Të drejtat islame të njeriut (39)
https://parstoday.ir/sq/radio/uncategorised-i53922-të_drejtat_islame_të_njeriut_(39)
Në këtë edicion do të njihemi me të drejtën e sigurisë në të drejtat islame të njeriut.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Qershor 25, 2017 10:17 Europe/Tirane
  • Të drejtat islame të njeriut (39)

Në këtë edicion do të njihemi me të drejtën e sigurisë në të drejtat islame të njeriut.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Të drejtat islame të njeriut".

Një prej kërkesave themelore të njeriut, është siguria dhe garantimi i saj është një prej detyrave më të rëndësishme të shtetit. Në terminologjinë politike dhe sociologjike bashkëkohore, kjo çështje konsiderohet prej parimeve më primare. Asnjë shkollë dhe sistem juridik nuk mund ta konsiderojë veten indiferent ndaj çështjes së sigurisë,  sepse jo vetëm që siguria në vete konsiderohet një prej nevojave themelore të shoqërisë, por vet ajo konsiderohet faktor i rëndësishëm për zhvillimin dhe progresin kulturore, shkencor, ekonomik dhe politik. Siguria në të gjitha aspektet  individuale, shoqërore , politike, kulturore, ekonomike dhe juridike etj., është nevojë e domosdoshme e individit dhe e shoqërisë, prandaj secili individ i shoqërisë, populli në tërësi, shtetet dhe qeveritë duhet të bëjnë të gjitha veprimet për krijimin dhe vendosjen e sigurisë. Në pikëpamjen e islamit, një prej kuptimeve më të rëndësishme të shtetit, është vendosja e sigurisë në shoqëri. Autoritetet shtetërore kanë për detyrë që të luftojnë çfarëdo agresioni që bëhet për ta prishur sigurinë në shoqëri. Imam Aliu (a.s.), sigurinë dhe qetësinë e shoqërisë e konsideron të domosdoshme deri në atë masë saqë për garantimin e saj e konsideron të domosdoshme ekzistencën e shtetit, edhe nëse ai është dhunshëm. "Me të vërtetë populli ka nevojë për sundues – të mirë apo të keq – në mënyrë që besimtarët nën hijen e shtetit, të vazhdojnë punën e tyre dhe jobesimtarët të përfitojnë gjithashtu dhe qytetarët të jetojnë nën hijen e shtetit dhe nëpërmjet tij mblidhen të ardhurat e arkës shtetërore dhe me ndihmën e këtyre të ardhurave, mund të luftohet kundër armiqve. Rrugët bëhen të sigurta dhe të drejtat e të shtypurve merren nga zullumqarët. Bamirësit jetojnë në mirëqenie dhe janë të sigurt nga agresioni i të këqijve".

"Siguria" është një ndjenjë e sigurisë që në bazë të saj, individët në shoqërinë ku jetojnë të mos frikësohen për jetën, nderin dhe të drejtat e tyre materiale dhe shpirtërore. Kjo çështje ka nevojë për dy garanci themelore. Së pari, garantimi i sigurisë së individëve përballë çfarëdo lloj arrestimi, burgosje, dënimi dhe agresione të tjera që bëhen në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme. Së dyti, garantimi i sigurisë së individëve nëpërmjet mbështetjeve të zbatuara nga shoqëria për çdo pjesëtarë të saj me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe gëzimit të lirive njerëzore. Në këtë mënyrë, siguria për individët dhe qeverinë, krijon detyrë. Kjo do të thotë që individët kanë për detyrë që të respektojnë të drejtat materiale dhe shpirtërore të njëri-tjetrit. Shteti, gjithashtu ka për detyrë që së pari me vendosjen e ligjit dhe me krijimin e strukturave administrative dhe gjyqësore, të krijojë sigurinë për qytetarët, në mënyrë që ata të qetë dhe të sigurt, të vazhdojnë jetën e tyre dhe së dyti, shteti në bazë të ligjit duhet të respektojë të drejtat dhe liritë e individëve dhe të mos i shkelë ato në mënyrë arbitrare. Koncepti i sigurisë si një kusht themelor i jetës njerëzore, mund perceptohet në çdo vend të botës. Ashtu siç është theksuar në Deklaratën Botërore për të Drejtat e Njeriut, në Traktatin Ndërkombëtar për të Drejtat Qytetare dhe Politike, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në dokumentet e tjera.

Njeriu ka jetë dy dimensionale, atë materiale dhe shpirtërore. Jeta materiale përkufizohet me trupin e tij, por jeta shpirtërore e tij në bazat intelektuale dhe emocionale të tij, ekziston në nivel të gjerë në aspektin individual dhe shoqëror. Në mënyrë që e dallon atë nga kafshët. Personaliteti ekzistencial i njeriut në realitet manifestohet në jetën shpirtërore të tij dhe ushtron ndikim mbi jetën materiale të tij në aspektin individual dhe shoqëror. Nderi dhe reputacioni që është sinonim i kredibilitetit dhe pozitës shoqërore të njeriut, në realitet është manifestim i jetës shpirtërore të individëve në marrëdhëniet shoqërore. Në marrëdhëniet e shëndosha shoqërore, parimisht nderi i individëve gëzon imunitet dhe në të shumtën e rasteve, nuk ekziston shqetësim në lidhje me këtë çështje. Shqetësimet fillojnë atëherë kur një pjesë e vlerave negative fillojnë të zhvillohen në shoqëri dhe si rezultat njolloset nderi i individëve. Për ta mbrojtur nderin e individëve, liderët intelektualë të shoqërisë kanë një përgjegjësi të madhe. Gjithashtu, edhe shteti ka për detyrë që nëpërmjet vendosjes së ligjeve penale dhe kompetencave të autoriteteve gjyqësore, të pastrojë shoqërinë nga ofezat ndaj nderit. Tani po kujtojmë disa raste të cilat rrezikojnë shëndetin e shoqërisë dhe nderin e individëve.

Fyerjet dhe sharjet janë fenomene të përhershme të shoqërive dhe motivi kryesor i kryerjes së këtyre veprimeve nga persona të ndryshëm, është ngritja e personalitetit të tyre nëpërmjet poshtërimit të të tjerëve dhe arritja në pozita të larta shoqërore nëpërmjet shkatërrimit të individëve rival. Sharja në fenë islame është e ndaluar me këtë dispozitë: "Mos shani as idhujtarët, sepse edhe ata në mënyrë injorante do ta shajnë Zotin" (Nisa'/108). Sharjet janë të papëlqyera jo vetëm në marrëdhëniet individuale, por edhe nëse ato bëhen nëpërmjet mediave grupore, sepse tregojnë një kulturë të degraduar dhe kjo çështje nuk përputhet me kulturën islame dhe si e tillë konsiderohet shkelje normash. Edhe ofendimi që ka kuptimin e poshtërimit dhe nënçmimit të të tjerëve, konsiderohet prej rasteve të ofendimit të nderit. Ky veprim nga pikëpamja e islamit, konsiderohet shkelje e standardeve dhe normave morale. Profeti i nderuar i islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: "Zoti i madhëruar ka thënë se ai i cili ka ofenduar një mik timin, është sikur të jetë nisur në luftë kundër meje".

Ndalimi i ofendimit ndaj kredibilitetit dhe nderit të individëve, është prej theksimeve të tjera të fesë islame. Fama e mirë dhe kredibiliteti shoqëror, konsiderohen kapital shpirtëror që individët duke poseduar një gjë të tillë, mund të jetojnë në mënyrë të ndershme dhe të respektueshme në shoqëri. Për fat të keq në konkurrencat e pa shëndosha shoqërore, individët të cilët janë të dobët nga aspekti moral, duke përdorur metoda negative si akuzimin, ofendimin dhe zbulimin e dobësive, rrezikojnë kredibilitetin dhe nderin e individëve, ndërkohë që kryerja e veprimeve të tilla nga aspekti moral është i qortuar dhe nga aspekti ligjor i dënuar. Akuza është lidhja e një veprimi të keq me një person i cili nuk e ka kryer atë. Imam Xhafer Sadik (a.s.) në lidhje me këtë ka thënë: "Atëherë ku një besimtar akuzon një person, besimi i tij do t'i dalë nga zemra...". Skandalet dhe zbulimi i dobësive të të tjerëve, gjithashtu është prej raste të tjera që përdorët për të ofenduar individët. Feja islame nuk e pëlqen një metodë të tillë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: "Çdo kush që e zbulon një veprim të keq, është sikur ta ketë kryer vet ai atë veprim".

Siguria e jetës, është një lloj tjetër i sigurisë. E drejta më parësore e njeriut, është me qenë gjallë. E drejta e jetës si një mirësi hyjnore, është një çështje qenësore dhe natyrore dhe themel bazë i sistemit të të drejtave të njeriut, prandaj shkelja e kësaj të drejte është një veprim i papranueshëm. Kur'ani i shenjtë jetën e individëve e konsideron shumë të vlefshme dhe vrasjen e një njeriu e konsideron sikur vrasjen e të gjithë njerëzve dhe shpëtimin e jetës së një individi e konsideron sikur shpëtimin e të gjithë njerëzimit. Në këtë Libër Qiellor, vrasja e një njeriut përveç në raste që bëhet për të mbrojtur shëndetin e shoqërisë, në bazë të rregullave dhe normave të caktuara nga aspekti i kësaj bote i jep, të drejtë familjes së viktimës për të kërkuar gjak dhe nga aspekti i botës tjetër për kryesin e kësaj vepre do të jetë zemërimi i Zotit dhe dënimi në ferr. Përveç sigurisë së jetës, siguria e të drejtave materiale gjithashtu është pjesë e të drejtave njerëzore që theksohet në islam. Pasuria, shtëpia, puna dhe të drejtat e tjera, konsiderohen domosdoshmëri të pashmangshme për të drejtën e jetës së individit. Respektimi i të gjitha këtyre të drejtave është detyrë e shoqërisë dhe garantimi i tyre është detyrë e shtetit. E drejta e pronësisë është theksuar në Kur'anin e shenjtë dhe individët kanë mundësi që nëpërmjet tregtisë dhe shkëmbimeve, të ndërhyjnë dhe të bëjnë ndryshime sipas dëshirës në pronën e tyre. Në sistemin ndërkombëtar gjithashtu në bazë të nenit 17 të Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut:  1) çdo person në mënyrë individuale ose grupore, gëzon të drejtën e pronës dhe asnjë person nuk mund të privohet në mënyrë arbitrare nga e drejta e pronës. Gjithashtu sipas nenit 15 të Deklaratës Islame për të Drejtat e Njeriut: a) çdo  njeri gëzon të drejtën për të qenë pronar nëpërmjet rrugëve të lejuara sipas sheriatit dhe mund të gëzojë të drejtën e pronësimit në atë mënyrës që të mos dëmtojë vetën, të tjerët ose shoqërinë dhe e drejta e pronës nuk mund t'i mohet dikujt, përveç në raste kur ajo bëhet për të ruajtur interesat publike dhe në rastet kur duhet të paguhet dëmshpërblim urgjent dhe në mënyrë të drejtë; b) konfiskimi dhe uzurpimi i pasurive, është i ndaluar, përveç nëse ai bëhet në bazë të sheriatit.

Një lloj tjetër i sigurisë mund të përmendet edhe siguria e punës. Plotësimi i nevojave të jetës që konsiderohet nevojë për jetën e njeriut, ka nevojë për fitimin e të ardhurave dhe për të pasur një punë të sigurt dhe fitimprurëse. Siguria nga posedimi i punës së përshtatshme, ruajtja dhe vazhdimi i saj, mund të quhen "siguri e punës. Lidhja e pa balancuar ekonomike dhe pozita e dobët e punëtorëve, krijon nevojën që të merren masa shoqërore të veçanta për të garantuar sigurinë e punës. Në sistemin ndërkombëtar, përveç njohjes zyrtare të të drejtës së punës së bashku me kushtet e përshtatshme për individët, i është kushtuar rëndësi e madhe edhe mbështetjes së punëtorëve përball papunësisë, në bazë të Deklaratës Botërore të të Drejtave të Njeriut (neni 23) dhe në bazë të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (neni 6). Gjithashtu, edhe shumë dokumente të tjera janë miratuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës në lidhje me ndalimin e largimit të pa arsyeshëm, nevojën për pagimin e dëmshpërblimit në rast të largimit, në lidhje me sigurimin e papunësisë, të drejtën për ngritjen e padive dhe masa të tjera përkatëse të cilat deri në një masë të madhe janë garantuese të sigurisë së punës.