Prill 28, 2018 09:15 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore. Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të vazhdojmë me shqyrtimin e veprës Masnavi të këtij poeti të pashoq iranian dhe do të flasim edhe për stilin e veçantë të Mevlanas në tregim.

Thamë se studiuesit tregimet e Masnavisë nga aspekti i temë i ndajnë në katër tema: tregimet gnostike, tregimet filozofike, tregimet kur'anore dhe tregime alegorike. Përmbajtja e shumicës së tregimeve të Masnavisë, është përmbajtje gnostike. Kjo është për arsye se nga pikëpamja e Mevlanas, tregimi ka një shpirte dhe një trup. Trupi i tregimit e përbënë llojin dhe mënyrën e transmetimit të tregimit që nuk tërheqin shumë vëmendjen e Mevlanas. Mirëpo shpirti i tregimit në të cilin Mevlana tregon një vëmendje dhe përkushtim të veçantë, përbënë pikërisht ato shtresat e fshehura të tregimit dhe konceptet gnostike. Në realitet tregimi është një prej mjeteve kryesore të Mevlanas i cili e shfrytëzuar këtë mjet në nivel të lartë për të shprehur mendimet dhe për të paraqitur mësimet e tij.

Mevlana në transmetimin e tregimit ka përdorur metoda të ndryshme. Në mesin e tregimeve të Masnavisë ndeshemi me disa tregime të cilat janë më të gjata se disa tregime të tjera. Mevlana në këtë lloj të tregimeve me qëllim që gjatësia e tregimit të mos mërzit lexuesin, ka shfrytëzuar alegori të ndërthurura dhe ka përdorur një strukturë episodike. Natyrisht se këto struktura episodike të tregimit, edhe reduktojnë lodhjen e lexuesit dhe ndihmojnë lexuesin për të kuptuar më mirë tregimin. Për shembull, Mevlana në tregimet "Mbreti dhe Robëresha", "Papagalli dhe Dyqanxhiu" dhe "Luani dhe Lepuri" ka përdorur më së miri këtë metodë. Ai në brendësi të këtyre tregimeve në çdo vend që e ka pa të nevojshme, duke transmetuar një tregim tjetër, e ka bërë më të qartë mendimin e vet. Në realitet, shumica e këtyre tregimeve të cilat janë transmetuar në brendësi të tregimeve kryesore, janë shpjegim dhe komentim që ka shkruar Mevlana mbi tregimin e kryesor të tij.   

Në raste të tilla, tregimi kryesor është sikur një ram i fotografisë i cili në vete përmban edhe dërgime të tjera më të vogla, me fjalë të tjera rami kryesor është një kornizë mbi të cilën vendosen tregimet e tjera më të vogla. Supozojmë se korniza e jonë transmetuese është një këshill didaktike ose një alegori të cilën Mavlana dëshiron t'i japë lexuesit, prandaj menjëherë paraqiten edhe tregime të tjera mbi këtë kornizë si shembull për ta shpjeguar më mirë mësimin.

Dr. Takipur, një prej studiuesve të njohur bashkëkohor të Mevlanas, në lidhje me cilësinë e metodës "tregim në tregim" në tregimet e Mevlanas, thotë: "Transmetimi i tregimit në tregim që në Masnavi është një metodë e pëlqyer në masë të madhe nga Mevlana edhe pse si metodë ka një historik më të vjetër dhe vërehet edhe në veprat e tjera të krijuara në poezi dhe prozë si "Sandbadname", "Kelile va Dimne" si dhe në poemat e Atar Nishaburit, mirëpo në asnjë prej këtyre veprave nuk mund të gjendet një ngjashmëri aq e madhe me atë të Masnavisë. Në këto vepra, autorët këto tregime dhe alegori i transmetojnë me vetëdije të plotë dhe si shembull dhe argument për të shprehur mendimet dhe idetë e veta etike dhe gnostike ose si argument për të vërtetuar vërtetësinë e mendimeve të tyre. Metoda e shprehjes së ideve dhe sjellja e alegorive si shembull për vërtetësinë e tyre, e gjitha është e njohur deri në nivelin e pritjes së lexuesit dhe deri në nivelin e eksperiencave të oratorisë. Në veprat e tjera, kontrolli i tregimit dhe alegorive është në duar të autorit dhe autori i transmeton ato në një drejtim të caktuar paraprakisht dhe për atë qëllim që dëshiron. Mirëpo në Masnavi ndjehet se kontrolli i tregimit nuk është në duar të Mevlanas, por janë tregimet, talentet dhe  mundësitë strukturale të dukshme dhe të padukshme të cilat nxjerrin nga mendja e Mevlanas një thesar me plotë mendime në raste të ndryshme dhe në përputhje me ngjarjet që krijohet në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme. Ato e bredhin Mevlanan nëpër mendime ose tematika të ndryshme".

Nga ana tjetër, alegori të tilla njëra në brendësi të tjetrës gjatë tregimeve të gjata, janë bërë shkak që të largohet vëmendja e lexuesit nga rrjedha e tregimit, do të thotë zinxhiri i tregimit të këputet në mendjen e lexuesit. Për shembull, në tregimin "Plaku me harpë" i cili është një prej tregimeve më të njohura të Mevlanas, lexuesi kryesisht përballët me këtë problem. Tregimi fillon me këtë varg:

A ke dëgjuar që në kohën e Omarit

Ishte një mjeshtër i Harpës me talent dhe mjeshtëri të rrallë

Mevlana e ka zgjatur këtë tregim (në mbi 170 vargje) dhe me anë të episodeve të ndryshme, e ka zgjeruar aq shumë tregimin sa që lexuesi mendon se tregimi kryesor që i përket "Plakut me harpë", ka përfunduar. Kjo çështje është bërë shkak që Mevlana për të vazhduar tregimin është detyruar përsëri të sjell titullin "Vazhdimi i tregimit Plaku me harpë dhe shpjegimi i sinqeritetit të tij". Pastaj tregimi "Profeti s.a.v.s. dhe Zejdi" dhe tregimi "Xhamia vrasëse e ashikëve", gjithashtu janë të tillë.  

Struktura e "tregim në tregim" ka ekzistuar dhe ishte e përhapur edhe në periudhën para Mevlanas dhe mund të vërehet në shumë tregime klasike të letërsisë persiane si në veprën "Kelile va Dimne", "Marzbanname", Sandbadname" por edhe në "Shahname" të Firdosit.

Tregimet e Masnavisë, kryesisht nga vështrimi i temës, janë tregime alegorike. Stili i transmetimit të tregimeve, është stili klasik i periudhës para shekullit 7 hixhri kameri, në mënyrë që lashtësia e gjuhës në këto tregime nuk vërehet në veprat e tjera të Mevlanas. Rima poetike e veçantë e këtyre tregimeve, lashtësia e fjalëve dhe e gjuhës, jozbukurimi leksikor dhe semantik, lloji letrar i tregimeve, paraqitja e koncepteve gnostike; janë karakteristika të cilat stilin e tregimeve të Masnavisë e kanë paraqitur në formën e një stili personal të Mevlanas.

Tematikat e gati të gjitha tregimeve të Masnavisë janë etike, gnostike dhe didaktike. Elementi i kohës dhe vendit në shumicën e tregimeve është i paqartë dhe me përjashtim të disa rasteve, skenari i shumicës së tregimeve nga aspekti kohor, është i paqartë. Tregimet nga aspekti i tonit të brendshëm, do të thotë nga aspekti i logjikës që sundon mbi shprehjet dhe zgjedhjes së fjalëve të veçanta, është i suksesshëm. Mevlana ka zgjedhur fjalët e përshtatshme për çdo personazh të tregimit, dhe pikërisht ky faktor është bërë shkak për forcimin e punës së tij. Mevlana në shumicën e këtyre tregimeve, si një transmetues ka respektuar distancën e tij me personazhet e tregimit. Mevlana për ta paraqitur tregimin në mënyrë sa më të vërtetë, përveçse ka respektuar logjikën e shprehjes në gjuhën e personazheve, disa prej tregimeve i ka transmetuar edhe nëpërmjet gjuhës së prijësve fetare dhe personaliteteve të njohura ose ka përdorur edhe personalitete historike për transmetimin e këtyre tregimeve. Mevlana në këtë mënyrë ka arritur të paraqesë veprat e tij në mënyrë më të vërtetë. Personazhet e paraqitur në tregime ose shumica e tyre janë të njohura për lexuesin ose nëse nuk janë kështu, atë futen në tregim me emër të pashquar për të theksuar më shumë në përmbajtjen e tregimit. Mevlana nganjëherë personazhet e tregimit të tij i prezanton me përemër dëftor "ai" ose ky" që në gjuhën persiane janë fjalët "An" dhe "In" dhe përdorën në trajtën e shquar, mirëpo në realitet ato janë të panjohura.

Një prej elementëve kryesore të tregimit është plani apo skica e tregimit. Plani përbënë skeletin dhe bazën kryesore të tregimit e cila që nga fillimi e deri në fund, e shoqëron tregimin në formën e një modeli të unifikuar. Plani e nxit lexuesin të kërkojë arsyen e ngjarjeve dhe aventurave të tregimit. Në çështjen e planit të tregimeve, shqyrtimi i marrëdhënies mes shkakut dhe pasojës së pjesëve të tregimit, ka rëndësi të madhe. Mevlana në shumicën e tregimeve të Masnavisë, por edhe në shprehjen e tematikave gnostike, ka respektuar lidhjen e shkakut dhe pasojës mes pjesëve të tregimit. Mevlana si një shkrimtar dhe transmetues i tregimeve, ka treguar se ka njohur shumë mirë tregimet e mëparshme dhe i ka rikrijuar ato në përputhje me mendimin dhe qëllimin e vet.

Tags