Tetor 01, 2016 09:49 CET

Ajeti Mobahele është një prej ajeteve që vërteton përparësinë e Imam Aliut (a.s.) dhe arsyet e Imametit të tij. Në këtë ajet, përveçse Hasani dhe Huseini (a.s.) janë quajtur bijtë Profetit s.a.v.s. dhe Hazreti Fatima (s.a.) është quajtur si e vetmja grua e familjes së Shpalljes Hyjnore, edhe Imam Aliu (a.s.) është kujtuar si shpirti i Hazretit Muhamed s.a.v.s..

(Ajeti Mobahele)

 Prandaj, çfarë mirësie tjetër mund të jetë më e lartë se kjo që një person nga aspekti i spiritualitetit dhe virtyteve të larta të arrijë deri në një pozitë që Zoti i madhëruar ta quajë atë si shpirt të Profetit s.a.v.s..

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e dytë të programit "Imameti dhe Velajati në Kur'an". Në edicionin e kaluar kemi folur rreth ajetit të sprovimit dhe thamë se Zoti i madhëruar, Hazretin Ibrahim a.s. pas shumë vite të profecisë dhe shpalljes hyjnore e ka sprovuar me sprovime të ndryshme dhe të vështira dhe pastaj i ka dhënë atij pozitën e Imametit. Në edicionin e sotëm në vazhdim do të flasim rreth ajetit të mobaheles i cili është ajeti i 61-të i sures Ali Imran në Kur'anin e shenjtë.

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. pasi themeloi "Shtetin Profetik" edhe pas formimit të umetit islam, dërgoi një letër te prijësit e rajonit Naxhran për ta ftuar popullin e krishterë të këtij rajoni që ta pranojnë fenë e pastër islame. Naxhran në atë kohë ishte një qendër e rëndësishme e krishterë në jug të Gadishullit Arabik në kufirin aktual me Jemenin. Të krishterët e rajonit Naxhran kishin marrëdhënie të ngushta me tregtarët e Kishës në Bizant dhe në Etiopi. Ata besonin në hyjninë e Hazretit Isa a.s.. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në letrën e tij drejtuar të krishterëve të këtij rajoni shkruan: "Në emër të Zotit të Ibrahimit, të Is'hakut dhe të Jakubit, nga Muhamedi i dërguari i Zotit drejtuar peshkopit të Naxhranit. E falënderoj dhe e lartësoj Zotin e Ibrahimit, Is'hakit dhe Jakubit, ndërsa juve iu ftoj të largoheni nga adhurimi i robërve dhe të udhëzoheni në adhurimin e Zotit. Iu ftoj juve që të largoheni nga udhëheqja e robërve të Zotit dhe të futeni nën udhëheqjen e Zotit! Nëse nuk e pranoni ftesën time, atëherë duhet të paguani taksa dhe xhizje për Shtetin Islam, në të kundërtën do tu paralajmëroj juve me rrezikun". Të krishterët pas pranimit të letrës së Profetit s.a.v.s., formuan një këshill dhe vendosën që një delegacion si përfaqësues i Naxhranit të shkojë në Medine dhe nga afër të vendos kontakte me Muhamedin s.a.v.s. dhe të shqyrtojë shkaqet e profecisë së tij. Në këtë mënyrë disa mendimtarë dhe prijës të krishterë që tre prej tyre ishin liderë fetarë të krishterimit dhe kryesonin këtë delegacion, arritën në Medine për tu takuar dhe për të biseduar nga afër me Hazretin Muhamed s.a.v.s. dhe për të gjetur një rrugëzgjidhje të përshtatshme.

Foto: Xhamia Mobahele

Ashtu siç thotë Kur'ani i shenjtë, në kohën kur përfaqësuesit e rajonit Naxhran erdhën pranë Profetit s.a.v.s. dhe paraqiten faktin se lindja e një njeriu pa babë është argument për pretendimin e tyre se Hazreti Isa a.s. është hyjni dhe i biri i Zotit, zbriti ajeti 59 i sures Ali Imran në refuzimin e pretendimit të tyre. Në këtë ajet thuhet se lindja e Hazretit Isa a.s. nga nëna e virgjër Hazreti Marjam dhe pa bashkëshort, padyshim se është vepër e vullnetit hyjnor dhe ky veprim për botën u paraqit si një mrekulli ashtu siç ishte lindja e Hazretit Adem a.s. që ka ndodhur pa baba dhe pa nënë. Kur Zoti i madhëruar dëshiron të ekzistojë diçka, ajo del në ekzistencë. Të krishterët që besonin se Hazreti Isa a.s. është hyjni dhe e konsideronin atë bir të Zotit, nuk kishin përgjigje për këtë argument dhe filluan ta mohonin atë në mënyrë të ashpër. Mohimi i tyre ishte deri në atë masë saqë edhe Profeti s.a.v.s. u zemërua nga ata. Pastaj me urdhrin e Zotit në ajetin 61 të sures Ali Imran, përfaqësuesit e rajonit Naxhran u ftuan për mobahele që do të thotë lutje për të rënë mallkimi i Zotit. "E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: ‘Ejani i thërrasim bijtë e tanë dhe bijtë tuaj, grat tona dhe grat tuaja, vetën tonë dhe vetën tuaj, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e All-llahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve". 

Foto: Ajeti 61 i sures Ali Imran

Të nesërmen e asaj dite të dy palët u mblodhën në një vend jashtë qytetit të Medinës. Profeti s.a.v.s. shkoi në atë vend sëbashku me Ali bin Abu Talib, me Hasanin dhe me Huseinin dhe me Fatimen. Hazreti Muhamed s.a.v.s. kishte kapur dorën e Ali bin Abu Talib, Hasani dhe Huseini ecnin përpara tij dhe Hazreti Fatima ecte prapa tij. Delegacioni i krishterë gjithashtu shkoi në atë vend duke i prijë kryepeshkopi i tyre. Kur ai e pa Profetin s.a.v.s. që ka ardhur me këta persona, filloi të pyes se kush ishin ata. Të pranishmit i thanë se ky është djali i xhaxhait dhe më i dashuri prej njerëzve pranë Profetit. Këta dy djem janë nipat prej vajzës së tij nga Aliu, ndërsa ajo zonjë e re është vajza e tij Fatima (s.a.) e cila është më e dashura prej njerëzve pranë tij dhe personi më i afërt pranë zemrës së tij. Në këtë gjendje, prijësit e krishterë kur e panë se Hazreti Muhamed s.a.v.s. shoqërohet nga personat më të dashur dhe më të afërt të tij, i thanë shoqëruesve të tyre: "Ne po shikojmë fytyra të cilat nëse do ta lusin Zotin të shkulë nga vendi edhe bjeshkët më të larta, me padyshim do të ndodhë ashtu. Mos bëni mobahele me këta sepse betohemi në Zotin se ai ashtu si profetët është përgatitur për mobahele. Nëse do të kërkoni mallkimin e Zotit, do të shkatërroheni dhe deri në kiamet, asnjë i krishterë nuk do të mbetet mbi sipërfaqen e tokës".

Tregimi i Mobaheles (kërkimit të mallkimit nga Zoti) është dëshmia më e madhe për pozitën e lartë dhe përparësinë e Ehli Bejtit të Profetit s.a.v.s., për arsye se fjalët dhe kuptimet e ajetit kur'anor tregojnë qartë se shoqëruesit e Profetit në çfarë pozite të lartë ndodhen. Në këtë ajet kur'anore, përveç se Hasani dhe Huseini (a.s.) janë quajtur fëmijë të Profetit s.a.v.s. dhe Hazreti Fatima (s.a.) e vetme grua e familjes profetike, Imam Aliu (a.s.) është kujtuar si shpirti dhe fryma e Profetit s.a.v.s.. Prandaj, çfarë mirësie tjetër mund të jetë më e lartë se kjo që një person nga aspekti i spiritualitetit dhe virtyteve të larta, të arrijë deri në një pozitë që Zoti i madhëruar ta quajë atë si shpirt të Profetit s.a.v.s..

Foto: Ajeti i Mobaheles

Ajeti Mobahele është një prej ajeteve që vërteton përparësinë e Imam Aliut (a.s.) dhe arsyet e Imametit të tij. Disa fjalën "nefs" në këtë ajet të Kur'anit e komentojnë me kuptimin vetë Profeti, ndërkohë që kuptimi i fjalës "nefs" nuk është gjë tjetër përveçse gjakut dhe frymës që nga këta dy faktorë varët forca e trupit material të njeriut. Kjo është për arsye se Profeti s.a.v.s. vetë është ftuesi dhe ftuesi është tjetër nga i ftuari. Prandaj fjala "nefs" në këtë ajet është ai i cili pranë Zotit ka një pozitë të njëjtë me të Dërguarin e Zotit në aspektin e dinjitetit, fisnikërisë, dashurisë, lidershipit, sakrificës, madhërisë dhe shkëlqesisë. Në burimet historike dhe të transmetimeve fetare thuhet se një ditë khalifi abasit Me'mun mblodhi një kuvend në prani të Imam Reza (a.s.) dhe të disa dijetarëve fetarë. Në këtë kuvend khalifi Me'mun shtroi disa pyetje në lidhje me të zgjedhurit e umetit islam. Imam Reza (a.s.) tha: "Në disa raste në Kur'an kjo përparësi është treguar në mënyrë të qartë. Sëpari është ajeti "tat'hir" i pastrimit i cili vërteton se Ehli Bejti (a.s.) është i pastër nga çfarëdo lloj papastërtie shpirtërore dhe mëkati. I dyti është ajeti kur'anor i Mobaheles i cili kur ka zbritur, u bë e qartë se Imam Aliu (a.s.) dhe Fatima (s.a.) dhe Hasani e Huseini (a.s.) janë sikur shpirti i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.". Një tjetër pyetje e khalifiit Me'mun nga Imam Reza (a.s.) ishte kjo: "Pse njerëzit ju thërrasin juve me fjalën "Ja ibne Resulullah!" (O i biri i të Dërguarit të Zotit), ndërsa neve nuk na thërrasin kështu, ndërkohë që ne të dy jemi nga loza e Profetit s.a.v.s.?" Khalifi Me'mun ishte nga familja e Abasit, xhaxhait të Profetit s.a.v.s.. Imam Reza (a.s.) u përgjigj: "Për këtë çështje pyetni vet njerëzit se për çfarë arsye neve na thërrasin "Ja ibne Resulullah!" dhe juve nuk ju thërrasin kështu". Khalifi Me'mun insistoi se përgjigjen e kësaj pyetje dëshiron ta dëgjojë nga ai. Imam Reza (a.s.) tha: "Kjo është për shkak të fjalës "të djemve tanë" në ajetin Mobahele. Në këtë ajet Zoti i madhëruar Imam Hasanin dhe Imam Huseinin (a.s.) i ka quajtur fëmijë të të Dërguarit të Zotit s.a.v.s. dhe nga ky aspekt njerëzit neve na konsiderojnë fëmijë të të Dërguarit të Zotit, mirëpo ajeti i mobaheles (ajeti 61 i sures Ali Imran) dhe fjaën "fëmijët tanë" nuk ka zbritur për të treguar pozitën tuaj". Khalifi Me'mun në lidhje me këtë përgjigje të Imam Reza (a.s.) paraqiti një dilemë duke thënë: "Në këtë ajet ekziston edhe fjala "grat tona" dhe Profeti s.a.v.s. në ngjarjen e Mobaheles nuk ka marrë grat e tij, por e vetmja zonjë që ishte e pranishme në këtë ngjarje, ishte Hazreti Fatima (s.a.) vajza e Profetit s.a.v.s.". Me'mun me këtë dilemë dëshironte të thotë se në këtë ajet fjalët janë përdorur në mënyrë figurative ashtu siç është fjala "grat tona" e cila është përdorur në kuptim figurativ dhe Hazreti Fatima (s.a.) në këtë ngjarje është e pranishme si vajza e vetme e Profetit s.a.v.s.. Prandaj, Imam Hasani dhe Imam Huseini (a.s.) nuk janë fëmijë të Profetit s.a.v.s. dhe ata vetëm në mënyrë figurative janë quajtur fëmijë të Profetit s.a.v.s.!

Foto: Shpirti i Profetit

Imam Reza (a.s.) në përgjigje ndaj kësaj dileme të khalifit Me'mun tha: "Ky argumentim i juaj është i drejtë nëse pas këtyre fjalëve nuk do të kishte ardhur fjala "enfusena" (shpirti ynë) në këtë ajet. Fjala "enfusena" (shpirti ynë) tregon këtë se Imam Aliu (a.s.) është shpirti i Profetit s.a.v.s., ndërsa Hazreti Fatima (s.a.) është bashkëshortja e Imam Aliut (a.s.), prandaj citimi "grat tona" është i drejt duke marrë parasysh praninë e Imam Aliut (a.s.), për arsye se ai është quajtur "shpirti i Profetit" s.a.v.s.. Prandaj fjala "grat tona" në këtë ajet nuk është përdorur në kuptimin figurativ, por në kuptimin e saj të vërtetë. Edhe fjala "fëmijët tanë" nuk është përdorur në kuptimin figurativ, por në kuptimin e vërtetë të saj". Khalifi Me'mun kur dëgjoi këtë përgjigje të Imam Reza (a.s.), uli kokën në shenjë të dorëzimit dhe e vërtetoi se është me meritë që imamët ma'sum (a.s.) të quhen "fëmijë të Profetit s.a.v.s.".