përbënë një prej hallkave më të mëdha të misticizmit Islam. Tarikati Nakshbendije të cilin e ka filluar Khaxhe Jusef Hamedani përgjatë shekujve më vonë krijoi një prej degëve më të mëdha të misticizmit të përhapur edhe në Azinë e Vogël, Transoksiani, Afganistan, Turkmenistan, Indi, Irak, Iran, Turqi, Afrikë Veriore etj..

Profesori i njohur iranian Sa'id Nafisi ka botuar veprën "Resale Sahibije" të Abdulkhalik Ghaxhdevani e cila është shkruar rreth personalitetit të Khaxhe Jusef Hamedani dhe kjo vepër konsiderohet vepra më e rëndësishme në lidhje Khaxhe Jusef Hamedani. Mirëpo më vonë Dr. Muhamed Amin Rijahi ka zhvilluar hulumtime të çmuara në lidhje me Khaxhe Jusef Hamedanin dhe beson se të dhënat e këtij libri duke përfshirë origjinën dhe kohën e Khaxhe Jusef Hamedani dhe gjithashtu vendin e lindjes dhe vdekjes si dhe imazhin e paraqitur rreth personalitetit të tij, nuk përputhet me personalitetin e vërtetë të këtij gnostiku të shquar iranian. Sipas tij, Khaxhe Jusef Hamedani më së miri mund të njihet duke u bazuar në të vetëm vepër të tij e cila titullohet "Rutbetul-Hajat".

E vetmja vepër që ka mbetur nga Khaxhe Jusef Hamedani është libri "Rutbetul-Hajat" e cila nga aspekti i sasisë, është një libër i vogël, por nga aspekti i përmbajtjes, konsiderohet një libër shumë i çmuar për hulumtim. Kjo vepër është shkruar në formën pyetje-përgjigje në lidhje me jetën e njeriut dhe shkallët e ndryshme shpirtërore dhe morale të tij. Proza e tij është e thjeshtë, e pjekur dhe e lehtë për ta kuptuar. Në këtë vepër janë dhënë informacione të reja, prandaj edhe fjalët dhe terminologjia e përdorur në përputhje me informacionet, janë të freskëta dhe novatore.

Khaxhe Jusef Hamedani në librin "Rutbetul-Hajat", gnosticizmin e tij e shpreh nëpërmjet polemikave dhe argumentimit dhe vepra e tij në mesin e veprave mistike persiane, konsiderohet ndër të parat e llojit të vet. Dr. Muhamed Amin Rijahi i cili ka bërë edhe editimin e kësaj vepre, thotë: "Khaxhe Jusef Hamedani është prej gnostikëve të parë që ka hapur rrugën e shkrimit të veprave gnostike në gjuhën persiane". Disa studiues besojnë se veprat "Menazil Al-Sairin va Menazil Al-Salikin" është një prej veprave të Khaxhe Jusef Hamedani, mirëpo deri më tani nuk është gjetur ndonjë manuskript ose dorëshkrim i kësaj vepre.

Khaxhe Jusef Hamedani ishte një ligjërues fetar gnostik dhe gnosticizmin e tij e ka paraqitur nëpërmjet polemikave dhe argumentimit që sipas shumë studiuesve, kjo çështje deri në një masë të madhe është e lidhur me metodën e shkollimit të tij në shkollën Nizamije të Bagdadit. Sipas mendimit të historianit Sam'ani, bashkëkohanik i Khaxhe Jusef Hamedani dhe një prej burimeve më të vjetra rreth këtij personaliteti, Khaxhe Jusef Hamedani pranë Shejkh Abu Is'hak Shirazi ka mësuar shkencat islame dhe metoda e tij e shkollimit vërehet edhe në veprën "Rutbetul-Hajat" si dhe në disa tregime që janë transmetuar rreth tij.

Duke i hedhur një vështrim gjendjes shoqërore dhe shkencore të kohës së Khaxhe Jusef Hamedani, vërejmë se fanatizmi, ishte një metodë e përhapur dhe e zakonshme në mesin e gnostikëve të shekullit të pestë hixhri kameri, sepse në atë kohë përveç vendosjes në zbatim të politikave fetare të dinastisë Ghaznevite dhe Selxhuke, edhe shkolla Esh'arije kishte ushtruar ndikim të madh mbi rritjen e fanatizmit dhe mendimit të ngushtë në fushën e shkencave dhe të mendimit. Në këtë periudhë, sufistët dhe mistikët më nuk kishin në mesin e vet sufistët me mendim të lirë si Bajezid Basatami dhe Hasan bin Mansur Halaxh, mistikë të njohur të shekullit 3 dhe 4 h.k.. Në atë kohë Shejkh Xham, Khaxhe Abdullah Ansari dhe Imam Muhamed Ghazali konsideroheshin tre shtylla të mëdha të gnosticizmit të asaj kohe dhe ishin shembull të plotë të fanatizmit. Mirëpo në këtë periudhë Khaxhe Jusef Hamedani ishte një "pir" largpamës, me mendim të lirë dhe me një gjendje të vrullshme në misticizëm deri në atë nivel sa që disa studiues personalitetin e tij e krahasojnë me atë të Abul-Hasan Kharghani, të Abu Sa'id Abul-Khejr dhe të Baba Taher Hamedani.

Nga mesi i gnostikëve, personalitetin e Khaxhe Jusef Hamedanit e kanë konsideruar më të afërt me personalitetin e Imam Muhamed Ghazali (shekulli i pestë hixhri kameri). Kriter i ngjashmërisë mes këtyre dy personaliteteve është kjo që të dy këta ishin nxënës të gnostikut të madh Abu Ali Faramadi dhe të dy këta personalitete ishin ndër gnostikët e parë të cilët misticizmin nga fjalët e thjeshta dhe të shpërndara e nxorën dhe e prezantuan në formë të parimeve të hartuara në përputhje me Sheriatin Islam. Edhe pse Muhamed Ghazari me numrin më të madh të veprave është më i njohur, por Khaxhe Jusef Hamedani nga aspekti i edukimit të më shumë muridëve dhe gjithashtu me themelimin e një prej tarikateve të mëdha në tesavuf, ka më tepër reputacion mistik.

Tags