Prill 28, 2018 09:14 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore. Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të flasim rreth veprave të këtij poeti të pashoq iranian.

Masnavi Ma’navi është kryevepra e Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poetit dhe gnostikut të njohur iranian e cila edhe pas 800 viteve, akoma shkëlqen mbi qiellin e kulturës dhe letërsisë së botës.

Shumë studiues Masnavinë e konsiderojnë një vepër didaktik-udhëzues dhe Mevlanan e konsiderojnë mësues të mendimit të thellë të kësaj didaktike. Shumë mendimtarë të mëdhenj të lindjes dhe perëndimit si Ighbal Lahuri dhe Hegeli  janë inspiruar nga Mevlana në krijimin e veprave të tyre filozofike të tyre. Shumë gnostikë të mëdhenj iranianë janë inspiruar nga burimi i Masnavisë dhe marrë aromën e luleve të këtij kopshti.

Masnavia e Mevlanas është vepra më e dalluar e Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi e cila ka rreth 25000 vargje. Është transmetuar se Mevlana këtë vepër e ka krijuar me kërkesë të Husamudin Çelebi, nxënësit të njohur dhe besnikë të tij.

I ndjeri Dr. Gholamhusejn Jusefi në librin e tij “Burimi i Ndriçuar” në lidhje me këtë ka një përshkrim të bukur. Ai thotë: “Me padyshim se ajo natë në mesin e viteve 657-660 hixhri kameri në të cilën Husamudin Çelebi kërkoi nga Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi që të shkruajë një libër si Atari dhe Senaij për të shpjeguar konceptet gnostike, ishte fillimi i një ngjarje të madhe letrare dhe produkt i saj ishte krijimi i një vepre me plotë thelb dhe të pashembullt si Masnavi Ma’navi në poezinë persiane”.

Në lidhje me këtë, Aflaki, letrari dhe historiane bashkëkohanik i Mevlanas, ka transmetuar se Mevlana disa vargje që i kishte krijuar më parë ia dha Husamudin Çelebiut. Këto vargje ishin pikërisht ato 18 vargjet e para ose “Nejname” të Masnavis që bënë fillim i veprës madhështore Masnavij Ma’navij

Dëgjo këtë fyell që po rënkon

Po tregon dhe po flet për ndarjet

Pasi më prenë mua nga fyllishtja

Nga zëri im pikëllues, rënkuan burrë e grua

Po kërkoi një gjoks të copëtuar nga ndarja

Që t’i tregoj atij dhimbjen e mallit

Nga ajo ditë, Husamudin Çelebi nuk u ndal së kërkuari nga Mevlana që të vazhdojë këtë poemë derisa Mevlana për çdo natë nga fillimi i natës e deri në agimin e mëngjesit, citonte vargjet e Masnavisë dhe Husamudin Çelebiu i shkruante ato me nxitim dhe pastaj të gjitha vargjet e shkruara i këndonte me melodi të bukur pranë Mevlanas. Kjo punë vazhdoi deri në fund të jetës së Mevlanas, do të thotë deri në vitin 672 hixhri kameri. Mevlana në vargjet e tiji ka kujtuar shumë mirë vullnetin dhe përkushtimin e Husamudin Çelebi në krijimin e Masnavisë.

O Zija’ul-Hak Husamudin, ti je ai

Që me dritën tënde Masnavija kaloi nga mjegulla

Pasi që ti ishe fillim i Masnavisë

Nëse ajo bëhet më e madhe, ti je ai që e ke bërë

Masnavi e Mevlanas është një libër didaktik dhe në të cilin mësohet rruga dhe metoda për të arritur në të vërtetën. Në këtë libër janë mbledhur mendimet, mësimet dhe idetë e Mevlanas. Mevlana në veprën Masnavi ka bërë përpjekje që ta njeh njeriun me fatin e tij, do të thotë me rrugëtimin e gjatë i cili e ka sjell njeriun nga bota e ngurtë (materies) në botën e bimëve dhe më një fund në botën njerëzore. Mevlana në Masnavi më shumë se çdo gjë tjetër, është përkushtuar në etikën dhe në edukimin e njeriut dhe si një Shejkh dhe Lider Shpirtëror, është munduar që lexuesin e veprës së tij ta nxjerrë nga vetja dhe nga ai të ndërtojë një njeri të ri. Për këtë arsye, ai me pasion dhe me saktësi të madhe, për atë njeri paraqet simbole morale dhe me tregime, proverba dhe urtësi, e mbanë atë në gjendje të kënaqur.

Mevlana në Masnavi më shumë është i interesuar për edukimin e njeriut dhe për pastrimin e shpirtit të tij, prandaj edhe tregimet që i transmeton ose i rikrijon, janë pikërisht në shërbim të këtij qëllimi. Në Masnavi, mendimi arrin kulmin dhe ai i cili arrin të kalojë nga pjesa sipërfaqësore e tregimit mbrapa tij mund të shikojë dhe të kuptojë mendimet e larta, entuziazmin dhe ndjenjat e buta të shpirtit të Mevlanas.

Me një vështrim mbi Masnavinë e Mevlanas, mund të kuptohet se burimi më i rëndësishëm i mendimit të Mevlanas në krijimin e kësaj vepre dhe të tregimeve të saj, më shumë se çdo gjë tjetër është Kur’ani i shenjtë dhe hadithet profetike. Disa prej kritikëve dhe komentuesve të Masnavis së Mevlanas duka marrë parasysh zotërimin e gjerë të Mevlanas mbi shkencat islame, mbi komentimin e Kur’anit të shenjtë dhe gjithashtu mbi hadithet profetike dhe transmetimet fetare, mendojnë se tregimet e Masnavis në realitet janë një lloj komentimi gnostik dhe poetik i Kur’anit të shenjtë. Në realitet Mevlana shumë ajete të Kur’anit dhe tregime të jetës së profetëve i ka komentuar në këtë vepër. Gjithashtu një pjesë e haditheve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. janë komentuar në Masnavi dhe nganjëherë gjatë transmetimit të tregimeve. Përveç burimit të madh dhe të pafund të shpalljes hyjnore do të thotë Kur’anit, burim tjetër i rëndësishëm i Mevlanas në krijimin e Masnavis, ka qenë kultura dhe gjuha popullore. Mevlana kishte njohuri të gjera me gjuhën dhe kulturën popullore apo folklorin dhe pikërisht kjo çështje është bërë shkak që ai për të shprehur mendimet dhe idetë e tij të shfrytëzojë në masë të madhe tregimet, përrallat dhe proverbat e përhapura në popullin e thjeshtë në rrugë dhe në treg.

Pavarësisht sistemit të brendshëm dhe qenësor që u krijua nëpërmjet tregimeve, asnjë sistem dhe renditje ose plan i mëparshëm nuk mbisundon mbi Masnavinë. Dr. Zarinkub në lidhje me këtë thotë: “Masnavia e Mevlanas me padyshim se është krijuar nga tërheqja e një pasioni, e një malli dhe e një entuziazmi shpirtëror dhe përgjatë shumë viteve me radhë, Mevlana çdo herë kur gjente rast dhe çdo herë kur e lejonte malli dhe gjendje e tij shpirtërore, në shtëpi, në xhami, në hamam, gjatë ecjes në rrugë dhe gjatë çasteve të ndryshme në ditë e natë krijonte vargjet e Masnavisë dhe rrëfente tregim në tregim dhe nga një fjalë i vinte fjala tjetër. Masnavinë ai krijonte në këtë mënyrë dhe Husamudin Çelebi shkruante vargjet e saj. Në këtë mënyrë është krijuar pa ndonjë sistem të renditur dhe të caktuar dhe pa ndonjë plan paraprak”.

Në Masnavi kryesisht një mendim përfundon në fillimin e një mendimi tjetër dhe një tregim, tërheq pas vete një tregim tjetër dhe në këtë mënyrë një lloj lidhje e lirë dhe pa asnjë rregull dhe detyrim, zhvillon mendimin e dhe imagjinatën e poetit në atmosferën e kuptimeve të larta. Masanvi në realitet është transmetim i një jete shpirtërore që fillon nga gjuha e “Fyellit” dhe nuk përfundon në asnjë vend, mirëpo në çdo vend kur të krijohet një rast i përshtatshëm, vëmendja e krijuesit tërhiqet drejt një kuptimi të ri, prandaj nga një tregim shkon në tregimin tjetër, deri në përfundim ku mbetet një tregim i papërfunduar dhe përfundon me vdekjen e Mevlanas.

Mendimet dhe idetë e Mevlanas në Masnavi trazohen si një vërshim i lumit, shkojnë para dhe në rrugën e vet sjellin çdo lloj teme dhe mendimi. Prej karakteristikave të kësaj vepre, përveç metodës dhe gjuhës së thjeshtë që ka zgjedhur poeti në transmetimin e tregimeve dhe në shprehjen e urtësisë, janë gjendjet shpirtërore të cilat nga poeti kanë depërtuar në veprën e tij. Për këtë arsye, fjala e tij është e lartë dhe me plotë pasion si dhe në vazhdim merr ngjyrë dhe aromë tjetër. Sipas Dr. Zarinkub, në këtë rast Masnavia më nuk është as urtësi as tregim, është poezi dhe vetëm poezi.

Tags