Shtator 28, 2017 11:17 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".

Në këtë edicion do të vazhdojmë të njihemi me jetën dhe veprën e Mevlanan Xhelaludin Muhamed Balkhi, poetit të shekullit të shtatë hixhri kameri (shek. 13 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane. Mendimet dhe idetë e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës dhe shumë mendimtarë botërorë janë ndikuar nga ai.

Në edicionin e kaluar thamë se Xhelaludin Muhamed Balkhi i njohur me epitetin Mevlana, është poeti dhe gnostiku më i njohur iranian i cili ka lindur në qytetin Balkh. Ky qytet në atë kohë ishte një prej katër qyteteve të mëdha dhe të rëndësishme të Khorasanit dhe përkrah qyteteve Marv, Herat dhe Nishabur, ishte një prej qendrave të rëndësishme shkencore islame  dhe kishte shumë shkolla dhe xhami. Kuvendet e ligjërimit fetar dhe të shkencës së hadithit në këtë qytet kishin arritur një zhvillim shumë të madh. Mevlana në periudhën e fëmijërisë për shkak të sulmeve të mongolëve ndaj Iranit, së bashku me familjen e tij u shpërngul nga Balkhi dhe pas disa vite udhëtimi në qytete të ndryshme të rajonit si në Bagdad, Damask dhe në qytetet e Gadishullit Arabik, më në fund u vendos në qytetin Larende (Karaman i sotshëm). Larende ishte një ambient i përshtatshëm për organizimin e kuvendeve të ligjërimit dhe mësimit nga ana e Behau Valad. Guvernatori i Larende i cili ishte nën urdhrat e Sulltan Alaudin Kejkabad të dinastisë Salxhuke, e mirëpriti me ngrohtësi Behau Valadin, familjen dhe muridët e tij, ndërkohë që emëroi edhe një shkollë me emrin e tij. Larende ishte një qytet i bukur dhe në këtë qytet ndodheshin monumente shumë interesante antike që tregonin fuqinë e Bizantit, por edhe periudhën antike të Greqisë. Banorët e dashur dhe ambienti i qetë i këtij qyteti, krijonin një atmosferë të shëndosh dhe të sigurt për Behau Valadin i cili kalonte periudhën e pleqërisë në mënyrë që të vazhdonte mësimin dhe ligjërimin e tij në lidhje me shkencat fetare. Pikërisht në këtë qytet, me insistim të muridëve dhe me inkurajimin e babait të tij, Mevlana mbajti kuvendët e para të ligjërimit dhe klasat e para të mësimit. Ai deri në këtë kohë kishte fituar një zotërim të lartë në letërsi, poezi, gnosticizëm, në shkenca kur'anore, në hadith, komentim rë Kur'anit dhe apologjetik, ndërsa ishte mësuar që mësimet dhe ligjëratat e tij t'i ilustrojë me proverba dhe poezi persiane dhe arabe dhe në këtë mënyrë depërtonte më thellë në shpirtin e publikut, prandaj për një kohë shumë të shkurt arriti të mbledhë shumë nxënës.

Alaudin Kejkabad Salxhuki pasi dëgjoi për famën e madhe që kishte krijuar Behau Valad në rajonet Arzanxhan, Malatije dhe Larende, dëshiroi që të takojë këtë dijetar të madh të Khorasanit dhe me insistim e ftoi Behau Valad që të shkojë në qytetin e Konjës ku ishte edhe qendra e pushtetit të tij. Konja në atë kohë ishte një prej qendrave të mëdha të shkencës dhe kulturës ashtu si qytetet Balkh, Herat, Marv e Nishabur. Kryeqyteti i dinastisë Selxhuke në territoret romake me ngrohtësi e mirëpriti Behau Valad dhe familjen e tij. Sulltan Alaudin Kejkabad organizoi një pritje solemne dhe e priti personalisht Behau Valad në Konjë. Banorët dhe njerëzit e shtresave dhe profesioneve të ndryshme të këtij qyteti të gjithë kishin dalur në pritje të këtij dijetari të njohur fetar me origjinë nga Khorasani. Behau Valad që në fillim pasi hyri në Konjë, u vendos në një shkollë të këtij qyteti, pavarësisht se Sulltani dhe funksionarët e tjerë insistonin që ai të hynte në oborrin mbretëror. Ky veprim shtoi edhe më shumë vlerën e tij në sytë e njerëzve në përgjithësi.

Oborri mbretëror i Selxhukëve ishte bërë një qendër e rëndësishme e poetëve, dijetarëve dhe shkrimtarëve të gjuhës persiane dhe gjuha persiane ishte gjuhë zyrtare e administratës së dinastisë Selxhuke. Prandaj e gjithë veprimtaria administrative, shkencore, letrare dhe kulturore zhvillohej në gjuhën persiane. Klasat e mësimit dhe kuvendët e ligjërimit të Behau Valad dhe Xhelaludin Muhamed Mevlana filluan që nga ditët e para pas arritjes në Konjë. Pasioni dhe atraktiviteti i klasave mësimore të Xhelaludin Muhamed Mevlana për çdo ditë shtonte numrin e nxënësve dhe muridëve nga shtresat e ndryshme të shoqërisë së Konjës. Xhelaludin Muhamed Mevlana në atë kohë ishte 24 vjeç ku i vdiq babai dhe mori përgjegjësinë e administrimit të familjes së babait dhe udhëzimin dhe edukimin e muridëve të tij. Në këtë periudhë në Konjë arriti edhe Sejed Borhanudin Muhakik Termidhiu i cili ishte edukator shpirtëror i Xhelaludin Muhamed Mevlana dhe murid besnik i Behau Valad. Ai e inkurajojë Xhelaludin Muhamed Mevlana për lexim dhe studim më të madh dhe për reflektim më të thellë në shkrimet personale dhe private të Behau Valad. Xhelaludin Muhamed Mevlana më pas shkoi në Sham për të vazhduar studimin. Ai kaloi shtatë vite duke studiuar e menduar në shkollat e Alepos, Damaskut, Kajserijes dhe Konjës në mbikëqyrjen dhe udhëzimet e Borhanudin Termidhi. I gjithë ky studim dhe punë e palodhshme mendore dhe shpirtërore, nga Mevlana i ri e ndërtoi një myfti të ditur dhe njëkohësisht një salik të dashuruar dhe të përkushtuar në njohjen e Zotit.

Xhelaludin Muhamed Mevlana kur ishte rreth viteve 33 të jetës së tij, u kthye nga Shami në Konjë dhe ai tani konsiderohej "Mevlana" dhe myfti i madh. Ai gjatë kësaj periudhe fitoi një zotërim aq të lartë në shkencat fetare dhe shkencat e tjera të kohës së tij saqë edhe personalitetet e njohura të asaj kohe se Saraxhudin Ormavi dhe Sadrudin Konjavi tregonin një respekt të madh për atë. Xhelaludin Muhamed Mevlana në Konjë mbante dy lloj klasë për mësim ose kuvende për ligjërim, një lloj i klasave dhe kuvendeve zhvillohej rreth shkencave fetare dhe ishte shumë profesionale, ndërsa lloji tjetër i kuvendeve zhvillohej në lidhje me shkencat dhe njohurit e përgjithshme në të cilin merrnin pjesë një numër shumë i madh i njerëzve nga shtresa dhe profesione të ndryshme. Njohja me tregime dhe shija poetike e Mevlanas dhe ligjërimi i tij me plotë dashuri dhe vrull, i jepte një formë të veçantë kuvendeve të tij dhe gradualisht kuvendet e dijetarëve të tjerë e humbën reputacionin. Toni modest dhe me plotë sinqeritet dhe pastërti i Xhelaludin Muhamed Mevlana ushtronte një ndikim mahnitës mbi nxënësit dhe dëgjuesit. Ai shpeshherë bëhej shkaktar që njerëzit të pendoheshin dhe të shpërthenin në vaj. Edhe klasat mësimore të Mevlana kishin një atraktivitet të veçantë për nxënësit e fushave të ndryshme të shkencave islame. Ai përveç në shkollën e tij, jepte mësim edhe në disa shkolla të tjera të Konjës. Ai kur nisej të shkonte në shkolla të tjera, shoqërohej nga një numër i madh i personave. Mevlana ishte shumë i afërt me njerëzit e të gjitha shtresave të shoqërisë së Konjës dhe çdo kush që paraqiste një problem pranë tij, ai me të gjitha mundësitë i ndihmonte atij në zgjidhjen e problemit.

Në kuvendët e ligjërimit të tij, merrnin pjesë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Për shembull, në kuvendët e ligjërimit të tij përkrah një të riu me shumë pasion siç ishte Husamudin Çelebi, ishte edhe një plak i paarsimuar dhe zejtar si Salahudin Zarkub Konjavi. Salahudin Zarkub Konjavi ishte një plak i pashkolluar, mirëpo ai ishte një gnostik me gjendje të vrullshme. Ai merrte pjesë në kuvendët e ligjërimit të Mevlanas dhe gjatë këtyre kuvendeve ai kishte një pasion shumë të madh shpirtëror. Dashuria dhe vrulli i këtij plaku argjendar ushtronte një ndikim të thellë edhe mbi Mevlanan duke e futur atë në një gjendje malli të papërmbajtur. Gjatë këtyre viteve me plotë pasion dhe zhvillim, Mevlanas i vdiq bashkëshortja Gohar Khatun dhe ai mbeti vetëm. Mevlana për tu larguar nga kjo vetmi, për çdo ditë e më shumë thellohej në studim dhe në shqyrtimin e çështjeve të ndryshme. Fëmijët e Mevlanas të cilët pas studimeve ishin kthyer nga Shami në Konjë, kishin nevojë për më shumë përkujdesje. Mevlana u detyrua të martohej përsëri. Ai u martua me Kera Khatun Konjavi e cila ishte me origjinë iraniane dhe fliste gjuhën persiane. Gruaja e dytë e Mevlanas i dha një gjallëri dhe dashuri të re shtëpisë së Mevlanas i cili me gruan e par kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Tags