Vlerësimi i situatës së të burgosurve palestinezë
17 Prilli përkon me Ditën e të Burgosurve Palestinezë. Më 17 Prill 1974, Këshilli Kombëtar Palestinez, për nder të sakrificave të të burgosurve palestinezë, e regjistroi këtë ditë si Ditën e të Burgosurve Palestinezë.
Përsa i përket gjendjes së mjerueshme të të burgosurve palestinezë, është ngritur shqetësimi për kushtet e qindra fëmijëve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite, ku ata i nënshtrohen torturave dhe mungesës së kujdesit mjekësor në mes të shpërthimit të koronavirusit. Ministria e të burgosurve dhe ish-të burgosurve palestinezë në Gaza u kërkoi organizatave të të drejtave të njeriut të mbrojnë fëmijët palestinezë të burgosur nga Izraeli. Të paktën dy fëmijë janë vënë nën karantinë nga izraelitët, sepse ata kanë qenë në kontakt me oficerët hetues dhe të burgosur të tjerë që kanë virusin Covid-19, raportohet nga Monitori i Lindjes së Mesme. Trajtimi izraelit ndaj fëmijëve palestinezë në paraburgim ushtarak është bërë një zonë kryesore shqetësuese për bashkësinë ndërkombëtare. Izraeli arrestoi 789 djem dhe vajza të moshës 12-18 vjeç nga Janari 2019 deri në Mars 2020. Sipas zyrtarit të Organizatës së Çlirimit të Palestinës (PLO), 291 fëmijë palestinezë ishin në burgjet izraelite në vitin 2018. Në një deklaratë, Hanan Ashravi, një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të PLO, tha: “Aktualisht janë afro 6,900 të burgosur palestinezë, përfshirë 291 fëmijë në burgjet e Izraelit “.
Shkeljet e përhershme nga Izraeli të të drejtave themelore të palestinezëve në burgjet e tij, përfshirë torturat, shtypjen dhe sulmet kanë qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes. Muajin e kaluar, autoriteti i burgjeve të Izraelit vendosi të zvogëlojë racionet e bukës, ujit dhe mishit për të burgosurit palestinezë, duke ekspozuar edhe një herë shkeljet e vazhdueshme dhe sistematike të të drejtave të njeriut në burgjet izraelite. Izraeli është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për vrasjet e protestuesve në Gaza dhe për trajtimin çnjerëzor të palestinezëve, duke e shpallur atë një “krim lufte” sipas Statutit të Romës. Numri i lartë i viktimave shkaktoi një reagim diplomatik kundër Izraelit dhe akuza të reja për përdorim të tepërt të forcës kundër protestuesve të paarmatosur. Ushtria izraelite ka vrarë 225 fëmijë palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në Rripin e bllokuar të Gazës që nga viti 2018. Organizata International Defense for Children of Palestine, e cila mbron të drejtat e fëmijëve palestinezë në territoret palestineze të okupuara nga Izraeli, pohoi se forcat izraelite kishin vrarë me dashje të mitur me municion luftarak gjatë protestave në Gaza.
Kryetari i Komitetit Palestinez për të Burgosurit, Isa Karakai, duke vënë në dukje se janë rritur shumë arrestimet kundrejt palestinezëve pas vendimit të SHBA-ve për Kudsin, tha se “të gjithë të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite janë përballur me të gjitha llojet e torturave”. Në një deklaratë për gazetarët, Karakai tha se në burgjet izraelite ndodhen mbi 7 mijë palestinezë të burgosur nga të cilët më shumë se 400 prej tyre janë fëmijë. Përmes burgimit administrativ, Izraeli pa asnjë akuzë privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në pesë vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur "përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit". Që nga viti 1967, forcat izraelite kanë arrestuar mbi 13 mijë gra palestineze. Gjatë viteve 2015-2016, mbi 20 vajza adoleshente u arrestuan në pika të ndryshme kontrolli të ushtrisë ndërsa ndaj shumë prej tyre ishte shtënë me armë. Sipas Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve dhe ish të Burgosurve në Palestinë, 7 mijë të burgosur aktualisht gjenden në burgjet izraelite, përfshirë 41 gra, 180 të mitur dhe 430 të paraburgosur administrativ. Autoritetet izraelite kanë lëshuar 92 urdhra të rinj për paraburgim administrativ. Gratë palestineze mbahen në burgun Al-Damon afër Haifas, 16 prej tyre janë nëna, 12 janë paciente me sëmundje kronike dhe tetë ishin qëlluar në kohën e arrestimit.
Më shumë se 200 palestinezë kanë humbur jetën në burgjet izraelite që nga viti 1967, nga torturimi, mungesa e mbrojtjes shëndetësore dhe plagët e shkaktuara nga ana e forcave të armatosura sioniste, bëhet e ditur nga organizatat palestineze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në njoftimin e përbashkët të Shoqatës së të burgosurve palestinezë, Organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Ndërgjegjja e të burgosurve, theksohet se 213 palestinezë kanë vdekur në paraburgimet izraelite nga viti 1967. Theksohet se shtatë prej tyre janë vrarë, 72 janë torturuar deri në vdekje, ndërsa 59 u janë nënshtruar mungesës së mbrojtjes mjekësore. Më tej shtohet se palestinezët në burgjet izraelite janë të ekspozuar në trajtimin johuman, duke përfshirë abuzimin fizik dhe psikik. Rreth 60 për qind e të burgosurve kanë pësuar “sulme brutale fizike”. Organizatat në njoftim kërkuan nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të formojë komision të veçantë për hetimin e rasteve të vdekjes së palestinezëve në burgjet izraelite.
Coronavirusi është përhapur në territoret e okupuara dhe kabineti i regjimit sionist nuk ka qenë në gjendje të menaxhojë sëmundjen. Coronavirusi, ndërkohë, është përhapur në mesin e të burgosurve palestinezë, duke ngritur shqetësime dhe paralajmërime të vazhdueshme nga zyrtarët palestinezë. Shoqata Palestineze e të Burgosurve ka njoftuar se katër të burgosur palestinezë kontraktuan koronavirusin në një burg izraelit. Kjo organizatë joqeveritare tha se Shërbimi i Burgut Izraelit informoi se të burgosurit u infektuan me virusin në burgun Megiddo, ku virusi u transmetua tek palestinezët nga një burgosur i cili u mor në pyetje nga një hetues izraelit në Qendrën e Hetimit Petah Tikva. “Të burgosurit përballen me rrezikun e infektimit nga burgjet dhe hetuesit që paraqesin një kërcënim për jetën e tyre”, tha Shoqata Palestineze e të Burgosurve. Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, u kërkoi autoriteteve izraelite që menjëherë të lirojnë të burgosurit palestinezë që qëndrojnë në burgjet izraelite. Shtayyeh pohoi se lirimi duhet të përfshijë fëmijët e burgosur dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike. Kryetari i Komitetit të Çështjeve për të Burgosurit Palestinezë ka deklaruar se regjimi sionist ka dërguar një mjek të infektuar me virusin Korona për të vizituar të burgosurit palestinezë në burgjet e regjimit sionist dhe në këtë mënyrë ka vendosur në rrezik jetën e të burgosurve palestinezë. Kadri Abu Bekr, kryetari i Komitetit për Çështje të të Burgosurve Palestinezë, deklaroi: “Ky mjek sionist pesë ditë më parë i ka bërë vizitë një të burgosuri palestinez në burgun Askalan dhe ky i burgosur palestinez pasi është kontrolluar, është kthyer në mesin e të burgosurve palestinezë dhe ka pasur kontakte me të burgosurit e tjerë palestinezë. Prandaj, regjimi sionist është përgjegjës për jetën e të burgosurve palestinezë që po i mbanë në burgjet e veta”. Kadri Abu Bekr ka shtuar se drejtoria për çështje të të burgosurve palestinezë në burgjet e regjimit sionist nuk ka marrë kurrfarë masash për të parandaluar përhapjen e virusit Korona në mesin e të burgosurve palestinezë në burgjet e regjimit sionist.