Tetor 23, 2016 10:35 CET

Të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme të javës së kaluar në kontinentin europian.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë do të mbahen në muajt Prill dhe Maj të vitit 2017. Megjithatë, presidenti francez Francois Hollande nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht nëse do të garojë për një mandat të dytë. 62-vjecari ka humbur shumë nga popullariteti i tij për shkak të sulmeve terroriste që kanë goditur Francës gjatë viteve të fundit. “Në muajt dhe vitet që do të vijnë, unë nuk do të lejoj që imazhi i Francës të dëmtohet”, ka qenë kjo deklarata e Presidentit francez, Francois Hollande, ligjëratë e cila është interpretuar si një shenjë se ai ka ndërmend që të garojë për një mandat të dytë. Gjatë një fjalimi me temë ‘Demokracia përballë terrorizmit’, Hollande lëshoi gjithashtu akuza të ashpra por indirekte për kandidatët Marine Le Pen dhe dhe Nikolas Sarkozy, kur tha se Europa nuk duhet të cënohet nga nacionalizmi, kufijtë apo ekstremizmi. Deri më tani në zgjedhjet Presidenciale është konfirmuar kandidatura e Marine le Penn nga Fronti Nacional. Një tjetër fakt i rëndësishëm nga kjo fushatë rikthimi i ish-Presidentit francez, Nikolas Sarkozy. Ky i fundit do të garojë fillimisht në zgjedhjet partiake dhe në rast se do të zgjidhet fitues do të jetë kandidati i republikanëve. Marine ll Pen, kryetare e Frontit Nacional në Francë, u zotua javën e kaluar se do të mbajë një referendum për qëndrimin apo daljen e Francës nga Bashkimi evropian nëse fiton zgjedhjet presidenciale të 2017. Fronti Nacional ishte e vetmja parti e madhe në Francë që mbështeti fuqishëm largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, duke nxitur agjendën e saj euroskeptike në vend. Në kohën kur Franca ka ende të freskëta gjurmët e sulmeve terroriste që vranë 16 persona në janar të 2015, 130 në nëntor dhe 86 të tjerë në Nicë, njerëzit shohin shpresë tek partia dhe politikat e Le Pen, e cila çdo ditë po fiton popullaritet. Sipas sondazheve, Marine le Pen është dyfish më popullore se presidenti aktual i Francës Francois Hollande, kurse mbi një e katërta e votuesve shprehet se do të votojnë kryetaren e Frontit Nacional në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

 

Javën e kaluar, Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se Rusia mund të përballet me akuzat për krime lufte, për shkak të bombardimeve të saj në Alepo të Sirisë.Hollande i tha televizionit francez se akuzat mund të iniciohen nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime. Ai po ashtu tha se mund të refuzojë të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, i cili pritej të vizitojë Francën javën e kaluar. Gjatë vizitës, Putin do të takohej me Hollande dhe do të përuronte një kishë ortodokse në Francë, sipas asaj që njoftohej nga Kremlini. Por në Paris, Hollande deklaroi se takimi me Putin do të përqendrohej vetëm tek kriza siriane. Presidenca franceze kishte njoftuar homologët rusë se Presidenti Hollande do të takohej vetëm në një rast me Putin gjatë vizitës së planifikuar për më 19 tetor dhe kjo do të bëhej gjatë një takimi pune për krizën siriane. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi nga francezët, rusët bënë me dije shtyrjen e vizitës. Një zëdhënës i Kremlinit tha se vizita ishte anuluar, por Putin ishte i gatshëm që ajo të kryhej kur “t’i leverdiste Presidentit Hollande”. Por vetë Hollande tha se ai ishte i gatshëm të takohej me Putin në çdo kohë. Anulimi i vizitës së Putin mbërriti një ditë pas deklaratës së Hollande dhënë për televizionet franceze, ku sugjeroi se Rusia mund të akuzohej për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Duhet thënë se javën e kaluar, Rusia i ka vënë veto një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të hartuar nga Franca dhe Spanja, për ndalimin e bombardimeve në Alepo. Moska ka mohuar vazhdimisht se sulmon civilët, duke thënë se shënjestër e saj janë grupet terroriste në Siri. As Rusia, as Siria nuk janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime.

 

Javën e kaluar presidenti rus reagoi ashpër ndaj akuzave të vendeve perëndimore se Rusia ka kryer krime lufte në Siri. Presidenti rus Vladimir Putin hodhi poshtë sugjerimet se Rusia mund të përballet me akuza për krime lufte për shkak të bombardimeve në Alepo. Ai deklaroi për një media franceze se akuzat ishin thjesht retorikë dhe nuk marrin në konsideratë realitetin në Siri. Më herët, presidenti francez François Hollande sugjeroi se sulmet ajrore ruse në Alepo mund të jenë krime lufte. Zonat lindore të qytetit të dytë më të madh në Siri janë nën bombardim të ashpër pas dështimit të armëpushimit muajin e shkuar. Putin deklaroi për televizionin TF1 se Rusia do të përndjekë terroristët edhe nëse ata fshihen mes civilëve. "Nuk mund të lejojmë që terroristët të përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe t'i bëjnë shantazh të gjithë botës”, deklaroi Putin, duke shtuar se viktimat civile janë një realitet i hidhur i luftës. Duke hedhur poshtë akuzat se Rusia po bën krime lufte në Alepo, Putin tha se vendet perëndimore, me në krye SHBA, janë përgjegjëse për situatën në Siri. Putin foli edhe për rezolutën franko-spanjolle, ndaj të cilës Rusia përdori veton në Këshillin e Sigurimit. Ai tha se rezoluta u përdor vetëm për të përshkruar Rusinë si personazhin negativ, pasi të gjithë e dinin se ajo s'mund të miratohej. Por, pavarësisht akuzave për situatën në Alepo dhe dështimin e armëpushimit, mësohet se Rusia dhe SHBA do të rifillojnë bisedimet për Sirinë.

 

Edhe javën e kaluar, vazhdoi tensioninë marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA. Dhoma e ulët e Parlamentit rus miratoi dekretin e Presidentit Vladimir Putin për pezullimin e marrëveshjes së plutoniumit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pakti i vulosur në vitin 2000 i detyronte të dyja palët të asgjësonin tepricën e plutoniumit të përdorshëm për armë atomike. “Vendimi për nxjerrjen e këtij dekreti dhe paraqitja e draftit të tij këtu për aprovimin tuaj lidhet me vazhdimësinë e politikave armiqësore të Uashingtonit ndaj Moskës, të cilat kane nisur shume përpara ngjarjeve në Krime dhe Ukrainë”, u shpreh Sergei Ryabkov, zv.ministri i Jashtëm rus. Pezullimi i paktit u aprovua nga 445 prej 450 deputetëve të Dumës. Ligji pritet të hyje në fuqi në javët e ardhshme. Marrëveshja e përpara një dekade e gjysmë parashikon  asgjësimin e 34 ton plutonium të aftë për armë nga secila palë.  Këto rezerva me nivel të lartë radioaktiv nga koha e Luftës së Ftohtë ishin krijuar pas përballjes se panevojshme e konsideroheshin si tejet të shtrenjta. Përpos shkakut gjeopolitik të vendimit te tij, shefi i Kremlinit, Putin citon dhe një arsye tjetër. Uashingtoni siç thotë ai nuk e ka respektuar metodën e asgjësimit siç qe parashikuar, pra duke e përzier me uranium për ta përdorur  si prodhim energjie në centrale atomike. Amerikanët do t’i depozitojnë rezervat nën tokë, e kjo për rusët përbën problem, sepse mund të ndodhë fare mirë që SHBA t’i përdorë ato sërish.  Rusia ka rreth 130 ton plutonium të aftë për armë -  shumë më tepër se fuqitë e tjera bërthamore dhe rreth 40 ton më shumë se shtetet e Bashkuara. Ndër të tjera, Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.“Dialogu me Amerikën praktikisht është zero, por këtu nuk bëhet fjalë për zgjedhjen tonë”, ka thënë Putin, duke lënë të kuptohet se zgjedhja është e Uashingtonit.

Pas një kohe të gjatë tensionesh në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, javën e kaluar presidenti rus zhvilloi një vizitë në Turqi ku mori pjesë në Kongresin Botëror të EnergjisëKongresit Botëror të Energjisë në Stamboll, Presidenti rus Vladimir Putin iu drejtua me deklaratën se vendi i tij është gati ta frenojë prodhimin e naftës bruto. Rusia, tha Putin, do t’i bashkohet në çdo moment masave për kufizimin  e prodhimit e i fton edhe eksportuesit e tjerë të naftës të bëjnë të njëjtën gjë. “Ne e respektojmë nismën e fundit te OPEC-ut, e cila kërkon limite fikse të prodhimit. Presim që në takimin e organizatës në muajin nëntor, kjo ide të përkthehet në hapa specifike konkrete, të cilat t’u dërgojnë një mesazh pozitiv si tregjeve, ashtu edhe investitorëve”, tha ai. Shefi i Kremlimit la të kuptohej se kuotimi i ulët i naftës ka çuar drejt një pamjaftueshmërie të investimeve në industrinë globale të energjisë. Në arsyetimin e tij, nisur nga situata aktuale, ngrirja apo edhe rrudhja e prodhimit është ndoshta i vetmi vendim i duhur për ruajtjen e stabilitetit të tregut global të energjisë.  Kreu i shtetit rus firmosi së bashku me homologun e tij, Rexhep Tajip Erdoan edhe marrëveshjen e gazsjellësit që do të dërgojë gazin rus në Turqi e në Europën Jugore. I ashtuquajturi projekti Turkish Stream nisi nga Putini në 2014-tën si rrugë alternative ndaj South Streamit që kalonte përmes Bullgarisë.  Plani u ndërpre përkohësisht pas ngërçit të krijuar mes dy vendeve pas rrëzimit të avionit luftarak rus në Siri nëntorin  e vitit te kaluar, por mosmarrëveshjet tani janë lënë pas krahëve. Qëllimi i nismës 11,4 miliardë euroshe është furnizimi i tregjeve turke e atyre europiane me gaz natyror rus nëpërmjet Detit të Zi.