Të drejtat islame të njeriut
https://parstoday.ir/sq/radio/uncategorised-i23713-të_drejtat_islame_të_njeriut
Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së lirisë së shprehjes në të drejtat islame të njeriut.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 03, 2016 10:05 Europe/Tirane

Në këtë edicion do të flasim rreth pozitës së lirisë së shprehjes në të drejtat islame të njeriut.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut". Në edicionin e kaluar kemi folur rreth lirisë së të menduarit dhe bindjes. Thamë gjithashtu se Islami bindjen e konsideron të bazuar mbi të menduarin e lirë. Nëse njeriu në mënyrë të lirë dhe duke menduar dhe duke përdorur forcën e mendjes, e pranon një bindje, nga pikëpamja e Islamit ajo është e vlefshme dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë një bindje tjetër për atë. Liria e shprehjes së bindjes, gjithashtu është një prej të drejtave të pamohueshme dhe të vlefshme, prandaj respektimi i saj është element përbërës i parimit të lirisë së bindjes. "Shprehja" është një prej mjeteve të rëndësishme komunikuese që bartë mendimin dhe kulturën e njeriut mes gjeneratave dhe shoqërive. Shprehja e çdo individi tregon identitetin intelektual dhe personalitetin njerëzor, si dhe është mjet për paraqitjen e mendimeve, vlerave, idealeve, emocioneve dhe ndjenjave të tij. Paraqitja e ideve të ndryshme nga aspekti shkencor dhe politik bëhet shkak për zhvillimin e diturisë dhe mendimeve të shoqërisë njerëzore, prandaj mund të ketë shumë dobi dhe interesa për individin dhe shoqërinë. Në të kundërtën, mohimi i kësaj lirie bëhet shkak për stagnimin e mendimeve dhe shkencave njerëzore, si dhe pengon lëvizjen drejt përkryerjes së shoqërisë dhe individit. Prandaj privimi i njeriut nga kjo mirësi hyjnore, konsiderohet shkelja më e madhe ndaj të drejtës njerëzore më natyrore dhe më qenësore të tij. Liria e shprehjes për këtë arsye manifestohet si një prej aspekteve më të rëndësishme dhe më të bukura të të menduarit të njeriut. Gjatë historisë gjithnjë liria e shprehjes ka qenë një prej faktorëve më kryesor për suksesin dhe vazhdimin e lëvizjeve fetare për zgjimin e njeriut. Deklarata Botërore për të Drejtat e Njeriut lirinë e bindjes dhe shprehjes e ka vendosur në mesin e të drejtave themelore të njeriut e cila duhet të respektohet nga të gjithë popujt dhe neni 19 i saj thotë: "Çdo individ ka të drejtë të gëzojë lirinë e bindjes dhe të shprehjes dhe kjo e drejtë e garanton njeriun që të mos ketë frikë për shkak të bindjeve të tij dhe të jetë i lirë në marrjen e informacioneve dhe mendimeve, si dhe të ketë qasja në të gjitha mjetet e mundshme për t'i marrë dhe publikuar ato, pavarësisht pengesave kufitare". Në fenë islame, liria e fjalës, e shprehjes dhe liria e lapsit, konsiderohen prej të drejtave legjitime të individëve. Në Kur'anin e shenjtë Zoti i madhëruar i ka dhënë mirësi robërve të Tij dhe i ka mësuar atyre të folurin dhe e ka lavdëruar lapsin duke u betuar në atë, në mënyrë që këta faktorë të bëhen burim i lindjes së civilizimeve, të bëhen faktorë për zhvillimin dhe përkryerjen e shkencave dhe për zgjimin e mendimeve dhe ideve njerëzore. Prioriteti dhe rëndësia e shprehjes dhe e lapsit në Islam mund të vërehet që nga fillimi i shpalljes hyjnore dhe në ajetet e para kur'anore që i janë shpallur Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në shpellën Hira. Në këto ajete kur'anore, Zoti i madhëruar e fton të Dërguarin e Tij për të lexuar fjalën e Zotit duke thënë: "Njeriun e ka mësuar nëpërmjet lapsit dhe i ka mësuar atij atë çfarë nuk e ka ditur!". (Surja Alak, ajetet 1 deri 5).

Në këtë lëvizje shkencore e cila ka filluar saktësisht me fillimin e shpalljes hyjnore, fshihet liria e shprehjes dhe lapsit për t'i transmetuar konceptet dhe për t'i shkëmbyer mendimet dhe idetë. Në këtë mënyrë vërehet se Zoti i madhëruar shprehjen dhe lapsin e ka caktuar mjet për mirëkuptim mes individëve të shoqërisë njerëzore në mënyrë që ata të kuptojnë mendimet dhe qëllimet e njëri-tjetrit dhe e vërteta e çështjeve të përcaktohet nga përballja e mendimeve dhe ideve të njerëzve. Efekti dhe dobia e lapsit dhe shprehjes së lirë të individëve është në përdorimin dhe shfrytëzimin e tyre. Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka patur këtë detyrë që t'i lajmërojë njerëzit në mënyrë që ata "të dëgjojnë fjalët dhe pastaj të zgjedhin më të mirat prej tyre". Në këtë mënyrë "ata janë personat të cilët i ka udhëzuar Zoti i madhëruar dhe ata janë pikërisht njerëzit e mençur", (Surja Zumer, ajeti 17 dhe 18). Liria e shprehjes dhe praktikimi i saj në mesin e njerëzve të zakonshëm, parimisht nuk krijon kurrfarë problemi. Mirëpo në shoqëritë arbitrare dhe despotike, shprehje e mendimeve përballë pushteteve nuk është punë e lehtë dhe në rrethana të tilla shkrimtarët dhe intelektualët përballen me kriza serioze. Sistemi Islamik nuk pranon një atmosferë të tillë diktatoriale. Imam Aliu (a.s.) përballë lajkatarëve të kohës së tij ka thënë: "Me mua mos flisni në atë mënyrë që flisni me arrogantët dhe ... mos e fshihni nga unë zemërimin tuaj dhe mos u afroni pranë meje me fjalë të mira dhe lajka. Mos mendoni që nëse thoni të vërtetën pranë meje, ajo do të më duket e vështirë mua dhe mos mendoni se unë synoj të paraqes vetën si njeri i madh. Nëse njeriut i duket e vështirë një e vërtetë që i thuhet atij ose një drejtësi që paraqitet para tij, atëherë padyshim se veprimi sipas të vërtetës dhe drejtësisë do të jetë edhe më i vështirë për atë. Prandaj mos ngurroni të thoni të vërtetën dhe të më konsultoni mua për drejtësi, për arsye se unë nuk jam aq shumë i mirë saqë të jem i mbrojtur nga gabimi dhe të jem i sigurt në çdo veprim, përveç nëse Zoti më bënë të ngadhënjejë ndaj egos tim". (Ligjërata 207 në Nahxhul-Balagha). Imam Aliu (a.s.) lirinë e shprehjes e konsideron shëndet të shoqërisë dhe në letrën e tij për Malek Ashtar, e porosit atë që duke organizuar takime publike t'u japë rast personave të cilët kanë nevojë për drejtësi dhe pa praninë e forcave të armatosura, të shprehin nevojat e tyre pa kurrfarë frike. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: "Asnjë popull nuk shpëton nga padrejtësia deri në kohën kur në mënyrë të hapur dhe pa frikë, të shtypurit marrin të drejtën e tyre nga të dhunshmit". Shumë hadithe dhe transmetime flasin në lidhje me rëndësinë e kritikës dhe nevojën e shprehjes së të vërtetave, prandaj kjo tregon ekzistencën e dhe rëndësinë e lirisë së shprehjes në dekadat e para të Islamit. Duke iu referuar historisë së jetës së prijësve të fesë, mund të kuptohet se ata kanë respektuar parimin e lirisë së shprehjes përballë opozitarëve dhe e kanë inkurajuar atë në praktikë dhe me veprimin vet deri në atë masë saqë nuk është dëmtuar rendi publik dhe morali i shoqërisë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. gjithnjë me zemërgjerësi ka trajtuar mendimet dhe idetë e opozitarëve duke i lejuar ata mendimtarët dhe intelektualët që të paraqesin mendimet dhe kritikat e tyre në mënyrë të lirë dhe pa kurrfarë frike. Zoti i madhëruar në Kur'anin e shenjtë ka prezantuar Hazretin Muhamed s.a.v.s. si një personalitet me dashuri, zemër mirë dhe që sillej mirë me njerëzit.

Mendimtari i njohur iranian Mortaza Motahari në lidhje me këtë ka thënë: "Ku është pa në historinë e botës që në një vend në të cilin të gjithë populli i tij është fetar, njerëzve jofetarë tu jepet liri deri në atë masë saqë të vijnë në xhaminë e Profetit ose të ulen në Meke dhe të thonë fjalën e tyre ashtu siç dëshirojnë. Ta mohojnë Zotin, ta mohojnë Profetin, ta refuzojnë namazin dhe Haxhin dhe të thonë ne nuk i pranojmë këto gjëra?! Në historinë islame vërejmë shumë shembuj të tillë të shkëlqyeshëm. Për shkak të këtyre lirive, Islami ka arritur të qëndrojë dhe të zgjerohet vazhdimisht. Nëse në dekadat e para të Islamit, në reagim ndaj një personi që del në skenë dhe thotë "unë nuk e pranojë Zotin", do të thuhej ejani sulmojeni dhe vriteni këtë jobesimtar, atëherë padyshim se sot Islami nuk do të ekzistonte. Islami i ka mbijetuar kohës për këtë arsye se është përballur me mendimet opozitare me guxim dhe me qartësi". Pikërisht kjo metodë dhe ky sunet i mirë ka vazhduar në qeverisjen e Imam Aliut (a.s.) dhe gjatë veprimtarisë së imamëve të tjerë ma'sum (a.s.). Burimet historike kanë shënuar disa nga ngjarjet dhe diskutimet e imamëve ma'sum (a.s.) që kanë zhvilluar me jobesimtarët dhe me ithtarët e Librit. Imam Aliu (a.s.) duke garantuar liri shoqërore dhe politike për opozitarët e tij që quheshin "Khavarixh", ka manifestuar shembullin më të mirë të demokracisë në botë që konsiderohet i pashembullt në histori. Khavarixhët në mënyrë të lirë shprehnin bindjet e tyre dhe në disa raste ata në xhaminë e qytetit Kufe që ishte qendra e Khalifatit të Imam Aliut (a.s.), e kanë shpallur atë jobesimtar. Imam Aliu (a.s.) i ka trajtuar khavarixhët me lirinë dhe demokracinë më të madhe. Ai kishte në dispozicion çfarëdo lloj masa politike dhe ushtarake, mirëpo ai as nuk i ka burgosur ata dhe as nuk i ka keqtrajtuar, ndërsa nuk ka ndalë as të ardhurat e tyre nga arka shtetërore. Ai i trajtonte ata ashtu sikur të gjithë qytetarët e tjerë. Duhet marrë parasysh se liria e shprehjes nuk do të thotë se çdo kush të paraqesë në shoqëri atë çfarë të dëshirojë, pavarësisht se a është ajo e dobishme për shoqërinë ose mund të bëhet shkak për devijimin e saj, për degjenerimin moral dhe mund të krijojë trazira. Praktikisht në asnjë sistem juridik të botës, shprehja e çdo lloj bindjeje nuk është e lirë në mënyrë absolute, sepse çdo vend në përputhje me ideologjinë që ka dhe me masën e zbatimit të parimeve morale, vendos kufizime të caktuara për lirinë e shprehjes. Kjo do të thotë se liria e shprehjes mund të kufizohet për arsye se të gjithë mendimtarët e botës pajtohen në këtë çështje se njeriu në veprim dhe sjellje të tij nuk mund të jetë i lirë në mënyrë absolute. Nga pikëpamja e mësimeve fetare, nga pikëpamja e burimeve të të drejtave themelore dhe nga pikëpamja e shumë mendimtarëve të botës, liria e shprehjes ka aftësinë për të kryer funksionet e saj të ndryshme vetëm në kohën kur të zbatohet brenda një kornize të caktuar dhe duke respektuar standarde dhe kushte logjike. Kjo është për arsye se liria e pakufizuar shkakton dëme të ndryshme për individin dhe shoqërinë. Feja islame gjithashtu edhe pse është pro parimit të lirisë së bindjes dhe shprehjes së njeriut, mirëpo ajo nuk beson në lirinë absolute dhe të pakushtëzuar.