Tetor 23, 2016 10:53 CET

Programi "Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm" të cilin do ta paraqesim në disa edicione të shkurta, prezanton ceremonitë e zimbajtjes në muajin Muharram tek myslimanët në vende të ndryshme të botës. Transmetimi i këtij programi do të fillojë nga 11 Muharrami dhe do të vazhdojë deri më 20 Safar sipas kalendarit hixhri kameri, do të thotë deri në të dyzetat e Ashuras.

Muharram është muaji i parë i vitit sipas kalendarit Hixhri Kameri, i cili gjithashtu quhet edhe me emrin "Shehrul-Haram" dhe "Muharramul-Haram". Ky muaj quhet me emrin Muharram për arsye se arabët në këtë muaj luftën e konsideronin veprim të ndaluar, mirëpo ngjarja e Qerbelas ndodhi pikërisht në këtë muaj. Imam Reza (a.s.), pasardhësi i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë muaj ka thënë:

"Në periudhën e injorancës është respektuar vlera e këtij muaji dhe arabët megjithë degjenerimin që kishin, nuk luftonin në këtë muaj, mirëpo në këtë muaj kanë derdhur gjaqet tona dhe kanë përdhosur nderin tonë duke robëruar fëmijët dhe grat tona dhe kanë djegur tendat tona dhe kanë plaçkitur çdo gjë nga ne, duke mos respektuar nderin e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në lidhje me pasardhësit e tij".

Muaji Muharram na kujton tragjedinë e Qerbelas dhe ditën e Ashuras, ndërsa duke marrë parasysh se dita e Ashuras ka një gjerësi sa e gjithë sipërfaqja e tokës, në vende të ndryshme të botës me rastin e muajit Muharram ndjekësit e Imam Huseinit (a.s.) dhe dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.) me zemra të pikëlluara organizojnë ceremoni të zimbajtjes duke vajtuar dhe kujtuar martirizimin e Imam Huseinit (a.s.)

Gjithmonë shtrohet kjo pyetje në opinion se për çfarë arsye kalimi i kohës jo vetëm që nuk u bë shkak të harrohet kjo ngjaje pikëlluese, por  ai u bë shkak që kujtimi i kësaj tragjedie fetare pikëlluese të ripërtërihet për çdo ditë e më shumë në kujtesën e myslimanëve shiitë dhe në zemrat e dashamirësve të Ehli Bejtit (a.s.)? Kjo çështje e shtynë të mendojë çdo njeri me mendje të shëndosh për të hedhë të vështrim të ri mbi personalitetin e Imam Huseinit (a.s.) dhe mbi filozofinë e kryengritjes së Ashuras dhe për të hulumtuar të vërtetën e kësaj lëvizje e cila edhe pas shumë viteve akoma është e freskët dhe nuk duket e vjetër.

Kultura e shiizmit është nën ndikim të kryengritjes së Ashuras dhe është e brumosur me martirizimin dhe me zimbajtjen për Imam Huseinin (a.s.). Kjo është në atë mënyrë që zimbajtja konsiderohet simbol për ripërtëritjen e vlerave të larta njerëzore, për ripërtëritjen e vlerave për të cilat Imam Huseini (a.s.) dhe shokët e tij besnikë kanë sakrifikuar jetën dhe çdo gjë tjetër. Prandaj mesazhet e kësaj ngjarje të madhërishme, kanë ushtruar ndikim mbi të gjitha aspektet e jetës individuale dhe shoqërore të myslimanëve shiitë, deri në atë masë saqë ndoshta mund të pretendohet se në mesin e të gjitha ceremonive të tjera spirituale, sidomos të ceremonive të zimbajtjeve që organizohen në vende të ndryshme të botës nga myslimanët shiitë, kultura e Ashuras përbën ceremoninë më gjithëpërfshirëse dhe më të thellë dhe më të larmishme. Duke marrë parasysh përmasat e gjera dhe rëndësinë e ceremonive të zimbajtjes me rastin e muajit Muharram tek popujt e ndryshëm, e pamë të arsyeshëm që në këtë program serial, të prezantojmë një pjesë të vogël të ceremonive të zimbajtjes gjatë muajit Muharram që organizohen në vende të ndryshme të botës. Shpresojmë që të kuptohet sekreti i gjithëpërfshirjes së Islamit në Qerbela dhe në bazë të këtij kuptimi, të paraqitet një interpretim sa më i drejtë i ngjarjes së Ashuras. Mendimtari i njohur iranian Morteza Motahari në lidhje me këtë thotë:

"Ngjarja e Ashuras përmban dy faqe, njëra e bardhë dhe e ndritur dhe tjetra e zezë dhe e errët. Në një vështrim vërehet vetëm errësira dhe krimi që nuk kërkon asgjë tjetër, përveç vajtimit, zimbajtjes dhe elegjisë, mirëpo nëse lexohet ajo faqe e bardhë dhe e ndritur e kësaj ngjarje, atëherë vërehet se heroi i kësaj faqe është Huseini dhe Ehli Bejti dhe shokët e tij besnikë. Kjo faqe më nuk është krim, por është një epope, krenari dhe ndriçim, është manifestim i të vërtetës, dinjitetit njerëzor dhe i besimit në Zotin Një. Nëse do ta lexojmë faqen e ndriçuar të historisë huseinite, atëherë mund ta shfrytëzojmë edhe aspektin e elegjisë dhe vajtimit".

Me afrimin e muajit Muharram, të gjitha qytetet dhe fshatrat e Iranit dhe të shumë vendeve të botës islame, mbushen nga një pikëllim dhe mërzi dhe të gjithë njerëzit përgatiten për fillimin e ceremonive të zimbajtjes me rastin e këtij muaji. Përgatitja e xhamive, teqeve dhe huseinive dhe e vendeve të tjera për organizimin e ceremonive përkatëse me hyrjen e muajit Muharram në rajone të ndryshme të botës islame bëhet në forma të ndryshme në bazë të karakteristikave të ndryshme kulturore dhe gjeografike të çdo rajoni, qyteti dhe fshati. Në përgatitjen e vendeve të shenjta marrin pjesë me dashuri të madhe të gjithë njerëzit, burra, gra, pleq e të rinj. Në prag të muajit Muharram ngritën tendat dhe përgatiten husejniet dhe teqet pastrohen dhe vishen me të zi. Mbi portat e teqeve vendosen flamujt dhe bajraqet e zisë dhe sallonet e huseinive dhe të teqeve shtrohen me tapeta të dhuruara nga besimtarët dhe i tërë ambienti i tyre ndriçohet me llamba me ngjyrë kuq, zi dhe gjelbër. Ndërtuesit dhe mirëmbajtësit e husejnive dhe organizatorët e ceremonive të zimbajtjes, sigurojnë dhe përgatisin çdo gjë të nevojshme për ditët e muajit Muharram dhe për ceremonitë e zimbajtjes.

Bashkëpunimi dhe pjesëmarrja kolektive, respekti ndaj më të vjetrit, dhënia shembull për fëmijët në kuadër të ndarjes së punëve në teqe, mbledhja e parave dhe dhurimeve të tjera për ngritjen e teqeve dhe huseinijeve, janë disa prej funksioneve të ceremonive përkatëse për pritjen e muajit Muharram. Në edicionin e ardhshëm do të njihemi me historikun e ceremonive të zimbajtjes me rastin e muajit Muharram në Iran.

Tags