Shtator 28, 2017 11:28 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të njihemi me Mevlanan Xhelaludin Muhamed Balkhi, poetin e shekullit të shtatë hixhri kameri (shek. 13 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane.

Mevlanan Xhelaludin Muhamed Balkhi është poeti dhe gnostiku iranian me famë të madhe që ka jetuar në shekullin e shtatë hixhri kameri (shek. 13) dhe në këtë edicion do të paraqesim një pjesë të jetës së tij.

Henry Mase, iranolog i dalluar francez, në ceremoninë e pensionimit të tij në Universitetin e Sorbonës, ka thënë: “Unë ia kam kushtuar një jetë letërsisë persiane dhe për ta prezantuar këtë letërsi të çuditshme për ju profesorë dhe intelektualë të botës, nuk kam rrugëzgjidhje tjetër përveçse të bëj krahasim dhe të them se letërsia persiane është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: Fridusi, Sa’diu, Hafizi dhe Mevlana. Firdusi është në të njëjtën shkallë dhe pozitë me poetin grek Homerin dhe më superior se ai. Sa’diu na kujton filozofin Anatole France, Hafizi mund të krahasohet me Goten e Gjermanisë i cili ka thënë se është gjallë me një erë të freskët që vjen nga bota e tij. Mirëpo Mevlana, në botë nuk kam gjetur asnjë figurë që të mund ta krahasojë Mevlanan me atë. Ai është një dhe një do të mbetët. Ai nuk është vetëm poet, por ai më tepër është një sociolog dhe një psikolog i përkryer i cili e njeh saktësisht qenien e njeriut dhe Zotin, prandaj dijeni vlerën e tij dhe nëpërmjet tij njiheni edhe vetën edhe Zotin”.

Xhelaludin Muhamed Balkhi i njohur me epitetin Mevlana, është gnostiku dhe poeti i iranian më i dalluari që ka jetuar në shekullin shtatë hixhri kameri (shek. 13). Shumica e studiuesve mendojnë se data e lindjes së tij është 6 rabiul-aval i vitit 604 hixhri kameri që përkon me 30 dhjetor 1207. Ai ka lindur në qytetin Balkh.

Xhelaludin Muhamed Balkhi ka lindur në shtëpinë e ligjëruesit më të famshëm të Balkhit. Babai i tij quhej Behau Valad dhe ishte një dijetar i njohur i shkencave fetare dhe një ligjërues i famshëm i cili njihej me epitetin “Sulltanul-Ulema”. Mevlana u rrit dhe u edukua në familjen e tij pranë babait të tij dhe që nga fëmijëria u edukua në frymën e një familje fetare dhe qysh në fëmijëri, ai u pasionua në sferën e gnosticizmit. Xhelaludin Muhamed Balkhi u rrit dhe u zhvillua në një atmosferë të tillë dhe e zhyti vetën në përmendjen e Zotit dhe ditë e net i kalonte në ëndrra shpirtërore. Edukator i Xhelaludin Muhamed Balkhi gjatë kësaj periudhe ishte Borhanudin Termidhiu, një gnostik dhe dijetar i njohur fetar i cili ishte një prej muhibëve dhe nxënësve të dalluar të babait të Mevlanas. Në bazë të studimeve që janë bërë, ky edukator e ka ndihmuar Mevlanan në kalimin e rrugës sejrosoluk të gnosticizmit edhe në periudhën e fëmijërisë, por edhe në periudhën kur ai u bë një dijetar i njohur i shkencave islame në qytetin Konjë.

Në atë kohë kur Xhelaludin Muhamed Balkhi ishte në periudhën e fëmijërisë së tij, Khorasani dhe i gjithë rajoni i Transoksianisë nga Balkhi deri në Samarkand dhe nga Kharezmi deri në Nishabur (Nisabur), ishte nën sundimin e Sulltan Muhamed Kharezmshah. Balkhi në atë kohë ishte një prej katër qyteteve të mëdha dhe të rëndësishme të Khorasanit dhe përkrah qyteteve Marv, Herat dhe Nishabur, ishte një prej qendrave të rëndësishme shkencore islame  dhe kishte shumë shkolla dhe xhami. Kuvendet e ligjërimit fetar dhe të shkencës së hadithit në këtë qytet kishin arritur një zhvillim shumë të madh. Mirëpo për një kohë këtë qytet e kishte kapluar frika për shkak të spekulimeve që bëheshin në lidhje me sulmin e mongolëve.

Mevlana në atë kohë ishte 13 vjeçar kur kërcënimi nga sulmet e mongolëve në Azinë Qendrore u shtua edhe më shumë, ndërsa Kharezmsha duke vrarë disa tregtarë mongolë, e përshpejtoi edhe më shumë këtë proces. Në këtë kohë dhe para sulmit të mongolëve, Behaudin Valad, babai i Mevlanas vendosi që të emigrojë nga Balkhi. Ai së bashku me familjen e tij u nis për ta kryer Haxhin dhe për ta vizituar Shtëpinë e Zotit. Me këtë qëllim ai u nis në drejtim të Bagdadit dhe Hixhazit. Sipas disa biografëve, disa shokë dhe miq e shoqëronin në këtë udhëtim Behaudin Valadin.

Në këtë udhëtim dhe gjatë qëndrimit të shkurt të familjes në Nishabur, Mevlana së bashku me babanë e tij u takua me Shejkh Faridudin Atar Nishaburi, poetin dhe gnostikun e famshëm të asaj kohe. Atar Nishaburi duke parë talentin dhe aftësitë mahnitëse të Xhelaludin Muhamed Balkhi, atij i dhuroi një kopje të veprës së tij “Asrarname”.

Gjatë periudhës së këtij emigrimi i cili ishte një udhëtim relativisht i gjatë duke filluar nga Balkhi, Nishaburi, Bagdadi, Sham dhe Hixhaz, kryesisht Mevlana kishte shumë pak mundësi dhe kohë për të vazhduar shkollimin dhe për të mësuar shkencat. Prandaj, Mevlana mësonte nga babai dhe nga nxënësit e babait të tij duke lexuar veprat në prozë dhe poezi të poetëve dhe mendimtarëve të mëdhenj persianë, ndërsa nganjëherë kur familja e tij vendosej në qytete të mëdha si Bagdadi dhe Alepo, ai shkonte në shkollë dhe mësonte shkencat.

Më në fund pas këtij udhëtimi të gjatë, familja e Mevlanas pas vitit 617 h.k. (1220 g.) shkoi në Anatolinë Qendrore dhe për një periudhë e vendos në qytetin Larende (Karaman i sotshëm) dhe më pas u vendos në Konjë. Duke marrë parasysh se banorët e këtij rajoni kryesisht e flisnin gjuhën persiane, kuvendet e ligjërimit dhe mësimit të babait të tij mirëpriteshin në nivel të gjerë. Gjatë kësaj periudhe Xhelaludin Muhamed Balkhi i zgjeroi mësimet e tij në lëndët përkatëse me jurisprudencën islame, Kur’anin, komentimin e Kur’anit, historinë e profetëve dhe poezinë persiane dhe arabe. Me insistimin e babait të tij dhe të nxënësve, ai mbante edhe kuvende për ligjërim dhe mësimin e shkencave islame, ndërsa pas vdekjes së të atit që ndodhi në vitin 628 h.k., ai në mënyrë zyrtare u emërua zëvendës i babait. Mevlana që nga kjo kohë kishte shumë nxënës dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë pranë tij ishin mbledhur muridë.

Në këtë kohë kur ai nuk kishte më shumë se 24 vite, përkrah ligjërimit dhe mësimit, ai filloi një hulumtim dhe studim të gjerë në shkencat fetare dhe në shkencat e tjera. Njëkohësisht me këtë, Mevlana nën edukimin e edukatorit të tij Borhanudin Termidhiu vazhdoi rrugën e sejrosolukut dhe arritjen e shkallëve të larta në gnosticizëm. Ai gjatë procesit të studimit kishte shkuar edhe në shkolla të Bagdadit, Alepos dhe Damaskut ku kishte mësuar pranë dijetarëve të njohur në shkenca të ndryshme si në letërsi, gjuhë, komentimin e Kur’anit, hadithin, fikhun dhe apologjetikën.

Mevlana pas shtatë viteve studimi, ishte shndërruar në një dijetar të madh të shkencave islame dhe njëkohësisht në një gnostik të njohur duke u dalluar në mesin e gnostikëve dhe dijetarëve të kohës së tij. Kuvendët e ligjërimit dhe të mësimit të tij dallonin shumë nga bashkëkohanikët, sepse oratoria e tij i jepte një atraktivitet të veçantë këtyre kuvendeve dhe ligjërimeve të tij.

Dr. Abdulhusejn Zarinkub në librin e tij “Pele Pele ta molakate Khoda”, ka përshkruar dhe shpjeguar jetën e Xhelaludin Muhamed Balkhi (Mevlanas) dhe në lidhje me karakteristikat e ligjërimit të Mevlanas thotë: “Zotësia e Mevlanas në shkencat e ndryshme dhe zotërimi që kishte ai në shkencat kur’anore dhe në hadith, si dhe talenti i pashembullt i tij në transmetimin e tregimeve, poezive, shembujve dhe proverbave, krijonin një tërheqje të madhe për dëgjuesit e ligjëratave të tij, ndërsa përgjigjet që u jepte pyetjeve, ishin plotë me urtësi dhe thënie interesante. Shembuj të këtyre kuvendeve të ligjërimit mund të vërehen në librin e Mevlanas me titull “Mexhalise sebe’a”. Edhe kuvendet e mësimit të tij që zhvilloheshin në shkollën e tij dhe në shkollat e tjera të qytetit, kishin një tërheqje të veçantë. Kur ai nisej drejt shkollës për të mbajtur ligjërata, një numër i madh i nxënësve shkonte në shoqërim të tij. Në kuvendët e ligjërimit të tij, merrnin pjesë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Për shembull, në kuvendët e ligjërimit të tij përkrah një të riu me shumë pasion siç ishte Husamudin Çelebi, ishte edhe një plak i paarsimuar dhe zejtar si Salahudin Zarkub Konjavi”.

Tags