Uniteti në botën islame
Në këtë edicion do të flasim rreth dy lëvizjeve të devijuara në mesin e myslimanëve sunitë dhe shiitë, do të thotë lëvizjes takfiriste dhe shiizmit anglez, të cilat duke shkelur qasjen për afrimitet të Ajetullah Boruxherdi dhe të Shejkh Shaltut, kanë luajtur një rol me ndikim në krijimin e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve dhe gjakderdhjeve mes myslimanëve.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Uniteti në botën islame". Në dy edicionet e kaluara kemi trajtuar idenë e formimit të Forumit për Afrimin e Medhhebeve Islame në mesin e dijetarëve shiitë dhe sunitë, si dhe rolin e tij në forcimin e unitetit të myslimanëve, ndërsa në mënyrë të veçantë kemi shqyrtuar mendimet dhe idetë e dy figurave prej themeluesve të kësaj organizate, do të thotë Shejkh Shaltut, ish-myftiun e madh të Egjiptit dhe Ajetullah Boruxherdi, një prej autoriteteve më të mëdha të botës shiite. Në edicionin e kaluar thamë se qasja për afrimitet e këtyre dy dijetarëve të mëdhenj fetar, sidomos fetvaja e njohur dhe e rëndësishme e Shejkh Shaltut ka ushtruar ndikim shumë të madh për unitetin dhe bashkimin e myslimanëve dhe në vendosjen e bazave të teorisë së unitetit islam. Në bazë të kësaj fetvaje, ndjekësit e katër shkollave sunite mund kthehen dhe të ndjekin edhe shkollat e tjera fetare si medhhebin 12 imamije (shkollën shiite). Kjo do të thotë se ata në lidhje me çështjet e ndryshme fetare mund t'i ndjekin dijetarët e këtij medhhebi. Në këtë edicion do të shpjegojmë bazat mendore dhe ideologjike dhe animet e dy lëvizjeve të devijuara në mesin e myslimanëve sunitë dhe shiitë, do të thotë lëvizjes takfiriste dhe shiizmit anglez të cilat duke shkelur qasjen për afrimitet të Ajetullah Boruxherdi dhe të Shejkh Shaltut kanë luajtur një rol me ndikim në krijimin e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve dhe gjakderdhjeve mes myslimanëve.
Takfiristët ose selefistët përbëjnë një prej lëvizjeve ideologjike dhe politike të myslimanëve sunitë që nuk pranojnë qasjen e afrimitetit të Shejkh Shaltut dhe duke hedhur poshtë fetvan e tij dhe sidomos duke lëshuar fetvan se lejohet vrasje e myslimanëve shiitë, kanë shtuar mosmarrëveshjet mes besimtarëve myslimanë. Selefizmi është një shkollë e cila mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të disa sahabëve të Profetit s.a.v.s. dhe të pasuesve të tyre (tabein), e konsideron argument fetar për jetën në periudhën bashkëkohore. Ndjekësit e kësaj bindje, njihen si të devijuar nga ky aspekt se nga njëra anë janë larguar nga standardet e katër shkollave sunite dhe nga ana tjetër, duke hapur rrugën e ixhtihadit në bazë të perceptimit të sahabeve të Profetit s.a.v.s., në realitet kanë hapur rrugën për paraqitjen e disa fetvave ekstreme të padrejta dhe sipas shijes së individëve. Natyrisht se kjo lëvizje ka rrënjë historike. Formimi i kësaj bindje ka filluar që nga shekulli i katërt hixhri kameri, mirëpo më pas është hartuar nga Ibën Tejmije dhe nxënësit e tij dhe në fund është ripërtërirë nga Muhamed bin Abdulvahab dhe përhapur nëpërmjet sunduesve të regjimit Al Saud në periudhën bashkëkohore. Në bazë të emrit të Muhamed bin Abdulvahab, selefistët quhen edhe me emrin vehabist. Në këtë mënyrë, takfirizmi është një term me të cilin emërohet një individ ose një lëvizje që kryesisht është krijuar nga leximet e ndryshme selefiste-vehabiste dhe akuzon myslimanët e tjerë për dalje nga feja vetëm për shkak se ata nuk pranojnë bindjen e kësaj lëvizje dhe kjo është kundër standardeve të njohura fetare.
Jusef Al-Kardavi është një prej atyre që ka luajtur rol me ndikim në teorizimin e kësaj lëvizje të devijuar dhe divergjente në botën islame. Dyshimi në fetvanë e Shejkh Shaltut u bë shkak për ringjalljen e lëvizjeve anti-shiite në botën islame. Kardavi në një takim me të rinjtë në Kajro i cili ishte organizuar nga unioni nën drejtimin e tij dhe me titull "Dijetarët e ardhshëm", deklaroi: "Shejkh Mahmud Shaltut nuk ka dhënë fetva për pranimin e medhëhebit xhaferi (shiit)". Ai në përgjigje ndaj një pyetje në lidhje me dhënien e një fetvaje të tillë, ka thënë: "Ma sillni mua këtë fetva... Në cilin libër të Shejkh Shaltut është publikuar kjo fetva?... Unë nuk e kamë pa këtë fetva... Cili prej juve thotë se këtë fetva e kam pa në filan librin ose në filan reviste? Unë kamë jetuar për shumë vite me Shejkh Shaltut dhe isha një prej bashkëpunëtorëve të afërt të tij. Unë nuk e kamë pa një fetva të tillë. Nuk kamë vërejtur se ai të ketë thënë një gjë të tillë. Unë kamë hartuar katër librat që janë publikuar nga Shejkh Shaltut. Shejkh Ahmed Al-Isal, ish-rektori i Universitetit Islamik të Islamabadit, ka qenë bashkëpunëtori imë dhe në parathënien e botimit të parë të librit të Shejkh Shaltut është vlerësuar kontributi ynë".
Mirëpo dyshimi i Kardavit dhe i dijetarëve të tjerë takfirist në lidhje me fetvan e Shejkh Shaltut, nuk ka dëshmi historike që mund të mbrohen, sepse të gjitha dokumentet dëshmojnë vërtetësinë e kësaj fetvaje. Revista "Al-Beshair" më datë 14 mars 2009, duke cituar Shejkh Xhamal Kutb, një prej dijetarëve të Az'harit, ka shkruar se këta dy dijetar nuk kanë mbledhur të gjitha shkrimet e Shejkh Shaltut dhe askush nuk mund ta mohojë se edhe para Shejkh Shaltut fikhu shiit dhe zejdije mësohej në Universitetin e Az'harit. Një ditë më vonë një artikull i autorit Shejkh Isam Talejma u publikua në faqen e internetit "Islamonline" me këtë titull "Po, Shejkh Shaltut ka dhënë fetva për lejimi e ndjekjes së medhhebit xhaferi". Ai në artikullin e tij shkruan: "Unë me këtë rast nuk dëshiroj të diskutoj se a është e drejtë ose jo fetvaja e Shejkh Shaltut. Çështja kryesore e imja është në vërtetimin e dhënies së kësaj fetvaje. Sëpari, duhet të them se Shejkh Shaltut ka dhënë një fetva të tillë. Kjo fetva është publikuar me tekst të plotë në revistën "Resale Islam" e cila publikohej nga "Darul-Takrib bejnul-medhahebul-islamije" në Kajro dhe titulli i saj ka qenë "Fetvaja Historike". Në parathënien e këtij materiali, kryeredaktori gjithashtu ka shkruar se faqet e para të revistës i kemi ndarë për një ngjarje të rëndësishme historike të cilën e ka krijuar fetvaja e shkëlqesisë së tij profesorit të nderuar Shejkh Mahmud Shaltut, Shejkhul-Az'har". Shejkh Isam në vazhdim të këtij artikulli shkruan se është e qartë se Shejkh Shaltut besonte në fetvan e tij dhe kjo nuk ishte një fetva që ai ta ketë dhënë atë dhe të ketë përfunduar çështja e saj. Për arsye se pak kohë pas dhënies së kësaj fetvaje, revista "Al-Muxhtamaul-Arabi" ka bërë një intervistë të gjatë me Shejkh Shaltut dhe gazeta "Al-Ahram" përsëri ka ribotuar tekstin e plotë të kësaj interviste". Autori i këtij artikulli pretendon se pavarësisht përpjekjeve të Universitetit të Az'harit, nuk janë mbledhur të gjitha veprat e Shejkh Shaltut dhe çështja se Kardavi dhe Isal pohojnë se nuk kanë pa një fetva të tillë është për faktin se Isal në vitin 1960 dhe Kardavi në vitin 1961, kanë shkuar në Katar, ndërsa Shejkh Shaltut ka vdekur në dhjetor të vitit 1963. Gjatë kësaj periudhe janë publikuar diskutime dhe materiale të rëndësishme nga Shejkh Shaltut të cilat nuk janë mbledhur ende dhe veprat që kanë mbledhur Kardavi dhe Isal, Shejkh Shaltut i ka shkruar para dhënies së kësaj fetvaje, prandaj është e natyrshme që deri në atë kohë Shejkh Shaltut nuk ka dhënë një fetva të tillë.
Propaganda anti-shiite është një prej temave kryesore të lëvizjeve takfiriste dhe kjo qasje krijon konflikte dhe gjakderdhje në mesin e myslimanëve. Një prej arsyetimeve të kësaj lëvizje të devijuar për vërtetimin e pretendimeve të saj për mohimin e myslimanëve shiitë, është një pretendim i pavërtetë që "myslimanët shiitë besojnë se Kur'ani është devijuar". Kur ndjekësit e një medhhebi akuzohen për mosbesim në Kur'anin e shenjtë, atëherë shumë lehtë mund të propagandohen bindje të padrejta në lidhje me ata si dhe të akuzohen ata për besim jo monoteist. Kjo është në kohën kur që nga dijetarët e mëdhenj të shkollës shiite si Shejkh Saduk e deri tek dijetarët shiitë bashkëkohorë si Ajetullah Khomeini (ra) dhe nxënësit e tij si Ajetullah Marefat, të gjithë kanë theksuar se Kur'ani është i pa devijuar dhe i mbrojtur. Konsiderimi i bindjeve shiite se janë hebreje, është një akuzë tjetër e padrejtë e cila përsëritet vazhdimisht nga selefistët. Këtë çështje kryesisht e paraqesin me tregimin e Abdullah ibën Sebe'a. Sipas këtij tregimi fals, një person hebre nga Jemeni i cili në mënyrë sipërfaqësore ishte bërë mysliman, për herë të parë ka përhapur bindjet shiite në bazë të mësimeve hebreje dhe në këtë mënyrë ai u bë themeluesi i doktrinës shiite. Disa selefistë si Sa'di Mahdi Al-Hashemi i cili është profesor në Universitetin Umul-Kura të Arabisë Saudite, duke shfrytëzuar këtë tregim, edhe transmetuesit shiitë i ka konsideruar hebre. Mirëpo Alame Askeri në studimet e tij tregon se personaliteti i Abdullah bin Sebea është vetëm një legjendë. Akuzat e tjera dhe pretendimet në lidhje me shiizmin kryesisht janë rreth këtyre dy temave kryesore ose sekondare.
Mirëpo futja e përçarjes mes radhëve të myslimanëve nuk kufizohet vetëm me shkollat sunite dhe lëvizjet selefiste dhe takfiriste. Në mesin e myslimanëve shiitë gjithashtu ekzistojnë individë ose grupe të cilët duke ofenduar personalitetet e mëdha të fesë islame dhe sahabët e Profetit s.a.v.s., po fusin përçarje dhe konflikte në mesin e myslimanëve. Për shembull, me një veprim të papranuar, një individ në petkun e klerikut shiit në media ofendon Ajshen, bashkëshorten e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. e cila gëzon një respekt në mesin e myslimanëve sunitë. Deklarata të tilla ofenduese provokojnë myslimanët sunitë kundër myslimanëve shiitë, sidomos në vendet arabe. Kuvajti ka hequr shtetësinë kuvajtiane të këtij individi, ndërsa nga ana tjetër grupet ekstremiste radikale kanë caktuar shpërblim për vrasjen e këtij individi. Në realitet shumë njerëz besojnë se individi në fjalë i cili në petkun e klerikut shiit po ndihmon përçarjen në botën islame, në fakt nuk është klerik dhe ka shumë vite që është arratisur nga Kuvajti dhe ka fituar azil në Angli, ndërsa pa kurrfarë shkollimi në shkollat fetare shiite, ka veshur uniformën e klerikut shiit dhe gjatë fjalimeve të tij nëpër xhami të ndryshme po ofendon dhe po mbjell përçarje në shoqërinë islame. Është shumë e qartë se në këtë kohë kur e gjitha bota kolonialiste është pozicionuar përballë botës islame, elementë dhe veprime të tilla që krijojnë përçarje mes medhhebeve islame janë vegël e kolonializmit dhe shprehja "shiizmi anglez" është emri më i mirë për emërimin e elementëve të tillë.
Në këtë kuadër natyrisht se nuk duhet mohuar rolin pozitiv dhe unifikues të disa personaliteteve dhe qarqeve të informuara fetare dhe politike në asgjësimin e këtyre komploteve dhe në përpjekje për të forcuar unitetin mes myslimanëve. Për shembull Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në pozitën e një autoriteti fetar shiit, me anë të një fetvaje ka qartësuar opinionin publik mysliman në lidhje me ofendime të tilla dhe ka theksuar se ofendimi i simboleve fetare të vëllezërve sunitë duke përfshirë edhe paraqitjen e akuzave kundër bashkëshortes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. (Ajshes), është haram dhe i ndaluar rreptësishtë. Kjo çështje përfshinë bashkëshortet e të gjithë profetëve të Zotit dhe në veçanti të Profetit të nderuar të Islamit Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Kjo fetva është mirëpritur në nivel të gjerë në botën islame si nga Universiteti i Az'harit, nga universitetet e vendeve arabe dhe nga personalitetet e dalluara islame në rajone të ndryshme të botës dhe i dha fund krijimit të trazirave në shoqëritë islame rreth kësaj çështje. Autoritetet e tjera shiite si Ajetullah Mekarem Shirazi, Ajetullah Sejed Sadik dhe shumë mendimtarë të tjerë të shkollave shiite kanë përkrahur këtë fetva.
Në anën e tjetër, Universiteti i Az'harit me anë të një veprimi të lavdëruar ka ftuar autoritetet fetare shiite që ta vizitojnë Universitetin e Az'harit. Ky veprim i Az'harit është përballur me reagime të ndryshme. Një prej këtyre reagimeve ishte edhe qëndrimi i dijetarëve takfirist, mirëpo Abas Shuman, zv/rektori i këtij universiteti, e ka quajtur të domosdoshme këtë ftesë dhe ka deklaruar: "Medhhebi shiit është një prej medhhebeve islame dhe shiitët janë myslimanë. Az'hari asnjë myslimanë nuk e shpall jobesimtar dhe kjo qendër islame myslimanët 12 imami dhe zejdi i konsideron një prej medhhebeve islame, ndërsa deri më tani në lidhje me këtë çështje janë shkruar shumë teza në shkallën e magjistraturës dhe të doktoratës të cilat ndodhen në bibliotekat e Az'harit. Kjo e vërtetë se myslimanët shiitë përbëjnë një prej shkollave islame, pranohet nga të gjithë dijetarët e Az'harit dhe thirrja e dijetarëve shiitë për pjesëmarrje në takim bëhet për të theksuar në këtë çështje".