Uniteti në botën islame
Në këtë edicion duke u mbështetur në të menduarin e mendimtarëve dhe reformatorëve të botës islame, si dhe në eksperiencat historike të vendeve islame, do të shpjegojmë rolin e nacionalizmit në krijimin e përçarjeve në botën islame.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Uniteti në botën islame". Në edicionet e kaluara kemi shqyrtuar pozitën e idesë për konvergjencën dhe unitetin islam në mesin e mendimtarëve dhe reformatorëve të botës islame. Në këtë edicion dhe në disa edicione të ardhshme, duke u mbështetur në këto ide dhe gjithashtu në eksperiencat historike të vendeve islame, do të shqyrtojmë faktorët e konvergjencës dhe divergjencës në botën islame. Më parë kemi thënë se vlerat e përbashkëta islame, një Profet, një Kible dhe besimi në mbrojtjen e Kur'anit nga shtrembërimi, janë prej faktorëve të cilët mund të bëhen bazë për unitetin e vendeve islame. Padyshim se formimi i çfarëdo uniteti dhe konvergjence në mesin e vendeve islame nuk është i mundshëm nëse nuk merren parasysh këto parime dhe baza të përbashkëta, sepse faktorët e tjerë unifikues si interesat ekonomike dhe politike nuk mund të bëhen bazë e fortë për krijimin e unitetit në mesin e vendeve, për arsye se në ekonomi dhe politikë nuk ekziston armik dhe mik i përhershëm dhe me ndryshimin e kushteve, ndryshojnë edhe aleatët, armiqtë dhe rivalët, prandaj çfarëdo lloj uniteti në botën islame duhet të jetë i bazuar mbi parimet e lartpërmendura.
Mirëpo pyetja që shtrohet këtu është kjo se këto parime dhe baza të përbashkëta kanë ekzistuar përgjatë 14 shekujve qysh nga fillimi i paraqitjes së Islamit, prandaj për çfarë arsye këto parime nuk kanë rezultuar me unitetin dhe konvergjencën e myslimanëve, ndërkohë që me kalimin e kohës janë shtuar shembujt e përçarjes dhe divergjencës në mesin e vendeve islame? Kjo pyetje na drejton neve drejt një çështje shumë të rëndësishme dhe themelore. Është e drejtë se çfarëdo lloj uniteti në mesin e vendeve islame duhet të bëhet mbi parimet dhe vlerat e përbashkëta që përmendëm më lartë, mirëpo kontradiktat dhe përçarjet në botën islame më shumë se sa të kenë rrënjë në parime, ato kanë rrënjë në çështjet e tjera si në interesat etnike, raciste, ekonomike dhe politike të vendeve. Me fjalë të tjera, faktorët e jashtëm për të cilët gjithnjë ka paralajmëruar Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. për shfaqjen e tyre në shoqërinë islame, janë paraqitur dhe kanë luajtur rol gjatë historisë së vendeve islame dhe kanë shkaktuar përçarje dhe tensione në botën islame. Kjo çështje ka rëndësi nga ky aspekt se nëse në rrethanat kohore dhe vendore të sotme dëshirojmë të arrijmë në unitet, duhet t'i kushtojmë vëmendje faktorëve të jashtëm dhe duke njohur fushat përçarëse dhe gjithashtu fushat e unitetit, duhet ta ndjekim planin për unitetin e botës islame.
Kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga uniteti dhe afrimiteti në fushën fetare dhe ideologjike, por do të thotë se duke forcuar bazat për unitet në parime dhe vlera fondamentale, duhet tu kushtohet vëmendje edhe faktorëve të jashtëm. Në bazë të kësaj mund të pretendohet se nëse forcohen bazat dhe parimet fondamentale për unitetin islam në vendet islame, ky proces është i duhur për konvergjencën në botën islame, por nuk mjafton. Me fjalë të tjera, parimet dhe vlerat e përbashkëta islame përbëjnë kushtin e duhur për unitetin e vendeve islame, mirëpo ky nuk është kushti i mjaftuar. Kushti i mjaftuar duhet të kërkohet në zhdukjen ose reduktimin në masë sa më të madhe të faktorëve përçarës dhe forcimin e faktorëve që krijojnë unitet. Për këtë arsye, në këtë edicion dhe në disa edicione të ardhshme do të zbërthejmë dhe analizojmë faktorët e divergjencës dhe konvergjencës të cilët mund të bëhen shkak për përçarjen ose për unitetin e vendeve islame. Mbështetja në këta faktorë do të thotë se duke supozuar ekzistencën e vlerave të përbashkëta dhe përpjekjen për forcimin e tyre, edhe forcimi i faktorëve të tjerë të konvergjencës dhe eliminimi ose reduktimi i faktorëve të divergjencës, mund të japë rezultate të dobishme për unitetin e botës islame.
Në analizimin e faktorëve të divergjencës në botën islame, mund të përmenden dy grupe të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Disa probleme të lidhura me përçarjen dhe ndarjen në botën islame burojnë nga faktorët e brendshëm të vendeve islame dhe një pjesë tjetër burojnë nga ndërhyrjet dhe komplotet e faktorëve të jashtëm. Në bazë të mendimeve të mendimtarëve dhe reformatorëve, si dhe në bazë të eksperiencës historike të vendeve islame, mund të veçohen dy faktorë nacionalizmi dhe despotizmi i sunduesve si shkaktarët më të rëndësishëm të divergjencës në botën islame. Nacionalizmi është një fenomen që i përket periudhës së re, sidomos duke filluar nga koha e renesancës e këndej. Kjo periudhë është periudha e individualizmit dhe e vërshimit të ndjenjave dhe vetëdijesimit të individit kundër presioneve kolektive dhe shoqërore. Njeriu i periudhës së re ka larguar vlerat shoqërore të kohës së tij dhe i ka zëvendësuar ato me vlera të reja. Në këtë periudhë u shkatërrua perandoria e krishterë dhe u formuan shtete të reja. Machiaveli ishte prej teoricienëve të parë për formimin e shtetit dhe për shkatërrimin e perandorisë së krishterë. Ai duke ndarë moralin nga politika, unitetin dhe formimin e shtetit-komb e konsideronte të vetmen rrugë për lirimin e Italisë nga paaftësitë dhe kaosi.
Duke lënë anash polemikat teorike, shkurtimisht nacionalizmi mund të përkufizohet si ndjenja e përkatësisë së një populli me një racë të caktuar, me një gjuhë të caktuar dhe me një kulturë të caktuar ose me një etnitet të caktuar për një vend ose territor të caktuar. Nacionalizmi në disa periudha të historisë ka qenë në shërbim të autoritarizmit dhe në disa periudha të tjera në shërbim të çlirimit të vendeve në sistemin kolonialist. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, shumë popuj duke u mbështetur në nacionalizëm, arritën të çlirohen nga kolonializmi i vendeve kolonialiste. Megjithëkëtë, në disa periudha nacionalizmi gjithashtu është bërë shkak për shpërthimin e luftërave të përgjakshme mes vendeve. Mirëpo çfarë është lidhja e nacionalizmit me të menduarin islam dhe çfarë roli ka luajtur në konvergjencën ose divergjencën e myslimanëve? Duhet thënë se në lidhje me pozitën e nacionalizmit në fenë islame, ekzistojmë mendime të ndryshme mes mendimtarëve të botës islame. Në një ndarje të përgjithshme, këto pikëpamje mund të ndahen në tre grupe themelore.
Grupi i parë përbëhet nga teoricienët të cilët nuk vërejnë kontradiktë mes fesë universale (islame) dhe pranimit të ndarjeve etnike dhe raciste mes popujve dhe kombeve të ndryshme, ndërsa besojnë se mes kombësisë dhe konceptit umeti islam nuk ka kontradiktë, sepse me qenë një komb dhe me pas identitet të veçantë është një çështje që është theksuar edhe në Kur'anin e shenjtë: "O ju njerëz! Ne iu kemi krijuar prej një mashkulli dhe prej një femre dhe ju kemi bërë popuj dhe fise që të njihni...". Në këtë vështrim, nacionalizmi konsiderohet një lloj ndjenje për anim të brendshëm të njeriut ndaj të afërmeve dhe bashkëvendësve të tij. Ata që besojnë në këtë ide, kryesisht mbështetën në hadithin profetik "Dashuria ndaj atdheut është pjesë e besimit". Prandaj dashurinë ndaj atdheut jo vetëm që nuk e shikojnë në kundërshtim me fenë, por e konsiderojnë pjesë të saj. Grupi i dytë përbëhet nga teoricienët të cilët e konsiderojnë nacionalizmin një prej simboleve dhe rezultateve të civilizimit perëndimor dhe të kulturës që sundon në perëndim, prandaj besojnë se nacionalizmi në të menduarin perëndimor do të thotë se një grup i njerëzve brenda kufijve të caktuar gjeografik, me racë, histori dhe gjuhë të përbashkët, kanë pranuar një burim tjetër përballë Zotit si një standard të përgjithshëm të vlerave. Prandaj, pasi kjo ide është një manifestim i të menduarit humanist të perëndimit, si rezultat nuk mund të ketë lidhje ose përputhshmëri me fenë islame.
Ky grup i teoricienëve mbështetën në disa transmetime fetare si : "O ju njerëz të gjithë ju jeni prej Ademit dhe Ademi është prej dheu. Nuk ka privilegje më shumë arabi nga jo arabi, përveç me devotshmëri". Ata besojnë se qëllimi nga nocioni "umeti i bashkuar në islam" nuk është ndonjë popull ose grup ose racë e veçantë, sepse umeti islam përbëhet nga njerëz me etnitet, racë dhe tradita të ndryshme kurse aspekti i përbashkët i tyre është besimi në parimet e fesë dhe sipas dispozitës së qartë kur'anore, njerëzit dallohen vetëm me dituri, devotshmëri ose me veprat që i bëjnë. Në këtë mënyrë ky grup i teoricienëve duke mohuar nacionalizmin, paraqesin karakteristikat universale dhe gjithëpërfshirëse të fesë së pastër islame. Grupi i tretë i teoricienëve kanë mendime moderatore. Mendimtari iranian Morteza Motahari është shembulli i këtij të menduari. Ai beson se nacionalizmi në aspektin pozitiv të tij do të thotë të dashurisë ndaj atdheut, nuk është i qortuar dhe Islami pohon shumicën e këtyre të drejtave, mirëpo aspekti negativ i tij është i qortuar. Pa u futur fare në polemikat teorike të lidhjes së nacionalizmit me idenë e unitetit dhe formimit të umetit të bashkuar islam, duhet thënë se ajo çfarë është provuar në praktikë, dëshmon këtë realitet se nacionalizmi pavarësisht disa rezultateve pozitive sidomos në çlirimin e shumë vendeve nga zgjedha e kolonializmit, në vendet islame më shumë ka manifestuar faktorët përçarës.
Nëse do ta pranohet mendimi i Morteza Motaharit për lidhjen e nacionalizmit dhe umetit të bashkuar, ndoshta mund të pretendohet se aspektet negative të nacionalizmit do të thotë faktorët përçarës, janë shumë më shumë se sa aspektet pozitive të tij do të thotë dashuria ndaj atdheut. Prandaj nacionalizmi në botën islame më shumë se sa të jetë në shërbim të konvergjencës së vendeve islame, ka qenë në shërbim të divergjencës së tyre. Natyrisht se në këtë kuadër nuk duhet harruar roli i fuqive të huaja në dallimin më tepër të aspekteve negative të nacionalizmit për realizimin e qëllimeve të tyre. Imam Khomeini (ra) si një prej thirrësve për unitet në botën islame, këtë lidhje e ka shpjeguar shumë mirë edhe në sferën teorike edhe në sferën praktike: "Planet e fuqive të mëdha kanë për qëllim t'i vendosin myslimanët nën hegjemoninë e tyre dhe të plaçkitin resurset dhe pasurit e tyre. Ato përgjatë shumë viteve kanë ndjekur plane të caktuara në këtë drejtim që një prej planeve të mëdha të tyre është çështja e nacionalizmit. Islami ka ardhur për të bashkuar të gjithë popujt për të formuar një umet të madh në botë me emrin "Umeti Islam". Ata që në emër të kombësisë dhe nacionalizmit krijojnë përçarje mes myslimanëve, janë ushtria e djallit dhe ndihmës të fuqive të mëdha dhe të kundërshtarëve të Kur'anit". (Sahife Nur, vëllimi 13, f.225).