Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të njihemi me jetën dhe veprën e Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re).
Thamë se Nasir Khosro, poet dhe filozof i njohur iranian i shekullit 5 hixhri kameri (11 të erës së re), për shkak të prirjeve dhe animit ndaj shkollës Ismailije, hoqi dorë nga funksionet shtetërore dhe të gjithë jetën e tij ia kushtoi përhapjes së ideve dhe bindjeve të shkollës Ismailije. Në këtë kuadër, ai 15 vitet e fundit të jetës së tij ia kushtoi shkrimit të veprave të çmuara që një numër i tyre i kanë mbijetuar kohës deri më tani dhe në edicionet e kaluara i kemi prezantuar ato shkurtimisht. Veprat poetike të Nasir Khosro si nga aspekti i të menduarit dhe si nga aspekti i stilit letrar, kanë karakteristika të rralla.
Nasir Khosro është prej poetëve dhe autorëve me kapacitete të mëdha të gjuhës dhe letërsisë persiane i cili ka tërhequr vëmendjen e kritikëve, studiuesve dhe dashamirësve të poezisë persiane.
Nasir Khosro edhe pse gjatë jetës së tij ka përjetuar shumë vështirësi dhe padrejtësie, mirëpo aktualisht në mesin e mendimtarëve të botës ka gjetur një pozitë të veçantë. Andre Jugnoviç Bartels, studiues rus, në lidhje me përkushtimin ndaj poezisë së Nasir Khosro, thotë: "Poezitë etiko-morale dhe këshillëdhënëse të tij janë futur në programin mësimor të Iranit dhe Taxhikistanit, ndërsa mediat iraniane kanë interesim të madh për poezinë dhe veprat e Nasir Khosro. Poezitë dhe veprat e tij për çdo ditë e më tepër po tërheqin vëmendjen në lindje dhe perëndim dhe nevoja për studimin më të madh të veprave të Nasir Khosro po shtohet për çdo ditë e më tepër".
Arbary në lidhje shpirtin liridashës të Nasir Khosro thotë: "Paraardhësit e Nasir Khosro krijonin poezi dhe oda panegjirike në lavdërimin e mbretërve dhe princave, mirëpo temat që ka trajtuar Nasir Khosro përkufizohen vetëm në besimin në një Zot, madhërinë hyjnore dhe rëndësinë e fesë, devotshmërisë, pastërtisë shpirtërore, virtyteve të larta dhe lavdërimin e shkencës". Alame Kazvini, gjithashtu, Nasir Khosron e vlerëson si një poet të një shkalle të lartë dhe të gjitha veprat e tij i konsideron të mëdha dhe me plotë përmbajtje.
Dr. Dhebihullah Safa, studiues i letërsisë së Iranit, në lidhje me karakteristikat e poezisë së Nasir Khosro, thotë: "Nasir Khosro padyshim se është një prej poetëve të mëdhenj të gjuhës persiane. Ai nuk i kushton vëmendje faktorëve sipërfaqësorë të së bukurës dhe madhërishmes dhe as aspekteve mashtruese të ambientit dhe të personave, ai më tepër përkushtohet ndaj të vërtetave, bazave dhe bindjeve fetare. Për këtë arsye, edhe përshkrimet e natyrës i përdorë si hyrje në diskutimet racionale dhe fetare. Megjithëkëtë, nuk duhet të anashkalohet aftësia e madhe e Nasir Khosro në përshkrimin dhe shpjegimin e karakteristikave të natyrës. Përshkrimet që ai i bënë stinëve të vitit, netëve, qiellit dhe yjeve, janë të rralla në mesin e poetëve persian".
Dr. Abdulhusejn Zarinkub në lidhje me aftësinë e lartë poetike të Nasir Khosro dhe guximin e tij në përdorimin e racionalizmit kundër tiranëve të kohës së vet, thotë: "Thëniet e Nasir Khosro kishin një madhëri të pashembullt. Ato binin si një vërshim nga lartë, poshtë dhe përfshinin çdo gjë dha vazhdonin rrjedhën. Ai fliste me forcë dhe lexuesi e shikonte veten përpara tij sikur të ishte përpara një gjiganti të lartë. Vështrimi i tij është sikur vështrimi i një gjiganti të zemëruar, por jo dashakeqës. Ky gjigant i zemëruar, është zemërmirë dhe akoma manifestohet në Divanin e tij i cili flet me një ton të irrituar dhe ai është i irrituar për shkak të këtyre njerëzve të paditur të cilët janë bërë rob të dëshirave të egos së tyre dhe janë bërë vegël e qëllimeve të sunduesve të korruptuar. Ai sulmon në mënyrë të ashpër këta njerëz!"
Dr. Gholamhusejn Jusefi Naser Khosro dhe poezinë e tij e përshkruan në këtë mënyrë: "Poezia e Nasir Khosro nga aspekti i përmbajtjes dhe formës, fjalëve dhe ritmit, baticave dhe zbaticave, si dhe nxitimit dhe ndaljes, është pikërisht ai mendim i ashpër i tij që është paraqitur në formën e rimës dhe fjalëve. Në poezinë e tij reflektohet pikërisht ajo fytyrë gjithmonë serioze dhe e vendosur, deri diku e zymtë dhe pa asnjë lloj humori dhe gëzimi, plotësisht si një "khoxhet" dhe prijës i shkollës Ismailije. Poezia e Nasir Khosro nga aspekti i brendësisë dhe e tematikës, është një poezi rezistuese dhe e padorëzueshme, por edhe nga aspekti fjalëve dhe rimës është e tillë. Poezia e tij është sikur një copë hekur i skuqur i cili kërcen mbi kullën e farkëtarit nën goditjet e forta të tij dhe shpërndan xixa. E gjithë kjo është reflektim i shpirtit të përvuajtur të Nasir Khosro".
Dr. Mahdi Mohaghegh, editues i Divanit të Nasir Khosro, në lidhje me karakteristikat etiko-morale të Nasir Khosro, thotë: "E vetmja sjellje e tij e mirë dhe atribut i tij i dalluar i cili e dallon atë nga poetët e tjerë, është ky që ai diturinë dhe letërsinë e tij nuk e ka bërë vegël të kënaqësive të kësaj bote dhe kurrë nuk ka lavdëruar të zotët e pasurisë dhe pushtetit. Prandaj Divani i tij është një përmbledhje e këshillave, mësimeve, urtësive dhe njëkohësisht me plotë mësime humaniste dhe rregulla njerëzore. Ai ka perceptuar shumë mirë veprimet e shoqërisë së tij dhe ka kundërshtuar dhe protestuar kundër veprimeve negative. Nasir Khosro me terminologjinë e sotëm, ka ndjekur një luftë të ftohtë dhe duke kritikuar veprimet e mbretërve dhe guvernatorëve, ka zbuluar edhe skandalet e klerikëve duke shkatërruar pallatet e tyre shpirtërore por të zbrazëta. Ai kritikon dhe qorton ashpër poetët të cilët poezitë e tyre ia kushtojnë lavdërimit të pushtetarëve dhe klerikët fetarë të cilët për hir të pasurisë, i vlerësojnë të lejuara veprimet e këqija të pushtetarëve".
Dr. Muhamed Ali Islami Ndushen, gjithashtu, rreth lidhjes së letërsisë dhe politikës në poezinë e Nasir Khosro, thotë: "Në letërsinë persiane asnjë poet nuk ka kritikuar aq ashpër pushtetin dhe pushtetarët se sa që e ka bërë këtë Nasir Khosro ndaj pushtetit të dinastisë së Selxhukëve. Ai nuk i pranon as pushtetarët e dinastisë Ghaznevite. Nasir Khosro e kujton me dëshpërim mungesën e dinastisë Samanite e cila kishte një dashuri të madhe ndaj kulturës dhe letërsisë iraniane. Ai është një poet politik me plotë kuptimin e fjalës. Ai çdo fjalë që thotë, prapa saj ka një qëllim shoqëror".
Nasir Khosro me veprat e tij, ka garantuar iranizmin dhe ka fituar një pozitë të pavdekshme. Ai është ndikuar nga Shahnameja dhe ishte një prej simpatizantëve të Ferdosit. Këta dy poetë më shumë se çdo gjë dhe më shumë se çdo kush tjetër, kanë ngjashmëri në iranizëm. Në poezinë persiane ekziston lloji i poezisë lirike dhe panegjirike, por Nasir Khosro nuk i përket asnjë prej këtij lloji të poezisë. Ai u zgjua si pasojë e një tronditje shpirtërore dhe kishte arritur deri në një nivel që nuk mund të arrinte atë që dëshironte në një vend të caktuar. Kjo çështje mund interpretohet si një trazirë shpirtërore të Nasir Khosro e cila u bë shkak për krijimin e veprave të tij letrare".
Nasir Khosro në periudhën në të cilën kishte shumë hipokrizi dhe mashtrime popullore, kishte prirje dhe anime ndaj shkencës dhe fatimijve të Egjiptit. Këto prirje të tij ishin për shkak të dhunës dhe padrejtësisë që ekzistonte në atë kohë në Iran. Ndoshta kjo çështje tregon thjeshtësinë e Nasir Khosro që anoi drejt fatimijve dhe ismailive të Egjiptit dhe këtu shtrohet pyetje se për çfarë arsye një njeri si Nasir Khosro që ishte njeri i pastër dhe i lirë, pasionohet pas fatimijve të Egjiptit? Megjithatë, fatimijtë e Egjiptit me gjithë mangësitë dhe të metat që kishin, ishin më të mirë se sa khalifët e dinastisë Abasite.
Dr. Muhamed Dabir Sejaghi, në parathënien që ka shkruar në veprën "Sefername" të Nasir Khosro, aftësitë dhe potencialet e tij i përshkruan kështu: "Ai është një udhëtar që quhet Nasir Khosro dhe kishte mësuar thellësisht shkencat e kohës së tij dhe kishte fituar një eksperiencë të madhe në të shkruar gjatë funksioneve të ndryshme në oborrin mbretëror. Ai kishte krijuar famë të madhe në letërsi dhe në nivelet intelektuale. Ai kishte fituar njohuri të mjaftueshme në sferat të ndryshme të shoqërisë. Ai zotëronte një gjuhë të lartë dhe kishte aftësi të pashembullta në ritregimin dhe trajtimin e çështjeve shoqërore, filozofike dhe fetare".
Dr. Nadir Vazinpur, gjithashtu, në parathënien që ka shkruar në veprën "Sefername" të Nasir Khosro, thotë: "Në këtë libër në asnjë mënyrë nuk ekzistojnë përshkrime të ekzagjeruara dhe të pavend dhe as përshkrime të ngjarjeve të parëndësishme dhe as përshkrime të legjendave dhe të besëtytnive. Kjo është për arsye se Nasir Khosro është realist dhe kurrë nuk ndjek mendimet dhe bindjet e brishta dhe të pabaza të popullit të thjeshtë".
Dr. Ali Ravaghi rreth Nasir Khosro ka këtë bindje: "Poezia e Nasir Khosro është një rrezatim i shpirtit të tij të madh dhe të ndjenjave të larta, ndërkohë që feja, bindjet fetare dhe morali përbëjnë thelbin dhe brendësinë kryesore të poezive të tij. Ekzistojnë disa poezi të tij të cilat përmbajnë një lloj fanatizmi fetar dhe e paraqesin Nasir Khosro si një asket të thatë dhe të vrazhdë, mirëpo përkrah këtyre elementeve ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që tregojnë qëndrueshmërinë dhe rezistencën e tij, si dhe ndjenjat e tij të larta poetike".