Tetor 01, 2016 09:53 CET
  • Imameti dhe Velajati në Kur'an (Speciale për dhjetëditëshin e Imametit dhe Velajetit)

Ajeti 33 i sures Ahzab është një prej ajeteve që trajton çështjen e pastërtisë dhe mbrojtjes prej mëkateve si një prej kushteve themelore të Imamaetit. Ky ajet paraqet të vërtetën e njerëzve të ngritur të cilët pasi kanë kaluar faktorët material dhe tokësorë, kanë arritur në shkallën më të lartë të pastërtisë dhe mbrojtjes prej mëkateve.

(Ajeti i pastrimit)

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e pestë të programit "Imameti dhe Velajati në Kur'an". Në edicionet e kaluara thamë se sipas ajeteve kur'anore lidershipi dhe imameti i shoqërisë islame duhet të jetë në duar të njerëzve të pastër dhe të larguar nga çfarëdo mëkati. Një prej ajeteve rreth të cilëve folëm në edicionet e kaluar, është ajeti 124 i sures Bekare i cili flet rreth imametit të Hazretit Ibrahim a.s.. Profeti Ibrahim a.s. edhe pse kishte dy pozita të profecisë do të thotë nabuvat dhe resalat, në fund të jetës së tij dhe pasi kishte kaluara shumë sprova të mëdha, arriti në pozitën e Imametit. Pastaj, Ibrahimi a.s. këtë pozitë e kërkoi edhe për fëmijët e tij, mirëpo Zoti iu përgjigj atij: "Kjo pozitë nuk i takon të padrejtëve". Prandaj, imameti është një pozitë hyjnore e cila nuk është me zgjedhjen e individëve, por u jepet atyre të cilët janë të pastër dhe të larguar nga çfarëdo padrejtësie. Ajeti 33 i sures Ahzab është një prej ajeteve që flet rreth çështjes së pastërtisë nga mëkatet si një prej kushteve themelore të imametit. Në këtë edicion në mënyrë të përgjithshme do të flasim rreth ajetit 33 të sures Ahzab i cili njihet edhe me emrin "ajeti i pastrimit".

"...Allahu dëshiron që të pastrojë nga ju Ehli Bejti i Profetit çdo lloj mëkati në bindje, në moral dhe në veprime dhe të ju pastrojë juve nga çdo aspekt". Çështja më e rëndësishme e këtij ajeti është largimi papastërtive nga Ehli Bejti i Profetit s.a.v.s.. Mirëpo çfarë është kjo papastërti që Zoti i madhëruar thekson largimin e saj nga Ehli Bejti (a.s.).

Foto: Allahu dëshiron që të pastrojë nga ju Ehli Bejti i Profetit çdo lloj mëkati në bindje, në moral dhe në veprime dhe të ju pastrojë juve nga çdo aspekt

 

Në burimet islame papastërtia ndahet në dy pjesë, materiale dhe shpirtërore. Në ajetin 145 të sures Enam të Kur'anin të shenjtë fjala "rexhs" është përdorur  me kuptim të një kafshe të ngordhur ose mish derri i prishur i cili është i papastër. Ky është aspekti material i papastërtisë. Mëkati, degjenerimi, koprracia, lakmia, dëshirat e egos, idhujtaria, mohimi i Zotit dhe risia në fe etj., gjithashtu në disa ajete kur'anore janë përmendur me fjalën "rexhs" dhe papastërti. Këto konsiderohen aspekte të brendshme të papastërtisë. Mirëpo papastërtia në ajetin e pastrimit ka kuptim të përgjithshëm dhe përfshinë sjelljet e këqija morale dhe cilësitë dhe veprimet e këqija duke përmbledhur në një vend mosbesimin, hipokrizinë dhe rebelimin ndaj urdhrave hyjnorë.

Ajeti i pastrimit zë vend në mesin e ajeteve kur'anore që u drejtohen grave të Profetit të nderuar të Islamit. Në ajetet paraprake, do të thotë në ajetet 30, 31 dhe 32 të sures Ahzab thuhet: "O grat e Profetit! Secila prej juve që kryen ndonjë mëkat të hapur dhe të madh, dënimi i atij mëkati do të jetë dyfish më i madh dhe kjo është e lehtë për Zotin (sepse nëse do të kryeni mëkatin, sëpari keni kryer mëkat dhe sëdyti keni ofenduar nderin e bashkëshortit tuaj Profetit të Zotit, prandaj ky veprim konsiderohet kryerja e dy mëkateve). Secila prej juve që përulet për Zotin dhe respekton Profetin e Tij duke kryer një veprim të mirë, atëherë do ta dyfishojmë shpërblimin e atij veprimi. O grat e Profetit! Ju nëse do të jeni të devotshëm, nuk jeni si grat e tjera, prandaj mos flisni sipas dëshirave të egos tuaj që në ju të lakmojnë njerëzit me zemër të sëmurë, por flisni ashtu siç e meritoni! Qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos dilni (në mesin e njerëzve) sikur në periudhën e injorancës dhe falni namazin dhe jepni zekatin dhe nënshtrojuni Zotit dhe të Dërguarit të Tij". Pas të gjitha këtyre vërejtjeve të cilat janë të gjitha urdhra dhe paralajmërime të shoqëruara me frikësim dhe përgëzim duke thënë se nëse kryeni veprim të mirë bëhet kështu dhe nëse kryeni veprim të keq bëhet ashtu, pastaj duke ndryshuar përemrat nga femërorë në mashkullorë, ndryshohet plotësisht edhe toni i ajetit dhe duke lavdëruar thotë: "Zoti i madhëruar vetëm dëshiron që të largojë papastërtinë dhe mëkatin nga ju Ehli Bejt dhe të ju pastrojë plotësisht juve". Disa komentues të Kur'anit të shenjtë këtë ndryshim të tonit e kanë konsideruar si pjesë të oratorisë gjuhësore të Kur'anit dhe pohojnë se në veprat e poetëve dhe oratorëve arabë ekzistojnë shumë shembuj që ata në mesin e fjalëve të tyre papritur deklarojnë një çështje tjetër të rëndësishme dhe pastaj kthehen dhe vazhdojnë përsëri çështjen e më parshme. Disa të tjerë gjithashtu duke marrë parasysh shumë transmetime në librat sunite dhe shiite, pohojnë se ajeti i pastrimit është plotësisht një ajet i pavarur dhe nuk është i lidhur me pjesën para dhe pas tij të tekstit. Kjo është për arsye se teksti i Kur'anit që i drejtohet grave të Profetit s.a.v.s. ka zbritur për shkak të kërkesave të paarsyeshme të tyre nga Profeti s.a.v.s.. Ndërkohë që ajeti i pastrimit i drejtohet vet Profetit s.a.v.s., Aliut (a.s.), Fatimas (s.a.) dhe Hasanit dhe Huseinit (a.s.).

Sahabët e Profetit s.a.v.s. dhe tabe'inët dhe dijetarët islamë në përgjithësi kanë mendim të njëjtë se ajeti i pastrimit ka zbritur vetëm për pesë persona. Kjo është konfirmuar edhe nga Umu Selma dhe Ajshe të cilat ishin dëshmitare të zbritjes së këtij ajeti dhe shpresonin se ky ajet do t'i përfshijë edhe ato, mirëpo ato kanë dëshmuar se ky ajet u është drejtuar vetëm pesë personave të Ehli Bejtit dhe ata janë: Profeti, Imam Aliu, Hazreti Fatima, Imam Hasani dhe Imam Huseini (a.s.). Në librin "Ghajetul-Maram" të Abdullah bin Ahmed bin Hanbel është transmetuar nga Umu Selma e cila ka thënë: "Ajeti i pastrimit ka zbritur në shtëpinë time dhe në shtëpi ishin shtatë persona: Xhibrili, Mikaili, Aliu, Fatima, Hasani dhe Huseini dhe unë. Unë isha ulur afër portës së shtëpisë. I thash të Dërguarit të Zotit s.a.v.s.: A jam edhe unë pjesë e Ehli Bejtit? Profeti u përgjigj: "Ti je udhëzuar në rrugën e drejtë! Ti je prej grave të Profetit!".

 

Thalebi, komentues dhe transmetues i dalluar sunit, gjithashtu në librin e tij "Al-Kashf va al-bejan anil-tefsirul-Kur'an", thotë: "Kur njerëzit e pyetën Ajshen në lidhje me "Luftën e Deves" dhe implikimin e saj në atë luftë shkatërruese, ajo u përgjigj: Ajo ishte një caktim i Zotit! Kur e pyetën atë në lidhje me Aliun (a.s.), ajo u përgjigj: "Po më pyetni mua për atë që ishte më i dashuri prej njerëzve pranë Profetit dhe ishte bashkëshorti i vajzës më të dashur të Profetit s.a.v.s.. Unë me sytë e mi e kamë pa të Dërguarin e Zotit s.a.v.s. që Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Huseinin i ka mbuluar me një çarçaf dhe ka thënë: "O Zot! Këta janë familja dhe Ehli Bejti imë. Pastroji ata nga çdo lloj papastërtie dhe pastroji nga të gjitha mëkatet!" Unë i thash: O i Dërguar i Zotit! A jam edhe unë prej tyre? Ai u përgjigj: "Ti distancohu! Ti je në të mirën, mirëpo nuk je pjesë e këtij grupi!".

Në librin "Al-Mustadrik ala el-sahihajn" gjithashtu është transmetuar: "Një ditë Profeti s.a.v.s. ka thënë: "Thërrisni ata pranë meje! Thërrisni ata pranë meje!" Të pranishmit e pyetën: O i Dërguar i Zotit, cilët t'i thërrasim? Ai u përgjigj: "Ehli Bejtin tim! Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Huseinin". Pasi erdhën ata, Profeti s.a.v.s. vendosi aban (rrobën e sipërme) të tij mbi ata dhe ngriti duart e tyre lartë dhe tha: "O Zot! Këta janë familja ime!" Në këtë çast ka zbritur ajeti i pastrimit".

Siç duket ajeti i pastrimit është një mirësi e pashembullt për Ehli Bejtin e Profetit s.a.v.s.. Prandaj imamët ma'sum gjatë polemikave të tyre me njerëzit përdornin këtë ajet kur'anor në masë të madhe. Për shembull Imam Aliu (a.s.) në ditën e mbledhjes së këshillit për caktimin e khalifit duke marrë parasysh këtë ajet kur'anor ka thënë: "Po ju betoj juve në Zotin, a është ne mesin tuaj ndonjëri për të cilin të ketë zbritur ajeti i pastrimit? Atëherë kur i Dërguari i Zotit s.a.v.s. mblodhi mua, Fatimen, Hasanin dhe Huseinin dhe na mbuloi neve me aban e tij dhe tha: "O Zot! Këta janë Ehli Bejti imë, prandaj largoje çdo lloj papastërtie nga këta dhe pastroji plotësisht ata!". Anëtarët e këshillit të gjithë u përgjigjen: Jo".

Imam Hasani (a.s.) pas martirizimit të babait të tij të nderuar kur mbajti fjalim para njerëzve, tha: "Në këtë natë ka vdekur një burrë i cili gjithmonë ishte i pari në çdo vepër të mirë në krahasim me gjeneratat e para dhe gjeneratat e ardhshme në asnjë lumturi nuk do të mund të arrijnë në pozitën e tij. Ai me vërtetësinë më të madhe luftonte në rrugën e Zotit dhe i Dërguari i Zotit s.a.v.s. gjithmonë e dërgonte atë me flamurin e tij në çdo drejtim që dëshironte. Xhibrili në anën e djathtë dhe Mikaili në anën e majtë e mbështesnin atë dhe ai nuk kthehej nga asnjë betejë, përveçse Zoti i madhëruar me duar të tij i jepte fitoren Islamit,...". Më pas me një pikëllim të madh Imam Hasani (a.s.) ka thënë: "Unë jam i biri i lajmëruesit për të mirë dhe i paralajmëruesit për të keq, unë jam i biri i atij që ka ftuar njerëzit në rrugën e Zotit, unë jam i biri i "Saraxhu Munir" (Hazretit Muhamed s.a.v.s.), unë jam nga një familje që Zoti i madhëruar ka larguar çdo lloj papastërtie dhe mëkati nga ajo dhe e ka bërë atë të pastër dhe të mbrojtur nga çdo lloj mëkati.

Foto: Ajeti i pastrimit