Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".
Në vazhdim të edicionit të kaluar, do të vazhdojmë prezantimin e Khaxhe Nasirudin Tusi, filozof, jurist fetar, matematicien, astronom dhe poet i njohur iranian i shekullit të shtatë hixhri kameri.
Thamë se Muhamed bin Hasan Xhahrudi Tusi i njohur me epitetin Khaxhe Nasirudin Tusi ka lindur në vitin 597 hixhri kameri (1201), në qytetin Tus në verilindje të Iranit. Mësimet e para në shkencat fetare i mori pranë babait të tij dhe më pas pranë dajës së tij Nurudin Muhamed bin Ali, mësoi shkencën e hadithit dhe mësimet fillestare të logjikës dhe filozofisë. Në fillim të rinisë së tij shkoi në qytetin Nishabur për të vazhduar shkollimin. Ky qytet në atë kohë ishte një prej qendrave të rëndësishme shkencore të botës islame. Ai shumë shpejt zotëroi të gjitha shkencat e kohës së tij. Në kohën kur rajoni i Khorasanit u sulmua nga mongolët, Khaxhe Nasirudin Tusi shkoi në kalanë e ismailitëve dhe aty shkroi shumicën e veprave të tij. Halakukhan, sunduesi i Mongolëve, pasi sulmoi Iranin dhe pasi i dha fund sundimit të ismailitëve, Khaxhe Nasirudin Tusin e mori në shërbim të vet dhe praktikisht atë e emëroi në postin e vezirit të tij. Halakukhan duke u këshilluar me Khaxhe Nasirudin Tusin dhe pavarësisht kundërshtimit të disa funksionarëve të tjerë, e pushtoi Bagdadin. Pas këtij pushtimi të madh, Khaxhe Nasirudin Tusi u emërua për ndërtimin e observatorit të Maraghes. Ky observator ishte një qendër e madhe shkencore dhe hulumtuese me një bibliotekë me mbi 400 mijë libra. Në këtë qendër zhvilloheshin edhe programe arsimore për mësimin e shkencave të ndryshme. Khaxhe Nasirudin Tusi zotëronte shumë shkenca të kohës së tij sidomos jurisprudencën islame, filozofinë, apologjetikën, logjikën, matematikën, astronominë dhe etikën, prandaj në shumë prej këtyre shkencave ka shkruar vepra të vlefshme. Në edicionin e kaluar kemi hedhur një vështrim mbi disa vepra të Khaxhe Nasirudin Tusit. Në vazhdim do të prezantojmë disa vepra të tjera të këtij shkencëtari të njohur iranian.
"Tahrire Usule Euklidis" ose "Parimet e Gjeometrisë" është vepra e parë në shkencën e gjeometrisë që i ka mbijetuar kohës deri tek ne në mënyrë të plotë. Libri i Euklidit, matematicienit të njohur grek në kohën e sundimit të dinastisë Abasite është përkthyer nga greqishtja në gjuhën arabe. Khaxhe Nasirudin Tusi në bazë të këtij përkthimi, ka rishkruar librin "Parimet e Gjeometrisë". Ky libër ka 13 artikuj dhe më pas i janë shtuar edhe dy artikuj të tjerë. Artikujt nga i pari deri në të gjashtin flasin rreth gjeometrisë deskriptive që ka të bëjë me format dydimensionale. Artikujt nga shtatë deri në dhjetë, trajtojnë llogaritjen dhe karakteristikat e numrave, ndërsa artikujt nga 11 deri në 13, i përkasin gjeometrisë hapësinore. Georg Sartoin, historian amerikan, në librin e tij "historia e Shkencave" thotë se ky libër i Khaxhe Nasirudin Tusit për shkak se ai ka ndjek Euklidin, për disa shekuj ka qenë i njohur mes shkencëtarëve të matematikës.
"Zixh Ilkhani" (Kalendari Ilkhanian) është një prej veprave më të njohura të Khaxhe Nasirudin Tusit që është shkruar në gjuhën persiane. "Zixh" në mesin e astronomëve është emri i një libri në të cilin shënohen gjendjet dhe lëvizjet e yjeve dhe trupave qiellor që fitohen duke observuar. Khaxhe Nasirudin Tusi pas përfundimit të observimit të yjeve, rezultatin e këtij observimi e ka shënuar në një libër të titulluar "Zixh Ilkhani" i cili përbëhet nga katër artikuj: Artikulli i parë është në njohjen e datave, artikulli i dytë është në njohjen e rrugës së lëvizjes së planetëve dhe pozicionet e tyre nga aspekti i gjatësisë dhe i gjerësisë dhe pasojat e tyre, artikulli i tretë është në njohjen e kohës dhe artikulli i katërt është në lidhje me veprimet e tjera. Khaxhe Nasirudin Tusi në parathënien e këtij libri ka folur në lidhje me historinë e Çangizkhanit dhe pasardhësve të tij, prandaj nga kjo parathënie kuptohet se ndërtimi i observatorit të Maraghes ka filluar në vitin 657 hixhri kameri. Në lidhje me këtë "Zejxh" janë shkruar disa shpjegime dhe komentime.
"Akhlake Naseri" është një libër në gjuhën persiane në filozofinë pragmatike dhe në etikë që Khaxhe Nasirudin Tusi e ka shkruar me kërkesë të Nasirudin Mohtasham, sunduesit të Kahestanit në Khorasanin Jugor. Ky libër është një prej librave me përmbajtje më të pasur në gjuhën persiane i cili është shkruar në shkencën e etikës dhe në filozofinë pragmatike. Çështjet kryesore dhe materiali i kësaj shkence përfshinë edukimin e sjelljes morale, administrimin e shtëpisë dhe qeverisjen e shtetit që filozofët për secilën nga këto tema kanë shkruar libra të veçanta. Mirëpo Khaxhe Nasirudin Tusi në librin "Akhlake Naseri" i ka përmbledhur të gjitha këto. Në pjesën e bazave hyrëse të këtij libri gjithashtu është shkruar në mënyrën më të mirë e gjithë ajo që duhet nga çështjet e filozofisë lindore për tu kuptuar temat e librit.
Disa vepra të Khaxhe Nasirudin Tusi janë shkruar në fushën e mjekësisë, mirëpo ai nuk ishte përkushtuar në shkencën e mjekësisë ashtu siç ishte përkushtuar në shkencën e matematikës, astronomisë, logjikës dhe filozofisë. Khaxhe Nasirudin Tusi për një periudhë ka mësuar shkencën e Mjekësisë pranë Kutbudin Misri, një prej dijetarëve të mëdhenj të mjekësisë dhe ishte nxënës i Imam Fakhru Razi. Siç duket pranë tij ai ka mësuar librin "Kanun" të Ibën Sina. Khaxhe Nasirudin Tusi në shkencën e mjekësisë në përgjithësi pajtohej me mendimet e mjekëve paraardhës si Razi, Ahvazi, Ibën Sina dhe me përkthyesit e mjekësisë islame. Ai ashtu sikur mjekët dhe dijetarët paraardhës në shkencën e mjekësisë si Razi dhe Ibën Sina, nuk është marrë me kurimin e të sëmurëve në spital, sepse kishte interesim më të madh në shkencat si matematika, astronomia dhe filozofia.
Khaxhe Nasirudin Tusi gjithashtu ka krijuar edhe poezi në gjuhën arabe dhe persiane saqë shumë historianë dhe biograf e konsideronin atë më tepër si poet. Khaxhe Nasirudin Tusi ishte gjithashtu një kritikë i saktë në fushën e letërsisë. Ky letrar dhe shkencëtar iranian ishte një prej njohësve të mirë të metrikës dhe poezisë, ndërsa kishte edhe nxënës si Homam Tabrizi dhe Ethirudin Umani. Në kohën kur shumica e shkencëtarëve iranianë veprat e tyre i shkruanin në gjuhën arabe, Khaxhe Nasirudin Tusi duke shkruar vepra të çmuara në gjuhën persiane, ka dhënë një kontribut të madh për gjuhën e letërsinë persiane. Oratoria dhe gjuha rrjedhëse e Khaxhe Nasirudin Tusit është një prej privilegjeve të tij në krahasim me dijetarët e tjerë. Stili i të shkruarit të Khaxhe Nasirudin Tusit përkundër shkrimtarëve të periudhës së sundimit mongol, ishte një stil i lehtë, i rrjedhshëm dhe i thjeshtë, ndërsa nga veprat e tij kuptohet se ai kishte zotësi të madhe në shkrimin e prozës dhe konsiderohej mjeshtër i madh në këtë fushë. Nga veprat e Khaxhe Nasirudin Tusi në fushën e teknikave letrare dhe të poezisë, mund të përmendën librat "Esasul-Ektebas", "Me'jarul-Ash'ar" dhe "Taxhridul-Mantik". Libri "Mejarul-Ash'ar" ose Metrika Persiane, është shkruar në vitin 649 hixhri kameri dhe trajton teknikën e poezisë. Libri "Taxhridul-Mantik" është shkruar në vitin 656 hixhri kameri dhe Khaxhe Nasirudin Tusi në kapitullin e fundit të tij ka trajtuar poezinë.
Libri i njohur me titull "Esasul-Ektibas" gjithashtu është vepra më e njohur e Khaxhe Nasirudin Tusit në shkencën e logjikës dhe është shkruar në gjuhën persiane në vitin 642 hixhri kameri. Ky libër përmbanë 9 artikuj dhe secili artikull trajton disa teknika, ndërsa artikulli i nëntë është rreth poezisë. "Esasul-Ektebas" pas veprës "El-Shifa" të Ibën Sinas që është shkruar në logjikë dhe filozofi, konsiderohet vepra më e madhe dhe më e rëndësishme që është shkruar në këtë shkencë.
Vepra më e rëndësishme e Khaxhe Nasirudin Tusit në shkencën e apologjetikës, titullohet "Taxhridul-Akajid". Kjo vepër është një prej veprave më të mira të përmbledhura shkurtimisht e cila është shkruar rreth parimeve të bindjeve. Khaxhe Nasirudin Tusi në parathënien e këtij libri ka shkruar: "Këtë libër e kam shkruar në bazë të stilit më të mirë dhe në këtë libër kam shkruar ato çështje të cilat janë vërtetuar për mua me argument dhe në të cilat kam krijuar besim. Ky libër është radhitur mbi disa objektiva, sëpari në lidhje me çështjet e përgjithshme, sëdyti në vërtetimin e Krijuesit dhe atributeve të Tij, sëtreti në profeci, sëkatërti në imamët dhe së pesti në botën tjetër dhe vërtetimin e saj". Ky libër që nga koha kur është shkruar ka tërheq vëmendjen e shumë njerëzve dhe shumë dijetarë kanë shkruar kritika dhe vlerësime në lidhje me këtë vepër. Khaxhe Nasirudin Tusi me shkrimin e veprës "Aosaful-Ashraf", ka vërtetuar pozitën e tij edhe si një gnostik. Khaxhe këtë libër e ka shkruar me kërkesë të Khaxhe Shamsudin Muhamed Xhuvejnit, ministrit të shquar iranian të dinastisë mongole Ilkhaniane, në të cilin ka trajtuar gjendjen e njeriut në Kiamet, në parajsë, në ferr dhe të tjera sipas metodës gnostike. Vepra "Aghaz va Anxham" që në disa manuskripte është titulluar "Mabda' va Me'ad" është një vepër tjetër e Khaxhe Nasirudin Tusit në të cilën është trajtuar fillimi dhe përfundimi i krijimit dhe Kiameti, parajsa, ferri dhe disa çështje të tjera sipas pikëpamjes gnostike. Nga ky shkencëtar i madh iranian kanë mbetur vepra edhe në shumë fusha të tjera shkencore si në jurisprudencë, në gjeografi, në studimin e minierave, në komentimin e Kur'anit, në arsim dhe edukim, në muzikë dhe në fushat e tjera shkencore.