Irani në pasqyrën javore...51
https://parstoday.ir/sq/radio/uncategorised-i10201-irani_në_pasqyrën_javore...51
Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 10, 2016 22:39 Europe/Tirane
  • Irani në pasqyrën javore...51

Në emër të Zotit dhe me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm kushtuar zhvillimeve më të rëndësishme të javës së kaluar në Iran.

Spikeri

Javën e kaluar, Lideri suprem i revolucionit islamik në takimin e zhvilluar me funksionarë të sistemit të Republikës Islamike të Iranit, edhe një herë shprehu përkrahjen e tij për çdo veprim që është në favor të interesave kombëtare dhe të zgjidhjes së problemeve të popullit. Ajetollah Khamenei, lider suprem i revolucionit islamik, u takua me funksionarë të pushtetit ekzekutiv, të pushtetit legjislativ dhe të pushtetit juridik dhe vlerësoi përpjekjet e bëra nga qeveria në kuadër të realizimit të politikave të ekonomisë rezistente si dhe e cilësoi të domosdoshëm unitetin mes funksionarëve të tre pushteteve si dhe bashkëpunimin mes qeverisë dhe popullit për zbatimin e këtyre politikave. Në këtë takim Ajetollah Khamenei kërkoi formimin e shtabit të ekonomisë rezistente. Lideri suprem i revolucionit islamik theksoi se shtabi qendror i ekonomisë rezistente i komanduar nga qeveria dhe personalisht nga zv/presidenti i parë, duhet të bëjë përpjekje që në bashkëpunim me të gjitha organet dhe institucionet të krijojë kushtet për zhvillimin e të gjithë sektorëve ekonomikë dhe për realizimin e ''veprimit dhe implementimit'' në ekonominë rezistente. Republika Islamike e Iranit që nga fitorja e Revolucionit Islamik është përballur me probleme dhe sfida të ndryshme ekonomike. Pjesa më e madhe e këtyre problemeve kanë qenë pasojë e politikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve perëndimore për të goditur ekonominë e Iranit. Armiqtë e Revolucionit Islamik mendonin se duke krijuar probleme ekonomike dhe duke kufizuar pjesëmarrjen e Republikës Islamike të Iranit në tregjet ndërkombëtare, mund të dobësonin revolucionin islamik dhe ta izolonin atë. Për më shumë se tre dekada perëndimi ka vendosur sanksione të ndryshme ndaj Iranit, ndërsa gjatë dekadës së fundit, Amerika dhe aleatët e saj me pretendimin se programi bërthamor i Iranit ka qëllime ushtarake kanë vendosur sanksionet më të ashpra dhe kanë miratuar rezolutat e paprecedente në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por rezultati i këtyre politikave nuk ishte distancimi i popullit iranian nga sistemi i Republikës Islamike të Iranit, por përkundrazi gjatë zgjedhjeve të ndryshme të organizuara gjatë viteve të fundit, populli iranian me pjesëmarrjen mbi 70% në votime shprehu përkrahjen e plotë për demokracinë fetare në Iran.

Spikeri

Në vazhdim të fjalës së tij, Lideri suprem i revolucionit islamik duke theksuar se ''veprimi dhe implementimi'' në ekonominë rezistente duhet të jetë i atillë që në fund të vitit të mund të prezantohen raporte shpresëdhënëse dhe reale mbi punën e sektorëve të ndryshëm, shtoi: ''Organet dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv janë të afta të realizojnë politikat e ekonomisë rezistente.'' Ajetollah Khamenei theksoi se në zbatimin e politikave të ekonomisë rezistente duhet mbështetur në aftësitë dhe potencialet e shumta të vendit dhe t'i kushtohet rëndësi e veçantë prodhimit si në sektorin industrial, ashtu edhe në sektorin bujqësor. Në vazhdim, Lideri suprem i revolucionit islamik e cilësoi Amerikën si shembull i qartë i prepotencës dhe tha se 'nuk duhet të kemi besim te amerikanët dhe te disa vende perëndimore, por duhet të besojmë në forcat tona dhe drejtësia e këtij mendimi duket qartë në veprimet dhe qëndrimet e funksionarëve amerikanë.' Ajetollah Khamenei theksoi se bashkëpunimi dhe solidariteti mes funksionarëve krijon kushtet për realizimin e ekonomisë rezistente dhe shtoi se RII gjithmonë ka shfrytëzuar favorin e unitetit kombëtar. Në këtë takim foli edhe zv/presidenti i parë i RII z. Is'hak Xhahangiri, i cili pasi vlerësoi direktivat dhe udhëzimet e Liderit suprem dhe përkrahjen e tij për qeverinë, theksoi se qeveria iraniane ka përpiluar një program të përgjithshëm për zbatimin e politikave të ekonomisë rezistente dhe konsideron se këto politika do të zgjidhin problemet e ekonomisë së Iranit.

Spikeri

Javën e kaluar, pas luftimeve të përgjakshme në Nagorno Karabakh, presidenti i RII, z. Hasan Ruhani ka ofruar rol ndërmjetësues në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë, lidhur me konfliktin në Nagorno-Karabakh. Ruhani e bëri këtë ofertë në telefonata të ndara që zhvilloi me homologët e tij nga Azerbajxhani dhe Armenia, gjegjësisht Elham Aliev dhe Serzh Sarkisian. Presidenti i RII tha se Teherani është i gatshëm që t’i përdorë të gjitha mjetet paqësore për arritjen e zgjidhjes së dallimeve ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, përmes dialogut politik. Rohani u ka bërë thirrje Alijevit dhe Sarkisianit që të bëjnë të pamundurën në ‘zbatimin e plotë të armëpushimit, të monitorimit të tij dhe të arritjes së paqes në kufijtë mes të dyja vendeve”. Në këto biseda telefonike, presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë e informuan presidentin iranian mbi gjendjen më të fundit në rajonin Nagorno Karabakh dhe falënderuan Iranin për përpjekjet për zgjidhjen paqësore të kësaj krize.

Spikeri

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin e zhvilluar javën e kaluar në Baku me ministrin e jashtëm të Republikës Islamike të Iranit Muhamed Xhavad Zarif, deklaroi se Rusia përkrah anëtarësimin e plotë të Iranit në Organizatën e bashkëpunimit të Shangait. Lavrov duke theksuar se presidenti rus ka dhënë urdhër për heqjen e sanksioneve bankare ndaj Iranit shtoi se Moska është e gatshme të financojë centralin e Bandar Abasit dhe elektrifikimin e linjës hekurudhore Inçeboron-Garmsar në lindje të Teheranit. Nga ana e tij ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit duke theksuar mbi zgjerimin e bashkëpunimit bankar dhe konsullor mes Iranit dhe Rusisë tha se në fushën e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të uljes së tarifave doganore janë arritur progrese dhe marrëveshja Teheran-Moskë për krijimin e korridorit të gjelbër doganor ka rëndësi të madhe. Ministrat e jashtëm të Republikës Islamike të Iranit dhe Rusisë duke përkrahur vazhdimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve diskutuan edhe mbi zhvillimet më të fundit në Siri dhe mbi përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen politike të krizës në këtë vend. Takimi Zarif-Lavrov u zhvillua në kuadër të takimit trepalësh mes ministrave të jashtëm të Iranit, Rusisë dhe Azerbajxhanit në Baku.

Spikeri

Ministrat e jashtëm të Iranit, Rusisë dhe Azerbajxhanit e vlerësuan si shumë të rëndësishëm takimin trepalësh në Baku dhe rolin e këtij takimi në thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit në çështje të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare. Në deklaratën e publikuar në përfundim të takimit trepalësh mes ministrave të jashtëm të Iranit, Rusisë dhe Azerbajxhanit përkatësisht Muhamed Xhavad Zarif, Sergei Lavrov dhe Elmar Muhamedjarov, të treja palët theksuan në respektimin e kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe rëndësinë e intensifikimit të luftës ndaj kërcënimeve të reja kundër paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në botë. Gatishmëria për luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit, krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike ishte një pikë tjetër e deklaratës së përbashkët të ministrave të jashtëm të të tre vendeve. Shefat e diplomacisë të Iranit, Rusisë dhe Azerbajxhanit gjithashtu theksuan mbi zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh në sektorët ekonomikë, energjetik, transportit, infrastrukturës, kulturës, turizmit, tregtisë, doganave dhe në çështjet konsullore. Në këtë deklaratë u vu theksi në vazhdimin e përpjekjeve të gjithanshme për mbrojtjen e detit Kaspik si det i paqes, miqësisë dhe sigurisë dhe e finalizimit sa më shpejt të regjimit juridik të detit Kaspik.

Spikeri

Takimi i katërt trepalësh i ministrave të punëve të jashtme të Iranit, të Republikës së Azerbajxhanit dhe të Turqisë u zhvillua javën e kaluar në qytetin Ramsar në veri të Iranit. Bisedimet rreth çështjeve të përbashkëta trepalëshe dhe rajonale si konflikti në rajonin Nagorno Karabakh ishin temat më të rëndësishme të takimit të së martës mes Muhamed Xhavad Zarif, Almar Muhamedjarov dhe Mevlyd Çaushoglu, ministrat e punëve të jashtme të Iranit, Azerbajxhanit dhe Turqisë që u zhvillua në qytetin Ramsar në veri të Iranit. Në përfundim të takimit trepalësh të ministrave të jashtëm të Republikës Islamike të Iranit, Turqisë dhe Republikës së Azerbajxhanit, u publikua një deklarate përfundimtare ku u theksua mbi forcimin e bashkëpunimit mes tre vendeve në fusha të ndryshme në kuadër të organizatave rajonale siç është Organizata për Bashkëpunim Ekonomik (ECO) dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik. Në këtë deklaratë gjithashtu u theksua edhe në forcimin e unitetit islamik dhe në përballjen me sfidat përpara botës islame. Në këtë deklaratë u theksua mbi forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, kundër prirjeve separatiste për ndarje territoriale, si dhe për respektimin e paqes, stabilitetit dhe të sigurisë së vendeve të rajonit për të arritur një progres më të madh në të gjitha fushat. Diplomatët e lartë të Iranit, Azerbajxhanit dhe Turqisë me këtë rast kërkuan zgjidhje të shpejtë, të drejtë dhe paqësore të konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë duke respektuar ligjet dhe normat ndërkombëtare. në këtë takim janë nënshkruar 2 marrëveshje të bashkëpunimit trepalësh në fushën e tranzitit, energjisë, në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Ministrat e jashtëm të Iranit, Azerbajxhanit dhe të Turqisë me këtë rast kanë zhvilluar edhe takime të ndara dhe kanë diskutuar në lidhje me çështje të ndryshme me interes të përbashkët.

Spikeri

Javën e kaluar, gjatë hapjes së ceremonisë së ditës kombëtare të teknologjisë bërthamore, presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se e drejta e kombit iranian në fushën e teknologjisë bërthamore është njohur zyrtarisht nga bota dhe nga organet ndërkombëtare. 20 Farvardini (8 Prill) në kalendarin e Iranit është quajtur dita kombëtare e teknologjisë bërthamore. Në ceremoninë ku janë prezantuar sukseset më të fundit në fushën e teknologjisë bërthamore, presidenti i Republikës Islamike të Iranit tha: E gjitha bota e ka vënë re se logjika dhe arsyeja në tryezën e bisedimeve është më e fortë sesa presioni dhe padyshim ky sukses i diplomatëve iranianë në negociatat bërthamore, është cilësuar diplomacia më e rëndësishme e Iranit përgjatë këtij shekulli. Ruhani tha se nuk mund të besohet të tjerëve 100% dhe shtoi: Në marrëveshjen e arritur me grupin 5+1 Irani është bazuar tek besimi dhe vazhdon punën përpara me anë të monitorimit dhe vërtetimit të hapave njëri pas tjetrit. Nga ana e tij, z. Ali Akbar Salehi, kryetari i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit, deklaroi se në të gjitha periudhat e aktivitetit atomik, rezervat e “kekut të verdhë” të Iranit ishin 500 ton, ndërsa pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore, këtyre rezervave u janë shtuar edhe 220 ton të tjera. Salehi tha se në fushën e zbulimeve dhe të nxjerrjes së mineraleve atomike, gjithashtu puna po vazhdon me progres dhe në këtë drejtim janë realizuar 73% të objektivave ndërsa pjesa tjetër do të realizohet në dy vitet e ardhshme. Në fushën e hulumtimit dhe zhvillimit atomik, po vazhdon puna për ndërtimin e 8 mijë centrifugave moderne, ndërsa puna hulumtuese po vazhdon edhe për prodhimin e centrifugave të shëndetësisë. Salehi tha se aktiviteti i centrifugave është reduktuar 50% dhe pas arritjes së marrëveshjes bërthamore numri i centrifugave është reduktuar në 5000 dhe aktualisht me këtë reduktim Irani prodhon 700 kg më pak uranium. Ai shtoi se aktualisht objekti bërthamor i ujit të rëndë në provincën Arak është në funksion dhe aty prodhohet edhe lënda djegëse atomike e cila do të vendoset në reaktorin hulumtues të Teheranit.