Gruaja, martesa dhe shoqëria e shëndoshë
Në këtë edicion do të shpjegojmë pikëpamjet e Imam Khomejnit (ra) në lidhje me çështjen e martesës dhe rolin e grave në edukimin e fëmijëve të mirë dhe krijimin e një shoqërie të shëndoshë.
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Në edicionin e kaluar kemi folur për pozitën e lartë të femrës në shkollën islame dhe duke shpjeguar të drejtat politike dhe shoqërore të femrave në shoqërinë islame, thamë se nga pikëpamja e Imam Khomejnit, Islami si fe ishte shpallur në një shoqëri e cila nuk i jepte kurrfarë vlere femrës, mirëpo Islami i dha asaj dinjitet dhe fisnikëri dhe i njohu zyrtarit të drejtat politike dhe shoqërore të veçanta për femrat. Në Revolucionin Islamik të popullit të Iranit gjithashtu u ripërtëri përsëri dinjiteti dhe fisnikëria e femrës dhe u rivendosen në shoqëri të drejtat e femrave të cilat ishin shkelur nën regjimin mbretëror dhe femra ishte shndërruar në një vegël për dëfrime të kësaj materiale. Në këtë mënyrë femrat përsëri u kthyen në pozitën e çmuar dhe të madhëruar të tyre në sistemin islamik dhe ato arritën të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm dhe me ndikim në sfera të ndryshme. Aktualisht pasi kanë kaluar 40 vite nga fitorja e Revolucionit Islamik të Iranit, femrat kanë marrë përgjegjësi dhe pozita të rëndësishme në Republikën Islamike të Irani. Një numër i konsiderueshëm i deputetëve të Parlamentit Islamik të Iranit përbëhet nga femrat. Niveli i arsimimit dhe emancipimit të femrave të Iranit ka shkuar më lartë se sa niveli i arsimimit të meshkujve dhe përqindja e studenteve në universitete është më e lartë se sa përqindja e meshkujve. Kjo gjendje mund të vërehet në shumë aspekte dhe sfera të jetës së popullit të Iranit dhe drejtësia sociale në aspektin e barazisë gjinore ka shënuar progres të konsiderueshëm. Në këtë edicion do të njihemi me pikëpamjet e Imam Khomejnit (ra) në lidhje me rolin me ndikim të femrave në krijimin e shoqërisë së shëndosh.
Në edicionet e kaluar thamë se Imam Khomejni (ra) për të treguar pozitën e rëndësishme të femrës në sistemin islamik, datën e përvjetorit të lindjes së Hazretit Fatime Zahra (s.a) e ka shpallur Ditë të Gruas në mënyrë që të deklarojë për të gjithë se modeli dhe shëmbëlltyra e vërtetë e femrave iraniane është Hazreti Fatime Zahra (s.a.). Kjo është për arsye se ajo në sferat familjare duke edukuar fëmijë të çmuar dhe të nderuar, ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimet ideologjike, kulturore dhe historike të njerëzimit dhe krah për krah me bashkëshortin e saj Imam Aliun (a.s.) ka luajtur role shumë të rëndësishme dhe të pavdekshme në sferat morale, politike të shoqërisë. Imam Khomejni (ra) në një prej mesazheve të tij që dha me rastin e përvjetorit të Hazretit Fatime Zahra (s.a.), pasi ka uruar këtë ditë për të gjithë dhe sidomos për femrat e nderuar, në përshkrimin e personalitetit të Hazretit Fatime (s.a.), ka thënë: “Urime dita e nderuar e gruas për popullin e Iranit dhe sidomos për femrat e nderuara! Kjo është një prej ditëve më të nderuara të epokës së shkëlqyeshme e cila u bë themel për virtytet dhe vlerat e larta njerëzore në botë. Kjo është dita me plotë krenari në të cilën ka lindur një femër e cila është prej mrekullive dhe krenarive të botës së ekzistencës. Ajo ishte një grua e cila në një shtëpi të vogël ka edukuar njerëz drita e të cilëve shkëlqen në të gjithë ekzistencë. Përshëndetja e Zotit qoftë mbi atë grua dhe atë familje të nderuar”.
Imam Khomejni (ra) duke vë në dukje rolin e rëndësishëm të femrave në fitoren e Revolucionit Islamik, ditën e gruas e konsideron një rast të përshtatshëm në të cilët mund të flitet për progresin dhe emancipimin e femrave në sistemin islamik. Ai ka thënë: “Revolucioni Islamik me begatin e Islamit, ka krijuar një ndryshim të madh në personalitetin e femrës dhe mashkullit në shoqëri. Ju keni parë popullin e Iranit ku femrat e nderuara të Iranit krah për krah me meshkujt kanë dalë në skenë dhe krijuan epope të lavdishme dhe ne të gjithë u kemi borxh atyre për kryengritjen që kanë bërë dhe pas dështimit të komploteve të fuqive arrogante, ne mund të flasim për progresin e femrave në Republikën Islamike të Iranit”.
Imam Khomejni të mirën dhe të keqen e shoqërisë e konsideron rezultat të së mirës dhe të keqes së femrave dhe femrën e konsideron të vetmen qenie e cila mund ta drejtojë shoqërinë drejt vlerave njerëzore. Ai ka thënë: “Roli i femrave në botë ka karakteristika të veçanta. E keqja dhe e mira e shoqërisë vjen nga e keqja dhe e mira e femrave në shoqëri. Femra është e vetmja qenie nga prehri i të cilës mund t’i dhurohen individë shoqërisë nga të cilët mund të drejtohet drejt vlerave të larta njerëzore jo vetëm një shoqëri, por shumë shoqëri në botë dhe anasjelltas”. Imam Khomejni në një vend tjetër në lidhje me rolin e femrave në krijimin e shoqërisë së shëndoshë, ka thënë: “Femra është edukatorja e njerëzve. Lumturia dhe mjerimi i vendeve varet nga ekzistenca e femrës. Femra e edukuar e rregullon njeriun dhe me edukimin e drejtë, ajo ushtron ndikim në progresin e vendit. Burim i të gjitha lumturive është prehri i femrës...”. Imam Khomejni rolin e femrës në ndërtimin e njeriut e ka ngjasuar me Kur’anin e shenjtë dhe beson se nëse do të hiqet roli i femrës në ndërtimin e njeriut në shoqëri, me padyshim se shoqëria do të dështojë dhe do të shkojë drejt dekadencës. Ai thotë: “Burrat kanë të drejtë ndaj popujve, por femrat kanë më shumë të drejtë. Femrat në prehrin e tyre rrisin burrat trima. Kur’ani i shenjtë është ndërtues i njeriut, por edhe femra është ndërtuese e njeriut. Detyrë e femrave është ndërtimi i njeriut. Nëse do të hiqet ky rol i gruas në ndërtimin e njeriut, atëherë popujt do të dështojnë...”
Imam Khomejni e konsideron martesën një faktor që parandalon devijimin e njerëzve dhe një faktor për krijimin e shoqërisë të shëndosh, për arsye se martesa duke kufizuar dhe vendos nën kontroll epshin dhe instinktin, e vendos jetën në stilin e preferuar të profetëve hyjnore dhe bëhet shkak për lumturinë e njeriut në këtë botë dhe për shpëtimin e tij në botën tjetër. Ai thotë: “E gjithë ky prezantim për martesën është për këtë arsye që të mos ekzistojë devijim. Profetët duke kufizuar epshet absolute, kanë parandaluar degjenerimin dhe prostitucionin. Natyrisht se epshi në vete është diçka e natyrshme dhe duhet të funksionojë, por duhet të vendoset nën kontroll. Nëse do të realizohet edukimi dhe arsimimi ashtu siç është porositur nga profetët e Zotit, do të përmirësohet edhe kjo botë e njeriut dhe do të vendoset në një rend të caktuar dhe nuk do të ekzistojnë gjithë këto agresione e dallime shtresore, si dhe njeriu do të shpëtohet edhe në botën tjetër në të cilën ka një jetë të përhershme”. Imam Khomejni mendon se theksimi i Islamit në çështjen e martesës tregon rëndësinë që kjo shkollë i jep lumturisë së shoqërisë dhe krijimit të një shoqërie të shëndoshë. Ai thotë: “Islami merret me çështjen e martesës tuaj edhe para se ju të martoheni, sepse dëshiron që fryt i kësaj martese të jetë një njeri i shëndosh. Para martesës ka përcaktuar se femra me çfarë mashkulli duhet të martohet dhe mashkulli me çfarë femre. Ka përcaktuar kohën në të cilën duhet të ndodhë martesa dhe ka përcaktuar se çfarë lidhje duhet të ekzistojë mes burrit dhe gruas pas martesës, si duhet të jetë jeta e gruas dhe burrit së bashku. Të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera të cilat i përcakton Islami janë vetëm për këtë qëllim që njeriu të jetë në rrugën e drejtë dhe të ketë jetë të mirë...”.
Imam Khomejni rolin e grave në edukimin e fëmijëve e konsideron të barabartë me përpjekjet e profetëve dhe kërkon nga nënat që prehrin e tyre ta shndërrojnë në shkollë të diturisë dhe besimit, sepse edukimi i drejtë i një fëmijë mund të bëhet shkak për shpëtimin e një populli të tërë dhe edukimi i padrejtë mund të shkatërrojë një popull të tërë. Ai thotë: “Profetët janë dërguar që të ndërtojnë njeriun, të pastrojnë njeriun. Kjo është puna e profetëve. Kjo duhet të jetë edhe puna e nënave ndaj fëmijëve të tyre dhe ato duhet t’i edukojnë ata. Fëmijët në prehrin e nënës edukohen më mirë se sa pranë mësuesve. Nënat duhet të kenë vëmendje në këtë që t’i edukojnë sa më mirë fëmijët e tyre. Prehri i tyre të jetë si një shkollë e diturisë dhe besimit. Nënat janë burim i të mirave dhe nëse do të jenë nëna që kanë edukuar keq fëmijët e tyre, ato bëhen burim sherri. Një nënë mund ta edukojë mirë një fëmijë dhe ai fëmijë mund ta shpëtojë një popull dhe mund ta edukojë keq atë fëmijë dhe ai fëmijë ta shkatërrojë një popull”.
Imam Khomejni duke kritikuar ata të cilët e zhvlerësojnë detyrën dhe përgjegjësinë e edukimit të fëmijëve të mirë si rol të nënës dhe kundërshton ashpër përhapjen e idesë për ndarjen e fëmijëve nga nëna dhe dorëzimin e tyre në jetimore dhe thotë: “Kanë bërë përpjekje që nënat t’i ndajnë nga fëmijët. U kanë induktuar nënave se kujdesi ndaj fëmijëve nuk është punë e rëndësishme dhe ju ejani në punë nëpër administrata e kompani. Kështu fëmijët e pafajshëm i ndanë nga prehri i nënave dhe i çuan në jetimore e në qendra të ndryshme ku persona të pamëshirshëm i kanë edukuar ata në mënyrë të padrejtë. Fëmija që është ndarë nga nëna, të edukohet pranë kujt do, ai merr komplekse dhe një edukim i tillë bëhet shkak për shumë veprime të këqija...”.