Shtator 28, 2017 11:25 CET

Në këtë edicion do të trajtojmë veprimet terroriste sidomos hedhjen e acidit kundër myslimanëve në Britaninë e Madhe me motive raciste dhe islamofobiste.

Islamofobia dhe urrejtja ndaj Islamit në Evropë për çdo ditë po merr dimensione të reja. Në Evropë po vërehen forma të reja të terrorizmit ndaj myslimanëve, mirëpo qeveritë dhe mediat evropiane nuk kanë as motiv dhe as vullnet për të folur rreth këtyre krimeve, thuajse nuk u vjen edhe shumë keq për këto veprime terroriste kundër myslimanëve. Sulmet terroriste dhe raciste kundër myslimanëve duke ndjekur metodat e grupit takfirist dhe terrorist ISIS dhe nëpërmjet veprimeve terroriste më të ndryshme nga këto grupe, janë duke u zgjeruar për çdo ditë e më tepër në vende të ndryshme evropiane. Racistët e Britanisë së Madhe në sulmet terroriste kundër myslimanëve në Evropë, janë pionierë. Sulmi i parë kundër komunitetit myslimanë në Evropë me makinë, së pari është kryer në Britaninë e Madhe. Gjithashtu, sulmi kundër femrave të mbuluara myslimane për ta hequr shaminë ose hixhabin e tyre dhe sulmet me armë të ftohta, janë veprime raciste të grupeve ekstremiste dhe raciste të cilat janë shtuar në masë të madhe gjatë disa muajve të kaluar. Sipas raporteve të policisë së Britanisë, numri i sulmeve të lidhur me urrejtjen në këtë vend pas zhvillimit të referendumit për Brexit, janë shtuar me 23 %. Ndërsa në disa rajone të Anglisë dhe të Uelsit, sulme të tilla janë shtuar me 50%. Sipas raportit të gazetës “Indipendent”, disa institucione islame kanë raportuar për shtimin e krimeve të kryera në bazë të urrejtjes ndaj myslimanëve. Në sulmin më të fundit në këtë kuadër në Britani, Anisa Abdulghadir në një mesazh të saj të publikuar në Twitter, ka publikuar fotografinë e një sulmuesi dhe ka shkruar se sulmuesi është munduar t’ia heqë asaj  hixhabin nga koka. Një formë tjetër e re e veprimeve terroriste të ekstremistëve djathtistë në Evropë që është duke u përhapur kundër myslimanëve, është hedhja e acidit. Hedhja e acidit është prej veprimeve çnjerëzore që kryhet në vende të ndryshme me forma të ndryshme, mirëpo përdorimi i kësaj metode nga djathtistët ekstremistë dhe racistë kundër myslimanëve, është një fenomen i ri.

Një çift i ri mysliman, viktimë e re e  sulmit me acid në Angli

Kohëve të fundit janë raportuar disa raste të sulmeve me acid kundër myslimanëve në Britaninë e Madhe. Vetëm gjatë një nate është hedhur acid mbi pesë persona myslimanë, pavarësisht se autorët e këtyre veprimeve nuk kishin kurrfarë njohje me viktimat myslimane. Zakonisht në lidhje me hedhjen e acidit, ekziston një lloj njohje mes atij që hedh acid dhe viktimës, ndërsa hedhja e acidit zakonisht bëhet në bazë të urrejtjes ose xhelozisë. Mirëpo në veprimet e fundit të hedhjes së acidit, arsye të sulmit me acidit ishin idetë ekstremiste dhe raciste. Çështje me rëndësi në lidhje me këto krime është reagimi i mediave britaneze dhe sidomos i BBC që njihet si qendra më e madhe e spekulimeve në Britani. BBC nuk ka folur asnjë fjalë në lidhje me këtë se hedhja e acidit kundër pesë myslimanëve në pesë zona të ndryshme, ishte veprim terrorist dhe racist. BBC përkundër kësaj, duke vë në dukje historikun e hedhjes së acidit në vende të tjera, kryerjen e veprimeve të hidhura të hedhjes së acidit mbi myslimanët, është munduar ta paraqesë si një veprim normal që është kryer nga disa të rinj dhe huliganë. Pas kryerjes së një sulmi me acid kundër myslimanëve, zëdhënësi i policisë së Londrës deklaroi se një prej hipotezave të hetuesve në hetimet e tyre është kjo që sulmuesit me qëllim të vjedhjes dhe plaçkitjes së ngasësit të automjetit, kanë hedhur acid mbi atë dhe kishin për qëllim t’i vidhnin motoçikletën. Në një raport tjetër, policia e Britanisë në fillim pretendoi se nuk ekziston kurrfarë dëshmie për ekzistimin e motivit racist ose fetar, mirëpo Xhamil Mokhtar, një prej viktimave të sulmit me acid, këto krime i ka lidhur me islamofobinë. Sipas tij, nëse një britanez do të ishte sulmuar në këtë formë, i gjithë vendi ishte mobilizuar dhe do ta quanin këtë veprim, sulm terrorist. Sipas raportit të Këshillit Kombëtare të Shefave të Policisë së Britanisë së Madhe, në gjashtë muaj deri në prill të vitit 2017, janë kryer 400 sulme me acid në këtë vend. Lagjet kryesisht me banorë myslimanë në Londër, janë lagje në të cilat janë kryer më së shumti sulmet me acid.

John Tamlin, sulmuesi me acid

Nëse këto sulme me acid ishin kryer nga persona myslimanë ose nga shtetas të vendeve islame, atëherë padyshim se do të ishte ngritur një valë e gjerë e sulmeve propagandistike kundër myslimanëve dhe kundër Islamit në vendet perëndimore dhe veprime të tilla do të reflektoheshin në nivel të gjerë. Me dhjetëra sulme me acid janë kryer kundër grave dhe burrave myslimanë në Britaninë e Madhe, mirëpo këto veprime janë mbuluar në nivel shumë të kufizuar nga mediat informative dhe nga qarqet politike të këtij vendi dhe të Evropës. Sipas raportit të “Huffington Post”, një numër i vogël i mediave raportojnë për sulmet me acid, sidomos nëse viktima është mysliman. Përveç kësaj, hetime shumë të pakta merren me natyrën dhe arsyet e rritjes së këtij fenomeni”. Kjo qasje informative ndaj sulmeve me acid ndaj myslimanëve, mund të analizohet vetëm në kuadër të politikës islamofobiste dhe urrejtjes ndaj Islamit të qeverive perëndimore, sidomos të qeverisë së Britanisë. Mediat britaneze sidomos BBC si media më e rëndësishme britaneze, luajnë rol të madh në krijimin e islamofobisë dhe urrejtjes ndaj Islamit në mesin e vendeve perëndimore. Mediat e ekstremit të djathtë në Britani kryesisht theksojnë në këtë ide se problemi kryesor është Islami dhe komuniteti mysliman. Nga pikëpamja e këtyre mediave, Islami nxit terrorizmin dhe myslimanët janë faktorë kryesorë të sulmeve terroriste. Grupet e ekstremit të djathtë të Britanisë si ADL dhe neonazistët në mënyrë të hapur po kërcënojnë myslimanët për hakmarrje. Vala e islamofobisë i ka rrënjët pikërisht në këto grupe. Anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë kanë në dispozicion shumicën e mediave dhe të rubrikave kryesore të gazetave dhe mediave ku botojnë materiale nganjëherë me fjalët më të qarta raciste kundër myslimanëve. Veprimet terroriste në perëndim kanë shtuar edhe më shumë këto sulme.

Zgjerimi i Islamofobisë në perëndim

Aktualisht nuk mund të mendohet një fund për islamofobinë dhe urrejtjen ndaj Islamit në perëndim. Shumë qeveritarë dhe qendrat hulumtuese të mendimit në perëndim në shumë raste kanë pohuar se mes mësimeve islame dhe të menduarit të grupeve ekstremiste dhe terroriste si ISIS dhe Al Kaida, duhet bërë një ndarje e mirëfilltë, mirëpo përsëri bëhet propagandë islamofobike në nivel të gjerë. Grupet e ekstremit të djathtë racist gjithashtu nën ndikimin e kësaj atmosfere anti-islame, po kryejnë sulme kundër myslimanëve duke marrë shembull grupet takfiriste dhe terroriste, si dhe me metoda të reja. Ndërkohë që e gjithë përpjekja e qeverive dhe e mediave perëndimore për fat të keq është përqendruar në mbulimin e këtyre veprimeve terroriste me motive raciste. Nëse viktimat e këtyre sulmeve do të ishin jomyslimanë dhe autori i këtyre sulmeve do të kishte emër mysliman, atëherë padyshim se trajtimi i tij dhe reagimet do të ishin plotësisht ndryshe. Çështje me rëndësi është kjo që qeveritë perëndimore janë plotësisht të informuara për qëllimet e veprimeve terroriste të grupeve të ekstremit të djathtë dhe raciste. Në rrjetet sociale janë publikuar mesazhe paralajmëruese. Në një prej këtyre mesazheve thuhet: “Keni kujdes, sidomos nëse lëkura juaj është e zezë”. Nuk ka dyshim se objektiv i këtyre sulmeve janë njerëzit me origjinë nga Azia ose myslimanët. Në mediat perëndimore askush nuk i përgjigjet kësaj pyetje se kush e ka krijuar këtë atmosferë anti-islame në vendet perëndimore? Pse qeveritë perëndimore pavarësisht paralajmërimeve të disa qendrave hulumtuese perëndimore rreth lidhjes së drejtpërdrejtë të grupeve takfiriste dhe terroriste me Arabinë Saudite, vazhdojnë të kenë marrëdhënie të gjera politike, ekonomike dhe ushtarake me regjimin Al Suad? Hulumtuesit në dy hulumtime të kryera në Britaninë e Madhe, kanë theksuar në këtë çështje se vehabizmi që sundon në Arabinë Saudite, luan rolin kryesor në përhapjen e ideve ekstremiste dhe terroriste në perëndim. Vehabizmi me perceptime të gabuara rreth mësimeve drejtësidashëse dhe paqedashëse të Islamit, po luan rolin kryesor në prishjen e imazhit të Islamit në perëndim dhe po krijon kushtet për arsyetimin e islamofobisë në perëndim. Në fund duhet thënë se qeveritë dhe mediat perëndimore janë partnerë në krimet e veprimeve terroriste të grupeve takfiriste dhe terroriste, si dhe të grupeve të ekstremit të djathtë dhe racist në perëndim.

Tags