Të drejtat islame të njeriut
Në këtë edicion do të flasim rreth të drejtës së privatësisë personale në të drejtat islame të njeriut.
Dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar kemi folur rreth çështjes së të drejtës së sigurisë dhe llojit të saj. Në këtë edicion do të njihemi më tepër me llojet e tjera të sigurisë duke përfshirë sigurinë e vendbanimit dhe sigurinë e privatësisë së individëve.
Venqëndrimi është vendi i banimit dhe qetësisë së përditshme të individëve dhe familjeve të tyre dhe ata duhet të kenë mundësi në këtë vend të jetojnë dhe pushojnë në qetësi dhe siguri të plotë. Ky vend, parimisht duhet të jetë i mbrojtur nga çfarëdo lloj agresioni dhe personat e tjerë nuk duhet të hyjnë në atë, pa lejen e pronarit. Rëndësia e privatësisë së banesës dhe shtëpisë është përmendur edhe në Kur'anin e shenjtë i cili thotë: "O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj. Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim. Po nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni në to derisa t’u jepet leja, e nëse u thuhet kthehuni, ju kthehuni prapa. Kjo është më e ndershme për ju. All-llahu di çdo gjë që veproni ju". (Sure Nur, ajeti 27 dhe 28)
Sistemi i të drejtave ndërkombëtare ka ndaluar hyrjen e personave pa leje në vendbanimet e personave të tjerë dhe në Deklaratën Islame të të Drejtave të Njeriut në nenin 18 thuhet: "Banesa ose shtëpia në çfarëdo kushte dhe rrethanash gëzon sigurinë e privatësisë dhe pa lejen e pronarit të saj, konsiderohet e paligjshme hyrja në ato, shkatërrimi ose konfiskimi i tyre".
Gjithashtu, siguria e vendqëndrimit të çdo individi, ka rëndësi të veçantë. Vendqëndrimi i çdo personi është vendi në të cilin personi banon ose aty ku ndodhet qendra e rëndësishme e çështjeve të tij. Çdo person duhet të ketë mundësi që në mënyrë të lirë dhe pa marrjen e lejes paraprake, të zgjedhë vendqëndrimin e tij ose ta ndryshojë. Zgjedhja e vendqëndrimit është një prej të drejtave dhe lirive individuale në mënyrë njeriu të mund të zgjedhë vendin më të përshtatshëm me iniciativën e tij dhe të gëzojë të gjitha privilegjet përkatëse me atë në kuadër të ligjit.
Në dokumentet ndërkombëtare paragrafi 2 i nenit 13 të Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut, është theksuar liria e qëndrimit dhe në paragrafët 2 dhe 4 të nenit 12 të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Qytetare dhe Politike është përsëritur ky theksim për lirinë e qëndrimit. Gjithashtu, paragrafi 1 i nenit 8 të konventës evropiane për të drejtat e njeriut kujton se individët gëzojnë të drejtën që t'u respektohet atyre vendqëndrimi.
Feja e pastër islame ka ndërtuar standardet e vendqëndrimit mbi bazë të lirisë dhe zgjedhjes së individit brenda limiteve të interesit të shoqërisë. Në lidhje me lirinë e vendqëndrimit, Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: "Toka, është tokë e Zotit dhe robërit janë robër të Zotit. Çdo kund që të vije e mira, aty qëndro dhe bano!".
Në lidhje me lirinë e emigracionit, gjithashtu, Zoti i madhëruar me qëllim të çlirimit të personave nga dhuna e sunduesve, ka urdhëruar emigrimin dhe ka thënë: "Ata të cilët kanë besuar dhe kanë emigruar dhe kanë luftuar në rrugën e Zotit dhe ata të cilët kanë siguruar strehim dhe kanë ndihmuar të shpërngulurit, janë besimtarë të vërtetë. Ata e meritojnë faljen dhe furnizimin". (Sure Enfal, ajeti 75)
Natyrisht se Islami për lirinë e qëndrimit dhe banimit, ka caktuar edhe disa limite. Prandaj, nëse disa persona luftojnë kundër Zotit dhe të Dërguarit të Tij dhe bëjnë korrupsion dhe degjenerim në tokë, dënohen me dënimet më të rënda duke përfshirë edhe dëbimin nga vendlindja ose vendqëndrimi.
Siguria e vetmisë ose e privatësisë. Individët në jetën e tyre, me domosdo kanë nevojë për një varg marrëdhëniesh private, marrëdhëniesh publike, marrëdhënie pune dhe marrëdhënie familjare. Natyra e këtyre marrëdhënieve është e atillë që ato nuk mbesin të fshehura nga askush dhe parimisht informimi rreth tyre nuk krijon problem. Mirëpo çdo individ për vete ka disa çështje qind për qind private dhe kushti kryesor i tyre është që ato të mos zbulohen për të tjerë. Moszbulimi i çështjeve private në shoqëri, manifestohet si një e drejtë dhe individët janë të obliguar ta respektojnë këtë të drejtë. Hyrja në jetën private të individëve në çfarëdo forme të jetë, konsiderohet veprim i qortuar nga aspekti moral dhe ka përgjegjësi nga aspekti ligjor.
Një vështrim historik mbi termin "hapësirë private-privatësi" në fushën e antropologjisë dhe sociologjisë, tregon se në kulturat dhe shoqëritë e ndryshme, privatësia gjithmonë është konsideruar një çështje me vlerë dhe është mbrojtur, mirëpo megjithëkëtë nuk është krijuara akoma një përkufizim, një perceptim, një përshkrim dhe një koncept i unifikuar në lidhje me këtë çështje. Kjo është pikërisht për shkak të dallimeve që ekzistojnë në kultura, për shkak të ndryshimeve politike, shoqërore dhe kulturore në shoqëritë gjatë historisë dhe gjithashtu, për shkak të dallimit në llojin e vështrimit ndaj kësaj të drejte, ndaj rolit dhe pozitës së saj në shoqëritë. Kështu që shembujt dhe kriteret e privatësisë ose ambientit dhe hapësirës private dallojnë nga një kulturë tek tjetra dhe nga një shoqëri tek tjetra dhe gjithashtu nga një periudhë kohore tek tjetra.
Privatësia është një koncept që përkufizimi i tij varët nga kushtet ambientale. Në realitet privatësia konsiderohet vijë e kuqe për kufijtë e pranisë së shoqërisë në jetën private të individëve. Prandaj, mund të thuhet se privatësia është dëshirë e personave për të vendosur në mënyrë të lirë që deri në çfarë mase do ta zbulojnë jetën dhe veprimet e tyre për të tjerët.
E drejta e privatësisë është përmendur në nivel shumë të mirë në ligjet ndërkombëtare. Pas pranimit të Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948 dhe nenit 12 i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë trajton çështjen e privatësisë së individit, kushte të ngjashme janë caktuar edhe në konventën ndërkombëtare për të drejtat qytetare dhe politike dhe në konventën evropiane në lidhje me të drejtat e njeriut dhe në konventat dhe traktatet e tjera rajonale.
Deklarata Botërore e të drejtave të njeriut në nenin 3 thotë: "Çdo individ gëzon të drejtën e jetës, lirinë dhe sigurinë personale". Në bazë të nenit 12 të Deklaratës Botërore të të Drejtave të njeriut dhe nenit 12 të Traktatit Ndërkombëtar për të Drejtat Qytetare dhe Politike: "askush nuk duhet të ndërhyjë në jetën private, në çështjet familjare dhe në vendqëndrimin ose në letërkëmbimet e individëve pa lejen e pronarit, përndryshe ky veprim konsiderohet i paligjshëm. Çdo individ ka të drejtë që përball ndërhyrjeve të tilla, të gëzojë mbështetjen e ligjit". Neni i 8-të i konventës evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, gjithashtu, në lidhje me të drejtën e individëve për të gëzuar sigurinë e jetës private dhe familjare, vendqëndrimit dhe komunikimit (letërkëmbimit), pushtetin publik e ndalon nga ndërhyrja pa leje në jetën private të individëve. Me përjashtim kur një veprim i tillë bëhet në bazë të ligjit dhe për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike dhe kombëtare, shëndetin, moralin, mirëqenien e shoqërisë ose për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve. Në lidhje me këtë, paragrafi (B) i Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut gjithashtu thotë: "Çdo njeri ka të drejtë që në çështjet e jetës private të tij (në banim, familje, pasuri dhe komunikim) të ketë pavarësi dhe nuk lejohet përgjimi ose vëzhgimi i tij ose njollosja e dinjitetit të tij, prandaj ai duhet të gëzojë mbrojte të plotë përball veprimeve të tilla të dhunshme".
Këshilli i Evropës në rezolutën e miratuar në lidhje me privatësinë, e ka përkufizuar privatësinë si një e drejtë e individit për të patur jetën ose shijen e tij me ndërhyrjen më të vogël të të tjerëve.
Përkushtimi ndaj privatësisë vërehet edhe në Deklaratën e Parimeve të Samitit të Lartë të Liderëve në lidhje me shoqërinë informative të miratuar më 12 dhjetor 2003. Në nenin 35 të kësaj deklarate thuhet: "Forcimi i kornizës që u jep siguri individëve si sigurinë e informacioneve dhe sigurinë e rrjetit, garantimin e kredibilitetit, mbrojtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e konsumatorit, është një prej parakushteve për krijimin e shoqërisë informative dhe për krijimin e besimit mes përdoruesve të teknologjisë informative dhe komunikuese.
Në nenin 58 të kësaj deklarate, gjithashtu, në shfrytëzimin e teknologjisë informative është theksuar respektimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore duke përfshirë edhe privatësinë e individëve.
Privatësia është një prej koncepteve më të vlefshme juridike të zhvilluara. E drejta mbi privatësinë është një prej të drejtave më të rëndësishme që ka lidhje të ngushtë me dinjitetin njerëzor. Qëllimi i kësaj të drejte është ngritja e personalitetit të njeriut dhe respekti i integritetit material dhe shpirtëror të njeriut. Privatësia ka lidhje të ngushtë me pavarësinë dhe lirinë e njerëzve dhe me të drejtën për të caktuar fatin e tyre. Kjo është për arsye se kjo e drejtë krijon hapësirën e duhur për zhvillimin dhe përkryerjen e individëve dhe parandalon që njerëzit të shndërrohen në vegla. U jep njerëzve mundësi që të ndjekin qëllimet private të tyre dhe të kenë sferë për paraqitjen e ndjenjave të brendshme të tyre. Nevoja për mbrojtjen e privatësisë dhe për mosndërhyrjen në çështjet e të tjerëve, është një prej mësimeve të rëndësishme të Islamit. Në shumë ajete të Kur'anit është theksuar nevoja për respektimin e privatësisë së individëve. Feja e pastër islame thekson në mënyrë të veçantë respektimin e privatësisë së individit dhe ka ndaluar përgjimin e tyre. Imam Aliu (a.s.) duke qortuar përgjimin ndaj shtëpive të njerëzve, ka thënë: "Mos hyjni në asnjë shtëpi, përveç nëpërmjet portës së saj, sepse nëse dikush hyjnë në një shtëpi jo nga porta e saj, konsiderohet hajdut".
Duhet të kemi parasysh se sot mjetet e sofistikuara teknike dhe elektronike dhe lehtësimi i përdorimit të tyre nga qeveritë për përgjimin e qytetarëve, konsiderohet një rrezik shumë serioz kundër privatësisë dhe jetës private të individëve. Në këtë mënyrë praktikisht siguria dhe liritë individuale mohohen dhe zbulohen sekretet dhe privatësia e njerëzve dhe çështjet familjare të tyre. Mirëpo veprime të tilla janë në kundërshtim me ligjin për garantimin e të drejtave individuale të njerëzve.