Janar 26, 2017 09:01 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në vazhdim të edicionit të kaluar, do të vazhdojmë të njihemi me veprat e gnostikut të njohur iranian Shejkh Abu Said Abul-Khajr.

Thamë se Abu Said Abul-Khajr, gnostiku i njohur iranian ka lindur në fillim të shekullit të pestë hixhri kameri, në fshatin Mejhanae në rajonin Khorasani i Madh dhe pas një jete të frytshme në edukimin e nxënësve dhe muridëve, vdiq në moshën 81 vjeçare në Mejhane. Gjithashtu, thamë se studiuesit konsiderojnë se Abu Said Abul-Khajr është poeti i parë gnostik iranian dhe paraardhës i Sanaiut dhe Atarit, dy poetëve të tjerë të njohur iranianë në këtë fushë. Thamë se në shkollën gnostike, ai ka ndjekur një gnosticizëm të dashurisë dhe për këtë arsye porosit më shumë hapjen se sa mbylljen e gnostikut ndaj botës.

Rreth jetës dhe thënieve të Abu Said Abul-Khajr ekziston një libër i vogël në gjuhën persiane me titull "Halat va Sokhanane Shejkh Abus Said", i cili është shkruar 100 vjet pas vdekjes së tij nga autori Xhamaludin Abu Ruh bin Abi Sa'd. Ky libër është vepra më e vjetër në llojin e tij, për arsye se deri në vitin 541 hixhri kameri nuk kemi ndonjë vepër tjetër rreth biografisë dhe veprave të Abu Said Abul-Khajr të shkruar në gjuhën persiane. Me një vështrim në këtë libër, mund të kuptohet se Abu Ruh ka zotëruar gjuhën persiane dhe gjuhën arabe. Dr. Shafi'i Kadkani, editor dhe studiues i këtij libri, në lidhje me këtë ka thënë: "Nëse do të gjendet ndonjë manuskript më e shëndoshë e kësaj vepre, do të kuptohet më mirë arti i shkrimit të autorit dhe zotërimi i tij mbi gjuhën persiane dhe arabe dhe mbi kulturën e kohës së vet". Kjo vepër nga aspekti i njohjes së gjuhës persiane, misticizmit islamik-iranian, historisë dhe në njohjen e disa karakteristikave gjuhësore dhe stilistike, ka rëndësi të madhe. Kjo vepër është dokument i vlefshëm rreth jetës dhe veprës së disa mistikëve të njohur, prandaj shumë pak mund të gjenden dokumente më të vjetra se ky libër në këtë fushë, prandaj në disa raste vlera e këtij libri është e pashoq.

Në bazë të librit "Halat va Sokhanane Abu Said", është shkruar një përmbledhje më e gjerë në lidhje me Abu Said Abul-Khajr me titull "Asrare Teohid fi makamati shejkh Abu Said" nga një prej pasardhësve të tij me emrin Muhamed bin Munavar Mejhani. Ky libër sipas të gjitha gjasave është shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë hixhri kameri, gjegjësisht në vitin 574 hixhri kameri (1178). Ky vit përkon me një periudhë kohore në të cilën Khorasani ishte përfshirë nga trazirat dhe luftërat si pasojë e korrupsionit në dinastinë lindore të Selxhukëve dhe pasardhësit e Abu Said Abul-Khajr në Mejhane ishin vrarë në mënyrë masive dhe nuk kishte mbetur asgjë nga ata, përveç varrit të Abu Said Abul-Khajr. Ky libër në realitet shpjegon biografinë dhe veprat e Abu Said Abul-Khajr dhe çështja më e rëndësishme e kësaj vepre është kjo që shpjegimi i biografisë në këto përmasa është i pashembullt në letërsinë persiane.

Në sferën e prozës së vjetër persiane, vepra "Asrare Teohid" është vepra e parë e shkruar rreth biografisë së një personalitetit mistik. Ky libër përshkruan veprat e Abu Said dhe rrugën e jetës së tij dhe të muridëve (nxënësve) të tij, ndërkohë paraqet edhe disa çështje shumë më vlerë rreth historisë dhe jetës fetare të popullit iranian në Khorasan në shekullin 5 h.k. (11 të erës së re). Edhe pse Muhamed bin Munavar, që ka shkruar biografinë e Abu Said Abul-Khajr, është pasardhësi i gjeneratës së pestë pas tij, mirëpo për shkak të ekzistencës së metodës islame të transmetimit gojor në atë kohë, me siguri të madhe mund të thuhet se thëniet e transmetuar nga personat ose fjalët urta, janë transmetuar për gjeneratat pasardhëse me ndryshimet më të vogla. Vërtetësia e këtyre transmetimeve është një çështje e cila në të shumtën e rasteve nuk mund të konfirmohet me ndihmën e burimeve të tjera në lidhje me ngjarjet e përshkruara. Frits Maier, studiues zviceran, në librin e tij me titull "Abu Said Abul-Khajr, e vërteta dhe legjenda", ka paraqitur një figurë bindëse të Abu Said Abul-Khajr. Mirëpo duket se më mirë është që veprat e Abu Said Abul-Khajr dhe reagimet e ndjekësve të tij mund të studiohen dhe analizohen më mirë në fushën e punës së një psikologu dhe patologu fetar. Në veprën "Asrare Teohid" është përmbledhur biografia dhe fjalët e Abu Said Abul-Khajr. Kjo vepër konsiderohet prej dokumenteve më të mira të historisë shoqërore të Iranit në atë kohë, të zhvillimit historik të gnosticizmit në Iran dhe për biografinë e mistikëve dhe gnostikëve iranianë. Vepra "Asrare Teohid" padyshim se është një prej teksteve më të rëndësishme gnostike në prozë. Kjo vepër përveç mendimeve, metodave dhe sejrosulukun e mistikëve, paraqet edhe traditat, zakonet, marrëdhëniet shoqërore brenda dhe jashtë një grupi të gnostikëve. Kjo ka rëndësi shumë të madhe nga aspekti letrar. Metoda e tregimeve, zgjedhja e fjalëve, metoda e ruajtjes së fjalëve të vjetra dhe burimore, si dhe ruajtja e autensisë së vargjeve të shpërndara të autorëve të panjohur etj., janë karakteristika që e kanë vendosur këtë vepër në shkallën e burimeve më të rëndësishme të misticizmit islam dhe të letërsisë persiane. Kjo vepër është shkruar nga një pasardhës i Abu Said Abul-Khajr do të thotë Muhamed bin Munavar që origjina e tij familjare me tre breza arrin te Abu Said Abul-Khajr. Në kohën kur Muhamed bin Munavar ka filluar të shkruajë këtë libër, do të thotë në vitin 574 hixhri kameri, kishin kaluar 134 vjet nga vdekja e Abu Said Abul-Khajr. Gjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë, thëniet dhe veprat e Abu Said Abul-Khajr për shkak të thjeshtësisë, dashurisë dhe shkurtësisë tërheqëse, akoma nuk ishin harruar në Khorasanin e Madh të asaj kohe dhe ato ishin transmetuar në mënyrë gojore nga mistikët, nxënësit dhe të afërmit e Abu Said Abul-Khajr.

Duke studiuar veprën "Asrare Teohid" mund të vërehet se thëniet dhe veprimet e Abu Said Abul-Khajr ishin të përhapura në mesin e mistikëve dhe ndjekësve të rrugës së tij në atë kohë deri në atë masë saqë nuk ndjehet nevoja që ato të shkruhen në libër. Prandaj mund të thuhet se shumica e thënieve që transmeton Muhamed bin Munavar nga thëniet dhe veprat e Abu Said Abul-Khajr, janë të vërteta dhe nëse ndonjë tregim ose thënie nuk është e vërtetë në këtë libër, i përket më shumë veprimeve dhe sjelljeve të panatyrshme dhe mahnitëse. Transmetime të tilla nuk ekzistojnë në fushën e urtësisë dhe misticizmit. Është e natyrshme që disa prej ndjekësve të Abu Said Abul-Khajr të cilët nuk kanë jetuar në kohën e tij, me anë të ekzagjerimit dhe legjendave janë munduar ta ngrenë pozitën e tij, mirëpo mund të thuhet se përmbajtja e tregimeve dhe thënieve të përmbledhur në këtë vepër, përputhet me fjalët e Abu Said Abul-Khajr. Në lidhje me këtë çështje duhet theksuar se këto thënie për mistikët bashkëkohanikë të Abu Said Abul-Khajr dhe pas vdekjes për nxënësit e tij, kanë patur rëndësinë dhe vlerën e haditheve profetike dhe janë transmetuar me kujdes të veçantë.   

Vepra "Asrare Teohid" konsiderohet një prej veprave më të bukura të prozës persiane dhe nga aspekti letrar kjo vepër është shkruar me një prozë të bukur. Stili i të shkruarit të Muhamed bin Munavar bazohet në thjeshtësinë e tekstit. Mënyra e të shprehurit të Muhamed bin Munavar është e thjeshtë dhe e qartë pa zbukurime artificiale. Forca e autorit në transmetimin e thënieve dhe tregimeve, i ka dhënë një butësi të veçantë fjalëve të Abu Said Abul-Khajr. Autori përveçse ka respektuar me përpikëri të gjitha teknikat dhe kriteret e oratorisë dhe është treguar mahnitës në krijimin e koncepteve dhe në shpjegimin e çështjeve të ndryshme. Thjeshtësia e shprehjes pa zbukurime artificiale, shpeshherë i kujton lexuesit gjuhën e thjeshtë popullore. Rima e butë dhe e bukur që ndodhet në thjeshtësinë e fjalëve dhe bukuria kuptimore e "Asrare Teohid", paraqet më së mirë forcën e autorit për të përshkruar ngjarjet e ndryshme.

Karakteristikë tjetër e veprës "Asrare Teohid", është zbukurimi i tregimeve me vargje poezie të Abu Said Abul-Khajr. Shumica e studiuesve janë të mendimit se kjo vepër është dokumenti më i mirë që paraqet poezinë persiane të periudhës së parë. Këto vargje poezie të cilat janë të autorëve të ndryshëm dhe të panjohur të transmetuara në librin "Asrare Teohid" përveç atyre të Abu Said Abul-Khajr, kanë një gjuhë të vjetër dhe sipas stilit të tyre, mendohet se ato i përkasin periudhës para shekullit të katërt hixhri kameri.

Do të informoj ty për një ngjarje

Duke e përshkruar atë vetëm me dy fjalë

Me dashurinë tënde do të hyj në tokë

Me dashurinë tënde do të dalë nga toka

Libri i tretë i shkruar rreth Abu Said Abul-Khajr është një transmetim i vjetër që u zbulua më vonë rreth personalitetit të Abu Said Abul-Khajr. Dr. Shafi'i Kadkani, editor i këtij libri, e ka titulluar ata "Shijimi i shijes së kohës" dhe në parathënien e tij shkruan: "Ky libër nuk është as "Halat va Sokhanane Abu Said" dhe as "Asrare Teohid", por është një libër tjetër të cilin mund të konsiderojmë një transmetim të vjetër dhe të zbuluar më vonë rreth personalitetit të Abu Said Abul-Khajr. Ky është një libër që deri më tani mendohej se është zhdukur". Dr. Shafi'i Kadkani mendon se konceptet "sheriati, tarikati dhe hakikati" janë bazë e të menduarit të Abu Said Abul-Khajr.