Ëndrra e Mohamed ben Selman në Arabinë Saudite
(last modified Sun, 23 Oct 2016 09:33:00 GMT )
Tetor 23, 2016 11:33 Europe/Tirane

Vdekja e mbretit Abdullah në janar 2015, u bë shkak për ardhjen në pushtet të Selman ben Abdulaziz, një tjetër nga djemtë e Abdulazizit, themeluesit të dinastisë saudite.

Mbreti Selman pas ardhjes në pushtet kreu disa reforma strukturore në pushtetin e Arabisë Saudite dhe një prej tyre ishte emërimi i djalit të tij Mohamed ben Selman si princ trashëgimtar dhe ministër i mbrojtjes i Arabisë Saudite. Megjithëse edhe para ardhjes në pushtet të mbretit Selman, disa nga prijësat sauditë kishin poste të rëndësishme shtetërore, Mohamed ben Selman  është i pari që merr postin e rëndësishëm të princit trashëgimtar në mesin e disa nga djemve të mbretit Abdullah ben Abdulziz. Pra, në rast se Mohamed ben Najef, princi aktual trashëgimtar i Arabisë Saudite i cili është i sëmurë, vdes, Mohmaed ben Selman do të bëhet mbret i Arabisë Saudite. Megjithatë që tani disa nga djemtë e Abdulazizit jetojnë ende dhe në bazë të testamentit të Abdulazizit, pushteti duhet të transferohet nga një vëlla tek vëllai tjetër, ndërsa edhe në mesin e nipave ekzistojnë shumë princa të cilët kanë më shumë përvojë dhe në aftësi më të mëdha në krahasim me Mohamed ben Selman. Kur kanë kaluar 20 muaj nga ardhja në pushtet e mbretit Selman, janë shtuar shumë edhe shumë përpjekjet e Mohamed ben Selman, i cili ka marrë përsipër kryerjen e reformave ekonomike dhe ekzekutive në kuadër të një plani 20 vjeçar. Përves kësaj, Mohamed ben Selman kishte rolin kryesor në fillimin e agresioni të Arabisë Saudite kundër Jemenit dhe gjatë vitit 2016, i ka shtuar shumë takimet e tij me funksionarë të huaj, duke u përpjekur që të fitojë përkrahjen e aleatëve perëndimorë të Arabisë Saudite, e në veçanti të SHBA, me qëllim që të marrë fronin mbretëror të Arabisë Saudite. Padyshim, një nga rrugët kryesore e të rëndësishme për të arritur në fronin mbretëror të Arabisë Saudite është fitimi i përkrahjes së SHBA.

Gjatë tre muajve të fundit Mohamed ben Selman ka zhvilluar vizita të jashtme dhe takime me shumë funksionarë të huaj. Në këot vizita mund të përmendim vizitën në Pakistan dhe takimin me kryeministrin e këtij vendi, viiztën në Kinë dhe takimin me kryeministrin kinez, vizitën në Japoni, vizitën në Kinë si kryetar i delegacionit saudit në takimin e G-20, vizitën në Nju Jork dhe takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB Ban Ki-moon dhe me presidentin e SHBA Barak Obama, vizitën në Katar dhe takimin me emirin e Katarit. Gjatë takimit ët G-20 në Kinë Mohamed ben Selman është takuar edhe me presidentin rus Vladimir Putin dhe me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. Gjatë vizitës së Mohamed ben Selman në Kinë, janë nënshkruar 15 marrëveshje bashkëpunim mes dy vendeve. Gjithashtu gjatë vizitës në Japoni, të dyja vendet nënshkruan 7 marrëveshje bashkëpunimi. Këto vizita dhe takime janë bërë shkak që analistët madje edhe disa nga funksionarët e vendeve të botës të binden për qëllimin kryesor të Mohamed ben Selman për të marrë fronin e mbretit të Arabisë Saudite. Moxhtahed i cili është një person që publikon sekretet e brendshme të dinastisë saudite, bëri të ditur për përpjekjet e Mohamed ben Selman për shpërbërjen e Këshillit të lartë të ulemave të Arabisë Saudite dhe për qëndrimet përbuzëse të tij ndaj anëtarëve të këtij këshilli. Bruce Ridel, ish oficer i shërbimit informativ amerikan, raporton se funksionarët e SHBA e kanë ftuar zyrtarisht Mohamed ben Selman të vizitojë Uashingtonin, sepse ai në të ardhmen e afërt do të bëhet mbret i Arabisë Saudite. Sipas tij, vizita e ben Selman në Uashington u bë për njohjen e tij më të mirë nga funksionarët amerikanë. Të tilla deklarata tregojnë se Mohamed ben Selman ka përkrahjen e SHBA në rrugën për marrjen e fronit saudit. Mohamed ben Selman e di shumë mirë se një nga kushtet kryesore për marrjen e drejtimit të mbretërisë saudite është përkrahja e Uashingtonit.

 Megjithëse Mohamed ben Selman nëpërmjet babait të tij ka mundësi më të madhe për marrjen e fronit mbretëror, mund të thuhet se ekzistojnë arsye të ndryshme që e pengojnë realizimin e kësaj ëndrre të tij. Sipas traditës saudite, pushteti duhet ët transferohet nga vëllai tek vëllai dhe madje edhe nëse Mohamed ben Najef që aktualisht është princ trashëgimtar, vdes, ekzistojnë djem të tjerë të Abdulazizit të cilët pretendojnë për pushtet. Deri tani, gjashtë djem të Abdulazizit e kanë marrë pushtetin pas vdekjes së tij, si Saudi, Feisali, Khaledi, Faadi, Abdullahu dhe Selmani dhe aktualisht edhe nëse shpallet fundi i sundimit të djemve të Abdulazizit për shkak të moshës dhe sëmundjeve, në mesin e nipave të tij ekzistojnë persona më me përvojë dhe më të përgatitur se Mohamed ben Selman për të marrë pushtetin. Këta persona gjatë sundimit të mbretit Abdullah kanë pasur poste të rëndësishme shtetërore dhe u shkarkuan nga këto poste nga mbreti aktual Selman ben Abdulaziz. Këta persona si Matab ben Abdullah, djali i mbretit Abdullah dhe Bandar ben Sulltan, djali i Sulltan ben Abdulaziz dhe ish princi trashëgimtar saudit, kanë ndikim shumë të madh në mesin e Këshillit të ulemave saudit dhe nuk do të përkrahin me lehtësi marrjen e fronit mbretëror nga Mohamed ben Selman. Një çështje tjetër është se Mohamed ben Selman është më pak se 35 vjeç dhe nga aspekti i moshës, nuk konsiderohet favorit për të marrë fronin mbretëror. Në mesin e nipave të Abdulazizit, ekzistojnë persona që kanë dyfishin e moshës së Mohamed ben Selmanit, si dhe përvojë shumë më të madhe menaxhuese dhe politike. Për faktin se deri tani në Arabinë Saudite nuk ka ekzistuar modeli i transferimit të pushtetit nga babai tek i biri, nëse kjo gjë ndodh në rastin e Mohamed ben Selman, kjo do të konsiderohej si një thyerje e tabusë në Arabinë Saudite. Kjo do të nënkuptonte fundin e periudhës së pushtetit të djemve të Abdulaziz dhe fillimin e epokës së pushtetit të djemve të Selmanit. Me fjalë të tjera, marrja e pushtetit nga Mohamed ben Selman  do të hapte një epokë të re në Arabinë Saudite një shekull pas themelimit të dinastisë Al saud. Kjo çështje do të bëhej shkak që rruga e Mohamed ben Selman drejt fronit mbretëror të bëhet më e vështirë sesa duket në pamje të parë. Një tjetër çështje është se në strukturën e pushtetit në Arabinë Saudite ekzistojnë dy rryma të rëndësishme Shamri dhe Sadiri, të cilat kryejnë një rivalitet të fortë për marrjen e pushtetit. Mbreti Fa’d ishte pjesëtar i grupit Sadiri, ndërsa mbreti Abdullah ishte pjesëtar i grupit Shamri, ndërsa mbreti aktual është pjesëtar i grupit Sadiri. Gjashtë mbretërit saudit pas vdekjes së Abdulazizit, 3 kanë qenë të grupit Sadiri si Feiasl Fa’d dhe Selman. Tashmë radha për marrjen e pushtetit u takon pjesëtarëve të grupit Shamri, të cilët pas ardhjes në pushtet të mbretit Selman, u shkarkuan nga postet shtetërore. Ata nuk do ta harrojnë lehtë spastrimin e bërë nga mbreti Selman si dhe nuk do të pranojnë që një pjesëtar i grupit Sadiri të vazhdojë të mbajë pushtetin në Arabinë Saudite. Gjithashtu ekzistojnë mosmarrëveshje të thella mes Mohamed ben Selman, djalit të mbretit aktual dhe Matab ben Abdullah, djalit të ish mbretit, madje qarkullojnë lajme për një atentat të dështuar për vrasjen e Matab ben Abdullah. Kjo është një tjetër dëshmi se Mohamed ben Selman ka një rrugë të vështirë drejt marrjes së fronit mbretëror të vendit më të pasur të botës arabe. Analistët e çështjeve politike janë të mendimit se rivalët e fuqishëm dhe me përvojë të Mohamed ben Selman, për të vërtetuar paaftësinë e tij në menaxhimin e pushtetit në Arabinë Saudite, do të mbështeten në rezultatet e dobëta të fushatës ushtarake saudite kundër Jemenit dhe në dështimin e politikave të Riadit në arenën rajonale e ndërkombëtare. Lufta e Arabisë Saudite kundër Jemenit që nisi në Mars 2015 me urdhër direkt të Mohamed ben Selman, tashmë kur kanë kaluar 18 muaj nga fillimi i këtij agresioni nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga mbreti Selman dhe djali i tij Mohamed, i cili është ministër i Mbrojtjes. Mohamed ben Selman duke urdhëruar fillimin e agresionit kundër Jemenit mendonte se kjo luftë do të ishte e lehtë dhe do të mbaronte shumë shpejt me fitoren e Arabisë Saudite dhe ai do të bëhej hero kombëtar. Sipas tij, kjo fitore do të lehtësonte rrugën e tij drejt realizimit të ëndrrës për marrjen e majës së pushtetit të mbretërisë saudite.

 

Tags